Tetovë, 19. 02. 2016: Patriotizmin që dikur e pata dashur shumë, tani s`e dua! E urrej, pa masë e urrej! E, po ju pyes juve lexues të këtij shkrimi se çfarë dobie patën Skënderbeu, Hasan Prishtina, Isë Boletini, Adem Jashari, Harun Aliu e të tjerë që luftuan e ranë dëshmorë? Asnjë. Lindën, jetuan e vdiqën fillikat., si kurrkushi e askushi. Po, ama, mbetën dëshmorë! Puna e madhe se mbetën dëshmorē. Pa më thoni, ju të dashur, se sot ç`është më mirë, ama të bëheni të sinqertë, të jesh dëshmor apo politikan? Po dhe politikanët lindën, njësoj si dëshmorët, pa vullnetin e tyre, por jetën e çuan sipas vullnetit të tyre, ashtu këndshëm, si duan vet. Për mrekulli: pa brenga e varfëri, me autoritet e kënaqësi, me makina e shtëpi, me femra e raki, e posaçërisht me gënjeshtrat e partisë.
Po, dale, more ti, që shkruan për politikanët, mos u kruaj, të them, se do ta hash bile thellë! Po, a e di, se i vogël je për ata, politikanët. Mos i kritiko, se, pastaj t`a humbin riskun dhe qukin. Mbylle gojën, e mos llomotit shumë se e di se çfarë të bëjnë. Të luajnë jo nënën, po gjithë robtë e shtëpisë. A more vesh, a jo! Ty, nuk të mbron askush, nuk ke rrojet me vete, të të mbrojnë. E, pse të më mbrojnë, mua, nuk frikohem prej askujt, s`i kam dikujt borxh, s`i kam premtuar, kujt popullit. Pse të frikohem, mos varem prej politikanëve? Jo. Kam punën time, dhe, e bëj me nder. Me nder, po, ama, jetën ku e ke, jetën? A është jetë kjo, more, pa para, pa kushte elementare, pa autoritet shoqërorë e familjarë. Pastaj, të llogaritin si të lëkundur, krisur nga mendja. S`ia vlen të merresh me shkrime. A nuk e sheh botën, rreth e për qark, të gjithë, ama të gjithë, edhe të thjeshtit merren me politikë. E, bytha jote që nuk përkulet. Po, si ky popull, është politizuar kaq. Ç`të bëj unë? E, hapur e them, pa le të dalë, ku të dalë, se, për mua, kurrgjë s`janë politikanët. E di se do më thoni: “lere, lere se ç`thotë ky.
More, po kush je ti? Askushi.” Ndoshta për ju s`jam askushi, po për gjakun e dëshmorëve jam, jam! Ģjaku i dëshmorëve është çmimi më i çmuar i të gjithë popujve. A e dini se ku pushon forca e shteteve? Te gjaku i pastër i të rënëve për atdhe shprehet fuqia e veprimit, e jo fuqia e mendimeve të zbrazura politike, shprehin frymëzime, e jo gjykime politike, liri, e jo robëri politike, kushtetuese. Dëshmorët dallojnë prej politikanëve, sipas esencës vepruese, e jo sipas akteve ligjore. Pse? Sepse shtetet janë krijuar prej heronjve, kurse heronjtë nuk janë krijuar prej shteteve po prej metaforave e simboleve kombëtare.
Po, masat e thjeshta popullore si njohin metaforat e simbolet e juaja kombëtare, njohin aktet ligjore politike. S`kam pse të merrem me njerëzit e thjeshtë të popullit, kush i do e kujdeset për ata. Si nuk kujdesen. Po partitë politike, a nuk kujdesen? Sa herë që u nevojiten votat, lavdërohen me heronjtë, duke u bërë edhe busta, për të mashtruar popullin e ngrate; sa të mirë bëhen, sa të sjellshëm e sa të urtë, sa popullor e sa të afërt me masën e gjorë, që si kanë edhe kushtet elementare jetësore. Lene, lene, e lele, lele, sa të kujdesshëm janë ndaj të sëmurëve, duke ju thënë: “Ju që jeni aq të sëmurë, të pa lëvizshëm, aq do kemi kujdes për ju, sa që do vijmë, do ju marrim me makina deri në vendet e votimeve. A jemi të aftë ne të partisë, a jo. A nuk vëreni e shikoni se çfarë shërbimi ju bëjmë! Kush ju shërben kështu.? Askush. Bile, as djemtë tuaj nuk ju marrin t`ju çojnë në spitale. A ne të partisë, shikoni, çfarë dashurie kemi ndaj jush, të sëmurëve, që duhet të votoni!”
Pse, atëherë të frymëzohem e të shkruaj për masën e gjorë, për të varfërit, e të sinqertit. Ç`më duhen…? Askush me ta, përveç partive politike. Vetëm ata kujdesen për popullin tonë, sepse, janë të fortë?! Aq të fortë sa që ujin, jo t`ua çojnë teposhtë, hahaha, po… përpjetë. Aq të fortë sa që, dhe, malin Sharr e shkatërrojnë, që populli mos mund të bënte drunjët, për stinën e dimrit. E, dëshmorët a janë të fortë? Si mund të jenë të fortë të vrarit. Shkurt e shqip; kur nuk interesohen politikanët për ata, të gjorët, mendjelehtit, të varfërit, popullin. More ti, po partitë politike pse janë krijuar? Janë krijuar për interesat personale të një grupi njerëzish, që përmbahen nga masat e gjera popullore. Po ç`janë dëshmorët? Kurrgjë. Mundohen të na pasurojnë historinë, krenarinë dhe fisnikërinë shpirtërore. Po, kënaqësia fizike, ku mbetet? Kënaqësia fizike, materiale mbetet te politikanët, kënaqen me të mirat e kësaj jete. Nxjerrin në pah aftësitë materiale, përforcojnë ekonominë e tyre personale, ngrejnë shtëpitë e tyre në dhjetekatëshe. Sa të mençur janë politikanët! Ata më së miri e dinë se historitë e luftërave tona janë të mbushura me humbje, kurse historitë e politikanëve janë të mbushura vetëm me fitore të parave, bizneseve, korrupcioneve, tendereve e lezeteve. E dinë se luftërat janë të përkohshme, por politika e tyre është e përhershme. Cilët të përhershëm? Politikanët. Mos jam gabim. More njerëz, a kuptoni, a jo, se historitë e heronjve, arteve dhe kulturave janë të mbushura, vetëm me fitore të zemrave dhe të shpirtrave. Politika dhe politikanët janë të përkohshëm, e jo dëshmorët e heronjtë. A nuk e di ti, patrioti i djeshëm që je bërë politikan i sotëm, se dëshmorët për nga fizionomia janë mikrokozmos, mirëpo në esencë, me frymëzimet dhe zemrat e tyre të pastërta e të sinqerta, posedojnë fuqi të jashtëzakonshme, që nuk i nxënë, jo vetëm pallatet e bukura të politikanëve, por nuk i nxë edhe gjithësia.
Dëshmorët o të gjorë politikanë, përbëjnë themelin e shtetit, flamurit, gjuhēs e kulturës së një populli, kurse ju e bëni themelin e shkatërrimit të popullit. Dēshmorët janë burime dhe shtylla më të mëdhaja për shpëtimin e popullit nga ju. Prandaj, mundoheni t’i shtrydhni shpirtrat e ishluftëtarëve për të jetuar ju më mirë. Luftëtarët, dëshmorët janë ndërtuesit e atdheut shpirtëror; atdheu shpirtëror është vlera më e madhe, se dheu ku ju jetoni duke mashtruar. Forma e dheut fizik përfiton vlerë, vetëm, me transformimin e atdheut kulturor ose shpirtëror. Politikanët, kurrë nuk kanë dashuri, perceptim apo estetikë kombëtare. Vetëm shpirtrat e lartë të furnizuara me vlera të larta dashurie prezentojnë dhe vlera të larta kombëtare. Dëshmorët e kanë dashur veten, për ta dashuruar popullin, dhe e kanë dashur popullin, kurse ju, politikanë, nuk e doni popullin për vete, sepse e doni veten, e jo popullin e dashur. Lakmia e patriotëve ndaj pasurisë, pozitave dhe gradave të ndryshme politike, e largojnë nga esenca kombëtare, dhe këta patriotë që bien në këto nivele mund të shijojnë kënaqësitë materiale, politike, por kurrë nuk do shijojnë kënaqësitë dashurore, patriotike e kombëtare, dhe asnjëherë nuk mund të bëhen patriotë.
Dashuria ndaj popullit dhe atdheut, politikanë të nderuar, është margaritar i zemrës, e zemra pa përjetime dashurore tek ju, është barrë e rëndë në brendinë e gjokseve tuaja. Dashuria juaj ndaj parave e pasurisë, ju ka dhënë varfëri shpirtërore e kulturore. Prandaj, jeni të varfër, sepse, pa përpjekje, pa sinqeritet, pa dashuri, pa sakrificë ky margaritar, thesar politik, pluhuroset, sikur që do të pluhuroseni, ju, në të ardhmen e popullit tonë.