REXHEP KASUMAJ: NDALENI LIRINË, DUA TË ZBRES!

Berlin, funddimër 2013 – (Revoltë ndaj perëndive të vulgut) – Qeveritarët e ndërkryer që shpërdorin ndonjëherë dhe urtinë e çiltër të poshtëlënëve për të mos hidhëruar (si e definojnë, shpesh, gabim) mentorët e indipendencës, po të kishin vullnetin a edukatën sado të paktë, do t’ia dilnin lehtësisht të rehatonin gjindjen përvojtur e të devotë të tyre. Veteranët e robnisë dhe skamjes nuk duan shumë. Pak shtet ligjor, pak shans egalitar, pak rojë vote, pak dëlirësi në qeverisje dhe, së fundmi, pak ngushëllim e shpresë – jo në fund gote e bote, por në sytë e fëmijës së brezit të lirisë. Ndaj kur sheh, ndjen e prek këtë njëmendësi që përpetuohet në rreth të ngujuar, njeriut, posi Terzanit për botën, i vjen të thërrasë: Ndaleni lirinë, dua të zbres!
1. Mbi botën!
I madhi e i papërsëritshmi publicist e intelektual italjan, Tiziano Terzani, (e kujtojmë nga “Letra kundër luftës”, “Fundi është fillimi im”, tashmë i filmuar) kishte parë botën. Pothuajse të gjithën. Fillimisht, pasi mallkonte (mbase me pak humor) aterrimin e gabuar në familjen dhe Toskanën e tij, i vegonin largësitë. Popujt e qytetnitë ekzotike. Më pas, si përmbushje e një parathënme qiellore, jeta do ta degdiste gjithandej metropolesh verbuese e dhiaresh të mugëta, ku do të përballej herë me mirëpritjen skofiare, e herë me anatemën derrare. Do t’njihte gjeneralë të luftës e misionarë të paqes, ideologë të gënjeshtrës e martirë të së vërtetës. Ishte përndezur fort me Amerikën Latine, pastaj me Kinën konfuçianiste që nuk e shfytyroi dot komuna e huazuar e stepave, me vendlindjen e diellit, sufistët e transcendencës, Hindukushin e ndjeshmërisë fine…. Por vetëm tevona do të vinte magjia: India mistike me gurut e sanyasinët, filozofët e poetët që s’janë mbyllur në arkiv e bibliotekë, po i gjen e takon kudo, janë me ty në shtëpi, në udhë e sheshe!.. Madje, në gjakimet përvëluese shtegtare, si një dendi, krejt vetmor e i harruar, ishte mbyllur në seancë meditimi, atje në çatinë e globit nga kundronte zallahinë kotnare të njerëzisë!..

Tiziano Terzani (1938 – 2004 )

Ndonëse magjepsej dehshëm, ai poaq indinjohej për rrëzomat e pafat të Azisë. Kishte parë projektin infernal të Pol-Potit, prijësit të kmerëve të kuq, që, për të zhdukur borgjezinë fshinte nga faqja e dheut qytetet, duke prekur ashtu kufijtë e absurdit – dhe ishte tmerruar! Kishte jetuar gërmadhat e revolucionit kulturor kinez – dhe ishte keqardhur për goditjen e vdekshme që përpiqej ti jepej trashëgimisë së lashtë. Kishte ndjerë spiritizmin e Lamës së Tibetit që nuk mirëkuptohej, po rrethohej nga patkoi i hekurt i Pekinit – dhe bashkëvuante me ta! Kishte vërejtur habitshëm snobizmin e panëvojshëm tejlorist të japonezëve tek bëjnë çmos tu përgjasojnë oksidentalëve – dhe pyeste: përse? Kishte përjetuar nga afër golgothën afgane të pashtunëve të copëtuar – dhe ishte pikëlluar që epilogu s’përhihej askund në horizont. Por, q’e gërryente më shumë, në fillesën e shumë përplaseve tragjike të kësaj bote, ai hetonte, poashtu, dorën përbetuese të njeriut të bardhë, të keq!
I ekzaltuar prej saj, shpirtësisë aziate, ai do të zhgënjehej thellë me të, veçanërisht me njeriun e tij europian. Ky nuk është kurrëfarë njeriu, këlthiste me revoltë shpërthyese. Kurse (kujton Terzani me admirim) në Afganistan, si një kundërmoral e filozofi jete, një tregtar mbyllte para se të errej stendën e tij, me dëshirën e fisme që dhe fqinji i tij të fitonte diç për të ushqyer gojët e vogla në shtëpi! Dhe do ti gëzohej këtij kumti të përkorë të dhimbjes njerëzore. Ndryshe nga ai, njeriu perëndimor, cinik i ftohtë e llogaritar i imtë, e tmerronte atë me shumë se Talibi me kalash, i cili s’mund të ketë shumë faj që përpinë çdo ditë të lume dogmën, se dhe Profeti Muhamed paskësh nëmur Amerikën, të pazbuluar ende për të gjallë të tij. Njëri është i majtë e tjetri i djathtë, por të dy ulen në mbrëmje në kafene për të parashestuar planimetritë e dhunësisë mbi botë.
Nuk i ngjanin, me gjasë, ndërhyrjet militare në miljeun e dashur të tij, vepra civilizimi, por yshtje ekspandimi për të mbrojtur katalogun interesor të tyre dhe për të sprovuar armët e doktrinat: me hekur, zjarr e gjak! Aty ku ka behur whisky, cola e marlboro (thotë tek shkruan për Birmaninë, me uratën që ajo të mbetet jashtë rrezes së tyre) nuk mbin më bari i qetësisë, paqes dhe mirësisë!
Megjithë mrekullimin për gjerësinë e njohjes, mjaftësinë e informacionit dhe elokuencën e rrëfimit, natyrisht që nuk ndajmë përherë krisjen e besës ndanë njeriut të këndejmë ose, madje, pasionimin e zjarrtë me Azinë e vagëllimtë: juntat, despotitë, xhihadizmi i deformuar, traditat njerishtypëse… Mirëpo, nëse pikëpamjet tona nuk fqinjërojnë tek fascinimi gjithsorë, ai ishte në të drejtën e tij për anën jashtpolitike, më pak të njohur, për vezullinë e kulturave të mëdha. Ato do të ftillonin vetë rendet a demokracitë autentike, pa i eksportuar forcërisht, në pako përfitimesh e kapitalesh, si do të shprehej dhe Obama tejpamësisht, me të shkelur në Zyrën ovale. Por nuk ndodhte aspak ashtu. Ndoshta, ishte “konflikti i qytetërimeve” (Huntington) që do të prodhonte rezistencë dhe, fjala vjen, përmbushjen e vakumit, zëvendësimin e komunizmit të rënë, nga fundamentalizmi islamik si ideologji e të përbuzurve. Tashmë është thershëm e ditur se të drejtës i referohen vetëm të pafuqishmit qysh prej krijimit parak… Sidoqoftë, ai deshpërohej pse njeriu e bota kishin përherë armiqë! Kur një ditë i erdhi për vizitë (gjendej në shtratvdekje) miku i shërbimit si reporter krizash, Martini nga Londra, do të flisnin gjatë për luftërat e kaluara bashkë dhe për ato që do të vijnë.
Sërish luftëra, do të truante më vete, ndjekësi i dialogut të tyre? Përgjithmonë? Meqë luftërat qenkëshin në natyrën e tij, madje të dobishme (si pledon Maltusi), aherë ç’rëndësi ka karakteri i tyre, kur ato janë çelësi, ekzistencia vetë?! E pra, do ti bashkohesha çiltërisht zemërplasjes së tij për gjenin dhunëtar të njeriut. Atij që krijon e rrënon njëkohësisht, në ritualin e pakuptueshëm as nga ai vetë. I tillë ka qenë në mijëra vjetët e ikur dhe, me ç’duket, i tillë do të ngelë dhe në mijëra vjetët e ardhmë!.. Dhe kështu, i trishtuar për sa shihte, Terzanit, si pohon dhe vetë tek kuvendonte në fundjetë më të birin, Folcon, i vinte ndonjëherë të thërriste: ndaleni botën, dua të zbres!
2. Paralele: Mbi lirinë…
Tetorin e shkuar (2012), në Irlandë, 25 qytetarë do të nisnin dhe udhëhiqnin debatin publik për ndryshimet kushtetuese. Dhe ato u miratuan nga Parlamenti pa asnjë hezitim! Nuk pati ndjesi cënimi, sedërprekje a përçmim nga kuvendarë, parti e autoritete shtetërore. Demokracia bënte tutje: e përzier, dinamike dhe inventive. Mandantët përfaqësues, shpesh, do të tërhiqen mirëkuptueshëm, për ti lënë udhë vendimmarrjes popullore.
E prijës të personelit politik të Prishtinës? Ç’është relata e tyre me demokracinë?
E vështirë, pa dyshim!
Çdo marrëdhënie njerëzore është, në thelbin e saj, marrëdhënie pushteti, shkruan Erhard Epler (në “Rikthimi i politikës”) dhe, që këtej, çuditërisht, pa kontakt intelektual me këtë nivel mendimor, paria politike ndjek origjinalisht reflektimet e tij kudo në rrethet e kierarkisë, me njëlloj niçeanizmi primitiv se janë të paracaktuar raportet e eprorit mizor dhe vartësit të shtruar…
Ata, ndryshe nga përceptimi dablinas, nuk jetësojnë as ligjet që ideojnë vetë. Kultura e legalitetit rëndon e huaj për ta. Ligji është freri dhe armiku i klasës. Duan një botë gri. Pa dyshimin sokratik. Pa alternativë e krejt të përgjumur. Vetëm ata të vigjëlojnë. Ashtu si dijnë, të pangjashëm me askënd, për të bërë atë “avitum bonum” e famshëm, pronësinë gjyshnore mbi tokën e sunduar dhe banorësinë lumtur të saj. Dhe fati i ndjek, vërtetë! Ishte pikërisht ky fat i të këqinjëve që dëshpëronte aq shumë filozofin antik! Por, ja, kështu ndodh mjerisht kur (si thoshte Aristoteli) demokracia shndërrohet në sistem vulgu të përtokshëm!
Përse?
Sepse margjinalët e dergjur nuk janë në merak. I gëzohen folklorshëm lavdisë dhe shkëlqimit të shaluesëve hijerëndë. Përndritja e tyre është balsami që preh shpirtrat e molisur. Dhe presin bestytërisht ndërrimin e kohëve, siç pritet, paqësisht e pa ankth, ndërrimi i stinëve, i diellit e shiut, në lojën e përjetshme të natyrës. Pastaj, si për të përplotësuar tabllonë, kësaj sehirpritjeje i dorëzohen të gjithë, gati në kor e kolektivisht: Akademikë të ndërgjegjes elitare që abuzojnë me të drejtën e rezervuar për distancë kritike ndaj fronit dhe daulltarë të medias klienteliste që avokojnë qendra force (politike e informale), mandej punëtorë të keqorganizuar që i trëmben humbjes së varfërisë dhe shtresë e mesme e kalvarosur që s’e bën dot nyjen përlidhëse mes dy botësh të ndarë sociale… E tillë përshfaqet Kosova në mijëvjetin e ri. Pakicë uzurpatorësh të luftës dhe kreshtave pushtetare që sundojnë e grabisin krenisht – në një anë dhe, në anën tjetër – shumicë vorfnore që pranon lumnisht të jetë e vjedhur, ndrydhur e humnerosur!
Apatia ka mbytur, tashmë, ëndrrën dhe ambicjen në fundinën ku drita është ndaluar…Ndaj vetëlajthimi është votra ngrohëse e atyre që besojnë e nuk arsyetojnë kurrë. Sepse, në të kundërten, krekosjet provinciale për vepra të mëdha infrastrukturore, nuk do të pllenoheshin aq me rrënjë e aq poshtërisht. Do të fyenin, ashtu, njohjen dhe etikën elementare. Po a nuk pati në Spanjën e Frankos dhe në Kilin e Pinoçetit përparime objektive, si shtysë e vetë historisë?! A nuk u ndërtuan atje udhë e spitale, shkolla e kopshte? Natyrisht! Por ishte ana tjetër zymtore që rrëzonte legjitimitetin e tyre: brënda qytetarit vritej njeriu, që s’mbetej veçse një gëzhojë trushplarë, pa emër e identitet të lirë! A mund të cilësohet, vallë, liri vetëm ndërrimi i shkollës mashtruese dhe petkut etnik të shtypësit? Asgjë ndryshe e asgjë më shumë?!
Qeveritarët e ndërkryer që shpërdorin ndonjëherë dhe urtinë e çiltër të poshtëlënëve për të mos hidhëruar (si e definojnë, shpesh, gabim) mentorët e indipendencës, po të kishin vullnetin a edukatën sado të paktë, do t’ia dilnin lehtësisht të rehatonin gjindjen përvojtur e të devotë të tyre. Veteranët e robnisë dhe skamjes nuk duan shumë. Pak shtet ligjor, pak shans egalitar, pak rojë vote, pak dëlirësi në qeverisje dhe, së fundmi, pak ngushëllim e shpresë – jo në fund gote e bote, por në sytë e fëmijës së brezit të lirisë.
Ndaj kur sheh, ndjen e prek këtë njëmendësi që përpetuohet në rreth të ngujuar, njeriut, posi Terzanit për botën, i vjen të thërrasë: Ndaleni lirinë, dua të zbres!

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura