Tiranë, 25. 02. 2016: Në të vërtetë, shqiptarët sot gjenden brenda një trekëndëshi të hekurt që po i shtrydh energjitë e po u mpin mendjen: qeverisja demagogjike, opozita destruktive dhe media e blerë. Sot, shqiptarët duket sikur e kanë humbur rrugën e tyre, kanë humbur pikën e orientimit dhe po shuajnë pak nga pak dhe pikën e fundit të shpresës. Është një frymë aspak shpresëdhënëse dhe aspak jetësore. Dhe e gjithë kjo situatë në një kohë kur gjendja do duhej të ishte krejtësisht ndryshe. Kur them që është një frymë, kjo do të thotë se rreziku i paralizës sociale është i madh dhe i afërt. Por nga ana tjetër, kur them se është frymë, do të thotë se brenda ka shumë fryrje; flluska fjalësh që të ngrenë mendjen, thashetheme që të bëjnë të besosh dhe atë që ti vetë e ke shpikur si gënjeshtrën e radhës… Kjo është situata ku gjendemi sot ne shqiptarët; shqiptarët e Shqipërisë dhe ata të Kosovës. Kjo është një çoroditje, që mund t’i shërbejë cilësdo force, por kurrsesi shqiptarëve!
Po le ta analizojmë së bashku:
1. Qeveria shqiptare nuk është se nuk ka bërë punë që të meritojë fjalën e mirë. Qeveria shqiptare në disa drejtime ka bërë dukshëm diferencën me periudhën anarkike të Berishës. Dhe përpjekjet e saj, unë personalisht i vlerësoj. Por si shpjegohet fakti që kësaj qeverie jo vetëm nuk po i njihet asnjë “punë e mirë”, por si nuk ka ndodhur kurrë më parë ka filluar të mbytet që në mandatin e parë, nga fryma antiqeveritare? Në mendimin tim janë disa gabime radhazi të kësaj qeverie që e kanë ushqyer këtë situatë.
2. Qeveria “Rama”, që në krye të radhës, u formatua me filozofinë e “njerëzve të ndershëm”, që do t’i bindeshin kryeministrit në “mënyrë të verbër”. Kjo justifikohej në atë kohë me shmangien e emrave të përfolur dhe me faktin e ndryshimit të kursit të drejtimit. Por do të kalonin ditët dhe Kryeministri, i cili mori përsipër të përgjigjej për gjithçka, nuk arriti dot të mposhte paranojën që lidhje me linçimin e pashoq që i kishte bërë pozita e dikurshme. Rama ra pre e një hakmarrjeje që buronte nga e kaluara e që ishte plotësisht e justifikueshme për çdo njeri, por aspak e tillë për një kryeministër. Të gjitha energjitë e kryeministrit u përqendruan në “kundërgoditjet” ndaj opozitës aktuale. Ky angazhim, sa mediatik aq edhe politik, e bëri kryeministrin t’u largohej problemeve të vërteta. Sfida e tij, nga sfidë për të ndryshuar vendin e për të përmirësuar qeverisjen në favor të popullit, u shndërrua në sfidë me ish-pozitën, për të demonstruar “aftësitë” e liderit ‘trendy’! Në këtë situatë demagogjia vjen natyrshëm si mjet shpëtimi.
3. Ministrat, të cilët në fillimet e tyre e morën me entuziazëm të krahasueshëm me komisarët e vitit ‘45 punën e tyre; kuptuan se më shumë se një punë që kërkonte mendim të lirë e horizont profesional, kërkonte “besnikëri” ndaj kryeministrit dhe kështu hoqën dorë nga shpjegimet e strategjive të tyre, ose më mirë, u detyruan të heqin dorë nga “mendimet profesionale” dhe e lanë punën e tyre në promovimet kryeministrore.
