ADIL FETAHU: MBRETIN E SHQIPTARËVE, ZOGU 1, DIKUSH E SHANË, DIKUSH E LAVDON

 Prishtinë, 18. 03. 2016: (Eugen Shehu: MONARKIA SHQIPTARE, ese historike, botoi “Urtësia”, Tiranë 2010,fq.681) – Historia jonë akoma nuk e ka qartësuar objektivisht figurën e Ahmet Zogut – Rrallë mund të gjendet në historinë e burrave shtetëror ndonjë personalitet aq kontraverz, për të cilin nga njëra anë flitet zi e ma zi, e nga ana tjetër lavdërohet deri në kupë të qiellit, sikur është rasti me Ahmet Zogun, mbretin e shqiptarëve në periudhën 1928-1939. Por, me qenë se historia jonë akoma nuk e ka ndriçuar objektivisht sa duhet figurën e Ahmet Zogut, si burrë shteti, si politikan e si njeri, me të gjitha virtytet e të metat, tundimet e vlerësimit të kësaj figure shkojnë nga njëri skaj në tjetrin, varësisht nga cila palë vijnë: nga kundërshtarët politik, apo nga simpatizantët e tij. Eugen Shehu, autori i librit në fjalë, duket se është njëri nga simpatizantët më të flakët të gjallë të Ahmet Zogut dhe të Monarkisë shqiptare. Të paktën, kështu fitohet përshtypja nga libri i tij.
Libri Monarkia shqiptare – ese historike, përmban 41 ese për personalitete të ndryshme të Monarkisë, duke filluar prej Abaz Kupit deri te Ahmet Zogu, si dhe shumë ese tjera për ngjarjet, luftërat, traktatet ekonomike e politike, kongreset, grushtetin (1924), atentatet, Shën Naumin, Kushtetutën e vitit 1928, reformat në administratë, ushtri e xhandarmëri, drejtësi, arsim, besime fetare, kujdesin për shqiptarët jashtë shtetit (Kosovë e Çamëri), pushtimin nga Italia, ikjen e mbretit me familje dhe aktivitetin e Lëvizjes së Legalitetit e të mbretit Zog pas pushtimit italian (7 prill 1939), deri në vdekjen e mbretit, në Paris më 9 prill 1961. Në 666 faqe tekst (e 12 fotografi individuale e familjare), autori nuk gjen asnjë të metë në personalitetin e mbretit Zog, as si njeri, as si udhëheqës e burrshteti, në të gjitha funksionet që ka pasur, si ministër, deputet, kryeministër, kryetar i republikës dhe mbret.

“Zogu tradhtar, që mori arratinë dhe florinjtë”
Duket se mendësia e propagandës komuniste gati gjysmëshekullore ka bërë që edhe sot shumica e njerëzve në Shqipëri kanë mendimin se Zogu ishte një autokrat, tradhtar, ryshfetçi dhe plaçkitës i thesarit të shtetit me rastin e arratisjes nga vendi. Në shkrimet dhe komentet e botuara nën shkrimet e autorëve të ndryshëm për mbretin Zog dhe Monarkinë, dominojnë vlerësime të tilla. Po këto vlerësime nuk janë vetëm të njerëzve anonimë, autorë komentesh, por janë edhe nga historianë e personalitete të njohura publike në Shqipëri. Historiani Pëllumb Xhufi, në një shkrim autorial: “Tradhtia dhe paburrnia e Zogut që mori arratinë dhe florinjtë”, botuar në gazetën “Panorama” (23 shtator 2013), e baltos figurën e Zogut me epitetet më të rënda: tradhtar, mashtrues, ryshfetçi, plaçkitës i thesarit të shtetit. Xhufi e akuzon Zogun se u rikthye në pushtet me ndihmën e Serbisë e Rusisë, se për këtë lidhi marrëveshje me Pashiqin për t’ia dhënë Jugosllavisë Shën Naumin dhe një pjesë të Vermoshit. Xhufi thotë se Zogu u bë deputet si mashtrues me dokumentin e datëlindjes, dhe erdhi në funksionet më të larta të pushtetit: ministër, kryeministër, kryetar shteti dhe mbret – me ryshfete, dhe me rastin e arratisjes mori me vete thesarin e shtetit?! Duket se këto vlerësime për mbretin Zog, historiani Xhufi i ka dhënë më tepër nga urrejtja ndaj Sali Berishës, i cili u angazhua që me rastin e 100-vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë, të kthejë eshtrat e Zogut në atdhe dhe t’ia ngritë bustin në Tiranë, se sa që ka argumente të sigurta historike, e aq më pak aso juridike për ato që flet për Zogun.
Nuk kam kualifikim formal të flas për aspektin historik, veçse nga aspekti juridik marrëveshja e shpifur Zogu-Pashiq, de iure nuk ka ekzistuar as nuk ekziston. Edhe nëse është shkruar e nënshkruar nga Zogu e Pashiqi, ajo nuk ka pasur karakter të marrëveshjes ndërshtetëror, sepse as Zogu as Pashiqi asokohe (14 gusht 1924) nuk kanë qenë në detyrë shtetërore (kryeministra as kryetar shteti), prandaj ajo do të mund të konsiderohet vetëm si një marrëveshje midis dy individëve privat. Ahmet Zogu kishte dhënë dorëheqje nga pozita e kryeministrit më 23 janar 1924, ditën kur u plagos në atentatin (e Beqir Valterit) kundër tij, ndërsa Pashiqi kishte dhënë dorëheqje nga pozita e kryeministrit më 16 korrik 1924, për shkak të mospajtimeve në Kuvendin e MSKS. Ajo “marrëveshje” nuk është ratifikua as nga Parlamenti i Shqipërisë, as i Jugosllavisë, dhe nuk u botua në gazetat zyrtare të shteteve përkatëse si akt ndërshtetëror. Dhe nëse ajo “marrëveshje” pa bazë shtetërore, ka përmbajtur pikat që i përmend Xhufi, asnjë prej atyre pikave nuk janë zbatuar kurrë. Shën Naumi i mbeti Jugosllavisë, jo në bazë të “marrëveshjes” Zogu-Pashiq, por në bazë të vendimit të Komisionit për caktimin e kufijve të Shqipërisë, respektivisht vendimit të arbitrazhit te Konferencës së Ambasadorëve, dt.6 gusht 1925, pasi që në bisedimet midis palëve të interesuara nuk ishte arritur marrëveshja. Për këtë ka dhënë sqarimet në Parlamentin e Shqipërisë Mit-hat Frashëri, duke treguar se për 0,5 km katrore të Shën Naumit, Shqipëria ka përfituar 22 km katrore territor strategjik.
Ahmet Zogu ishte “Ataturku” i Shqipërisë
Duke ditur angazhimin e Zogut qysh i ri në aktivitetet e tij luftarake për mbrojtjen e integritetit të vendit, askush nuk mund ta besojë tezën e Xhufit, se ai paska ardhur në pozitat më të larta shtetërore me ryshfete. Zogu ka arrit pozitat më të larta shtetërore në bazë të aftësive dhe meritave qysh prej rinisë së tij, si një pinjoll i një familje të njohur patriotike matjane. Ahmet Zogu zotëronte një inteligjencë të jashtëzakonshme, ishte patriot i vendosur, trim, vizionar, largpamës dhe me angazhimin e tij e me përkrahjen e popullit që e donte, e bëri Shqipërinë shtet të konsoliduar, njëherë republikë e mandej monarki, dhe vet arriti deri në pozitën e mbretit. Në moshën 17-vjeçare, Zogu në krye të një grupi trimash matjanë vajti në Vlorë, për të siguruar mbajtjen e Kuvendit, me rastin e shpalljes së pavarësisë (28 nëntor 1912), ku arrin me pak vonesë, për shkak të kushteve të vështira të motit dhe rrugës së gjatë e plot rreziqe. Vet Ismail Qemali e përqafoi, e puthi në ballë dhe i tha: “Mirë se erdhe more biri im, se për këtë punë që po bëjmë ne sot këtu për të mirën e Shqipërisë, kemi pasë mësues gjyshin tënd Xhelal Pashë Zogun” (“Monarkia shqiptare”, fq.404).
Çështja e thesarit nuk është vërtetuar asnjëherë. Më shumë ka gjasa, se thesarin e shtetit e kanë marrë pushtuesit e Shqipërisë: së pari Italia e pastaj Gjermania, dhe se një pjesë e atij thesari ka shkua për të paguar dëmshpërblimin Anglisë, për anijet e dëmtuara në incidentin e Korfuzit. Arratisja e mbretit nga vendi i pushtuar prej një fuqie fashiste të kohës, nuk është rast i vetëm në historinë e shteteve, dhe nuk mund të konsiderohet tradhti e vendit. Por të gjitha këto duhet të vërtetohen, argumentohen e vlerësohen nga historia e paanshme dhe pa inate.
Zogu i gjeti shqiptarët turmë, i bëri popull, komb dhe shtet të respektuar
Shqipëria ndërroi regjimin politik nga republika në monarki, më 1 shtator 1928, kur Ahmet Zogu u zgjodh Mbret i Shqiptarëve. Këtë akt të ndryshimit të statusit shtetëror, e para e njohu Italia. Në qëndrimin e Italisë ndaj shpalljes së Monarkisë theksohej: “Qeveria Mbretërore Italiane e konsideron vendosjen e regjimit monarkik në Shqipëri një ngjarje të lumtur që, ndërsa forcon më tej lidhjet që ekzistojnë midis dy vendeve, do të sigurojë vazhdimësinë e politikës së tyre të përbashkët që gjen në Traktatin e Aleancës shprehjen e saj më të lartë. Prandaj Italia do t’i mbetet gjithnjë thellësisht besnike atij mirëkuptimi organik, rezultatet e shkëlqyera të të cilit në politikën e përgjithshme ka dëshiruar t’i nënvizojë Shkëlqësia Juaj. Mund t’ju siguroj se qeveria italiane nuk do të mungojë kurrë të këshillohet me qeverinë shqiptare për çdo problem që mund të ketë të bëjë me interesat tona të përbashkëta dhe të veprojë në marrëveshje me te për të gjitha çështjet që lidhen me situatën në Ballkan” (Joseph Swire: “Shqipëria – ngritja e një mbretërie”, fq.408). Statusin monarkik të Shqipërisë e njohën shumë shpejtë edhe shumica e fuqive të Evropës dhe ShBA-të. Jugosllavia dhe Greqia nuk ishin të kënaqura dhe e pritën me nervozë emërtimin e Zogut “Mbret i Shqiptarëve”, për shkak të aludimit edhe në shqiptarët jashtë shtetit shqiptar. Mirëpo, Jugosllavia asokohe kishte problemet e veta të brendshme, për shkak të vrasjes së deputetëve kroatë në Kuvendin e Jugosllavisë, dhe për këtë shkak shpalli diktaturën, prandaj nuk kishte shumë kohë të merrej me politikën e jashtme. Ismail Kadarea në librin e tij “Mosmarrëveshja” (fq.26), thekson se “Vet shpallja e mbretit Zogu 1 Mbret i Shqiptarëve (e jo vetëm i Shqipërisë), ishte aludim i bashkimit të shqiptarëve”.
Kur flitet për Monarkinë Shqiptare dhe Mbretin e Shqiptarëve, Zogu 1, duhet pasur parasysh kohën, kushtet dhe rrethanat në të cilat punoi dhe qeverisi (apo sundoi) Zogu, kush ishin miqtë dhe armiqtë e Shqipërisë. Duhet pasur parasysh se në çfarë gjendje ishte Shqipëria para dhe çfarë arriti në kohën e Monarkisë, kur u bë një shtet i konsoliduar, i reformuar dhe i respektuar nga brenda e nga jashtë. Gjatë asaj kohe u zhvilluan reforma të rëndësishme për një administratë efikase e të pa korruptuar, gjë që ishte një segment i rëndësishëm për stabilizimin e shtetit. Me reformat në drejtësi që u bënë në kohën e Monarkisë, Shqipëria jo vetëm se u shkëput nga sistemi feudal, por me ligje dhe me një gjyqësi të pavarur u avit me sistemet demokratike të kohës. U miratua kodi i ri penal dhe kodi civil, sipas shembujve më të mirë të kohës (të Italisë dhe Francës), me të cilët bëri reformë në lëmin e të drejtës penale dhe civile. U bë reforma në sistemin e arsimit, me program kombëtar, laik, iluminist, e me pozitë të volitshme materiale, në suaza të mundësive të vendit e të kohës. Bëri reforma në ushtri e xhandarmëri. Zogu bëri reforma edhe në aspektin fetar: hoqi ferexhen dhe qylahin; ndaloi poligaminë, martesat dhe divorcin i trajtoi si çështje civile, e jo fetare. Reforma agrare e miratuar (1930), nuk mundi të realizohej për shkak të mungesës së fondeve për t’i kompensuar pronarët. Pak kush e din se në kohën e Zogut president (1925), në Shqipëri ishin vu katër linja të brendshme të komunikacionit ajror për pasagjerë dhe postë. Të gjitha këto Zogu si president dhe si mbret, i korri në saje të zgjuarsisë, vendosmërisë, intuitës, vizionit, ambicieve, patriotizmit, politikës largpamëse dhe bashkëpunimit ndërkombëtar. Për nga rrugëtimi i ardhjes në pushtet dhe reformat e bëra, Ahmet Zogu për Shqipërinë ishte sikur Ataturku për Turqinë. Por, derisa Ataturkun e nderoi dhe gjithnjë e nderon populli dhe shteti i Turqisë, Ahmet Zogun e shau, mallkoi e dënoi shteti dhe populli i Shqipërisë, sidomos regjimi komunist, një konstantë kjo e përbashkët e metodave të luftës politike e për pushtet e shqiptarëve edhe në Kosovë edhe në Shqipëri. Kundër Zogut u bënë dhjetë përpjekje për ta vrarë, dy atentate të drejtpërdrejta, dhe shteti dy herë e dënoi me vdekje; njëherë në kohën e qeverisë së Nolit, e herën tjetër nga diktatura komuniste. Fatmirësisht, më në fund, shteti shqiptar bëri një gjest të mirë në 100-vjetorin e pavarësisë, e ndreqi një padrejtësi, duke i kthyer eshtrat e Zogut e rivarrosur në Tiranë, ku i është ngritur edhe busti.
Për personalitetin e Ahmet Zogut kanë dhënë mendimet e tyre shumë personalitete të njohura të kohës së Zogut, të cilët e kanë njohur nga afër: historianë, ambasadorë, zyrtarë e bashkëpunëtorë
tjerë, madje edhe kundërshtar politik. Historiani britanik Joseph Swire, në fund të librit të tij (“Shqipëria – ngritja e një mbretërie”, botim i vitit 1929), shkruan: “… Shqipëria u ngrit nga thjesht një shprehje gjeografike, në një mbretëri. Nga një rajon i një perandorie të rrënuar ajo u bë shtet i pavarur, me të gjitha mundësitë për përparim, me një monedhë të stabilizuar, një politikë të jashtme të arsyeshme, një aleat të fuqishëm dhe një sovran të aftë …”. Ambasadori i ShBA-ve në Shqipëri (1933-1939), Hugh H.Grant, në fjalimin e tij të mbajtur me rastin e varrimit të Zogut (në Paris, 1961), ka thënë: “Unë besoj se historia në gjykimin e saj të fundit, të paanshëm dhe të drejtë, do ta përmend Mbretin e Shqipërisë Zogu 1, si një nga udhëheqësit më të famshëm ushtarak dhe politik të kohës së tij, një prijës patriot dhe trim, me një inteligjencë edhe zgjuarësi të jashtëzakonshme, me të cilat mundi të përballojë dhe të zgjidhë problemet e koklavitura të mbajtjes gjallë të popullit liridashës dhe patriot shqiptar” (“Monarkia Shqiptare”, fq.391). Ahmet Zogun ndoshta askush nuk e ka sharë më shumë e më rënd se Faik Konica, i cili ishte përfaqësues e ministër i Shqipërisë në ShBA gjatë tërë kohës kur Zogu ishte në pushtet në Shqipëri. Mirëpo, Faiku, pas takimeve me mbretin Zog, më në fund e kishte kuptuar se Ahmet Zogu, ishte një prijës atdhetar i padiskutueshëm. Pas një vizite që i kishte bërë Shqipërisë dhe bisedave me Zogun, në pyetjen e gazetarëve se si e pa Shqipërinë, Faiku kishte deklaruar: “Rregull në vend të trazirës, qetësi shembullore…, udhë të mira dhe tregti atje ku s’kishte veçse pronjë e shpella dhe papunësi, ushtarë të stërvitur në vend të bashibozukëve. Dhe vullneti i patundur që pruri këto ndryshime aqë të shpejtme, është një djalë i ri, të cilit i ka hije kurora e mbretërimit. Vetëm tru të sëmura, s’kanë zotësinë të kuptojnë madhështinë e kësaj fytyre historike” (“Dielli”, 25 tetor 1929).
* * *
Ndonëse libri Monarkia Shqiptare i kushtohet periudhës së monarkisë (1928-1939), prekë edhe shumë ngjarje tjera historike të mëhershme e të mëvonshme, duke bërë një retrospektivë të shtetit shqiptar para e pas monarkisë, dhe rolit të personaliteteve të ndryshme të njohura e më pak të njohura. Libri përshkohet me një analizë të politikave etnike në Ballkan, por autori është shumë i preokupuar me frymën kombëtare gjithëshqiptare. Si një legalist i flakët, tregohet i njëanshëm me figurën e mbretit Zog të cilin e lartëson në kupë të qiellit, pa gjetur asnjë të metë dhe asnjë faj (qoftë tradhti apo gabim) përgjatë gjithë kohës së sundimit si ministër, kryeministër, president, mbret. Për ta lartësuar më tepër figurën e mbretit, e shpie në gjenealogji si pasardhës i largët i Skenderbeut? Askund nuk e përmend se Ahmet Zogu u rikthye në pushtet me ndihmën e Serbisë, por gjoja se u kthye me ndihmën e ithtarëve të vetë (dibranë) dhe me përkrahjen e Anglisë, Francës dhe Italisë, nga frika e tyre se pushteti i Nolit do ta instalonte bolshevizmin rus në Shqipëri. E lartëson Lëvizjen e Legalitetit dhe fajëson e urren lëvizjen komuniste që nuk bashkëpunoi për çlirimin e vendit dhe të gjitha trojeve shqiptare. Libri është i vështirë për ta lexuar, jo vetëm se është voluminoz, veçse edhe për shkak se ka përsëritje të shumta në kontekste të ndryshme të eseve për personalitetet dhe ngjarjet. Ajo që ia prishë shijen leximit për një lexues të pasionuar, janë gabimet e shumta, pothuajse në çdo faqe nga disa gabime, të natyrës së lekturës e korrekturës, ndonëse në libër figurojnë emrat e redaktorit letrar dhe korrektores. Libri “Monarkia Shqiptare-ese historike”, është një lum i burimeve të shumta për historinë e shtetit shqiptar, veçmas për Monarkinë: publikime, dokumente arkivore, dokumente diplomatike, intervista, deklarata, gazeta. Ndonëse i vështirë, ia vlen të lexohet, sepse prej burimeve të shumta mund të nxirren edhe informacione të reja. Shkrimtari i ndjerë italian, Umberto Eco, ka thënë se librat që janë të lehtë për lexim, të vejnë në gjumë. Libri i Eugen Shehut “Monarkia Shqiptare – ese historike” – nuk është i tillë.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura