QIBRIJE DEMIRI FRANGU: ELIFE LUZHA, KRIJUESE ME IDE TË VEҪANTA

Pashtriku.org, 22. 09. 2014: Libri “Vdekja e ditëlindjes” e krijueses Elife Luzha është libri i tretë me poezi dhe njëkohësisht është befasia e tretë që i sjell lexuesit. Origjina e frymëzimit të saj vazhdon duke u mveshur edhe më estetikisht ashtu si vjen bota e saj ideore duke u zgjëruar. Në këtë përmbledhje vjershash kjo krijuese del edhe më kërkuese ndaj vetes dhe arrinë të njësoj lexuesin me poezinë e saj duke e gjallëruar dhe nxitur estetikisht nëpër gjithë situatat dhe çastet e saj të frymëzimit. Poezitë e këtij libri vijnë si një tingëllimë e ndjeshmërisë së saj, e cila në këtë rast mund të identifikohet si një shenjë e afinitetit krijues të saj. Kjo shënon një avansim të autores si një krijuese që procesin e shkrimit tanimë e merr si një prodhim të nevojës së botës së brendshme, si një prodhim të konceptit të saj për të dhe njëkohësisht kjo shënon një stad të vetëdijes së saj letrare që gjithësesi tani është i formësuar. Në libër hetohet një shqetësim përmanent që kalon vazhdimisht në krijim, në prodhimin e materializuar të ndjenjës duke bartur ide të veçanta. Gjithçka që e turbullon ose e gëzon autoren, paraqet frymëzimin e saj. Jeta, vërshuese me befasitë dhe të papriturat e saj, klima shoqërore shpesh edhe si produkt i së kaluarës, vetmia e dhembja i krijojnë një hapësirë medituese që e bën të asociacionon në shumçka kuptimisht poezia e saj. Natyrisht kjo është një përparësi për librin.

E veçanta e librit është këmbëngulësia e autores që ta thotë të tërën, gjë kjo që në shumë raste e sforcon paraqitjen krijuese të saj duke bërë edhe ndonjë përgjithësim, por kjo më tepër mund të merret edhe si një segment i pasionit të padëgjueshëm për komunikim me lexuesin. Poezitë tregojnë ndjenën e fortë të kujtimit për vendlindjen, të dashurëve dhe forcës së bukurisë së jetës dhe natyrës. Rrethanat dhe kryengritësia ndaj tyre, janë një pjesë tjetër e kësaj bote poetike, si gjendja e caktuar ndjenjësore në përceptimin e caktuar ndjenjësor, në përcaktimin e rrjedhës së kohës dhe inatit të njerëzve në të (korbat, zvarranikët, lukunitë), janë qeniet që kohës nuk i përballojnë dot. Disa nga poezitë janë shenja kujtesore të përjetimeve subjektive (Njeriu perendi apo poezia (Të pagjeturit), duke reflektuar ndjeshmërinë e saj ndaj dhembjes që e rrethon me një forcë kurajoje morale të lartë. Autorja mjete ka kordelet paqësore në poezinë „Të pagjeturit“ ajo është mjaft e rreptë sepse tanimë:
Në makth
retë u mplakën
mbi kokën time
pjalm bryme zbardhon.

Gjithë atë që ka në mendje dhe në subjektivën e saj, autorja e bën libër përmes udhës së frymëzimit i cili në vazhdimësi vjen ashtu si e ndien ajo botën dhe kujtimin, atë që është dashur të mbetet e të mos harrohet si një e djeshme. Autorja nuk kalon kalimthi mbi asnjë motiv, por rrinë zgjuar mbi çdo ndjenjë e ide për t’i shpalosur deri në fund vullnetshëm dhe drejtpeshueshëm, çdoherë duke qenë pashmangshëm kritike ndaj emocionit shpërthyes. Në këto poezi vërehen edhe degëzime të të njejtit frymëzim dhe kjo bëhet natyrshëm sepse dalin si pjesë të objektivit të saj krijues, por të shfaqura me një gjuhë tjetër dhe në kontekste të ndryshme. Duke qenë kështu, këto degëzime dalin të efektshme në kuptimin e ofrimit më të plotë të botës së autores, statusit të saj si krijuese. Këmbëngulëse në qërimin e hesapeve me veten dhe me atë që e rrethon krijuesja është në rrënjën e frymëzimit, të cilën me vite e ka hulumtuar, ndaj del me tri libra për një kohë të shkurtë dhe këto janë prodhime të paqetësisë së saj shpirtërore, meqë dy decenie ka jetuar larg çdo gjëje të dashur, por librat janë dëshmia se ajo ishte afër çdoherë. Ndoshta për këtë, shumë poezi i përshkon një diskurs moral edhe atë përmes personazheve historikë si janë Gj. Kastrioti, mbretëresha ilire Teuta, historia e Arbërit tj. Libri “Vdekja e ditëlindjes” ka një frymë shumë të veçantë frymëzimi, një leksik shumë të pasur dhe reflekton një forcë krijuese të autorës, gjë që na bën të besojmë se ajo do të na jep edhe libra të tjerë.