4. Administrata publike, ajo që u rinovua nga Rilindja, në përgjithësi, ka qenë ndoshta më e keqja e mundshme në formë dhe përmbajtje. Kjo e ka dëmtuar edhe më shumë imazhin e shtetit. Ndaj, edhe ato gjëra që janë bërë mirë, kur nuk ke njerëz që dinë t’i shpjegojnë apo që nuk dinë se si të veprojnë, atëherë dhe qëllimi i mirë shndërrohet në të keq… Nuk thonë kot: më mirë një armik se një mik budalla! Ndaj, mjaft zyrtarë të lartë të Rilindjes janë shndërruar sot në modele qesharake batutash e referimesh humoristike.
5. Arroganca e qeverisjes është arsyeja tjetër që ka rritur në kulm mungesën e besimit dhe sidomos ka mbuluar me hije dyshimi edhe ato gjëra të mira që ka bërë qeveria. Cinizmi dhe arroganca e të shprehurit, por edhe të vepruarit, e ka çuar në kalendat greke veprimin demokratik. Le të marrim këndin e lojërave te Parku i Liqenit. Nuk di të them nëse është pasojë e një mentaliteti autoritar se “unë jam ai që kam pushtetin dhe unë bëj ç’të dua pa pyetur askënd”, apo është pasojë e një naiviteti politik që vjen nga një ide e mirë për të bërë një vepër të mirë për qytetarët. Por sidoqoftë, një gjë është e qartë: demokracia nuk ka funksionuar dhe për pasojë, reagimet janë kaq të ashpra e situata po shkon keq. Ç’do t’i kishte kushtuar kryebashkiakut që më parë se të vepronte, të kuvendonte me njerëzit, sikundër e kërkon demokracia?!
Sot qeveria ka ngecur në demagogjinë e saj. Nuk besohet më dot as Beqja, as Haxhinasto, as Ahmetaj, as Nikolla as… Ndaj, edhe ato pak gjëra të mira që ka bërë qeveria janë mbuluar nga hija e rëndë e mashtrimit publik., për shkak edhe të atyre shkaqeve që theksova më sipër.
1. Por nuk është aspak më mirë opozita. Ende pa hequr nga supet e veta peshën e shkatërrimeve, vjedhjeve dhe shpërdorimeve që kreu gjatë periudhës në pushtet, kjo opozitë sot shfaqet më destruktive se kurrë. E paaftë për të prodhuar kauza politike, e shndërruar në qesharake pasi ka dy vite që pretendon se do ta rrëzojë qeverinë me protesta mbarëpopullore, sot gjendet më e përçarë se asnjëherë tjetër. Nga njëra anë, pesha e Berishës po e mbyt këtë parti e po e tërheq çdo ditë në batakun e destabilizimit të vet politik, nga ana tjetër, grupimet e reja në Partinë Demokratike janë prurje klanesh që nuk mund të arrijnë asgjë brenda një farse politike të ngurtësuar. Ja pse Partia Demokratike kërkon me ngulm që këtë krizë të saj ta përcjellë në shoqëri e ta shtyjë popullin drejt një destabilizimi. Dhuna është mbreti i destabilizimit dhe destabilizimi është arma e “gjetur” e berishizmit politik!
– Media shqiptare, kjo e shitur kokë e këmbë për shkak të paaftësisë së saj profesionale, e varur politikisht për arsye biznesi, është sot padyshim faktori i tretë që po e shtyn me shpejtësi popullin drejt arratisë së tij politike, sociale e ligjore. Media shqiptare, e them pa ngurrimin më të vogël, sot është arma që politika po përdor për të shfarosur përfundimisht ndërgjegjen tonë kombëtare e politike.
Në këto kushte, lipset të sjellim në vëmendjen e çdo shqiptari nevojën për të qenë të përgjegjshëm për fatet e vendit, nevojën për të mos u sjellë si militantë partiakë, por si qytetarë, sepse Shqipëria sot ka nevojë për qytetarë, madje më shumë se kurrë ndonjëherë në historinë e saj.