Vjenë, 01. 03. 2016: Shoqata e Mësuesve Shqiptarë “Naim Frashëri” në Austri shënoi festat 17-Shkurti- Dita e Pavarësisë së Kosovës dhe 7 Marsi-Dita e Mësuesit. Me pjesëmarrjen e tyre e nderuan kremten Arten Hanku, sekretar nga Ambasada e Shqipërisë dhe Imer Lladrovci, konsull në Ambasadën e Republika e Kosovës. Ishin prezent edhe disa nga përfaqësuesit e shoqatave shqiptare në Vjenë e rrethinë: Anton Marku, Ejup Murseli, Rolanda Limani, Dr.Sabri Osmani, Tahir Turkaj, Sokol Veseli. Programi u hap me këndimin e himnit kombëtar e të Kosovës nga kori i nxënësve. Programi u përgatit nga mësueset/it Ibrahim Hasanaj, Miradije Berisha, Osman Ademi e Hazir Mehmeti të ndihmuar nga prindër e veprimtarë.
Arten Hanku i uroj të pranishmit në emër të Ambasadës së Republikës së Shqipërisë në Austri. Ai mes tjerash tha: “ Pavarësia e Kosovës është realizimi i ëndrrave shekullore shqiptare që nga pushtimi turk. Pas Vlorës erdhi fillimi i këtij shekulli me pavarësimin e Kosovës, një fryt madhor i sakrificave të dëshmorëve dhe mbështetjes së aleatëve tanë si Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe vendet tjera perëndimore. Pavarësi, për çka jemi krenar dhe që duhet ta ruajmë”
Imer Lladrovci: Në emrin tim dhe ambasadorit Sami Ukelli ju uroj festat të cilat po i shënoni sot. 17 Shkurti – Dita e Pavarësisë së Kosovës është datë shumë më rëndësi kombëtare, datë e realizimit të idealeve të dëshmorëve, e idealeve të Rilindësve tanë. Rruga e jonë deri këtu ishte e vështirë, por u arrit falë gjakun të ushtarëve të Ushtrisë Çlirimtare e Kosovës me Komandantin Legjendar të saj Ademi Jashari. E arritëm me ndihmën e miqve tanë të prirë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe aleatëve ndërkombëtar. Ruajtja e gjuhës e traditave shqiptare është detyrë mbi detyrat kombëtare. Ju përgëzoj për organizimin dhe punën e juaj”
Progami artistik ishte i pasur me këngë, valle, recitime. Në hapjen e pjesës artistike kori i nxënësve këndoi këngën korale “Mëmëdheu” e pastaj grupi i vajzave: Fjolla, Blerina, Klatrina, Fiona, Reanta, Djellza luajtën vallet Vallja e Rugovës dhe Vallja e Bariut. Vargu i recituesve me vjershat e tyre kushtuar vendlindjes, Lirisë, 17 Shkurtit,7 Marsit, dëshmorëve, Komandantit Legjendar- Adem Jashari, ishte i gjatë. Me vjershën, Pavarësia, e nisi nxënësja Ela Rugova e cila u pasua nga shokët e shoqet e saj: Anesa Izairi (Adem Jashari), Makfire Jashari (Dita e Pavarësisë) Sara Alili (Legjenda Drenicare), Fiona Murseli(Festa jote), Florisa Zogaj (17 Shkurti), Lis Spahiu (Shqiponja), Lana Llapqeva (I dashur Atdhe), Elma Agushi (Gjuha shqipe), Liberta Kryeziu dhe Asije Borova (Atdheu), Jehona Skeraj (7-Marsi), Freskim Pepshi, Alma Memeti Aurona Shurdhani, Valesa arifaj, Rita Mehmeti, Anesa Izairi, Suela dhe Humera Alili, Hatixhe dhe Ehat Alili, Albion Dervishaj, Erda Arifaj, Enesa Ramaj, Milot Azemi. Aurela e Alisa Aslla, Besfort Veseli, Ajnela Imeri, Vesa Ajvaz, Elona Shurdhani, Erza Hasani, Albina Zenelaj. Recitali Atdheu nga: Lira, Arnisa, Jerina, Ereniku, Erjona dhe Lisa. Recitali -“Trojet etnike” nga: Fiona, Leonit, Fatjon, Elona, Bleona, Endrit, Samet, Antigone, Largesa dhe Besarta. Nxënësja nga Tullni, Fiona Kabashi, luajti “Baresha” në ´Violinë, kurs nxënësi Alban Spahiu këndoi këngë folklorike të përcjella me çifteli.
Programet artistike shënues të shfaqura nga nxënësit në mërgatë e ndihmojnë ruajtjen e traditave, zakoneve, gjuhës si pjesë të ruajtjes së identitetit kombëtar, andaj, kërkohet përkrahje e të gjithëve.