GJEKË GJONAJ: NË ULQIN MOZAIK I VËRTETË PATRIOTIK

Ulqin, 22. 02. 2016: Falë koncertit premierë të SHKA “ Tradita” , i cili u shfaq në qytetin e lashtë të Ulqinit më 17 shkurt me rastin e 8-të vjetorit të Pavarësisë së Kosovës, skena e Qendrës Kulturore u shndërrua në një sofër mbarëkombëtare rreth së cilës festuan së bashku djem e vajza, të rinj e të reja të grupmoshave të ndryshme nga Ulqini, Prishtina, Shkupi dhe Vlora këtë, datë të rëndësishme të historisë shqiptare – pavarësinë e Kosovës. Qindra qytetarë të Komunës së Ulqinit, personalitete nga të gjitha trevat shqiptare dhe diplomatë të shquar, si ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës Margaret Uyehara, zëvendësambasadori Bix Aliu, ambasadori i Shqipërisë në Malin e Zi Ernal Filo, sekretarja e parë e Ambasadës së Shqipërisë Mimoza Veroshi e të tjerë patën rastin të kënaqen me performancën, cilësinë e interpretimit, pasurinë shumëdimensionale shpirtërore dhe trashëgiminë që përcollën artistët ulqinakë, vlonjatë, shkupianë dhe prishtinasë.
Falë organizimit të mirë të këtij spektakli festiv, por edhe një mbrëmjeje të ngrohtë dhe një atmosfere të shkëlqyer, ka qenë më se bukur të shohëh një repertor të tillë të tipareve më të mira të folklorit shqiptar, të atij folklori burimor që sot rrallë ndeshet në dimensionet e veta të vërteta, larushi ngjyrash të kostumeve tona popullore, zëra që përcillnin magjishëm aromën e trevave shqiptare pjesëmarrëse të cilat bashkoheshin në një, apo tingujt qiellor të fyellit, vallet plot ritëm, bukuri dhe elegancë.

Gjithçka ishte burimore. E bukur. Ritmike. Dukej sikur gjeografia shqiptare ishte zhvendosur për një çast në Ulqin. Të gjithë në sallë, vendas dhe të huaj festonin shqip. Iu gëzuan atmosferës festive Duartrokisnin vazhdueshëm. Ndjenin gëzim për këtë festë të madhe për kombin shqiptar. U pëlqenin të gjitha elementet e grupeve pjesëmarrëse. Dinamizmi në skenë. Bukuria fizike dhe interpretuese. Harmonia e lëvizjeve dhe e zërave. Vibracionet zanore. Thellësia e pakrahasueshme dhe kombinimi i jashtëzakonshëm i tyre. Këngët, polifonia, vallet. Ngjyrat e tyre me motive të ndryshme. Mënyra e interpretimit, meqë ishte një mozaik vërtetë patriotik.
Sepse folklori të bën për vete. Të rrëmben në atmosferën e tij. Të bën të ndihesh ndryshe. Më gazmor. Më i buzëqeshur. Më krenar. Më i relaksuar. Të bën të shijosh muzikën që vjen nga era e shekujve, të përceptosh ritmikën e valleve nën kolorin e kostumeve bashkë me fizikun elegant të valltarëve e valltareve, të cilët artin tonë popullor po e ruajnë, po e çojnë më tej dhe nuk po e lejojnë të humbasë nga elementët e vet burimorë. Me atë çka artistët reflektuan këtë mbrëmje në Ulqin dëshmuan se dine dhe përfaqësojnë me dinjitet interpretative vlerat e folklorit burimor , jo vetëm të Shqipërisë së Jugut, por edhe të Kosovës, krahinave shqiptare të Maqedonisë dhe të Malit të Zi. Kjo trashëgimi jona kulturore dhe historike e përbashkët, që ne e respektojmë dhe e vlerësojmë aq shumë është krenaria jonë. Është drirtarja nga populli shqiptar duhet të shohë drejtë Evropës, ku duhet të shkojmë me identitetin tonë.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura