SHERADIN BERISHA: ENVER HADRI PËR ATENTATIN E 17 JANARIT 1982

Pashtriku, 25 shkurt 2021: Në 29 vjetorin e vrasjes së Jusuf Gërvallës, Kadri Zekës dhe Bardhosh Gërvallës, janar 2011
***
Enver Hadri (1941- 25 shkurt 1990) ishte veprimtar për të drejtat e njeriut dhe për çështjen kombëtare. Në fillim të vitit 1972 ai u vendos në Bruksel, ku vazhdoi veprimtarinë politike nëpërmjet Organizatës Rezistenca Kombëtare e Shqiptarëve të Kosovës. Organ i kësaj organizate ishte revista ”Zëri i Kosovës” në gjuhën shqipe dhe frënge, përmes të cilës bëhej thirrje për bashkimin e trojeve shqiptare në përgjithësi, sidomos punohej që çështja e Kosovës të futej në agjendat e diplomacisë ndërkombëtare, si Unioni Evropian, NATO, etj,. Në Bruksel ai formoi dhe drejtoi Komitetin Shqiptar për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut. Më 25 shkurt, 1990, në moshën 49 vjeçare, Enver Hadri u plagos dhe më vonë vdiq në spital nga një atentat në Sent Zhil (origj. Saint Gilles), Bruksel, i porositur nga Shërbimi Sekret Serb (UDBA). Atentatorët, Veselin Vukotiç (Veshko), Andria Lakoniç dhe Darko Ashanin, e qëlluan me dy plumba në kokë deri sa kishte ndaluar makinën në një semafor. Hadri kishte me vete listën e 23 shqiptarëve të vrarë në Kosovë nga Serbia, të cilën mendonte t’ia dorëzonte të nesërmen Komisionit të të Drejtave të Njeriut të Parlamentin Evropian.

Enver Hadri (1941 – 1990)

***
Pas vrasjes së Jusuf Gërvallës, Kadri Zekës dhe Bardhosh Gërvallës, më 17 janar 1982, Enver Hadri në numrin vijues të revistës ”Zëri i Kosovës” që doli më 20 janar 1982 në Bruksel, botoi shkrimin ”JA VDEKJE JA LIRI!” kushtuar dëshmorëve, dhe me rastin e 29 vjetorit të vrasjes së tyre, botohet në pashtriku.org:
JA VDEKJE, JA LIRI!
Nga Enver Hadri

Vrasja e tre patriotëve liridashës e përparimtarë në Gjermaninë Perëndimore më 17 gjegjësisht 18. 01. 1982 në krye me Jusuf Gërvallën duhet të ngjallin mënin më të madhe kundër armikut. Këto vrasje duhet t’i bashkojnë të gjitha forcat përparimtare kosovare në luftë të vendosur drejt pavarësisë dhe socializmit të vërtetë.
Kosova jonë e dashur që nga 11 marsi 1981 u bë arenë e ngjarjeve të përgjakshme. U bë prova dhe qëndrueshmëria e shqiptarizmit. Kosovarët i vranë dhe i burgosën. Por Kosova nuk u qetësua. Kosova nuk hesht! Politika diskriminuese e qeverisë fashiste jugosllave bëri që Kosova sot të ketë shkallën më të ulët të zhvillimit ekonomik, që papunësia të arrij kulminacionin, që pasuria e Kosovës të shfrytëzohet në maksimum prej firmave të huaja. Politika hegjemoniste e serbomëdhenjve të Beogradit iu mohoi ende të gjitha të drejtat politike e njerëzore shqiptarëve të Kosovës dhe viseve tjera shqiptare në Maqedoni, Mal të Zi dhe Serbi.
Qeveria fashiste dhe revizioniste e Beogradit dërgon ushtri dhe polici speciale për të vrarë rininë tonë liridashëse, revolucionare dhe përparimtare (progresiste). Dërgon tanke për të shkelur fëmijët tanë shqiptarë në Kosovë. Më se tre mijë të vrarë nga policia dhe ushtria jugosllave e me mijëra të tjerë të plagosur e të humbur. Dyqind e tetëdhjetë e gjashtë vetë të dënuar me burg në kohëzgjatje prej tre deri në pesëmbëdhjetë vjet. Më se njëmijë të tjerë presin për t’u gjykuar në gjyqet e UDB’së jugosllave. Dhe ku do të ndalet ky numër… Bijtë dhe bijat më të mira të Kosovës kërkuan të drejtat legjitime të Kosovës dhe të viseve të tjera shqiptare të okupuara nga Jugosllavia.
Kemi parë ku çon politika jo e drejtë e një pseudosocializmi, siç është politika fashiste e qeverisë jugosllave. Shqiptarët vdiqën në Kosovë – për Kosovën, shqiptarët vdesin në botën e lirë – po për Kosovën! Vdesin djemtë më të mirë të kombit. Por edhe sikur të na vrasin të gjithëve këtu në mërgim, Lëvizja Nacional Çlirimtare për të Drejtat e Shqiptarëve nuk do të shuhet sepse çdo njeri nga ne e din se të vdesësh për atdhe është një privilegj.
Vrasja e tre atdhetarëve kosovarë, me në krye atdhetarin dhe përparimtarin e çmuar Jusuf Gërvalla, nga agjentura fashiste e Beogradit, duhet të ngjallë mëninë më të madhe kundër armikut, duhet t’i bashkoj të gjitha forcat përparimtare kosovare në luftë të vendosur drejt pavarësisë dhe socializmit të vërtetë.
Rezistenca Kombëtare e Shqiptarëve të Kosovës shpreh indinjatën e vet dhe proteston energjikisht kundër masave fashiste që merr qeveria e Beogradit për t’i likuiduar atdhetarët kosovarë, qoftë në Kosovë apo në botën e jashtme. Këto akte kuptohen si shpallje lufte mërgatës shqiptare. Ne të gjithë jemi bijtë e Kosovës. Ne të gjithë jemi vëllezër. E sot ne jemi më të bashkuar se kurrë, më vigjilentë dhe më të vendosur që të vazhdojmë rrugën e lirisë së Kosovës dhe viseve të tjera shqiptare drejt një të ardhmeje më të lumtur.
Aventurierët, nostalgjikët dhe shërbëtorët e UDB-ës nuk kanë vend në mesin tonë. Para armikut dhe në mes të turbullirave, që ka sot në botë, asgjë nuk është e lejueshme përpos se të bashkojmë idetë tona, njerëzit tanë dhe territoret tona. Këtë detyrë të rëndë ne do ta zbatojmë për lirinë e Kosovës dhe krahinave të saja, me një ndërgjegje që t’i shërbejmë mirë dhe me vendosmëri deri në fitoren e plotë!
Kosova me ne! Ja vdekje – ja liri!
Enver Hadri, d.v.

(Enver Hadri: „Zëri i Kosovës”, Bruksel, 20 janar 1982. Marrë nga libri Halit Elshani: “Çeta e Brukselit”, kapitulli 34, faqe 154, Prishtinë 2007)
 

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura