(Londër, 14 janar 2012) – Edhe 12 – vjet pas dëbimit të hordhive çetnike serbe, për shumë shqiptarë të Kosovës, lufta akoma nuk ka mbaruar. Ata akoma jetojnë nën shtypje e varfëri të skajshme. Ata akoma jetojnë të përbuzur, të manipuluar dhe me dinjitet të nëpërkëmbur! Ata akoma jetojnë në gjendje të jashtëzakonshme për mbijetesë, të pa vlefshëm dhe të harruar nga bota. Sëkëndejmi, ata janë të pafuqishëm përballë pushtetit despotik që është instaluar në Kosovë, që nga paslufta, dhe sa herë që tentojnë ta ngrisin zërin për të drejtat e tyre, për hallet e tyre, për dinjitetin e tyre, ata marrin si shpërblim injorimin, mashtrimin, përbuzjen e shpesh edhe dhunën e sistemit despotik.
Kishin shpresuar se pas gjithë atyre vuajtjeve e sakrificave, më në fund do t’i ngrohte dielli edhe ata. Se më në fund, do të ishin të lirë dhe do të kishin mundësi e shanse afërsisht të barabarta me të tjerët për një jetë dhe ardhmëri të dinjitetshme!?
Mbase ata po e shohin dhe duhet ta shohin e kuptojnë, sikurse edhe unë, që Kosova akoma nuk është e lirë. Kjo Kosovë e tillë akoma ua mohon të gjitha ato për të cilat kanë shpresuar…!
Edhe një herë: Kosova akoma nuk është e lirë!?
Nuk është e lirë, sepse lirinë e saj të vërtetë po ia ngulfasin biznesmenët e pandershëm, spiunët, hajnat, kontrabandistët, kriminelët e çdo lloji, matrapazët e injorantët, të huaj e vendorë, të cilët i kanë pushtuar institucionet shtetërore. Kosova akoma nuk është e lirë, sepse për Kosovën klani në pushtet nuk bën politikë të mirëfilltë dhe të vendosur që ajo të jetë plotësisht e lirë.
Në Kosovë nuk bëhet politikë!
Në Kosovë bëhet vetëm biznes!?
Gjithçka në Kosovë, prej A deri në ZH, është biznes dhe asgjë tjetër!
Bëhet biznes në Qeveri, në Kuvend, nëpër të gjitha institucionet shtetërore. Biznes dhe vetëm biznes bëhet nëpër zyrat e partive politike, nëpër Organizata joqeveritare, nëpër spitale, universitete, shkolla, qerdhe etj. Biznes bëhet ditën, natën, edhe në gjumë, të shtunën, të dielën, çdo sekondë.
Biznes bëhet para buke, pas buke…!
Biznes bëhet edhe me Shqipërinë, por edhe me Serbinë. Kur rrezikohet biznesi mbyllet kufiri me Shqipërinë dhe luftohet me të gjitha mjetet që të hapet kufiri me Serbinë!? Biznes bëhet edhe kur bëhet biznes…!
Dihet se në biznes ka përfitime të mëdha, por edhe humbje të mëdha e bankrotime. Në Kosovë fitojnë gjithmonë despotikët dhe bankrotojnë të pakrahët, të ndershmit, të ligjtë, te përbuzurit…!
Fitojnë politikano-biznesmenët, VIPA-t e vërtetë!
“Sokrat i vuajtur apo derr i kënaqur”.
Ta merr mendja…!
Jemi futur në rendin kapitalist, të tregut të lirë.
Derisa në shtetet demokratike kapitaliste ka rregulla e ligje dhe rolet janë të ndara; ata që bëjnë vetëm biznes, dhe ata që bëjnë vetëm politikë shtetërore, politikë për interest e popujve dhe shteteve të tyre, në Kosovë s’ka rregulla e ligje. Edhe ajo pak politikë që bëhet, bëhet nga varësia e biznesit, ose thënë ndryshe, në shërbim të bizneseve të tyre. Në Kosovë, ata që duhej të qëndronin larg bizneseve dhe të merreshin vetëm me politikë për interest e popullit e të shtetit, bëjnë biznes në emër të popullit e shtetit kundër popullit e shtetit.
“Fshati që duket kallauz nuk don”
Kosovën e ka mbërthyer korrupsioni, varfëria, injoranca, ineteresat mafioze fisnore e klanore, te cilat bëjnë luftë të pa kompromis për t’i mbrojtur me çdo çmim, jashtë çdo rregulli e norme, interest e tyre mafioze. Ata që po tentojnë t’ua zënë rrugën e t’ua ndalin hovin, tallen, shpifen, kërcënohen, rrahen e burgosen. Shpallen ekstremistë, banda kriminale kaçakësh e deri si antishtetërorë e antikombëtarë!?
Ata kontrollojnë çdo gjë, e kanë monopolizuar çdo pore të jetës në Kosovë. Me ta fillon dhe mbaron historia!? Ata kontrollojnë çdo organizatë, çdo shoqatë, të gjitha mjetet e informimit, dhe i kanë korruptuar e shantazhuar shumicën e atyre që do të mund të ndryshonin diçka. Opozita u është nështruar këtyre rregullave me kohë (përveç Vetëvendosjes), sepse edhe ajo bën pjesë në zingjirin e gjatë të krimit e korrupsionit. Kjo klasë sunduese që është shumë biznesore e fare pak politike tashmë e ka humbur edhe at pak legjitimitet që ka pasur. Të gjithë e dime se si janë masakruar votat në zgjedhjet e fundit. Por skenari ishte i tillë dhe nuk mund të ndodhte ndryshe. Duhej të shpallej fituese në çdo mënyrë kjo klasë politiko-biznesore, sepse duhej të bëhëshin politika e biznese të tilla të papërgjegjshme e nënshtruese çfarë po bëhen . Ndërkombëtarët i mbyllen sy e vesh përpara kësaj masakre votash, sepse kishin edhe ata interest e tyre, sepse duan të bëjnë politikë e biznes të qetë e pa probleme.
Shembulli më i mire që e dëshmon këtë është Vetëvendosje.
Kur Vetëvendosje po mundohet të bëjë vërtet politikë parimore shtetërore e kombëtare, ngrihen të gjithë si në kor dhe pa zgjedhur metoda e mjete e demantojnë, e shpifin, e akuzojnë dhe e luftojnë me egërsi. Kjo urrejtje patologjike e kësaj klase politiko-biznesore në pushtet, sidomos e PDK-së, ndaj Vetëvendosjes, tregon se sa të tërbuar bëhen kur u cenohen monopolet dhe ineteresat e tyre. Pra kjo dëshmon se sa fort janë të lidhur me karrigën e butë të pushtetit dhe privilegjet e shumta që ata gëzojnë. Aq shumë po i frigohen rrites së Vetëvendosjes, sa që edhe në protestën krejtësisht paqësore që bëri Vetëvendosje në pikat kufitare (per mocionin e reciprocitetit me Serbinë) flisnin dhe përgatiteshin si për luftë.
Çfarë Paradoksi!!!
Po kundër kujt ishin përgatitur aq seriozisht?
Kundër popullit të vet, krejtësisht paqësor e të paarmatosur!?
Po a rrihet populli yt i vuajtur e fukara për plazma – keksat e Serbisë!?
Kjo të bën të qeshësh e të qashë në të njëjten kohë!
Kjo Qeveri që nuk i zbaton vendimet e organit vendimmarrës, Kuvendit, dhe pas kësaj që ndodhi në protestën e Vetëvendosjes do të duhej të largohej menjëherë. Kështu do të ndodhte në vendet demokratike ku ka demokraci, rend dhe ligj, por në Kosovë kjo nuk mund të ndodhë, sepse Kosova akoma nuk është e lire dhe demokratike. Në Kosovë po bëhet e ndaluar të jesh popull, të jeshë parti që mendon dhe vepron ndryshe, të kritikosh e demonstrosh. Në Kosovë po bëhet e ndaluar të jesh i pakënaqur. Ne Kosovën e sotme duhet të shtiresh si “derr i kënaqur”! Kosova vërtetë do të jetë e lirë kur t’i shporrim këta mafiozë e injorantë dhe të mos guxojë më asnjeri ta dhunojë e ta përbuzë.
Kosova do të jetë plotësisht e lirë atëherë kur të bëhet një – me nënën Shqipëri!
Kësaj rruge tashmë jemi nisur…!
– Autori është kryeredaktor i portalit albaniapress.com.
Postime të Lidhura
Skënder Sadri KAPITI: Padia e Ramës kundër Haradinajt – “padi†kundër shqiptarëve
Durrës, 2 shkurt 2020: Aventurat antishqiptare e ndarjes së Kosovës apo e korigjimit të kufijve si dhe ajo…
GJOKË DABAJ: KUSH ËSHTË GRABITËSI MË I MADH NË SHQIPËRI?!
Durrës, 2. 7. 2016: Më 30 qershor 2016 ndodhi në Aeroportin e Rinasit një grabitje “spektakulare” e një…
EPIDAMN ZEQO*): IDE PËR DALJEN NGA KRIZA
Londër, 02. 05. 2014 – (A është ‘Maturuar’ Tregu i Banesave në Shqipëri?) – Qëllimi parësor i këtij…
AVDI IBRAHIMI: ÇLIRIMTARI I DËSHPRUAR!
Prizren, 11. 06. 2013 – Pa diellin që po lindete tutje maleve të Gjallicës dhe Pikëllimës, ju duk…