PROF.MURAT GECAJ: PORTRETE, PËR MËSUES TË PËRKUSHTUAR

Tiranë, 06. 03. 2016: Në prag të 7 Marsit – (1.Idriz Margjeka: Gjithnjë i paharruar, biri i Rosujës ilire…) -Disa vjet më parë, me rastin e festës së 7 Marsit, me propozimin e bashkësisë së fshatit Rosujë, në Malësinë e Gjakovës (Tropojë), në përvjetorin e ndarjes nga jeta të mësuesit të paharruar Idriz Jahë Margjeka, atij iu dha titulli “Qytetar Nderi” i Komunës së Bujanit. Sigurisht, ky ishte vlerësim i merituar për jetën dhe ndihmesën e tij shumëvjeçare në shërbim të mësimit dhe edukimit të brezit të ri.
Kur bisedon me familjarë të tij, por dhe me mësues veteranë të asaj ane, si me Kadri Bashën, Nuredin Lushaj e të tjerë, ata sjellin në kujtesë episode nga jeta e tij. Ja, çfarë tregon Nuredini: “I kam kaluar bashkë me të mbi 30 vite pune, pra jam njohur nga afër me jetën dhe veprimtarinë e pasur të Idrizit. Prandaj duhet të qëmtojmë që në vegjëlinë e tij, kur shkronjat e alfabetit të shqipes i provoi ende pa hyrë në klasën e parë, mbi rrasat e gurëve dhe në trungjet e ahave shekullorë. E fryumëzoi atë pa masë dhe kalaja e lashtë ilire e Rosujës, ku pas shumë shekujsh ruhen ende gjurmët e një qytetërimi të lashtë të banorëve shqiptarë, mijëravjeçarë në trojet e tyre të sotme. Ai trashëgoi cilësitë më të mira të paraadhësve të vetë dhe të prindërve, që jetën e ndërtuan dhe e përballuan me dinjitet, me djersën e ballit të tyre”.

– Idriz Margjeka – 

Udhën e jetës Idrizi e kishte të ngjashme me atë të sa e sa djemëve e vajzave malësore, që donin të shkolloheshin. Ai u dallua që në bankat e shkollës fillore, aty në vendlindje dhe më tej në shkollën 7-vjeçare, pedagogjiken e Shkodrës dhe gjatë studimeve të larta për biologji-gjeografi, në ish-Institutin e Lartë Pedagogjik të atij qyteti.
Ende në moshë të re, Idrizi shërbeu mësues në disa fshatra të rrethit të Tropojës, që nga Zogaj, Lekbibaj e Valbonë. Atje nuk u kursye për të ndihmuar dhe në veprimtaritë jashtëshkollore, për njohjen e kulturës e të traditave të popullit, për higjienën, pastërtinë dhe përparimin e gjithanshëm të Malësisë. Pra, kudo la gjurmët e një njeriu të mirë.
Më pas, Idrizin e caktuan kujdestar në konviktin e shkollës së mesme të qytetit “B.Curri” dhe inspektor në ish-seksionin e arsimit e kulturës së rrethit, ku shërbeu disa vjet radhazi. Me çeljen e shkollës së mesme të bashkuar në Bujan, u emërua aty zv.drejtor dhe mësues i shkencave biologji-kimi, ku e vazhdoi detyrën, deri sa doli në pension.
Gjatë 36 vjetëve të jetës së tij në frontin e dijes, kulturës dhe edukimit, mësues, drejtor ose inspektor, ai u dallua për triparet e njeriut korrekt, të komunikueshëm, të papajtueshëm me të metat e gabimet. Prandaj cilitdo i detyronte respekt, për fjalën dhe veprën e tij të mirë.
Por mësues Idrizi nuk ishte i njohur vetëm branda mureve të shkollës. Në veprimtarinë e tij shoqërore, bashkëfshatarët gjenin njeriun e ditur, gojëmbël, të matur dhe dashamirës. Jo rrallë, prindërit e nxënësve këshilloheshin me të për probleme të ndryshme të mësimit dhe sjelljes, të prirjeve të tyre etj. Fjala e mësues Idrizit peshonte, se ishte e menduar mirë dhe e bazuar jo vetëm në shkencën e pedagogjisë, por dhe në përvojën e popullit të Malësisë së Gjakovës e më gjerë.
Puna e çmuar dhe e përkushtuar, mendja dhe dora e mësues Idrizit janë skalitur e mishëruar te dhjetarë e qindra nxënës të tij, të shpërndarë anë e kënd Shqiëprisë, të cilët e kujtojnë atë me nderim e respekt të thellë. Prandaj mësuesit e rinjë vlen të marrin shembull dhe të frymëzohen nga pasuria njerëzore e pedagogjike, që ai la pas.
Por Idrizi ishte dhe një prind shembullor, model për t’u ndjekur. Fëmijët e tij, tre djem e katër vajza, kanë qenë ndër nxënësit shembullorë të shkollës së Bujanit dhe më tej të tillë janë në jetë.
Për tërë jetën e tij të përkushtuar në shërbim të arsimit tonë kombëtar, mësuesi veteran Idriz Margjeka (15 gusht 1933-28 nëntor 1998) është dekoruar nga Presidenti i Republikës me medalje e urdhëra. Por, siurisht, “dekorata” më e lartë është mirënjohja e brezave për jetën dhe veprën e tij, atdhetare e arsimore.
2. Destan Rama: Me pasion, për edukimin e brezit të ri