(Qibrije Demiri – Frangu)

PARATHËNIE E LIBRIT “VDES ME TRËNDAFILIN”

Duhet thënë që në fillim se libri ”Vdes me trëndafilin” i poetes Elife Luzha është një libër i padjallëzuar. Është libër i tillë sepse këto poezi i krijon pasioni i vazhdueshëm dhe sublim i saj për Kosovën, familjen e shoqërinë, për jetën shqiptare në përgjithësi, krahas intimes të cilat janë alfa dhe omega e udhës së saj jetësore plot krajata. E terrorizuar qysh e re, ajo nuk ka edhe si t’i ikë këtij mozaiku motivor. Si një vash e futur herët në dhembjen e tokës së saj, doemos e krijon Mbi-Unin i cili tërë jetën do ta udhëheq nga Kosova (poezia ”kthimi”). Poetja nuk e reflekton urrejtjen e as inatin, por e reflekton revoltën, sepse atëdheu i saj padrejtësisht vuante robërinë. Përkundrazi ajo udhëhiqet nga dashuria, nga dashuria për vendëlindjen, fëmijët dhe jetën në tërësi, por asnjëhere pa e gënjyer veten se liria mund të vie një natë nga një derë që nuk e sheh kush. Me urtësi ajo shtrinë në motivet e saj historinë dhe ëndërrën shqiptare përmes artfjalës që në një mënyrë bart edhe përvojën e saj të idhët jetësore. Ajo është një krijuese e ndjenjës dhe sinqeritetit sepse sinqerisht e shpirtërisht i ishte përkushtuar dashurive të saj të mëdha. Përkushtimi i saj me plot devotshmëri por gjithmonë pa dashur të bie në sy, thuase e la në anonimitet, për ta rizbuluar pikërisht ky libër vjershash, këto poezi dhe vetë kthimi i saj në Kosovë, që paraqet edhe vazhdimësinë e pashkëputur të veprimtarisë së saj. Në këtë libër, autorja, dëshmon fuqishëm forcën e saj dhe pushtetin që ka mbi ndjenjat e veta, duke arritur suksesshëm që pikat më të rëndësishme të jetës së saj ti disiplinoj mes vargjesh e figurash, pa rënë në patetikë, por duke u shprehur në mënyrë të emancipuar për gjithë botën e saj të tronditur dhe ndonjëhere të humbur shpirtërore. Këtë e dëshmojnë poezitë ”Lindja ime”, ”kthimi”, ”Vdes me trëndafilin”, ”Mikes sllovene” dhe poezitë kushtuar fëmijëve të saj dhe atyre të vendlindjes e që gjithësesi janë tjerë nga ata të vendeve në liri, sepse tjera ëndërra kanë ata. Autorja flet përmes gjuhës së figurave, duke arritur të krijoj një gjuhë të asociacionit dhe poezinë duke e ndërtuar me më pak fjalë, por me më shumë ndjesi dhe meditim. Përkundër që shpesh merret me motive të ashtuquajtura historike, ajo i ik folklorizmit me mjshtërinë e saj, i ik rrëfimit dhe e lë lexuesin në mesin e figurave dhe shqetësimit të saj poetik. Ky libër para së gjithash paraqet edhe arsyen e jetës së saj, duke treguar që imagjinata është ajo që e shpëton njeriun nga humbja në rrugën e vështirë jetësore. Libri në fjalë është një dëshirë e arsyes së të jetuarit dhe krijuarit të autores.

(Qibrie Demiri’Frangu)

……………………………………………………

/Ilustrimi është i pashtriku.org, sh.b/ 

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura