Kaçanik, 04. 04. 2016: Në mbledhjen e tretë të Kuvendit të Komunës në Kaçanik për vitin 2016, Drejtoria e Arsimit i paraqiti Kuvendit një plan dyvjeçarë për zhvillimin e arsimit në këtë komunë. Kjo nismë e çuditshme e kësaj partie e cila qe 16 vite ndodhet në pushtet, më shtyri të mendoj në lidhje me këtë çështje dhe seriozitetin e tyre rreth saj. Në diskutimin tim për këtë pikë në Kuvend shpreha mosbesimin tim pse kjo parti, me sjelljen dhe praktikat e manifestuara deri më sot dhe me mendësinë sunduese të qeverisjes që ka dëshmuar deri tash, nuk do të mund ta sjell zhvillimin në arsimin tonë aq shumë të domosdoshëm.
Pse këta njerëz nuk mund ta përmirësojnë gjendjen tejet të degraduar në arsimin tonë, dhe jo vetëm? Sepse historia dhe e përtashmja e sundimit të tyre na e dëshmojnë këtë.
Për këtë arsye u kërkova që brenda këtij afati dyvjeçarë ta bëjnë së paku vetëm një punë: ta ndalin dhunën fizike dhe verbale nëpër shkolla tona që po vazhdon të ushtrohet nga një numër i konsiderueshëm i mësimdhënësve. Mbase edhe kjo ishte një kërkesë e tepërt!
Për të shkruar për të gjitha të bëmat e tyre, të cilat jo vetëm se janë primitive, të pahijshme, kundërligjore e të dëmshme, por ato janë njëkohësisht edhe kriminale, na duhen shumë faqe letre e shumë bojë printeri, sa për shkak të kohës së gjatë të sundimit aq edhe për shkak të shumësisë e shpeshtësisë së përsëritjes së tyre.
Azem Guri, ish’drejtor i Arsimit dhe Kulturës në Komunën e Kaçanikut.
Nuk mund të pritet zhvillim i arsimit nga dikush që e ka rrënuar atë. Për këtë arsye është thënë: një problem kurrë nuk mund ta zgjidhë e njëjta mendësi që e ka krijuar.
Ja disa shembuj nga historia.
Këta e larguan nga shkolla profesorin e lëndës, Gjuhë Shqipe dhe Letërsi, Ramadan Asllanin, poetin dhe autorin e disa jetëshkrimeve të veprimtarëve të çështjes kombëtare, i cili kishte punuar për rreth dy dekada në gjimnazin tonë, madje në kohët më të vështira! Këta nuk pranuan që nxënësve tanë tua mësoj këtë lëndë as Ag Apolloni, sot shkrimtar dhe profesor në Universitetin e Prishtinës! Këta nuk më duruan as mua, që nuk jam as poet as prozator, por një inxhinier, ama që shkruaj shpesh për të zezat e pushtetit. E raste të tjera të ngjashëm e të pangjashme. Këta si duket nuk i durojnë ata që shkruajnë. Kush i bëri këto. Nuk ia vlen tua përmendësh emrin. Larg qofshin gjithmonë!
Dikush mund të kundërshtoj, duke thënë se ka shpresë, se janë zëvendësuar disa njerëz aty, se nuk janë ata që ishin, etj. Por jo, sepse edhe mënyra se si janë zëvendësuar edhe sjellja e tyre prej se janë aty e dëshmon të njëjtën mendësi. Ata kanë lënë mendësinë. Qysh e tha Fatos Lubonja pas vdekjes së Ramiz Alisë: “Ramiz Alia është në mesin tonë”!
Po ç’thotë e përtashmja? Një drejtor që e cakton katundi, pse i paska sjellë kaq vota, e jo Kryetari, që e ka të caktuar me ligj, nuk mund ta zhvilloj arsimin e një qyteti. Një kryetar që pranon të ia caktoj katundi drejtorin nuk mund ta zhvilloj një qytet sepse nuk po mund ta menaxhoj as një katund.
Aq e thellë vazhdon të jetë partishmëria dhe klientelizmi edhe sot në jetën publike në Kaçanik sa që edhe një anëtar i Kuvendit nga PDK nuk duroi dhe kërkoi që menaxherët e shkollave të mos zgjidhen partiakisht. Ky ishte një rast i rrallë i reagimit brenda partisë në pushtet prandaj meriton shumë respekt profesori në pension, Osman Krasniqi, që vazhdon ta ruaj pavarësinë e mendimit edhe në këto rrethana.
Ta zhvillosh arsimin sot në Kosovë duhet të kesh disa premisa për ta bërë. Së pari duhet të kesh pamje të qartë për atë që do bësh, vetëdijen më të gjerë se të një partiaku provincial, përveç mbështetjen nga shteti, e mbi të gjitha dijen dhe një dashuri të madhe për te dhe për kulturën në përgjithësi. Ndryshe nuk bëhet. Dielli bënë dritë dhe jo skëterra.
Këta janë skëterra, nuk mund të presim dritë prej tyre.