Nga e djathta: D.Rama e M.Gecaj…

Si sot më kujtohet ajo ditë, kur u takuam përsëri në kryeqytetin Tiranë me mësuesin e pasionuar dhe bashkëpunëtorin e rregullt të gazetës “Mësuesi”, Destan Rama. Siç ka mbetur shprehja, bashkë “pimë një kafe”, por dhe kujtuam kohën e njohjes, vite të shkuara, bashkëpunimin me shtypin tonë arsimor etj. Në atë periudhë, unë isha redaktor në gazetën “Mësusi”, botim i Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës. Ndërsa Destani shërbente në Drejtorinë Arsimore të Bulqizës, por dhe na ndihmonte për pajtimet dhe shpërndarjen e gazetës në atë rreth. Serioz, i përpiktë, i rregullt e i vëmedshëm, ai dallohej ndërmjet kolegëve të tjerë, që e ndiqnin këtë çështje në rrethe të ndryshme të vendit tonë.
Siç është e natyrshme, u njoha nga afër me Destanin dhe mësova se tërë jetën ai e kishte lidhur shumë ngushtë me shkollën dhe arsimin tonë kombëtar, me mësimin dhe edukimin e brezit të ri. Ai shprehej vetë, se provonte kënaqësi të veçantë, që megjithëse në pension, përsëri e ndiente “aromën” e dashur të vatrave të diturisë dhe përparimit. Kjo ndodhte jo vetëm se ai nuk i shkëputi lidhjet me shkollën e tij dhe me Drejtorinë Arsimore të rrethit të Bulqizës, ku ai shërbeu me devotshmëri për shumë vjet, por edhe se në rrethin e tij familjar kishte gati personelin e një shkolle. Kështu, vajza e tij, Marieta u bë mësuese e gjuhë-letërsisë, djemtë Çlirimi e Petriti mësues për lëndën e fizikës e të edukimit fizik dhe tri nuset e djemëve, Bedrija, Esmeralda e Danja shërbyen mësuese në shkolla të ndryshme. Por Destani ka mbajtur përherë edhe një lidhje tjetër të pashkëputur me arsimin, duke lexuar rregullisht gazetën e tij të dashur, “Mësuesi”, më pas revista po me këtë emër.
Ashtu i heshtur e fjalëpakë, ai tregonte me thjeshtësi për vendlindjen dhe për kohën e kaluar, mësues dhe edukator i talentuar i brezit të ri. Lindi në fshatin Peladhi të Bulqizës, ku dikur kalonte Udha e Arbërit. Mësimet e para i mori aty dhe ato 7-vjeçare në Zerqan. Me dëshirën e flakët për t’u bërë mësues, i ndoqi studimet e mesme në shkollën pedagogjike të Peshkopisë. Ndërsa në vitet në vazhdim përfundoi degën e gjuhë-letërsisë shqipe, në ish-Institutin e Lartë Pedagogjik të Shkodrës.
Destani e nisi udhën e bukur të mësuesisë në zona të thella të rrethit të Dibrës, në Kocaj e Sebisht të Gollobordës, në Smallik, Bulqizë e Fushë-Bulqizë. Në vitin 1989, u kthye në shkollën e fshatit Godvi, ku kreu detyrën e mësuesit dhe të drejtorit. Kudo, që shërbeu, ai la gjurmët e një mësuesi të palodhur, të dashur për nxënësit e prindërit e tyre. Por Destani u tregua i palodhur edhe në veprimtaritë shoqërore, për mbledhjen e studimin e pasurive gjuhësore, historike, folklorike etj. të zonës së tij. Me qindra janë faqet, që ai mblodhi me fjalët e rralla, fjalët e urta, gojëdhënat e toponiminë. Për t’u theksuar është puna e mirë, që ai bëri për pasurimin e shfrytëzimin e bibliotekës së shkollës nga nxënësit. Me kujdesin e tij u krijuan edhe mjaft biblioteka të vogla në familjet e tyre.
Mund të flisnim e të shkruanim edhe më shumë për këtë mësues dhe edukator të brezit të ri, i cili nuk i kurseu asnjëherë energjitë mendore as fizike në detyrat e nderuara, që iu caktuan gjatë jetës.

Prof.Murat Gecaj – publicist e studiues. Tiranë, 06. 03. 2016

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura