BEDRI ISLAMI: DALJA NGA HIJA, HIJA E BUXHOVIT! (II)

Pashtriku.org, 03. 02. 2014 – Mos vallë Rexhep Mala dhe Nuhi Berisha, duke qenë se ishin liderët e një lufte që po përgatitej të vinte, edhe pasi luftuan disa orë rrjesht, tashmë në mesin e Prishtinës, dhe ajo ishte një luftë deri në fund, nuk e dinin se edhe për to, të zeztë e lidhur me UDB-në do të shkruanin se u vranë terroristë, irredentistë, nacionalistë, si në të vërtetë u shkrua edhe për rënien e tyre? Rexhep Mala dhe Nuhi Berisha ishin themeltarët, brenda Lëvizjes Çlirimtare, që për herë të parë ngritën bazamentin e Partisë së Luftës, e para parti e këtij lloji në Kosovë, me përcaktim të qartë kombëtar; e ngritën së bashku me disa nga figurat madhore të luftës që po vinte, mirëpo tash del një zuar politik dhe hedh shashkën se njerëzit e Lëvizjes Çlirimtare qenkan vrarë nga vetë njerëzit e tyre? Cili nga ata që i rrethoi dhe i vrau ishte njeri i Lëvizjes? Disa vite më pas, përsëri në mesin e Prishtinës do të viten, po ashtu të rrethuar dhe pas disa orë beteje, dy liderë të tjerë të Lëvizjes, Afrim Zhitia dhe Fahri Faslia. Dihet tashmë se kush i rrethoi, të kujt ishn helikopterët luftarakë që u sollën mbi lagjet e qytetit, nga kush u mitraluan, ashtu si duhet se shpagimi ishte i dnejë për jetën dhe rënien e tyre. Afrim Zhitia ishte një djalë ende i ri, paksa ëndërrimtar, në sytë e tij mund të shihje gjithë rininë e botës, i pasionuar deri në imtësi për Shqipërinë, do të thoja i pasionuar pas saj, ndaj kishte marrë mbi vete, si emër të luftës, Ismaili, në nderim të Kadaresë, dhe nipit të tij ia kishte vënë emërin Dritëro, në nderim të Agollit. Sa ishte ende tepër i ri, aq mund të bënte, më pas ai ishte njeriu që ngriti në këmbë tërë Prishtinën në demonstratat e mëdha të vitit 1989, së bashku me Fahri Fasilinë, njeriun e guximshëm, jashtëzakonisht trim; të dy shokë dhe miq deri në rrjedhën e gjakut. Ende fjala e Afrim Zhitisë, para gjithë demonstruesve, në Kodrën e Diellit, pak para se të vritej, është një tempull i njeriut të lirë, ende përkushtimi i Fahri Faslisë ndaj shokëve është një dëshmi se deri ky shtyheshin këto njerëz për shoshoqin… Buxhovi ndoshta nuk i di të gjitha këto, jo sepse nuk është i ditur, por sepse nuk i kanë interesuar dhe se, mbi të gjitha, këto lëvizje masive të rezistencës çlirimtare i binin ndesh ideve të tij , ishin e kundërta e asaj që kishte aspiruar dhe nga e cila ishte frymëzuar. Por kur them Buxhovi, nuk mendoj vetëm Jusufin, sepse një emër nuk do të thotë asgjë; në mendje kam tërë një klasë politike, të lidhur ngushtë me pushtetin e djeshëm, masha të atij pushteti, përcëllues të idesë së mëvetsisë, e aq më shumë të përbetuar ndaj bashkimit të kombit. Mirëpo gjërat që janë bërë në mesin e ditës, ngjarjet që kanë bërë epokizimin e kohës, nuk janë të paditura, sepse, edhe nëse bën të paditurin, në të gjithë kosovën, kudo, do të shohësh përmendoret e këtyre njerëzve, piedestalin e të cilave ata e ngritën me jetën e tyre. Në të gjithë këto vite, që kur i jam bashkuar me gjithë shpirt Lëvizjes Popullore të Kosovës, kam vërejtur dy gjëra, herë herë të ndryshme, e mjerisht edhe të kundërta. Të ndryshmet kanë qenë pjesë e jetës sonë. Rruga e luftës ka qenë e ndryshme nga rruga e pacifizmit, por nuk mendoj se do të bëheshin të kundërta. Rruga e mohimit të luftës, e për më shumë , përdhosja e vlerave të luftës, ishte e kundërta e së ardhmes së Kosovës. Fakti që ende sot, kur gjërat janë qartësisht të sigurta, hidhen tymyese të tilla politike, të cilat bartin një vrer kaq të madh, më duket e çuditshme, por edhe e përceptoj. E çuditishme, sepse është e mjerueshme t dalësh kundër një Lëvizje Çlirimtare, e cila, sikur asgjë tjetër të mos bënte, vetëm ndriçimin eshpirtit të popullit përmes idesë së sakrificës, do të ishte e mjaftueshme të nderohej. E përceptoj sepse jam i bindur se në Kosovë, ajo kolonë që ishte e ngjashme me çdo lloj serbizimi të shpirtit, është ende aty, e pranishme, e rafinuar deri në imtësi, e strukur, por edhe e ngritur, gjalpëruese dhe njëkohsisht tinzare. Më jepni një levë, thonte dikur Arkimedi… unë do i thoja titistëve..më jepni një shembull, në të cilin njerëzit e Lëvizjes Çlirimtare janë bërë pjesë e eleminimit të shokëve të tyre… ndërkohë unë do mund të ju sillja mijra shembuj të tjerë, që bartin ndjenjën e veçantë njerëzore, të pakrahasueshme, të asaj lidhje të veçantë që ishte mes tyre, fluide dhe e sinqertë, e afërt dhe jetëdhënëse, dhe, po të mos ishte kjo ndjenjë, jam i bindur, nuk do të kishim as Lëvizje Çlirimtare, as Ushtri Çlirimtare të Kosovës dhe as që kemi sot, një shtet të pavarur, me të gjithë hallet e brengat e tij. Edhe kjo rrugë e ka një fillesë, e ka degëzimin e saj, shumimin dhe problemet, disa nga shpresa, disa nga padija, disa nga provat e vështira që jeta u vuri përballë. Por ka edhe të paharruarat e saj, nëpër të cilat është ecur bindshëm, gjithnjë me idenë se do të vinte një ditë lirie. Si ndodhi ky rrugëtim dhe çfarë pengesash barte ai? Le të ndalemi më gjatë në vazhdimin e këtij shkrimi…
Në të gjithë lumin e pafund që derdhi pa asnjë lloj brejtje, Buxhovi akuzoi njerëzit e Lëvizjes Çlirimtare se ishin, as më shumë e as më pak, të lidhur me UDB-në dhe, shkoi më tej, edhe me KGB-në ruse. Ky ishte tërbimi i tij politik, ose më saktë maja e këtij tërbimi. Më është kujtuar menjëherë se që në ditët e para të arratisjes së Jusuf Gërvallës, bashkë me të, edhe pëshpërima se ai nuk duhet besuar, pasi është agjent i UDB-së dhe, jo rastësisht, një lëmsh i zjarrtë shpifjesh u hodh mbi figurën e tij, e kur e ndjenë se ata nuk zunë vend dhe se ishin të pamjaftueshme për ta ndalur, i bënë pritë dhe e vranë. Pastaj më është kujtuar se të njëjtët, kështu si Buxhovi, tinëzisht dhe mjerueshëm, përhapën fjalët se Adem Jashari nuk ishte asgjë tjetër veçse një njeri i shërbimit të fshehtë serb, duke shkuar edhe më tej se, “po të mos ishte, nuk do të linte Serbia të bridhte i lirë, ku do e si po do”. “Mendja” e tyre e kishte “parë Adem Jasharin edhe duke pirë me shefin e zyrës sekrete në Drenicë dhe kjo hidhej edhe në mediet zyrtare të Prishtinës. Kur u pa se e gjithë kjo nuk mund të zinte vend mbi figurën e një njeriu si Adem Jashari dhe familja e tij, pasi e kishin rrethuar dy herë pa sukses, ngritën një pritë të trefishtë në natën e 5 marsit 1998 dhe e vranë së bashku me 54 anëtarë të familjes dhe të fisit të tij. Mund të shkojmë edhe më tej; vetë ushtrinë Çlirimtare të Kosovës e kanë akuzuar se ishte vegël e Arkanit, e kësaj here jo vetëm “legalistët” e Prishtinës, por edhe një njeri që hiqet sikur i qan zemra për Kosovën dhe që ishte presidenti i asaj kohe në Shqipëri, Sali Berisha. Kaq shumë baltë u hodh mbi këtë strukturë, çdo ditë të premte në konferenca shtypi, sa do të mjaftonin për të nxirë disa herë çfarëdo ushtrie të rregullt. Dhe kur e gjithë kjo nuk zuri vend, atëherë ngritën komisionin e famshëm të verifikimeve të krimeve të luftës, nga i cili u hartuan dosjet e luftëtarëve të UÇK-së, por asnjë dosje për krimet serbe. Buxhovi, por edhe të tjerë para tij, nuk janë mjaftuar vetëm me lidhjen e shpikur mes Lëvizjes Çlirimtare dhe UDB-së, por kanë shkuar më tej, deri tek KGB-ja. Lidhjet mes UDB-së dhe KGB-së jam i bindur se ai dhe të tjerë rreth tij i dinë fort mirë sepse, në mos tjetër, i ka studiuar dhe e di se të dy shërbimet, në kohë të ndryshme, sidomos kundër shqiptarëve, kanë qenë jashtëzakonisht të lidhur. Zaten shkolla e UDB-së ishte KGB-ja, por ata e rrinë në një shkallë më të lartë perfeksionin e dhunës kundër shqiptarëve. Vërtet çfarë ishin këta njerëz, vizioni i të cilëve ishte Kosova e së ardhmes, ishin atdhetarë apo udbash, ishin në vazhdën e idesë së lirisë apo të nënshtrimit, ishin republikanë apo autonomistë? Më duhet ta pranoj të vërtetën se ka pasur raste kur në mesin e Lëvizjes Çlirimtare ka pasur bashkëpunëtorë të shërbimit të fshehtë serb. Kjo ka qenë e pritshme dhe logjike, sepse ku do të synonte të penetronte ky shërbim, në mos në lëvizjen klandestine? Në “Rilindja” nuk i duhej gjë, pasi më shumë se gjysma ishin njerëz të saj dhe mbi 90 për qind ishin anëtarë të lidhjes komuniste serbe; në Institutin Albanologjik, që në vitin 1981 njihej si kështjella e nacionalizmit, nuk kishte pse, pasi sekretari i lidhjes komuniste, Rugova, ishte flamurmbajtësi i procesit të diferencimit; në Akademinë e Shkencave, ku kishte dhjetëra figura të ndritura, nuk kishte pse, sepse kishte Mark Krasniqin, akademik që ende nuk i dihen veprat, deputet i parlamentit serb; në qeverinë hije të Kosovës, po ashtu nuk kishte përse, sepse veç Rrahman Morinës, kishte edhe të tjerë si Isa Mustafa, të cilët e bënin punën e tyre edhe pa qenë të rekrutuar; në qeverinë Bukoshi, po ashtu nuk kishte përse, sepse aty shërbimi i fshehtë serb kishte vënë vend mjeshtërisht dhe se çfarë bëri kjo qeveri kur filloi lufta e pas saj, e ka dëshmuar numri dy i qeverisë, Shatri. Atëherë i mbeteshin dy vatra ku i duhej të futej: në Lëvizjen Çlirimtare dhe në Lëvizjen Studentore, sidomos pas vitit 1996, kur liderët e saj, e jo vetëm liderët, u lidhën me Lëvizjen Popullore të Kosovës, edhe si drejtues të saj.
Pra, në vite të ndryshme, shërbimi i fshehtë serb ka arritur të ketë të ketë njerëz të infiltruar te lëvizja çlirimtare. Jo të shumtë, jo në nivelet e larta, por mjaftueshëm për të bërë dëme të ndjeshme. Dikush është futur qëllimisht, që në ditët e para, duke u bërë pjesë e Lëvizjes pastaj, pasi ka marrë një pjesë të informacionit dhe duke e ditur se nuk mund të ecë më tej, ka bërë denoncimin e tij. Dikush tjetër, këto edhe më të paktë, gjithsejtë katër raste në 30 vjet aktivitet (të paktën këto janë të njohur), janë thyer gjatë torturave, nuk kanë arritur ta durojnë dhunën mbi to dhe kërcënimet ndaj familjes dhe kanë pasur çastin e zhvlerësimit të tyre. Kjo ka sjellë edhe dëmtime të radhëve, sidomos pas Mbledhjes së IV të Përgjithshme, në vitin 1993 dhe në janarin e vitit 1997. Kanë qenë dy nga dëmtimet më të mëdha, më të ndjeshme dhe të cilat kanë ndikuar në një periudhë ringritje të domosdoshme. Jo gjithnjë pa dhimbje, nga qelia e burgut, ku ishte i arrestuar Xhavit Haziri, një nga tribunët dhe liderët e Lëvizjes, do të dërgonte fjalë në vitin 1993, se “shtëpinë që kemi nisur të ndërtojmë, ta lini tani për tani, studentët le të vazhdojnë studimet. Ky ishte mesazhi i njeriut kryesor në ngritjen e strukturave të UÇK-së, të cilin ua dërgonte shokëve të tij, mes të cilëve edhe studentët Hashim Thaçi e Kadri Veseli. Por, këta të infiltruar apo të thyer më vonë, nuk ishin Lëvizja e as nuk ishin pjesë e saj. Ata ishin agjentë serboshqipfolës, të cilët nëpërmjet miqësive apo shfaqjeve atdhetare, dalëngadalë, por këmbëngulës, arritën të bëheshin përkohësisht pjesë. Këtë më mirë se kushdo e dinë njerëzit e “Rilindjes”. Ashtu si në “Rilindja” ka pasur edhe njerëz, gazetarë që kanë ditur shumë gjëra, ndoshta edhe detaje, por kurrë nuk janë bërë pjesë e sistemit informues. Një prej tyre, Ramush Tahiri, që kur ishin student, ishte në dijeni të grupit klandestin të Fehmi Lladrovcit, i njihte të gjithë, me emër e adresë, studentë apo ushtarakë, i dinte familjet e tyre, miqtë e shokët që kishin, por asnjë e dhënë, dhe ai dinte jo pak, nuk u bë e njohur nga ai. Pra, ka pasur edhe shembuj të tillë, por jo nuk e përjashton faktin se në “Rilindje” kishte më tepri bashkëpunëtorë të shërbimit të fshehtë serb. Ashtu si qenia e pranishme e një apo e pak vetëve, të infiltruar apo të thyer nga shërbimi i fshehtë serb, nuk e bën Lëvizjen as pjesë të UDB-së apo të KGB-së. Lëvizja çlirimtare, edhe kur ishte në vështirësi, sidomos pas goditjeve të vitit 1993 dhe të vitit 1997, kishte qindra veta, të cilët edhe sot janë pjesë e jetës politike në Kosovë. Dhe duhet thënë se shumica e tyre, më shumë se 80 për qind, ishin me vite të gjata dhe të rëna në burgjet serbe. Në vitin 1998, sipas një vendimi të posaçëm të Lëvizjes çlirimtare, u ngrit një Komision i veçantë për hetimin e Ngjarjeve të Luftës. Si drejtues i Organizatës, me miratim unanim, më takoi të kryesoja këtë Komision, i cili verifikoi gjithçka që ishte e mundur, intervistoi e ballafaqoi njerëz e ngjarje, në Kosovë dhe jashtë saj, bëri ndërlidhjen mes ngjarjeve dhe informacioneve të ardhura. Së bashku me anëtarët e Këshillit të Përgjithshëm, Sejdi Gega dhe Naser Idrizi, për disa muaj, intensivisht, u bë çfarë ishte e mundur për t’i zgjidhur ato enigma që mund të ishin të rënda por që, në fakt, pas ndriçimit të tyre, çdo gjë ishte lehtësisht e besueshme. He në të gjithë luftën çlirimtare, sado e rëndë dhe e vështirë ishte ajo, nuk ka pasur asnjë rast të shpërfilljes apo të përhapjes së të dhënave, megjithëse asokohe nuk ishte vetëm shërbim i fshehtë serb që synonte t’i kishte ato.
Fakti që me Lëvizjen Çlirimtare, LPK, punuan ngushtë, deri në fund dhe pa asnjë ekuivok, shërbimet diplomatike të vendeve më të zhvilluara perëndimore, por edhe shërbime të tjera të këtyre shteteve, duke pasur besimin e jashtëzakonshëm te Lëvizja, deri në partneritet, dëshmon se gjithçka ishte e pastër, vitalisht e besueshme dhe, mbi të gjitha, pa asnjë lloj hije që mund të nxihej me kalimin e viteve. Të gjithë njerëzit që Lëvizja Çlirimtare ka ofruar për bashkëpunim me diplomacinë ndërkombëtare, shpesh edhe të shkallës së lartë, apo për të bashkëpunuar me shërbime të tjera perëndimore në favorin e luftës, janë miratuar pa asnjë lloj ngurrimi. Dhe, dua të besoj, si kam besuar edhe asaj kohe, se secili prej nesh ka qenë i kaluar nëpërmjet rrezeve iks të politikës dhe të diplomacisë së dyfishtë. Në takimin e parë në Londër, me ndërmjetësinë e ambasadorit shqiptar, Agim Fagu, me një zonjë, përfaqësuese e rëndësishme e botës perëndimore, i ofrova lidhjen me njërin nga shokët tanë në Zvicër. Më kërkoi dy ditë kohë për të më dhënë përgjigje, por që të nesërmen më telefonoi për të më thënë se ishte dakord. Kështu, dua të besoj se ka ndodhur edhe me shokët e tjerë dhe thuajse të gjithë ata që përfaqësuan mendimin diplomatik të UÇK-së në Perëndim kishin qenë të burgosur politik; që nga Bardhyl Mahmuti, drejtues i Trupës, Jashar Salihu, Bilall Sherifi, Ramadan Avdiu, Sabri Kiçmari, Xhevat Bislimi, Agush Buja, Mehmet Bislimi, por edhe të tjerët, Ibrahim Kelmendi e Pleurat Sejdiu, që nuk kishin kaluar nëpër burgje, kishin besimin e plotë të niveleve të larta diplomatike.
Çfarë nuk kishte ndodhur e nuk do të ndodhte asnjëherë me “gazetarët” e dyfishtë të “Rilindja”, veçse në rastet kur ishin të nevojshëm si informatorë. Ky është dallimi i madh mes dy ndarjeve: njëra ishte nën shënjestrën e shërbimit të fshehtë serb, por kishte mbështetjen e botës diplomatike e jashtë saj, tjetra, mjerisht, ishte e përkëdhelura e shërbimit të fshehtë serb, shpeshherë pjesë e saj dhe e pazëshme në botën diplomatike. Me fillimin e luftës ata ishin në askund. Të duket e çuditshme… nëse do të besonim këtë sajesë të buxhovistëve. Atëherë duhet të “besojmë” se shërbimi i fshehtë serb na paska qenë “shqiptaromadh”, bile edhe më shumë sesa vetë shqiptarët sepse, pa asnjë lloj hezitimi, bashkëpunëtorët e tij dhe të KGB-së, si thotë trupërisht Buxhovi, njerëzit e Lëvizjes Çlirimtare, i burgos, i torturon, i djegë, i zhduk pa asnjë gjurmë, i vret sheshazi dhe fshehtas, i burgos pjesëtarët e familjes, ia vret edhe ato, ndërsa ata, “nacionalistët” dhe “irredentistët” e tipit Buxhovi, përkundrazi, megjithëse e di se janë “atdhetarë” të mëdhenj, i përkëdhel, i pranon në lidhjen komuniste serbe, si ishin buxhovët, i bën deputetë në parlamentin serb, i dërgon si gazetarë jashtë shtetit, si në Gjermaninë Perëndimore, i mbush me dhurata. Ndërsa ata, “agjentët” e Lëvizjes, sipas Buxhovit, njerëzit e Lëvizjes, kalben nëpër burgje, buxhovët i kalojnë pushimet jashtë shtetit, jetojnë në banesa luksoze, për të cilat nuk paguajnë asgjë, bredhin nëpër lokalet e natës, kur të burgosurit politikë merren në pyetje në mesin e natës dhe, si mos më keq, lihen të lidhur gjithë natën e gjithë ditën. E përsëris, sipas buxhovistëve, ata, gazetarët, anëtarët e Lidhjes Komuniste Serbe, në filialin e saj në Kosovë, të përkëdhelurit, bashkëpunëtorët e vërtetë të UDB-së, himnizuesit e bashkim-vëllaznimit, përsëri shiten si nacionalistë, kur e kanë harruar edhe fjalën atdhe. 27 të burgosurit politikë, vetëm një pjesë e Lëvizjes të burgosur në vitin 1986, u dënuan së bashku me më shumë se 320 vjet burgim të rëndë, shumica e tyre studentë, asnjëri nuk ishte më shumë se 30 vjet, ende në lulen e rinisë; ndërkohë që buxhovistët i denigronin në medien e tyre si njerëz pa moral, pa dinjitet, irredentistë, por asaj kohe, asnjëherë, nuk mund të shpifnin se këta të burgosur ishin agjentë të UDB-së dhe të KGB-së, sepse UDB-a ishte ende aty, në zyrat e tyre, në mendjen e tyre, në vetëdijen e tyre, ku është edhe tani. Është një kohë kur mjerimi kërkon zërin e vet, edhe në politikë. Njërin prej tyre e ka gjetur tashmë, një ish-gazetar i “Rilindjes”, anëtar i Lidhjes Komuniste Serbe, gjysmë publicist e gjysmë hetues i policisë së fshehtë serbe e, ndoshta, edhe më shumë se kaq! Kohë e mjerueshme. Çakejtë duan të rikthejnë atë që shkoi. Është një mundim i kotë. Nuk do të munden. Dhe si për të dashur të mbyll këtë cikël, në numrin e ardhshëm, në vend të rezymesë, do të rikthehem në vendin që zë Lëvizja Popullore e Kosovës dhe përtej saj, Lëvizja Çlirimtare, në historinë moderne të kombit tonë.
Nuk dua të futem nëpër labirintet e enigmave që tani, pas kaq shumë vitesh, po duan të shfaqen si të tilla. Kori i shtrigave, si te Makbethi, është ngritur tashmë nga hijet e varrezave për të bërë edhe një “performancë” makabre, duke sjellë në ndihmë gjithfarë udbashi, këtej e matanë kufirit, të njohur si të tillë prej viteve dhe, të cilët, vetëm në një vend si Kosova mund të mbijetonin politikisht. Nuk dua të futem në ngastra të tilla, pasi njerëzit që e përbënin Lëvizjen Popullore të Kosovës i njoh thuajse të gjithë, ua di vlerat, virtytet, pasionet, por edhe dobësitë e mangësitë që kanë. Prej më shumë se 20 vjetëve jam pjesë e tyre, herë-herë si një pjesë e zakonshme, më shpesh se publicist, e kur është dashur kam marr përsipër edhe misione të tjera. Nëse mund të ketë diçka për të cilën në jetën time jam i bindur, krejt i qetë, është devotshmëria e njerëzve që e përbënin Lëvizjen Popullore të Kosovës, po ashtu edhe Lëvizjen Çlirimtare në viset shqiptare në ish-Jugosllavi. Nuk duhet harruar se, në fund të fundit, fillesën e shkërmoqjes, ai palo shtet i sllavëve të jugut, e kishte pikërisht në Kosovë, pikërisht nga këta njerëz të cilët, krejt njerëzisht, bën një histori moderne e njëkohësisht epike. Nuk dua të bëj gjithfarë parantezash për të theksuar një të vërtetë të dukshme, e cila i bëri të padukshme në Kosovë ushtrinë serbe, policinë dhe gjykatat serbe, doganat serbe, i bëri të mosqena strukturat e hetuesisë dhe të prokurorisë serbe, shërbimin e fshehtë ushtarak serb e, më në fund, hoqi edhe strukturat themelore të UDB-së, paçka se ende kanë mbetur rrjedhimet e saj. Kjo ndodh me çdo komb, gjithsecili prej kombeve ka mbeturinat e veta njerëzore, ashtu si ka edhe fisnikërinë e tij. Këtë fisnikëri unë e kam gjetur 20 vjet më parë. Mjaft njerëz, në vite të ndryshme, më kanë pyetur, si dhe pse u bashkova me Lëvizjen Popullore të Kosovës. Herë pas here në librat e botuar nga unë, por edhe në artikujt që kam shkruar, kam dashur t’u tregoj njerëzve se si ndodhi fillimi i kësaj historie, takimet e para të rastësishme dhe si për të parathënë shumëçka, takimet e para ishin në përkujtimin e vëllezërve Gërvalla e Kadri Zeka, të cilat, edhe pse ndodhën rastësisht, do të vinin një ditë; përfshirja gjithnjë e më thellë në ngjarjet e kohës, bisedat e para, nganjëherë tepër të gjata, pyetjet e mia dhe rastet kur nuk merrja përgjigje, por e vetmja gjë që nuk kam pasur, ka qenë ngurrimi. Nuk kam ngurruar asnjëherë të bëhem pjesë e Lëvizjes Popullore të Kosovës. Fillimisht u takova me tre njerëz të ndryshëm, përfaqësues të Lëvizjes Çlirimtare, të cilët, në tërësinë e tyre, mund të jenë shëmbëlltyra e asaj që ishte vetë ajo. Takova Ali Ahmetin, njeriun mentar, të qetë, të durueshëm, bindës në fjalën e tij, i kujdesshëm për të dëgjuar deri në fund, edhe kur nuk ishte i një mendje me të; i sinqertë dhe i pasionuar jashtëzakonisht pas librave. Në shtëpinë e tij mund të gjeje shumë nga librat e kohës, ai vetë i përpinte librat, asaj kohe ishte i përqendruar më shumë te literatura politike, historia dhe diplomacia, por me të mund të flisnim me orë të tëra për Migjenin, Mjedën, Fishtën, Dostojevskin e deri edhe për poetët modernë. Takova Ibrahim Kelmendin, njeriun enigmë të Lëvizjes, vrulli i të cilit i përshtatej fare mirë kuptimit të strukturës ku bënte pjesë, pra i lëvizshëm brenda një elementi të lëvizshëm, nganjëherë i rrëmujshëm, i hapur për të gjitha llojet e temave. Ndryshe nga disa të tjerë ai nuk kishte asnjë lloj nostalgjie për regjimin e shkuar në Shqipëri në të kundërtin, e kishte stigmatizuar shumë herë atë, ndaj edhe kishte qenë i padashur; si do të ishte më pas i padashur për regjimin e Berishës. I shkujdesur për sulmet që i bënin, por edhe njeriu që kishte rrëzuar mitet brenda organizatës. Takova Fehmi Lladrovcin krejt ndryshe nga Kelmendi, megjithëse ishin shumë miq. Fehmiu ishte njeriu që çdo gjë e merrte dhe e kuptonte shumë seriozisht. Ai e merrte seriozisht luftën, e merrte organizatën shumë seriozisht, megjithëse më pas do të ishte i pari që në marsin e vitit 1998 do të shkëputej nga të gjitha strukturat partiake për t’iu kushtuar vetëm luftës; i trajtonte shokët me kujdes të veçantë, i dhimbshëm dhe njeri që nuk mund të dëgjonte asgjë të pahijshme, drenicak me përmasat e të gjithë Shqipërisë, njëlloj i njohur si në fshatin e tij të lindjes, ashtu edhe në Strugë e Zagreb. Nuk e kam dëgjuar kurrë të flasë për veten, adhuronte Adem Jasharin dhe Adem Demaçin. Këta ishin dy idhujt e vetëm që kishte dhe, megjithëse ishte njeri i durueshëm, me vete barte vetëm një ngutje: kthimin në Kosovë. I pari, Ahmeti dhe Lladrovci më ftuan të isha pjesë e Lëvizjes; me Kelmendin fillimisht, ditët e para nuk u morëm vesh, ndoshta u keqkuptuam, pastaj u bëmë miq të afërt dhe e kam respektuar për sinqeritetin, haptësinë dhe durimin që kishte pasur në gjithë ato vite, megjithëse mbi të ishte hedhur një mal me baltë. Shumë vite më vonë, me sinqeritet, Hashim Thaçi do më thoshte se, sikur secilit prej nesh t’i kishte ndodhur ajo valë sulmi, si kishte ndodhur me Kelmendin, ndoshta do të ishim tërhequr. Përse përmenda këto tri njohje, kur kam edhe qindra të tjera, për të cilat do të flas më poshtë? Sepse në vetvete ata janë në një formë ose tjetër, mishërimi i një jete në përpjekje ose, më saktë, paraqitja tredimensionale e Lëvizjes. Në njërën anë njeriu i ilegalitetit, i lindur për të punuar në konspiracion, pakëz romantik në shpirt, ashtu si ishte vetë Lëvizja me nocione e vizion romantik, të mbartur që nga Lidhja e Prizrenit; njeriu që përpiqej t’i lidhte njëqind fije për ta bërë të mundur fillesën e rezistencës së armatosur, njërën këmbë e kishte në perëndim, tjetrën në të gjitha viset e vendlindjes, ndërkohë që më shumë e gjeje në Drenicë, te Shaban Shala apo Lladrovcët, sesa në fshatin ku kishte të parët, në Zajaz. Në fakt, ky ishte edhe perceptimi i drejtë dhe vizionar i Lëvizjes: heqja e ngastrave të krahinave, të fiseve, të ndarjes mes luginave dhe shpateve, mes besimeve dhe paragjykimeve, duke i përmbledhur të gjitha nën një emër: Kosovë. Lëvizja kishte pasur guximin të shihte edhe atë që të tjerët nuk e mendonin dot, kishte gjetur mundësinë të ngrinte një vizion kur të tjerët ishin mbyllur ose në rrethin vicioz të autonomistëve ose, më pas, të pacifistëve; ajo kishte ngritur një rrugë të vështirë kur të tjerët as që mund ta mendonin. Në fund, denjësisht, kishte bërë të mundur që mbi ngrehinën e së djeshmes që mbahej mend, të fillonte një të nesërme që do të kishte vendin e saj. Nuk e kam parë kurrë Ali Ahmetin si zajazas apo si kërçovar, sepse nuk e kam parë kurrë Lëvizjen si e shkëputur nga i gjithë kombi. Lëvizja ishte e njëjtë si në mentalitetin e Ukshin Hotit, i cili, edhe kur ishte nën gjykim, në atë sallë të përgjakur, u dërgonte përshëndetjet e tij shokëve të Lëvizjes, por ishte e tillë edhe në vështrimin e Dritëro Agollit, të Xhevahir Spahiut, të Shaban Sinanit, të Ali Podrimjes, të Gjelosh Gjokës, të Moikom Zeqos, të Sabri Godos… pra nuk kishte qenë i gabuar vështrimi im, ai kishte qenë i njëjtë me shikimin e një plejade elitare. Ky fakt, nëse nuk më bënte vetëm të lumtur, më bënte ta ndjeja nderin që më kishin bërë duke qenë pjesë e tyre. Ky ishte një kënd i Lëvizjes, hapësira e saj, tejet gjeografike, aspak krahinore, tejet e përbashkët, aspak e përndarë; tejet njerëzore, aspak inatçore; tejet e kujdesshme, aspak mohuese; thellë klandestine, aspak llafazane; me njerëzit e së cilës mund të rrije më mirë se me veten tënde. Por ajo kishte edhe një kënd tjetër, po ashtu human, larg meskines, njëkohësisht larg dëshirës vetëm për vete. Qindra njerëz i ishin bashkuar asaj në perëndim. Këta njerëz, larg atdheut, ndoshta i kishin të gjitha ato që mund të dojë një njeri meskin, por që në fund të fundit janë të zakonshme e njerëzore. Thashë ato që mund të dojë një njeri meskin kur atdheu i ka të gjitha, dhe meskineteti yt është vazhdimësi e një jete monotone. Por atdheu, një pjesë e saj, Shqipëria e jashtme, nuk ishte një vend i lirë, e për këta njerëz në perëndim njerëzorja ishte të mbështetej Lëvizja Çlirimtare. Unë i kam parë këta njerëz, kam bujtur te ta, kam ngrënë te vatrat e tyre, (në fakt, asnjëherë, asnjëri nga ne, “të zgjedhurit” apo “të deleguarit”, nuk fjetëm nëpër hotele), kam parë merakun e tyre se si mund të vejnë punët më tej, por kurrë nuk e kam ndjerë hallin e tyre vetjak. Këta njerëz, që edhe mund të rrinin nën qiellin e jetës së tyre, nuk e bënë kurrë këtë, ata iu bashkuan Lëvizjes jo se deshën gjë prej saj, sepse nuk e dinte askush se kur do të vinte kjo e ardhme, por sepse kishin besim te Lëvizja. Disa prej tyre u burgosën sapo shkelën në Kosovë, si Hysen Gega, Islam Rafuna e shumë të tjerë; disa nuk u kthyen më ne perëndim, të tjerë, kur erdhi momenti, dërguan bijtë dhe bijat e veta në luftë. Kjo nuk ndodhi sepse fjalët e “liderëve” ishin të bukura, por sepse ata të mbushnin me besim, sepse ideja ishte e të gjithëve dhe sepse, në fund të fundit, ata kishin shkuar vetë të parët. Më shumë se 10 mijë veta, në një periudhë të shkurtër kohore, prill 1998 – qershor 1999, u kthyen në Kosovë, jo për të bujtur, por për të luftuar. Këndi tjetër, më i rëndësishmi i Lëvizjes, ishte përgatitja për rezistencën e armatosur. Fehmi Lladrovci është një nga tipizimet më reale të saj. Nuk mund të kuptohej Lëvizja me konferenca shtypi. Ajo kishte lindur e përgjakur dhe fati e donte që jeta e saj të vazhdonte, po ashtu, e përgjakur, për ta ndalur gjakderdhjen e një kombi. Ky ishte misioni final i saj dhe askush tjetër nuk e bëri më denjësisht atë. Balta që përpiqen t’i hedhin sot, që nga udbashët e shpallur dhe deri te të pashpallurit, është më shumë se mëria për atë që Lëvizja bëri. Dikush tha se në mesin e luftëtarëve të UÇK-së kishte 140 njerëz të shërbimit të fshehtë serb. Le të themi se kjo është e vërtetë, ta pranojmë për të tillë. Por kjo dëshmon për dy gjëra themelore: së pari, frikën, drojën, ankthin që kishte regjimi pushtues nga Lëvizja Çlirimtare, saqë detyrohej të dërgonte një “armatë” mes tyre, që të mund të dëmtonte atë, ta shprishte, ta dërrmonte. Së dyti, nëse ndër më shumë se 30 mijë luftëtarë të uniformuar dhe më shumë se kaq në njësitet e fshatrave dhe të zonave, UDB-a kishte dërguar 140 veta, kjo do të thotë se afërsisht në çdo gjashtëqind luftëtarë ajo kishte vetëm një informator. Dhe, me gjithë këtë, ajo nuk e ndali dot luftën, aq më keq për të, nuk e fitoi. Mjerisht, më pas, dikush i amnistoi këta antishqiptarë, por kjo është një temë tjetër, që del jashtë Lëvizjes. Interesant do të ishte të dihej se sa vetë dërgoi shërbimi i fshehtë serb në LDK… Do të ishte e vështirë të dihej e vërteta, por në kahun tjetër sa vetë ishin jashtë saj. Vendimin për organizimin e Luftës çlirimtare lëvizja nuk e mori se ia deshi qejfi të luftonte, ose se nuk mund të jetonte ndryshe. Kushdo do të kishte dashur që liria të vinte nëpërmjet konferencave të shtypit. Ndoshta për këtë dëshirë fisnike Lëvizja në fillimet e Lidhjes Demokratike të Kosovës, me gjithë vrerin ndaj saj, nuk u fut në lojën e pistë të udbashëve, përkundrazi qëndroi e qetë e diku-diku edhe e ndihmoi. Por, kur gjërat po dilnin nga normalja, kur rregulli i parë i pushtetit serb ishte dhunimi dhe linçimi i shqiptarëve, kur liria po bëhej e largët dhe “pacifizmi” po korrte frytet vetëm për liderët ldkistë, ndërsa Kosova po zbrazej, gjërat duheshin ndryshuar. Vendimi për rezistencën e armatosur, me synimin drejt kryengritjes së përgjithshme, nuk erdhi në kokën e asnjë lideri, ai vendim doli nga Drenica dhe nga Dukagjini, nga Tetova, Struga dhe Llapi dhe nuk doli rastësisht. Këshillat popullore të Lëvizjes në këto zona thanë se mjaft u dënuan për një flamur, për një këngë, për një thirrje, asgjë e mirë nuk po ndodh, ndaj duhet të shndërrohemi në njësitë kryengritëse. Kërkesën e parë e bëri Këshilli i Drenicës nëpërmjet Adem Jasharit, Sami Lushtakut, Hashim Thaçit, Ramiz Lladrovcit, Ilaz Kodrës, Nuredin Lushtakut, Fadil Kodrës, Sahit Jasharit, Besim Ramës, Rafet Ramës. Ata kërkuan që gjithçka të shndërrohet në njësi luftarake. Kërkuan që Lëvizja t’i merrte përsipër aksionet e tyre, sepse nuk donin luftë kaçake, nuk donin të hidhnin dy-tri pushkë dhe të shpërndaheshin. Ishte qershori i vitit 1992. Emrat që përmenda më sipër, edhe të tjerë që nuk i thashë si të Jakup Nurës e shumë e shumë, ishin të gjithë anëtarë e drejtues të Lëvizjes Popullore të Kosovës. Një plejadë e ndritur. Përmasa e tretë, më realja dhe më e jashtëzakonshmja e Lëvizjes, lufta e armatosur, duke qenë përcaktimi final, i dhimbshëm, por i domosdoshëm, do të kishte me vete simbolikën e njerëzve që e kishin filluar atë, duke u sakrifikuar. Por do të kishte me vete edhe simbiozën e të tjerëve, të cilët i njoha në një periudhë të jashtëzakonshme, të vrullshme, kur gjithçka mund të thepisej nga momenti në moment dhe kur, mrekullisht, u bë shndërrimi i saj nga një Lëvizje klandestine në një partner i denjë i botës perëndimore, ku duke ecur mes dy zjarreve, tankeve serbe dhe policisë së fshehtë serbe, nganjëherë edhe mes njerëzve që besonin te sinqeriteti i fjalës, u bë e mundur të ketë një vazhdimësi të jashtëzakonshme. Asgjë nuk erdhi nga lart, asgjë nuk ra si pikë nga qielli. Atë e bënë njerëzit, për disa nga të cilët do të shkruaj në numrin e fundit të këtij cikli…
Në fakt, ndodhi ajo që nga udbashët nuk ishte pritur, Lëvizja Çlirimtare në Kosovë. Megjithëse e survejuar dhe e qëlluar që ditën e parë të saj, arriti të bëhej, sipas analistëve britanikë, “lëvizja guerile me rritjen më të shpejtë në botë”. Një lëvizjeje çlirimtare, për të pasur një dukuri të tillë, jashtëzakonisht impresionuese, i duhen të paktën tri gjëra themelore: vizioni që mbart, përkushtimi deri në flijim dhe njerëzit që e përbëjnë atë. Vizioni i Lëvizjes ishte i qartë që në fillim. Janë disa nga ngjarjet më themelore të Lëvizjes Popullore të Kosovës të cilat kanë përcaktuar statutin e saj vizionar. Që nga themelimi, më 17 janar 1982, e deri që ajo ka bërë shndërrimin e saj në një parti politike moderne, qershor 1999, mbi të kanë rënduar kohë të mëdha, por ka ngritur edhe evenimente historike. Jo vetëm ideja e themelimit të një strukture të vetme, nga bashkimi i grupeve dhe i grupimeve, por edhe më tej, e gjithë ajo që ka ndodhur, dëshmon për një vizion të jashtëzakonshëm, i cili shpeshherë ka qenë edhe më i rëndë sesa supet që i mbartin. Do të ketë disa stacione vizionare, të cilat kanë pasur gradualitetin e tyre: themelimin dhe ringritjen me gjithë përgjakjen, sprova për të ngritur brenda saj struktura të Partisë së Luftës nga Nuhi Berisha, Rexhep Malaj, Shaban Shala, Fehmi Lladrovci, Ali Ahmeti; procesi madhor i bashkim-shkrirjes, maj 1985, si një ngjarje madhore, thellësisht e së ardhmes, fillesa e krijimit të strukturave ushtarake, krijohet Byroja Organizative, në të cilën do të jenë të angazhuar figura të njohura, mes tyre dy njerëz të përcaktuar për ngritjen e luftës, në kryesinë e Organizatës, Fehmi Lladrovci dhe në Byronë Organizative, Xhavit Haliti. Mbledhja e Parë e Përgjithshme, në ilegalitet, jashtë vendit, Mbledhja e Dytë dhe e Tretë, përsëri në ilegalitet, por këtë herë në Kosovë. Mbledhja Konsultative e Kërçovës, e cila ka një rëndësi të veçantë historike, pasi duke sprapsur peshën e rëndë të legalitetit dhe të gjendjes së amullt, Lëvizja do të bëhet struktura e parë politike që shikon një horizont tjetër, ndryshe dhe shpesh edhe të kundërt me “pacifistët”. Mbledhja e Katërt e Përgjithshme, në të cilën ndryshimi më i zakonshëm do të ishte ndërrimi i emrit të saj, nga LPRK në LPK, ndërsa vendimet do të ishin kapitale. Përcaktohet vija e re politike e Lëvizjes, miratuar nga organi më i lartë i saj, merret vendimi për fillimin e luftës së armatosur. Është viti 1993. Në të gjithë Kosovën kanë filluar aksionet e para, strukturat e para të rezistencës janë ngritur në Drenicë, Dukagjin, Tetovë e Llap; po bëhen gati të shfaqen në jetën politike njerëzit e luftës, të cilët më pas do të njësojnë atë me ndërtimin e paqes. Krijohet grupi i rëndësisë së veçantë, në Kosovë dhe jashtë saj, përsëri emra të njohur, Xhavit Haziri, Ramadan Avdiu, Halil Selimi, Bajrush Xhemajli, Hashim Thaçi, Shaban Shala, Kadri Veseli, Elmi Reçica, ndërsa jashtë Kosovës për herë të parë do të ngrihet një grup i veçantë, i njohur vetëm për disa, rreptësisht i brendshëm, do të quhet Sektori i Veçantë dhe do të drejtohet nga Xhavit Haliti. Do të jenë aty Ali Ahmeti, Jashar Salihu, më pas Azem Syla… do të fillojë një punë titanike, e jashtëzakonshme, e kujdesshme dhe, vetë fakti se e gjithë kjo u ndërtua, si asnjëherë tjetër, e fshehtë, krejtësisht e panjohur edhe për anëtarët e Kryesisë së Organizatës, përherë e detajuar, me shtrirje gjeografike në të gjithë territoret ku banonin shqiptarët, përbën jo vetëm një mrekulli të lëvizjes klandestine, por është edhe një shuplakë për trillimet e sotme, për shpifjen udbashe se kudo kishin njerëzit e shërbimit të tyre. Të ishte kështu nuk do të kishte pasur Lëvizje Çlirimtare. Këtë Lëvizje e bënë njerëzit e përkushtuar, të devotshëm ndaj vendit të tyre, njëkohësisht të heshtur deri në skajim. Ata e bënë Lëvizjen Popullore të Kosovës njërën nga tri gjërat më të vyera të fundshekullit të shkuar, së bashku me Lëvizjen Studentore dhe Ushtrinë Çlirimtare. Këta njerëz ishin sythi i së ardhmes. Asnjëri prej tyre nuk e dinte se e gjithë kjo do të kishte përfundimin e saj në qershorin e vitit 1999. Disa prej tyre kishin më shumë se 20 vjet kur erdhi ajo ditë. Të tjerë, shokët e miqtë e tyre, nuk arritën dot as ta presin, sepse u flijuan dhe ndërtuan mundimshëm, një epikë të re, pa të cilën shumë gjëra sot do të ishin të mangëta ose nuk do të ishin fare. Këta njerëz, për të shkuar më tej, edhe ata që u flijuan, bëhen shenjë e manipulimit dhe e mashtrimit nga një skotë e cila, në të gjithë jetën e saj të ndërgjegjshme, nuk bëri asgjë tjetër veçse i dha mendjen, dinakërinë dhe brutalitetin e vet një pushtuesi mizor derisa e ndjeu veten pjesë të pushtimit. Do të dukej e pabesuar se mund të ndodhte një rikthim i tyre në kohët moderne. Shumëkush do të ketë menduar me të drejtë se fundi i shekullit të shkuar ishte edhe fundi i kësaj skote mjerane, por egërsisht e rreshtuar në një kamp tjetër. Do të kisha menduar shumë gjëra, mirëpo ky rikthim ishte larg mendjes normale. Në një shkrim të mëparshëm tregova për tri njohjet e para, nëpërmjet së cilave u bëra pjesë e Lëvizjes, por do të isha i mangët në këto shënime nëse do të ndalohesha vetëm këtu. Sepse vetë rrokja e Lëvizjes ishte shumë më e gjerë dhe sepse, në fund të fundit, ne ishim një bashkësi e jashtëzakonshme, e çuditshme për shumëkënd, por jo për njëri-tjetrin. Kur njoha të tjerët, pjesë e Lëvizjes Çlirimtare, e kuptova më saktë se përjetimi që kishte dashur Jusuf Gërvalla, në ballë dhe në këmbët e këtij populli, ishte ende i mishëruar. Njerëzit që bënë Lëvizjen, në momentet më të vështira të saj dhe burrërisht e kthyen atë nga një Lëvizje Politike, në një Lëvizje Çlirimtare dhe Kryengritje të Armatosur ishin të njëjtët që kishin ngritur dorë pas dore, gur pas guri këtë strukturë dhe që e dinin se pas çdo kthese, pas çdo momenti, mund të ishte një fat ndryshe. Si i njoha unë, nëse do më duhej t’i bëja shpejtas portretet e tyre, vetitë që kishin më të spikatura dhe njëkohësisht që të ngelnin në mendje më gjatë se të tjerat. Unë e pranoj se ky ishte vështrimi im, i një njeriu që nuk kishte kaluar nëpër ilegalitet të thellë por, sidoqoftë, unë i përmbahesha mendimit të hershëm, se mund të jesh më objektiv nëse nuk ke me vete ngarkesa të së djeshmes. Hashim Thaçi ishte njeriu që e dinte se çfarë donte, e kishte ditur gjithnjë, por edhe i përcaktuar në një rrjedhë, e cila, aq sa ishte e vështirë, aq ishte edhe e domosdoshme. Ramadan Avdiu ishte i matur, i qetë, serioz, punëkryer. Një herë, në një tubim në Zyrich, rastisi të ishim në drejtim së bashku me Ali Ahmetin dhe Ramadan Avdiun, kur njëri nga salla pyeti rastësisht se si mund ta mendonim bashkimin kombëtar. Ne ishim të tre nga tri pjesë të ndryshme të Shqipërisë, njëri nga Prishtina, Ramadani, tjetri nga Kërçova, Aliu, dhe unë nga Shkodra. Ndjeheshim jashtëzakonisht mirë, mendoja me sinqeritet se kjo do të dihej të ishte Shqipëria e së ardhmes. Xhavit Haliti ishte më i fshehti që kisha njohur, por në sensin e mirë të fshehtësisë. Njëkohësisht edhe më konkreti në punën e tij, të cilën, ashtu si kam besuar atëherë dhe si besoj edhe tani, nuk mund ta bënte askush tjetër. Ai ishte e mbetej njeriu i lidhjeve të dyfishta, në Kosovë dhe në Perëndim. Jashar Salihu ishte ndryshe. Për të mund të thosha se ai barte në vete dy pamje: atë të njeriut babaxhan, në kuptimin klasik të saj, dhe atë të gjeneralit, në kuptimin real të saj. Gjeneral i luftës ai u bë nga jeta e tij. E kam në kujtesë gjithnjë të trazuar, përherë në lëvizje, gjithë merak për luftën, saqë edhe fëmijët e tij, djemtë, ishin “untue” për të nga malli. Xhavit Hoxha ishte mentar, i kujdesshëm dhe fisnik. Hallet që i kishin rënë e kishin fisnikëruar edhe më tej. Mehmet Bislmi ishte personifikimi i të burgosurit politik që ndërthurte fjalën e mençur, guximin për të vërtetën, njohjen e gjerë. Bilall Sherifi ishte njeriu i vizioneve dhe i ideve. Ai ishte mbi gjithçka njeriu që vizionet i bënte të njohura dhe u dilte zot atyre. Adem Grabovci ishte njeriu më i qetë në strukturat e larta drejtuese të Organizatës, që në momentin e parë i kisha besuar atij dhe më kishte besuar. Më pas njoha Hasan Ukhaxhën, padyshim më autoritari në rrjedhat e Lëvizjes, mitik, do të thosha, me breroren e njeriut të dëshmuar, të sigurt dhe bindës. Njoha Sabri Kiçmarin, “Zefin” dhe përjetova se si njeriu i ilegalitetit u bë në mënyrë të shquar diplomati i vyer. Bajram Ajetin, fjalëpakë, stoik në qëndrimin e tij. Humbja e Ali Ajetit nuk kishe ndikuar tek ai. Emrush Xhemajlin, i kudondodhur, i gjindshëm, punëkryer. Në të vërtetë fjala që do t’i përshtatej më së tepërmi do të ishte militant. Gafur Alshanin, i rregullt dhe serioz deri në detaje. Të gjitha punët ai i kuptonte dhe i ndërmerrte seriozisht. Halil Selimin, të cilin e njoha më vonë, por që ende sot mrekullohem nga mendja e tij brilante. Ai kishte gjithnjë në mendje Kosovën lindore, e kjo e bënte të afërt me Adnan Asllanin, për të cilin mësova shumë vonë se kishte qenë drejtues i Mbledhjes së Katërt të Përgjithshme, në redaksinë e gazetës “Zëri i Kosovës”. Kisha miqtë e mi, Beqir Beqën dhe Bislim Elshanin; sa ishin të përbashkët, aq edhe dallonin nga njëri-tjetri, kishin të përbashkët pasionin, por kishin të veçantat e tyre. Bislimi ishte miku më i shquar i Ukshin Hotit. Ai ishte dishepulli i tij i paepur, më pas botuesi i librit të tij. Kishte gjithnjë tek ai diçka ukshiniane. Beqiri ishte më i qetë, hokatar, mikpritës i madh. Ai ishte nga ata njerëz që edhe pa qenë në luftë e perceptonte veten atje, ashtu si Xhevat Bislimi, njeriu që nuk bënte kompromis as me veten. Njëherë i pata thënë se, nëse dikur do të takohet Xhevati me Bislimin, përsëri për diçka nuk do të ishin dakord. Bardhyl Mahmuti ishte shpërthyes, polemist i dorës së parë, njeri që fushën e politikës e njihte mrekullisht dhe do të ishte e vështirë të besohej se njeriu që në një foto të vitit 1981 është në ballë të turmës me një flamur në dorë, do të ishte disa vite më pas në bisedimet e vështira përballë Hoollbrukut, diplomatit më të shquar amerikan. Njoha vëllezërit Muja, së pari Shabanin, njeriun që ishte kthyer nga vdekja dhe të cilit ia kishte ofruar jetën e tij Fahri Fazliu, dhe që donte ta shijonte jetën, tashmë i lirë, e po ashtu të rrëmujshmin, Shaip Muja, ndoshta më i lëvizshmi në elementët e lëvizjes. Fazli Veliun e pashë për herë të parë kur erdhi një natë në shtëpinë time. Ai ishte ndër të fundmit romantikë të Rilindjes, poet, po aq sa edhe luftëtar, i heshtur, po aq sa edhe i bisedës, njeri që e kishte bartur vuajtjen me vete edhe kur ajo nuk kishte qenë e tij. Ilaz Kodrën e njoha nga afër. Ishte nga ata njerëz të cilët trimëria i lexohej haptas, megjithëse e fshihte. Ai ishte njeriu që fjalët i kishte të pakta, punët e sakta. Ende kam në kujtesën time, çka nuk do të hiqet kurrë, telefonata e fundit me të, dy ditë para se të vritej. Nuk kërkonte asgjë tjetër, veçse logjistikë, sepse sulmet serbe ishin bërë të ashpra. E ndjeva pikëllimin deri në shpirt për rënien e tij, së bashku me kunatën, Antigonin, një vajzë e re, bijë e denjë e familjes së saj. Ramiz Lladrovci ishte ndryshe, sidomos ndryshe nga i vëllai, Fehmiu, por kishin të përbashkët fjalën e mbajtur, qëndresën dhe guximin. Fehmiu ishte më i qetë, Ramizi është më i rrëmbyer, por tepër i saktë, nëse kërkon të jesh i qetë për një punë, atëherë askush nuk mund të jetë më i plotë sesa Ramiz Lladrovci, i cili ka një të metë, merakun më të madh sesa duhet për miqtë e tij, edhe kur ata nuk e meritojnë atë merak. Njoha Ismet Sylejmanin. Asnjëherë nuk më kishte thënë se kishte qenë i zgjedhur në Komitetin Drejtues të Organizatës, por kjo kishte qenë një e vërtetë e ditur nga të tjerët. Në qytetin e Mynihut ishte një bërthamë e shkëlqyer e Lëvizjes. Sami Lushtaku ishte më i ndjeshmi prej tyre, nganjëherë më idhnaku, por i vërtetë deri në palcë. Abedin Rexha, po ashtu ishte pjesë e Lëvizjes Çlirimtare, por nuk ishte anëtar de jure i Lëvizjes Popullore të Kosovës. Nuk e di pse i kishte mbetur pa u hedhur ai hap i fundit, ndoshta nga të gjithë shokët e miqtë e tij ishin aty, edhe ai e ndjente veten pjesë të saj. Me Naser Idrizin dhe Sejdi Gegën ishim së bashku në Komisionin e jashtëzakonshëm të verifikimit të disa ngjarjeve dhe, veç merakut të tyre, ishte edhe kujdesi për të qenë pjesë e gjithçkaje tepër njerëzisht, pa rënduar askënd dhe pa mbuluar asgjë. Vëllezërit Buja ishin, po ashtu të ndryshëm, secili kishte të veçantën e tij. Shukriun e njoha më herët, por Agushin më gjatë dhe nëpërmjet tij kushdo mund ta shohë njeriun e devotshëm, të heshtur, mirëdashës. Nuk u befasova kur takova për herë të parë Ramush Haradinajn. Kishim shkëmbyer letra më parë. Ai më ishte drejtuar disa herë për atë që i dukej më e përshtatshme, por kur u takuam ai ishte bërë mit, ndërsa i vëllai, Luani, e më pas Shkëlzeni, do të ishin dy nga heronjtë më epikë të luftës. Adrian Krasniqin dhe Ilir Konushevcin, të dy pjesë të Organizatës, nuk i takova asnjëherë, i njoha nëpërmjet mikut të tyre, Qerim Kelmendit, i cili ende sot drithërohet kur tregon për jetën e tyre. Në Kosovë takova Shaban Shalën, si i dalë nga legjendat, vazhdë e trimërisë kosovare, të dukej sikur kishte riardhur në kohët tona një ndër bashkëluftëtarët e Isa Boletinit apo të Shaban Polluzhës, e nëpërmjet tij dhe familjes Lladrovci, njoha shokët e Fehmiut dhe të Xhevës. Të gjithë ish të burgosur politikë, vuajtës, mrekullisht me shpirtin e rilindur. Njoha të gjithë ato që duhej t’i njihja. Vetëm me njërin prej tyre nuk u takova kurrë dhe njohja ishte vetëm nga larg, Xhavit Hazirin. Ai telefononte nga Prishtina. Më thoshte se ishte “Mjeku”. Kishte marrë përsipër drejtimin e Lëvizjes në Kosovë. Ende nuk e dija emrin e tij të vërtetë. Zëri i tij vinte i avashtë, tepër i qetë, saqë nuk mund të besohej se ai ishte ende në Prishtinë. Të dukej sikur ishte në një vend të sigurt, krejt të sigurt… dhe pastaj heshti. Edhe njëherë forcat serbe e kishin rrëmbyer… kishte qenë e treta herë… nga dy burgimet e para kishte arritur të kthehej, pastaj asgjë, nuk u dëgjua më prej tij… nuk do të kthehej… do të kishte pasur të njëjtin fat si miku i tij, Ukshin Hoti. Njohja e jetës sime është me familjen Jashari. Kush i ka njohur ata nuk befasohet kurrë me atë që ka ndodhur. Është një vazhdimësi e jashtëzakonshme, ndoshta është nga rastet e vetme në botë kur qëndresa është veti e trashëgueshme. Askush nuk e di ende se nga vinte tek ato ajo shkallë qëndrese, edhe kur ishin përballë një tragjedie epike. Ndoshta tek ato është një gjen i veçantë, i jashtëzakonshëm. Kur përfundoi lufta u kthyem së bashku në Kosovë. Një rrugë e gjatë, përtej së cilës ata do të gjenin fare pak nga ata që kishin lënë, njerëzit e afërt, më të afërtit ishin vrarë, kullat ishin djegur, bijtë e bijat e mbetur ishin diku, disa prej tyre u ishin bashkuar strukturave të luftës, të tjerët prisnin ardhjen e tyre. Nuk e di se si mund të rrinte zemra brenda kraharorit, por gjithçka tek ata ishte e qetë, ashtu si janë njerëzit që kanë bërë detyrën ndaj atdheut të tyre. Tani, në përmbyllje të këtij cikli, do të doja t’u thosha njerëzve, ngado që janë, nga Shqipëria londineze apo nga Shqipëria e jashtme, do të doja t’u thosha: Shkoni në Kosovë, shikoni me vëmendje përmendoret, shtatoret, lapidarët, përkujtimorët e të rënëve në luftë për liri. Shikoni shtatoren e Ademit, të Zahirit, Jusufit, Bardhit, Kadriut, Rexhepit, Nuhiut, Afrimit, Fahriut, Zahirit, Fehmiut dhe Xhevës, Luanit e Shkëlzenit, Edmondit, Adrianit, Ilirit, vëllezërve Sulejmani, Ilazit dhe Mujë Krasniqit, Abedinit dhe Rasim Kiçinës, Luljeta Shalës dhe Hahir Shalës, Ali Ajetit dhe Hasan Ramadanit… dhe mendoni se të gjithë ata kanë qenë anëtarë dhe liderë të Lëvizjes Popullore të Kosovës. Nëse ju, edhe pas kësaj mendoni se këta nuk kanë qenë atdhetarë, ju qofshi! Për mua ata janë epika e kombit dhe jam i lumtur që më kanë bërë pjesë në strukturat e tyre. Nuk kam dashur asgjë tjetër prej tyre. Kam pasur më shumë sesa e kam merituar. -Autori ishte kryetar i Lëvizjes Popullore të Kosovës në vitet e luftës. (FUND)

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura
Read More

VLERAT POLITIKE …

VLERAT POLITIKE NACIONAL-DEMOKRATIKE DHE NACIONAL-KOMUNISTE NË KOSOVËN E DEKADAVE TË FUNDIT Nga Xhevat Meha 05/06/2023 Vlerat politike që…