Tetovë, 15. 03. 2016: (Dëshmi nga mbledhja e intelektualëve shqiptarë e mbajtur në Institutin e Historisë Nacionale të Maqedonisë, në Shkup, ku u sollën përfundime të rëndësishme për themelimin e Universitetit të Tetovës) – Mbledhja në Institutin e Historisë Nacionale Maqedonase, në Shkup, ka qenë një nga aktivitetet e rëndësishme para mbajtjes së Kuvendit themelues të Universitetit të Tetovës (deri atëherë: Universiteti Shqiptar në Maqedoni), e cila u mbajt më 27 maj të vitit 1994. Mbajtjen e kësaj mbledhje e planifikuam disa ditë më parë me dr. Ramiz Abdylin, me iniciativën time, për ta ngritur nivelin e seriozitetit të aktiviteteve tona dhe për të dëshmuar se, aty ku ishin fabrikuar të gjitha falsifikimet dhe të pavërtetat për historinë dhe kulturën shqiptare, mund ta shndërrojmë në vend ku sillen vendime të rëndësishme për të ardhmen e shqiptarëve në Maqedoni, si dëshmi e zgjimit kulturor dhe kombëtar të shqiptarëve në kryeqendrën e dikurshme të Dardanisë dhe të Vilajetit të Kosovës.
Të vetëdijshëm për rëndësinë e kësaj mbledhje, planifikuam që në besim të plotë të marrin pjesë një numër i kufizuar pjesëmarrësish, sa për t’i dhënë karakter simbolik kësaj mbledhje, në të cilin edhe u morën qëndrime për disa çështje të rëndësishme në lidhje me Kuvendin themelues të Universitetit të Tetovës, i cili ishte caktuar të mbahej një javë më vonë.
Pamje nga Kuvendi për themelimin e Universitetit të Tetovës, 4 qershor 1994
Për këtë qëllim, që në orët e hershme të asaj dite, së bashku me dr. Fadil Sulejmanin, i cili dy dytë me radhë më shoqëroi në aktivitetet për ndarjen e ftesave dhe përgatiten e punimeve këtij Kuvendi, paraprakisht shkuam në Fakultetin Filologjik të Universitetit ,,Shën Kirili dhe Metodi”, në Shkup (shih foton nr. 1), përkatësisht, në Katedrën e Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe të këtij fakulteti, ku i takuam profesorët e kësaj Katedre, me të cilët kishim ndërtuar një nivel të shkëlqyer bashkëpunimi, që nga aktivitetet e para të Bashkësisë Kulturore Shqiptare, si në organizimin e Simpoziumit ,,Shqiptarët e Maqedonisë”, në shënimin e 85-vjetorit të Kongresit të Manastirit, përgatitjen e shumë recensioneve për botimet shkencore të BKSH-së, mbajtjen e disa takimeve në lidhje me iniciativën për hapjen e Fakultetit Pedagogjik me mësim në gjuhën shqipe, në Shkup dhe shumë aktivitete të tjera.
Godina e Fakultetit Filologjik ,,Bllazhe Koneski” në Shkup, në të cilën e zhvillon veprimtarinë e saj edhe Katedra e Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe
Në bibliotekën e kësaj katedre u takuam me shefin e Katedrës së Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe, dr. Avzi Mustafën dhe profesorë të tjerë, shumica prej të cilëve edhe ishin në dijeni për përgatitjet që bënim në lidhje me mbajtjen e një Kuvendi të rëndësishëm për zgjidhjen e çështjes së arsimit sipëror në gjuhën amtare të shqiptarëve në Maqedoni, dhe për ecurinë e deritashme të këtyre aktiviteteve që zhvillonim në kuadër të Bashkësisë Kulturore Shqiptare.
Pas bisedave konstruktive, të gjithë të pranishmëve ua dorëzova ftesat për pjesëmarrje dhe i njoftuam për ecurinë e deritashme në lidhje me aktivitetet përgatitore për mbajtjen e këtij Kuvendi. Në këtë takim morën pjesë edhe dr. Remzi Nesimi, dr. Xhevat Gega, dr. Zeqirja Neziri, dr. Asllan Hamiti, mr. Qani Mehmeti etj.
Në dalje, pas përfundimit të këtij takimi në bibliotekën e Katedrës së Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe, në korridoret e këtij fakulteti rastësisht e takova edhe profesorin e njohur të filozofisë, dr. Ferid Muhiq, të cilit pas përshëndetjes ia dhashë një ftesë dhe e njoftova për qëllimin e mbajtjes së këtij Kuvendi, edhe pse nuk ishte planifikuar ta ftojmë, sipas listës së të ftuarve. Por, kjo ftesë ishte më tepër simbolike për këtë intelektual, i cili jo vetëm që kishte shënuar rezultate të jashtëzakonshme në fushën e studimeve të filozofisë, por kishte arritur ta kultivojë një miqësi të sinqertë me shumë intelektualë shqiptarë dhe kishte reflektuar qasje pozitive ndaj çështjes shqiptare, të drejtat dhe liritë tona kombëtare të mohuara nga sistemi komunist dhe nga pushteti aktual i Republikës së Maqedonisë.
Nga takimi në Katedrën e Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe, të shoqëruar nga dr. Avzi Mustafa, shkuam në Institutin e Historisë Nacionale të Maqedonisë, në Shkup (shih foton nr. 2), ku na priti dr. Ramiz Abdyli, i cili atë kohë bënte përpjekje ta themelojë Sektorin e studimeve të historisë shqiptare në kuadër të këtij Instituti. Në zyrën e tij të punës, pas pritjes së ngrohtë miqësore, na siguroi se ka kushte për të biseduar dhe se do të na bashkëngjitej në këtë takim edhe një kuadër tjetër shqiptar, Mr. Halim Purellku, i cili për momentin po hulumtonte në Arkivin e Shtetit të Republikës së Maqedonisë, në Shkup, që ndodhej në të njëjtën ndërtesë me Institutin. Me Halim Purellkun unë njihesha shumë më herët, nga aktivitetet gjatë viteve të mëparshme, ndërsa dr. Fadil Sulejmani takohej për herë të parë me këtë intelektual nga Shkupi. Duke pasur besim të plotë në ne dhe aktivitetet që zhvillonim, duke e rrezikuar edhe vendin e punës dhe të ardhmen e studimeve të historisë shqiptare në këtë Institut, dr. Ramiz Abdyli, na ofroi të gjithë ndihmën e nevojshme për mbajtjen e kësaj mbledhje.
Instituti i Historisë Nacionale të Maqedonisë, Shkup
Në këtë mbledhje, gjithsej morëm pjesë 5 vetë, unë Abdulla Mehmeti, dr. Ramiz Abdyli, dr. Fadil Sulejmani, dr. Avzi Mustafa dhe mr. Halim Purellku. Qëllimi që kishim arritur ta realizojmë takimin në këtë Institut na bënte sikur aty ishin ulur bashkë me ne edhe shumë atdhetarë dhe martirë të tjerë të çështjes shqiptare, për t‘i kuvenduar hallet e kombit, të cilët kishin vepruar ndër shekuj në qytetin e Shkupit, gjatë gjithë historisë së lavdishme të popullit shqiptar.
Pas diskutimeve shumë të frytshme në lidhje me përgatitjet për mbajtjen e Kuvendit, ku do të diskutohej dhe vendosej për zgjidhjen e çështjes së arsimit universitar në gjuhën shqipe në Republikën e Maqedonisë, për ecurinë e aktiviteteve dhe sidomos për premtimet që u bënte intelektualëve shqiptarë qeveria aktuale dhe kreu i shtetit në lidhje me hapjen e Fakultetit Pedagogjik me mësim në gjuhën shqipe, në Shkup, se kjo çështje do të zgjidhej në një të ardhme të afërt, sapo të ,,qetësohej opozita nacionaliste maqedonase e asaj kohe, nga radhët e VMRO-DPMNE-së”, anëtarë të Komisionit amë të së cilit ishin edhe dr. Avzi Mustafa dhe mr. Halim Purellku. Pasi të gjithë të pranishmit u pajtuan në lidhje me planin dhe përgatitjet për mbajtjen e këtij Kuvendi, në këtë kuadër, mr. Halim Purellku u obligua që të përgatisë një material me shkrim, në formë propozimi që do të del në këtë Kuvend, për mënyrën dhe procedurën si ishte themeluar Universiteti i Manastirit, nga tri komunat e Maqedonisë Jugperëndimore, Komuna e Manastirit, Ohrit dhe Prilepit, në mënyrë të ngjashme ta aplikonim këtë model edhe për themelimin e Universitetit me mësim në gjuhën shqipe, me seli në Tetovë, nga tri komunat me shumicë të popullatës shqiptare, Komuna e Tetovës, e Gostivarit dhe ajo e Dibrës, ku shumica e këshilltarëve ishin shqiptarë. Mundësia e sjelljes së këtij vendimi konsideronim që ishte shumë reale dhe e përshtatshme për rrethanat aktuale. Halim Purellku e njihte më së miri këtë çështje, si studiues i historisë dhe njohës i rrethanave shoqërore dhe politike të periudhës kur ishte themeluar Universiteti i Shkupit dhe Universiteti i Manastirit, me disa fakultete dhe dhjetëra institute të shpërndara në të gjitha qytetet më të mëdha të Maqedonisë, si në Shkup, Shtip, Ohër, Prilep dhe gjetiu, përveç në regjionin e Maqedonisë Perëndimore, të banuar kryesisht nga popullsia shqiptare, ku pushteti i asaj kohe nuk kishte themeluar asnjë institucion të arsimit të lartë dhe as ndonjë institut shkencor, edhe pse ky regjion përfshin më tepër se 1/3 e territorit të përgjithshëm të Republikës së Maqedonisë.
Këtë obligim të marrë nga kjo mbledhje, ç’është e vërteta, Halim Purellku e kreu me përgjegjësi të lartë dhe në mënyrë profesionale, siç e dëshmoi edhe në Kuvendin themelues të Universitetit të Tetovës, më 4 qershor 1994 (shih foton nr. 3). Në punimet e këtij Kuvendi, mr. Halim Purellku u paraqit si diskutues i dytë sipas radhës, dhe diskutimi i tij me materialin e argumentuar u dha kahe të mbarë diskutimeve të më pastajme, me qëllim që të mos humbnim kohë me debate të zbrazëta nga pjesëmarrësit e këtij Kuvendi, një pjesë e të cilëve për herë të parë njoftoheshin me këtë iniciativë dhe debatonin në lidhje me themelimin e Universitetit me mësim në gjuhën shqipe.
Pas mbajtjes së Kuvendit themelues të Universitetit të Tetovës, mr. Halim Purellku, materialin e përgatitur për diskutim e publikoi në njërin nga numrat e ardhshëm të revistës ,,Tribuna –SH”, në formë të konkluzioneve dhe qasjeve personale të tij në lidhje me çështjen e arsimit sipëror në gjuhën shqipe në Maqedoni.
Pamje nga Kuvendi themelues i Universiteti të Tetovës, në radhën e dytë nga e majta: Halim Purellku dhe Avzi Mustava
Gazetari Ismail Arsllani, korrespodent i gazetës ,,Rilindja”, e cila atë kohë botohej në Tiranë, në shkrimin e tij me titull ,,Hapet Universiteti në Tetovë”, mes tjerash shkruante: ,,Në diskutimin e tij, Halim Purellku paraqiti disa teza rreth hapjes së Universitetit dhe propozoi që kjo iniciativë të hyjë në procedurë legale të tri komunave (Tetovë, Gostivar e Dibër), ku shumica e këshilltarëve janë shqiptarë, si subjekte të pushtetit të nxjerrin akte ligjore për themelimin e këtij institucioni”.
Pjesë nga shkrimi i gazetarit Ismail Arsllani, Rilindja, Tiranë, 4 qershor 1994
Nga dëshmitë për punimet e Kuvendit për themelimin e Universitetit të Tetovës, shihet se dr. Halim Purelku e kishte përgatitur me shkrim analizën e nevojshme, siç shihet në fotografi dhe në shënimet për diskutimet e zhvilluara në Kuvend (shih foton nr. 4), dhe i kishte mbarështuar qartë dhe saktë tezat për formën e mbështetjes ligjore për themelimin e Universitetit tonë, të vetëdijshëm se Qeveria aktuale e Maqedonisë nuk kishte as gatishmërinë më të vogël për përligjjen e këtij institucioni të ri të arsimit sipëror në gjuhën shqipe, siç edhe u dëshmua më vonë. Këtë bindje e kishim krijuar nga bisedimet që kemi zhvilluar në takimet e përmendura edhe me anëtarët e Komisionit amë për hapjen e Fakultetit Pedagogjik me mësim në gjuhën shqipe, në Shkup, nga të cilat bisedime përfunduam se për çështje të këtilla pushteti i asaj kohe aspak nuk i kishte ndryshuar qëndrimet nga ato të regjimit të mëparshëm komunist.
Shënime nga diskutimet në Kuvendin themelues të Universitetit të Tetovës (shënimet janë të miat, A.M.)
Në mbledhjen e lartpërmendur në Shkup, e cila zgjati nga ora 11:00 deri në orën 13:00, dr. Ramiz Abdylit edhe pse ia dhashë ftesën, ai na njoftoi se është i detyruar që atë ditë të jetë në Tiranë, në një konferencë shkencore, për të cilën u kishte dhënë premtim organizatorëve se do të shkonte, dhe me keqardhje na tha se nuk do të kishte mundësi të vijë në Kuvendin themelues të Universitetit të Tetovës, por na premtoi se shpirtërisht gjatë gjithë kohës do të ishte me ne, dhe se në të ardhmen do të angazhohej me tërë qenien e vet fizike dhe mendore për realizimin e plotë të kësaj ideje, themelimin dhe ngritjen e Universitetit me mësim në gjuhën shqipe në Maqedoni. Dhe kështu ndodhi. Ai dha kontribut të jashtëzakonshëm për Universitetin e Tetovës, si mësimdhënës dhe punonjës shkencor. Më vonë u emërua edhe drejtues i tij, fillimisht në detyrën e Prodekanit të Fakultetit Filozofik dhe më vonë të Rektorit të Universitetit të Tetovës, i dyti me radhë pas Rektori të parë, dr. Fadil Sulejmani.
Ndërtesa e Kuvendit të Komunës së Tetovës ku u mbajt Kuvendi themelues i Universitetit të Tetovës, më 4 qershor 1994
Takimin e radhës, siç ishte planifikuar, e mbajtëm në selinë e Bashkësisë së Fesë Islame të Maqedonisë, në Shkup. Meqë ishte ditë e premte, pritëm të zhvillohen ceremonitë fetare të kësaj dite, për besimtarët e fesë islame, dhe takimi u realizua po atë ditë, me Reis Ul Ulemanë, Sulejman efendi Rexhepi. Nga pala e BFI, në takim mori pjesë edhe deputeti i PPD-së në atë kohë, Eshref Aliu, nga ana jonë, në takim morëm pjesë, unë Abdulla Mehmeti, dr. Fadil Sulejmani dhe dr. Avzi Mustafa, i cili atë ditë ishte bashkë me ne në të gjitha takimet që i realizuam në Shkup. Si gati në të gjitha takimet e atyre dy ditëve të fundit, në të cilat edhe u ndanë ftesat për pjesëmarrësit e Kuvendit, biseduam me kreun BFI-së për aktin solemn të hapjes së Universitetit të Tetovës, për të cilin morëm përkrahjen e pa rezervë prej tyre. Në Kuvendin themelues, më 4 qershor, kreu i BFI nuk mundi të merr pjesë për shkak të trazirave të krijuara atë ditë në Manastir, pas rrënimit të një xhamie në këtë qytet, por nga Manastiri iu drejtua këtij Kuvendi me një telegram urimi dhe përkrahje të fuqishme.
Gjatë këtyre dy ditëve është biseduar edhe me përfaqësues të institucioneve dhe me personalitete të tjera, duke krijuar një unitet të paparë deri atëherë mes shqiptarëve, me të vetmin qëllim madhor, themelimin e Universitetit Shqiptar në Maqedoni, i cili shqiptarëve të kësaj ane do t’ua hap rrugën e zhvillimit dhe progresit në të ardhmen.