BARDHYL MAHMUTI: KUSH E SHFAJËSON SERBINË PËR KRIMIN E GJENOCIDIT NË KOSOVË?!

Zvicër, 21. 03. 2016: Fshehja e krimit të gjenocidit të kryer në Kosovë nga forcat e armatosura serbe dhe drejtimi i gishtit te «grupet paramilitare» është pjesë e strategjisë së Serbisë për t’i ikur përgjegjësisë si shtet.
Dihet fare mirë se në të gjitha fazat e kryerjes së gjenocidit, fshehja e krimit e preokupon kriminelin. Në kontekst të fshehjes së krimit të gjenocidit nocioni «negacionizëm» nënkupton tërësinë e qëndrimeve të miratuara dhe shpjegimeve të dhëna për të mohuar vërtetësinë e gjenocidit ose një krimi kundër njerëzimit. Në këtë aspekt, mohimi i gjenocidit mund të konsiderohet si pjesë përbërëse e krimit, e ndërthurur me të, sepse përcakton strategjinë e shkatërrimit të së vërtetës dhe kujtesës. Kur gjenocidi është kryer, atëherë kur e vërteta del në shesh, «negacionizmi» synon të shkatërrojë bindjen lidhur me krimin dhe të futë dyshime për vërtetësinë e krimit. Thënë shkurt, «negacionizmi» është organizim i gënjeshtrës në një sistem, funksioni i të cilit është shmangia nga përgjegjësia e drejtpërdrejtë apo e tërthortë në kryerjen e gjenocidit.
Nocioni «grup paramilitar», si struktura jashtë forcave të armatosur të një shteti, është shndërruar në instrument të manipulimit me opinionin publik në funksion të fshehjes së përgjegjësisë së strukturave politike dhe ushtarake të një shteti në kryerjen e krimeve të caktuara. E njëjta gjë ndodhë edhe me krimin e gjenocidit në Kosovë.
Fshehja e krimit të gjenocidit të kryer në Kosovë nga forcat e armatosura serbe dhe drejtimi i gishtit te «grupet paramilitare» është pjesë e strategjisë së Serbisë për t’i ikur përgjegjësisë si shtet.
Sot edhe nga vet serbët është zbuluar se me kërkesë të shërbimeve të fshehta ushtarake dhe policore, gjykatat liruan nga burgjet shumë kriminelë të dënuar për vrasje. Kriminelët e liruar nga burgjet u transferuan në qendra ushtarake për trajnim dhe për përgatitjen e tyre u ngarkuan nënkolonelët serbë Slobodan Stoishiqi dhe Miodrag Gjorgjeviqi.

Këta nënkolonel të Armatës së Jugosllavisë i pajisën kriminelët me uniforma, armë të mira, mjete kimike dhe mjete të tjera të nevojshme për likuidime. Krahas mjeteve për vrasje, kriminelët u pajisën me dokumente dhe simbole të përkatësisë së Sigurimit Ushtarak. Kriminelët u integruan në Sigurimin ushtarak dhe ishin nën komandën e Sllobodan Stoishiqi dhe Miodrag Gjorgjeviqi. Pas trajnimit, në muajin korrik të 1998 ata u dërguan në Kosovë. (Më hollësisht shih: Fond za humanitarno pravo, Dosije Diković Ljubiše, f.2).
Po marr vetëm edhe një shembull.
Jo vetëm për shqiptarët, boshnjakët dhe kroatët por edhe për opinionin publik ndërkombëtar janë të njohur të ashtuquajturit «Tigrat», në krye të së cilit ishte krimineli i njohur Zhelko Razhnatoviq- Arkan.
Gjatë procesit gjyqësor kundër Sllobodan Millosheviqit në Hagë, me 13 shkurt 2003, Aleksandar Vasiljeviqi, zëvendësshefi i Drejtorisë së Sigurisë së Ushtrisë Jugosllave deklaroi se «Tigrat» e Arkanit ishin në kontrollin e drejtpërdrejtë të kolonelit të policisë speciale serbe Goran Radosavljeviq- Gurit.
Goran Radosavljeviq-Guri është koloneli famëkeq i cili gjatë luftës udhëhoqi dhe kreu aktet gjenocidare në fshatin Reçak dhe në shumë pjesë tjera te Kosovës, ndërsa pas luftës iu besua të udhëhiqte Qendrën Mësimore në Petrovo Selo, ku u zbuluan dy varreza masive («Petrovo Selo I» dhe «Petrovo Selo II»). Sipas ekspertizës së Mjekësisë Ligjore serbe për këto dy varrezat masive u konstatua se “në 60 raste vdekja ishte shkaktuar nga plagët me të shtëna armësh, 9 persona kishin vdekur nga plagë prej mjeteve jo të mprehta, kurse në 8 raste shkaktari i vdekjes ishte i panjohur.” Në mesin e kufomave të varrosura në këto varreza ishin edhe tre vëllezërit: Mehmet Bytyqi (21-vjeçar), Agron Bytyqi (23-vjeçar) dhe Yll Bytyqi (25-vjeçar).
Ekspertiza e Mjekësisë Ligjore serbe dëshmoi se Goran Radosavljeviq Guri e kishte shndërruar Qendrën Mësimore të forcave speciale të policisë serbe në Petrovo Selo, në një qendër të “mësimit praktik” se si të ekzekutoheshin shqiptarët.
Ky kriminel jo vetëm që nuk u dënua për krimet e kryera por ai u integrua në strukturat udhëheqëse të partisë që udhëheq Alеksandar Vuçiqi.
Pikërisht për arsye të integrimit të plotë të kriminelëve serbë në kuadër të forcave të armatosura ushtarake dhe policore të Jugosllavisë, përdorimi i nocionit “grup paramilitar serb” në Kosovë është i pa bazë dhe në funksion të zhvendosjes së përgjegjësisë për krimin e gjenocidit nga shteti serb te të ashtuquajturat “grupe të pakontrolluar”!
Është e kuptueshme që pushteti i Serbisë, qoftë i kohës së Millosheviqit, Tadiqit apo Vuçiqit aplikon strategjinë e «negacionizmit» për krimin e gjenocidit të kryer në Kosovë. Gjithashtu është e kuptueshme përpjekja e tyre për të zhvendosur fajësinë nga shteti serb te “grupet e pakontrolluara kriminale”. Por, ajo që është neveritëse ka të bëj me faktin që mediet shqiptare shpërndajnë deklarata për krimet e “grupeve paramilitare serbe”. Pa marrë parasysh se a janë të vetëdijshëm apo jo për implikimet e kësaj propagande, secili që përdor nocionin «grup paramilitar» me vetëdije apo pa vetëdije bëhen pjesë e shfajësimit të Serbisë për krimin e gjenocidit. Gjenocidin në Kosovë e kreu Serbia përmes forcave të saja të armatosura me një zinxhir të qartë komandues nga institucionet politike, ushtarake dhe policore të shtetit serb.
______________
SHERADIN BERISHA: ‘PATKOI’ SERB – PLAN PËR SHFAROSJEN E SHQIPTARËVE

Pashtriku.org, 07. 03. 2013 – Gjatë luftës në Kosovë (1998 – 1999), regjimi pushtues serbë angazhoi një superstrukurë të gjerë forcash ushtarake – policore…, kundër popullit Shqiptarë dhe Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Këto forca përbënin një kombinim kompleks të, strukturave policore speciale të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë, njësive ushtarake speciale të Ushtrisë serbe, njësive të shumta paramilitare si dhe të një spektri forcash të tjera vullnetare që vinin nga vendet ish’sovjetike si nga: Rusia, Bjellorusia, Ukraina, pastaj Rumania etj. Dhe kjo superstrukturë kriminale kishte vetëm një kokë komanduese, e ai ishte varrmihësi i Kosovës Sllobodan Millosheviç.

(…)

Më gjerësisht: https://pashtriku.org/?kat=63&shkrimi=1358

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura