Berlin, Gusht 2012 – (Kam parë shpesh ndër vite shkrime fshikulluese nga “antikrishtër” të krishterë në Europë. Dhe, megjithëse ato ishin blasfemike e poshtëruese, as rrethet politike, as fetare e as kulturore nuk u tronditën. Ndoshta kishte një indinjatë të përmbajtur të natyrshme. Por vetëm kaq. Nuk pati rrëmujë civile, ndjekje korale, mallkim histerik, fetva kokëprerëse!.. Do t’isha i lumtur, prandaj, sikur këtë shpirt rebeltar, sfidant e dyshimtar drejt së vërtetës, pra gjakim-çlirimin e madh profetik, ta shihja dhe në miljeun e viseve të Islamit shqiptar dhe në ngulimet e tij tretdhetare!)
1.
Në fillimverën e sivjeme, Vatikani, ky më i vogli shtet i ruzullimit, thuase shpallte ndarjen e fatit me të “pashenjtët” jashtë ledheve të tij të mistikshme. Barinjtë e saj me pelerina të gjata shumëngjyrore, dolën nga qilarët e mermertë për tu njëshbërë me tufën profane njerëzore, me yshtjen e anës së pamirë të saj: pusinë a grykësinë derrare, apo afshin a ëndrrën e ndaluar… Paolo Gabriele, shërbyes dhome i Papës, tani gjendet në burg. Përse? Publikoi atë që nuk guxonte dot ta bënte kush. Pallati apostolik zjen nga transaksione mafioze dhe pastrime parash, përplasje për pushtet dhe plane vrastare për lavdi e përbetim. Janë këta, tashmë, jo vetëm mëkatarë të vegjël pedofilie, por vetë titullarë të lartë të “qytetit të ndaluar”!.. Imagjinata krijuese e autorit të famshëm të “Illuminati”-t Dan Brown, mbetet e varfër përballë katrahurës së tillë të „Vatileaks“-it , si ka zënë të quhet tymnaja e ligë e Romës.
…………………………………………..
Për këtë jetë të dyfishtë u binte qysh herët këmbanave dhe Nino Lo Bello tek “Muzgu i Vatikanit” që, ndërsa vëmendësohet mbi “punët e pista” të Selisë së shenjtë, jep veç tjerash pikturën e njëjtë trishtuese: shpërdorime të rënda të rendit papnor brenda e jashtë saj. Ishte tepër e çuditshme, pse jo dhe kurora e plandosjes së parimeve fjala vjen, marrëdhënia e jashtëzakonshme, tepër e ngushtë e vetë Papës Piu i XII (Pontifikati i të cilit binte pikërisht në Luftën e dytë të përbotshme) me femrën më të famshme vatikanëse të të gjithë moteve, motrën Pasqualine Lehnert…
Atyre që u ka rënë ta lexojnë „Emrin e trëndafilit” të Ekos, (libri mbi “Muzgun…” është më pak i njohur) nuk mbeten aspak të habitur nga ky gjiriz vesesh të botës murgore dhe klerikale përgjithsisht!
Të flashkur nga luksi dhe të joshur nga mëkati i mishit, së paku që nga koha e Zëlibatit (i betonuar në qindvjetin e 11-të), ata kanë kaluar pragun e herezisë shkrishtërore.
”…Të betohem, ndiznin kandila natën e Pashkës dhe shpinin vashëza poshtë… Pastaj shuanin kandilat dhe u suleshin atyre, megjithëse kishin dhe lidhje gjaku. E po të lindte një fëmijë nga ky bashkim, fillonte përseri ai rit prej ferri…” thotë një personazh i dëshpëruar i Ekos. “…”Po ti balsfemon o derëzi”, ia kthen bashkëbiseduesi, “se ka një dallim ndërmjet dalldisë së zemrës që do Jezuin e Kryqëzuar dhe përndezjes së zvetnuar të apostujve të rremë.”
Po, njëmend, është e vështirë tash të hiqet një fill kaq i hollë që ndan të mirën dhe të keqen: ku sos dalldia e ku nis zventimi i saj. Sepse shëmtia rishfaq figurën e saj nëpër qindvjeçarë. Dhe kushedi, mbase, e shuar nga kjo rrëzomë morale e mëkëmbësve a ndjekësve të të Gjithfuqishmit, Nënë Tereza në Letrat e saj të fundme sikur dërgonte shenjat e shterrjes, humbjen e vegimit madhnor. “Nuk ndjej më asgjë. Hyu më ka braktisur krejt dhe në shpirtin tim tani ka zbraztirë e terr”,shkruante Nëna e lodhur mizorish e mashtrimesh të kësobotshme që i po linte ashtu siç i kishte gjetur.
2.
Po, me ç’duket, kështu ka qenë gjithmonë. E tillë është bota. I tillë është njeriu. E ndryshme ngjan të jetë në fillimmijëvjetin e ri vetëm drita e fortë e shpalesës demokratike që ndriçon gjithçka. Përvijon thellë atje ku zemërliga bluan pasionet e kalimsisë: aferat korruptive, skandalet erotike, hjekësinë e pabesë!..
Ndaj koha me zogoritë e saj sikur imponojnë dhe shprushjen e hirit që mbulon jetën a veprimsinë e prijatarëve myslimanë shqiptarë në Republikën tonë të re, sikundër, poaq, këputjen e vegëzes mes tyre dhe revizionit vlerësimor, tashmë shkollaresk, të historisë mbi pushtimin obskur e të gjatë, harrueshëm të gjatë aziat!
Në këtë shtjellë teme, pra, çështje është: përse mungon një reflektim introspektiv brenda qenies vetore? Asociatat fetare, Meshihate e nivele të tjera islamike nuk janë pa hijet që i nxijnë shpresën besimtarëve të devotë… Nëse, prandaj, një dinjitar i krishter a hebraik do të humbin një çast ndjesinë e përuljes për Krijuesin, tutje kur dhe një hindu a brahman i Vedave dhe Upanishadave urtake harrojnë Shivën e dashur, kurse Lama i vogël tibetian, atje në çatinë e botës, sfilitet një ditë nga Kodeksi shtrëngues i abstinencës dhe zbret në esencën e natyrës njerëzore, në pusin e zallahishëm të saj – aherë përse, sërish përse të mos pyesë njeriu ligjshëm: po në viset e Islamit shqiptar ka vallë prapësi? Athua ka dhe aty njerëz me pusht e huqe për shkëlqim pasunar e lakmi dëfrimtare mishi? Pyetja duket paksa nguctare – por përse kjo perde mbi gjithçka që ndodh prapa saj? Dhe ky blamazh për akullthyesit rishtarë? Nuk i kam ndjekur kujdesshëm dhe aq më pak kam bërë dosjenë e përdredhjeve të tyre. Por në panelin e një debati të paradoditshëm televiziv (RTK) mbi përplasjet e ulta udhëprijëse të eprorëve të kierarkisë myslimane në Kosovë, do të prezantoheshin fakte tronditëse dhe do të parashtroheshin pyetje të vështira nga gazetarë investigues: për milionat buxhetore pa llogaridhënje, për vilat përrallore të krerëve, për squllosjet morale…Dhe, megjithë pritmërinë time, të kallur dëshire të sinqertë, për të dëgjuar mohimin e argumentuar nga kompetentët e ftuar në bisedë – kjo, për fatin e keq, nuk do të ndodhte. E shumta pati ca belbëzime të thëna me një fytyrë të trandur e të zbehtë që, po besuam fillesat e karakterologjisë, u ndodh rëndom vetëm fajtorëve!..
Në vend të reflektimit të munguar dhe maturisë së përkorë, një gëzim i egër triumfal do të kapullojë kundër-taborrtarët e kaurrëve nga ç’dëgjojnë ngazllyeshëm për sa ngjan në repartet e tyre. Këta janë, thonë përbuzshëm, përfaqësuesit e lajthitjes së trinitetit shenjtor. Ja, ky është religjioni i tyre. E, si dihet, në një nga verset famlarta kuranike, Sundimtari i botëve pohon se do grindeni për besimet tuaja, por imi është gjykimi përfundimtar.
Por kot!
Dedikimi i tyre vete përtej animit dhe puhisë flladitëse të fesë. Madje, të mbështetur si në besëlidhje, nga eksponentë të bashkësisë akademike, braktisin misionin duke skicuar kontura të reja reliefore ballkanëse, brenda të cilave shqiptarët gravitojnë sërish teposhtë, drejt Azisë… Feprishurit, brohorasin ata, hymnizojnë Europën dhe vajtojnë restaurimin influentor të faktorit të mëkëmbur riotoman në hemisferën e dikurshme koloniale të tij. Mallëngjimi a dhëmbka embëlsore aziatike, do ti frymëzojë, ashtu, fluturakshëm për të bërë publik afeksionin përvëlimtar: kristianët që nuk e duan ringulimin e Turqisë le të marrin sërish udhët e mërgimit kolektiv, si në kohët e pasvdekjes së Kastriotit. Ne, thonë ata, më parë se Brukselin e mjegullt, do të donim ngrohtësinë stambollite si kryehershën në stinët e lumtura. As më shpendkeqja e të gjitha krrokatjeve ogurzeza nuk do të bënte këtë kumt antishqiptar. Është vetë demoni edipian i nënëpallosjes që ka pushtuar rimohuesit e hallakatur shqiptar.
Është e damkë e vjetër kjo e nostalgjisë së të poshtëvënëve për zotërit e tyre të hershëm. Thuajse liria është një nëmë plastare për gjenin e tyre. Britët, si shkruan John Pilger në librin “Qëllimet e fshehura”, kishin ngarkuar institucione të veçanta, siç ishte dhe BBC-ja e largdëgjuar, për të shpërndarë këtë opium ndër opinionet politike infantile të ish-kolonive të Perandorisë së paanë! Po, mjerisht, si shumëçka tjetër, dhe në këte zejë shqiptarët dëshmojnë veçanësinë e tyre. Protagonistët tanë voglanë, do të dallojnë prej tyre tepër esencialisht: ndërsa ata, londinezët, ftojnë ëndjen e robërve të tyre të dikurshëm për rikthim në ditët e nënshtrimit – këta, me emrin shqiptarë, nuk presin ftesë. E bëjnë vetë atë gëzueshëm e për të kundërten: për këmbën e huaj nën shenjën përligjëse të historisë së përbashkët, mendësisë së përafërt dhe fatalitetit gjeopolitik që kërkon baraspeshën a riardhjen e rojës madhore të tij.
Natyrisht, nuk bëhet fjalë për doktrinën, Profetin e naltuar dhe Mësimin e tij. Edhe perëndimorët njohin mirë dhe çmojnë fort atë. Por janë shpesh praktikat vendore që, për interesa të kësojetshme, qafirojnë aq keq. Ja, fjala vjen, dhe Thomas Cleary në librin “Katër udhë suksesi” mbi filozofinë larglindore e kishte gjetur të vyer, margaritar njerëzimi, rangimin e dy “gjakimeve“ të mbrapshtuara profetike. Sipas tij, xhihadi i madh, më i epërsor, është kur njeriu fikë votrën e ligësisë brenda vetes, kurse i vogli, më i ultë – kur luftohet e keqja e jashtme: padrejtësitë, pushtimet, diktaturat… Nëse etimologjikisht “xhihadi” është përpjekje a sakrificë, pra thënë pak lirshëm, njëlloj gjakim-ndryshimi çlirues, aherë, le të kthejmë me vrull, thotë ai, nga i vogli drejt gjakim-çlirimit të madh që pret tek porta e ndërgjegjes…
Mirëpo, si thamë, ndodh shpesh, për arsye ngashnjimi të përkohësisë baltore, të fshehet a shtrembërohet mendimi brilantin. Në botë është mjaft vërshues vëllimi i edicioneve monografikë për Bin Ladenin e fantaksur. Në njërin prej tyre, në orët dramatike të Kullave binjake, do të vëreja hipotezën e latuar se mentorët e tij (përflitet në mënyrë mistike një student i verbër i Kajros me emrin Omar Abder Rrahman) e paskëshin deformuar teorinë mbi „xhihadin“ dynivelësh, për ta rëgjuar atë në një të vetëm, më të padenjë e të pafismë. Nuk e dijmë ta ketë pasur këtë në dijeni Mathias Küntzel kur, në eseun e tij, do të shtrojë pikëpamjen tunduese se xhihadizmi dhe nacizmi ndërthuren lidhëzash të përafërta: të dy, pa asnjë fije distinkcioni, njëjtësojnë hebrenjtë me modernen kapitaliste! E kjo, sipas tij, do të rezultojë konkludimin se, të dy bashkë, trajtohen si të pandashëm e përplotësus në bllokun e shenjuar armik!
3.
Dyshimtarët sokratikë dhe racionalistët dekartianë të Europës së shkumëzimit furioz, ndjekin më shumë dritën e arsyes – e më pak mykun e idolatrisë. Ngrejmë këtu, që këtej, vetëm problemësinë e ushtresave fetare në tokat arbnore dhe relatën e tyre me qytetninë e lirisë.
Kam parë ndër vite, si sot e gjithë ditën, shkrime fshikulluese për Kishën. “Kritika ime për te nxitet vuajtjesh të kristianëve nga diskrepanca e padurueshme mes Jezuit historik dhe reprezentimit të tij nga kierarkia kishtare…Jezui në një institucion pontifikal në Katedralen e Shën Pjetrit? Apo në lutje me presidentët amerikanë të luftës dhe Papën Benedikti XII në Shtëpinë e bardhë?, pyet me diskurs të ashpër në librin“Jezui” Hans Küng, prof. i teologjisë ekumenike dhe president i Shoqatës “Etosi botëror”. Mirëpo nëse këtë pezm e shoqëronte ndjesia e rinjohjes, e ridashnimit të Zotnisë, në një dyzinë shkrimesh të tjerë lexojmë zemërftohtësi, përpjekje demistifikimi, përdhosje, madje, vetë gjëmën e zotmohimit! Eseistë të njohur në shtypin prestigjioz (“Der Spiegel”, “Stern” si bëjnë paprerë) shkruajnë pa komplekse e drojë se ai ishte, thjeshtë, njeri që kishte shumë motra e vëllezër, mandej se nuk ishte fare mesazher hyjnor. Apo, madje, se ai ndiqte idenë politike qëndrestare ndaj Romës dhe prapa tij qëndronte Lëvizja e Zelotëve, e cila, me filozofinë e sotme të demokracisë, do të cilësohej terroriste. E të tjera. Kurse, nga ana tjetër, në Gjermani, sipas informacioneve të mirëbesueshme, vetëm gjatë një viti kalojnë në Islam rreth katërmijë (4000) vetë, e midis tyre dhe intelektualë si ai avokati i ri nga qyteti verior Hamburg Christ Nils von Bergner, bashkëshortja e të cilit akseptoi shndërresën, prozelitizmin e të shoit krejt qetësisht! Komuniteti poashtu. Dhe, megjithëse shkrimet janë poshtëruese e blasfemike dhe numri i konvertitëve aspak i vocërr, as rrethet fetare e as kulturore dhe aq më pak ato politike, nuk turbullohen. Ndoshta ka një indinjatë të përmbajtur të natyrshme. Por vetëm kaq. Nuk pason rrëmujë civile, ndjekje korale, nëmë histerike, fetva kokëprerëse!..
Ndërsasi mësuam ca ditë më parë, një njeri ishte mbytur mizorisht në Tunizi pse kishte guxuar të linte pesë shtyllat e islamit – nga mysliman kishte deklaruar apostazinë: do të jetonte si i krishterë. Ngjarja e pazakontë shungulloi botën. Skena ishte makabre. Nuk e gjen dot as në horrorët e Apokalipsit. Shkokëzuesit bridhnin duke britur me kryet e të posavrarit në dorë. Kishte kujtuar i ndjeri se tani, në rrezen e demokracisë që mori jetë e gjak popullor, mund të rioerientonte lirisht bindjet e tij. Madje moderatori i televizionit egjiptian që transmetoi kronikën, i skandalizuar nga pamjet, ndërpreu emisionin me klithmën“ si është e mundur” dhe “ a është ky Islami”!?
Pranvera arabe ishte autentike. Nuk ua shpifi apo eksportoi askush. Vinte nga ngrirja dhe lodhja e jetës që nga kohë e faraonëve. Dhe ishte kjo pikërisht ringjallja e vërtetë e “gjakim-çlirimit “ të madh profetik. Ka munguar, pra, ndër vite: ose nisma e elitave ose lëvizja e Demosit! Vonesa ka shkakësinë e saj historike – por ishte në kufi moskuptimi përpjekja e paqenë për t’u syzuar njëherë me veten dhe botën. Nëse Islami është fe e bashkëjetesës e dashurisë dhe mëshirës e drejtësisë (fundja si gjithë besimet tjera), siç është vërtetë, aherë përse kjo pjerrësinë dredhore në identifikim me burimsinë e tij? Pushtet, fuqi monokratike, pare e pistë, shnderim ultan, pandjeshmëri për të dobëtin? Cila apo të tëra bashkë bëjnë shtysën e mbrapshtisë?! Të fortifikimit në çiltërinë e pambikqyrur e të paprovuar të eksponentëve të saj?!
Natyra njerëzore është unike. Të ndryshme janë kulturat e qytetnitë, dramat e historitë dhe, nga ç’nënvizuam, primjet a pasmbetjet popujve. Dhe vonesa është arsyeja e mosthënies. E tabuizimit të doktrinës së përsosur, të gavruar nga titajt e shallvaruar në ambientet e jetesës lokale. Sidoqoftë regjimet tiranike a mullokratike kanë kauzator tjetër politik e social. Dhe, sigurisht, tjetër çelës për shkëputje nga prangat e tyre.
Meqë në hapsirën veriore shqiptare, tipe të tillë nuk mund të instalohen dot, ndaluam prandaj, kryesisht, në bëmat fezbatuese të titullarëve klerikalë të krahut mysliman. Një dorë priftërinjësh u degjeneruan, por opinioni kritik mori distancën e rreptë përçmuese e publike ndaj tyre. Madje “Focusi” bavarez botonte një ditë shkrimin me titullin brisant dhe pyetjen e ftohtë e rrënqethëse “ Për ç’na duhen Kishat ?”.
Do t’isha i lumtur, prandaj, sikur këtë shpirt rebeltar, sfidant e dyshimtar drejt së vërtetës, ta shihja dhe në miljeun e viseve shqiptare bashkë me ngulimet e tyre tretdhetare, që kanë të tjerë tempuj e lutje – po një gjak me bashkëkombësit e tyre kristianë! Por jo! Atje ka gjithnjë heshtje asgjëthënëse, mpirje, mosshkundje të trishtë verbtane…Mbi ta, mbi zërat e shqetësimit akademik e qytetar, qëndron ende, ndoshta, autoriteti tradicional i “pater familias”-it, kalvari i mbijetesës apo, sigurisht, si kanë pohuar vetë kryeparët e fesë, dhe ndërhyrjet trysnore të gjithkahnajës! Megjithatë, njeriun e zhgënjen më së shumti, thotë Glykoni, fatlumnia e të këqinjëve! A nuk është ky zhgënjim, kjo thyerje që, thellësisht e shtrirë në landin verior të shqiptarëve, nis mijëra ankesë-akuzat drejt qiellit – një ngasje për të ndërruar klimë? Klimën e paqëtimit të rremë? Se mos në këtë rrëknim nuk është dorëjashtë as struktura elitare e fesë, e fesë së Islamit shqiptar?
“Më e rëndësishmja pjesë e titullit të librit tim Lindje, Perëndim”, thotë Salman Ruzhdi, “është presja. Dhe mua më ngjan se kjo presje jam unë”! Kujtova në mbyllje këtë mendim të florinjtë për të dhënë, disi, magjinë e mundit vështirësisht të bukur të ngritjes mbi “sëmundjet e shenjta” epikuriane të botës sonë.
Por, me sa duket, për të parë këtë vetëpërballje çliruese dhe këtë “presje” mes nesh, do të presim ende gjatë!
Rexhep Kasumaj – Berlin, fillimverë 2012