Porrentruy, Kantoni Jura – CH, 15. 03 2016: Qysh në moshë të re, (në vitet 1978/79) kam filluar të veproj për Lirinë dhe Bashkimin e Kosovës me mëmën Shqipëri. Si i ri interesohesha për Lidhjen Shqiptare të Prizrenit (1878 – 1881). Në qershor 1978 u mbajtën shumë ngjarje frymëzuese në shënim të njëqindvjetorit të lidhjes, dhe për rëndësinë e saj flitej në rrethe të ngushta familjare. Një ditë më ra në dorë një trakt i ilegales “Zëri i Kosovës”, ku shkruante në qoshen e majtë të traktit „Lexoje, shpërndaje, dhe ruaje nga armiku“. Kjo më ka frymëzuar që me shokë të shkruanim (në asfalt dhe në objekte të ndryshme), parullat: ‘Kosova Republikë!’, ‘Rroftë Enver Hoxha’, ‘Poshtë pushtuesi, vdekje Titos’ etj.
Në vitin 1981 kemi protestuar në shkollë, kur na burgosën për një kohë mësuesin tonë të dashur, Haxhi Zybën, një atdhetar i devotshëm dhe ish i burgosur politik në vitin 1964. I kishte mbajtur 4 vite burg në Goli Otok, për Flamurin tonë Kombëtar, për Lirinë e Kosovës dhe bashkimin me Shqipërinë. Më pas atë e larguan nga puna e mësimëdhënsit me cilësimin: “armik i regjimit” serbo-titisto çetnik.
Ne u solidarizuam me mësuesin dhe nuk e linim asnjë mësues tjetër të na jepte mësim! Tërë klasa e kërkonim lirimin e tij, ndërsa në shenjë revolte e larguam edhe fotografinë e Titos nga klasa, dhe vumë një Flamur Kuq e Zi. Të nesërmen e vura edhe plisin e bardh në kokë, dhe shkova në Bukosh, në shkollën fillore “Vëllezërit Frashëri“, ku i vazhdoja mësimet. Me këtë rast erdhi edhe policia, por ne nuk hoqëm dorë prej kërkesave tona.
Drejtuesit e LPRK’së: Fadil Vata, Afrim Zhitia dhe Behajdin Hallaqi.
***
Gjatë verës 1981, si nxënës i Gjimnazit “Jeta e Re” në Suharekë, shkrova parolla në asfaltin e fshatit tim – Savrovë, ndërkohë që në një shitore të fshatit Bukosh, të njejtin veprim e kishte kryer edhe Agron Zyba. Në gusht të atij viti më arrestuan mua dhe Agronin, dhe na dërguan në burgun e Prizrenit dhe për 15-ditë sa qëndruam aty u njohëm me Rexhep K.Krasniqin, Musa Berishën, Fadil Ndrecën, Nexhat Bytyçin dhe Vesel Bytyçin.
Pasi dolëm nga burgu, për të pasur një organizim më të mirëfilltë – krijuam grupin me emrin Komiteti i Suharekës »DRITA». Ndërkohë derisa po i bënim përgatitjet për organizimin e një demonstrate në qytet, na ra në dorë numri 3/4 i gazetës “LIRIA”, dhe nga kjo gazetë shkruanim pamflete të cilat i shpërndanim në shkollë tek nxënësit e gjeneratave më të rritur. Në shkurt 1982, pak ditë para mbajtjes së demonstratës më burgosën mua, Agron Zybën, Sadri Zybën, Agim Selmanin, Azem Kolgecin dhe Faton Kolgecin. Unë u dënova me 1 vit e 6 muaj, ndërsa shokët tjerë u denuan me nga 1 vit. Pas 9 muajsh qëndrimi në çelitë e burgut të Prizrenit, na tranferuan në burgun e Dubravës. Aty u njohëm me shumë veprimtarë e intelektualë të denjë të kohës, siç ishin: Kadri Rexha, Sami Dërmakun, Njazi Beqa, Xhevat Bislimi, Shaqir Zeneli, Shaqir Shaqiri, Muhamet Tërnava, e shumë të tjerë. Isha edhe me Fatmir Krasniqin, me të cilin kishim ndenjur bashkë në të njejtën çeli në burgun e Prizrenit. Pas daljes nga burgu (në vitin 1983), veprimtarinë e vazhdova me shokët që njihesha më parë, por dhe me shumë të tjerë që u njoha gjatë aktiviteteve tona në teren.
***
Në vitin 1987/88, pas riorganizimit të LPRK-së në krye të saj erdhën: Afrim Zhitia, Fadil Vata, Behadin Hallaqi, Fahri Fazliu, Ilaz Kadolli etj. Në Komitetin Drejtues të LPRK-së ishin veprimtarët më të guximshëm, e të devotshëm dhe që kishin vizione të qarta për çlirimin e Kosovës me vise.
Në gjysmën e dytë të vitit 1989 edhe pse veprimtaria atdhetare e Afrim Zhitisë, Fahri Fazliut dhe shokëve të tjerë, kishte rënë në sy të armikut, ata nuk do ta ndalin aktivitetin për asnjë çast, madje Afrimi kishte deklaruar se: „të gjallë nuk do të biem në dorë të shkaut“. Dhe këtë shembull e dëshmuan më 2 nëntor 1989. Atë ditë, pasi UDB’a ishte informuar për vendstrehimin e Afrim Zhitisë dhe Fahri Fazliut, forcat speciale të policisë, rrethojnë lagjen „Bregu i Diellit“, dhe pas një beteje të përgjakshme që zgjati rreth gjashtë orë, ranë heroikisht për të mos vdekur kurrë, Afrim Zhitia dhe Fahri Fazliu.
Në këtë kohë ishte sëmurë rëndë Fadil Vata, andaj shokët e organizatës e dërguan në Zvicër për shërim, por ai nuk arriti të shërohet dot, dhe në prill 1990 ndërroj jetë. Kufoma e tij u kthye në Kosovë dhe në vendlindjen e tij u organizua një varrim madhështor, ku morën pjesë qindra mijë bashkëatdhetarë nga të gjitha trojet shqiptare.
Xhemajl Rudi me vëllezërit (1984)
Vrasja e Afrim Zhitisë dhe Fahri Fazliut si dhe vdekja e Fadil Vatës për organizatën tonë ishte humbje e madhe, por Behadin Hallaqi si anëtar i Komitetit Drejtues, bashkë me veprimtarët tjerë vazhduan punën organizative në të gjitha nivelet strukturore të lëvizjes. Behadini ishte një intelektual i guximshëm, dhe këmbëngulës në organizimin tonë politik e ushtarak. Pra, ai kishte ide të qarta se si duhet të ndërtohet një frontë i gjerë politik e ushtarak për çlirimin e Kosovës me viset e saj, dhe si i tillë përpiloj shumë dokumente të lëvizjes …
***
Unë isha i organizuar si anëtar i LPRK’së, në Këshillin e Rrethit bashkë me Ilaz Kadollin, Shefki Muçën, Sejdi Gegën, Hysen Gegën, Milaim Elshanin, Halil Krasniqin, Murat Bytyçin etj. Pas viteve `90-ta u angazhuam në pranimin e anëtarëve të rinjë në këshilla të fshatrave, në komunën e Suharekës. Një këshill e përbënin dy a më shumë fshatra, dhe ato (me thirrjen e LPRK’së) bashkpunonin ngushtë edhe me këshillat e pajtimit të gjaqeve. Pastaj me mobilizimin e fuqishëm të organizatës sonë (LPRK) të gjithë anëtarët merrnim pjesë aktive në demonstrata të njëpasnjëshme që organizoheshin anë e këndë Kosovës. Dhe ajo më kulmorja ishte krijimi i 9 njësive guerile në rrethin e komunës sonë. Planin për formimin e këtyre njësive e kam bërë së bashku me veprimtarin Avdi Kadolli, dhe i njejti është aprovuar në Këshillin e Rrethit të LPRK’së.
***
Në vazhdën e aktiviteteve të Lëvizjes, në tetor 1991, në fshatin Ujëmirë të Drenicës, u mbajt mbledhja e tretë e Përgjithshme e LPRK’së. Në mbledhje morën pjesë delegatë nga të gjitha këshillat e rretheve. Nga rrethi ynë morën pjesë: Ilaz Kadolli dhe Behadin Hallaqi. Në këtë mbledhje Behadini ka mbajtur një fjalim përmbajtësor, për organizimin tonë politik e ushtarak.
***
Në prill të vitit 1993, në Kollare të Kërçovës u mbajtë një mbledhje e rëndësishme konsultatitve e LPRK’së, dhe aty kanë marrë pjesë: Ilaz Kadolli, Hysen Gega, Behadin Hallaqi. Në këtë periudhë ishte formuar grupi i riorganizimit në të gjitha këshillat e rretheve në Kosovë e në pjesët tjera të saj, dhe në këtë drejtim te ne kanë punuar: Adnan Asllani, Ramadan Avdiu etj. Adnani dhe Ramadani erdhën në këshillin tonë (ku ishte edhe i ndjeri Durak Kabashi) dhe takimi u mbajtë në shtëpinë e Hysen Gegës. Aty u bisedua për fushëveprimtarinë tonë në të ardhmen. Ndër të tjera u diskutua edhe për organizimin e një sulmi të armatosur kundër forcave policore serbo-çetnike.
Veprimtari Xhemajl Rudi (1994)
***
Në gjysmën e dytë të korrikut 1993 u njoftuam se brenda disa ditëve do të mbahet Mbledhja e katërt e LPRK’së. Për këtë çështje u mblodhëm në shtëpinë e Bislim Elshanit në Suharekë, ku ishin të pranishëm edhe Ukshin Hoti, Bashkim Mazreku, Ilaz Kadolli etj. Aty qëndruam deri në mbrëmje, ndërkohë që shokët na njoftuan se në Prizren është kryer një aksion i armatosur (më 23 korrik 1993 – sh.b) kundër policisë fashiste serbe…
Pas 2-3 ditësh në shtëpinë time ka ardhur: Ramadan Avdiu (Dani) bashkë me Murat Bytyqin, për të më njoftuar lidhur me ditën dhe vendin e mbajtjes së Mbledhjes së katërt të Përgjithshme. Takimi do të bëhet në Prishtinë. Në ditën e caktuar (26 korrik 1993 – sh.b) dhe në vendin e caktuar shkova në Prishtinë. Erdhi Ramadan Avdiu më mori dhe më dërgoj në shtëpinë e tij, më la me babain dhe iku për tu kthyer më vonë. I ati i tij, i shtyrë në moshë ishte një burrë i denjë, i fjalës, i qëndrueshmërisë dhe një atdhetar i çmuar, me kulturë të thellë dhe mikpritës i jashtëzakonshëm.
Dani pasi kishte kryer punë në kuadër të organizimit të mbledhjes, erdhi dhe shkuam të shtëpia ku do të mbahej mbledhja e LPRK-së. Atëkohë nuk e dija, por më vonë e kam kuptuar se, shtëpia ku u mbajt mbledhja historike për organizatën tonë, ishte e veprimtarit të palodhur, Fatmir Brajshori.
Në këtë mbledhje kishin ardhur edhe delegatët e Lëvizjes, Dega jashtë vendit: Fazli Veliu, Emrush Xhemajli, Beqir Beqa, Sabri Kiçmari, Bilall Sherifi, ndërsa delegatët nga këshillat brenda vendit, ishin: Xhavit Haziri, Fatmir Brajshori, Halil Selimi, Ramadan Avdiu, Isa Krasniqi, Xheladin Gashi, Mehmet Bislimi (ishte përfaqësues i Prekazit dhe i Skënderajt), Guximtar Labënishti nga Struga, Hashim Thaçi e të tjerë.
Mbledhjen e kryesuan: Fazli Veliu, Beqir Beqa dhe unë (Xhemajl Rudi).
Në këtë mbledhje u morën 2 vendime të rëndësishme, të cilat u futën edhe në programin e organizatës:
1. Lëvizja Popullore për Republikën e Kosovës (LPRK), të quhet Lëvizja Popullore e Kosovës (LPK), dhe
2. Përgatitja e popullit për luftë të armatosur kundër pushtuesit serb…
Me pajtimin e delegatëve, Emrush Xhemajli e përpiloj një rezolutë (komunikatë), ku si prioritet i aktiviteteve të LPK-së definohet lufta e armatosur. Më pas ajo u miratua njëzëri nga delegatët. Këto vendime u përgatitën për t’ia shpërndarë të gjitha këshillave të rretheve në Kosovë. Mbledhja i përfundoj punimet të nesërmen pasdite (më 27 korrik) dhe të gjithë delegatët u shpërndanë, sipas planit të përgatitur nga organizatorët e mbledhjes.
***
Disa ditë pas mbajtes së mbledhjes, regjimi fashist serb gjatë një fushate të egër policore burgosi: Behadin Hallaqin, Hysen Gegën, Ilaz Kadollin, Binak Berishën, dhe Shefki Muçën e të tjerë, ndërsa pas dy a tri ditëve u bastisën njëkohësisht shtëpitë e Murat Bytyçit, Milaim Elshanit dhe shtepia ime, mirëpo ne i shpëtuam burgosjes pasi ishim fshehur me kohë në vende të sigurta. Pas një kohë u larguam nga Kosova, shkuam në Zvicër dhe atje vazhduam veprimtarinë tonë për çlirimin e Kosovës nga sundimi i Serbisë fashiste.
(…)
Xhemajl Rudi – Porrentruy, Kantoni Jura – CH, 15. 03 2016
Pamje nga shtëpia Muze – dhoma ku është mbajtur Mbledhja e katërt e Përgjithshme e LPRK (LPK), më 26 – 27 korrik 1993 në Prishtinë. Është shtëpia e veprimtarit Fatmir Brajshori. (Në foto familjarët e Fatmirit)