Pashtriku.org, 24. 04. 2016: (Shënim i plotësuar) Kush është Pascal Bruckner? Pascal Bruckner (1948) është një filozof francez, romansier dhe eseist. Fëmijërinë e tij e ka kaluar në Zvicër dhe Austri, ndërsa shkollimin në Lion, pastaj në Sorbonë, si nxënës i Roland Barthes-it. Siç e thotë vetë, në rininë e tij ka qenë i dhënë pas idesë utopike të socializmit, por pa kaluar në anarkizëm, në mënyrë që më pas t’i bashkohej rrymës së intelektualëve të angazhuar, të ashtuquajtur filozofë të rinj, të cilën e kishte incuar Bernard-Henry Lévy. Aktiviteti i tyre fokusohej në kritikën ndaj shtetit totalitar modern. Nga viti 1983 deri më 1988 ka punuar në projektin humanitar botëror Aksioni kundër urisë. Qysh nga viti 1992 ka dalur hapur kundër agresionit serb në Kroaci, Bosnjë e Hercegovinë dhe Kosovë. Në vitin 1994 u angazhua për dënimin e Millosheviqit, ndërsa me 1999 i ka përkrahur sulmet e NATOS kundër Serbisë, pastaj Marrëveshjen izraelito-palestineze dhe krijimin e shtetit palestinez (2003) si dhe luftën kundër Sadam Huseinit, por me të njëjtën rreptësi i ka kritikuar edhe krimet amerikane në Irak.
Në esetë e tij ai kritikon ikjen e shoqërisë nga përgjegjësia duke u mbyllur në infantilizëm dhe vetëviktimizim (Vajtimi i burrit të bardhë 1983) – duke treguar konkretisht me shembullin e Serbisë se si kjo gjë mund shpjerë pa vënë re në terror (“Mania e pafajësisë”, 1995) – gjegjësisht devijimin e shoqërisë moderne evropiane nga përgjegjësia dhe nevojën e saj për kompleksin e vetëfajësimit, sidomos në raport me botën arabo-islamike (“Tirania e vetëfajësimit”, një ese për mazohizmin perëndimor, 2006).
Pascal Bruckner – filozof, romansier dhe eseist francez.
Në një nga intervistat e shumta lidhur me ngjarjet në ish-Jugosllavinë, Pascal Bruckner, në pyetjen rreth mundësisë së pajtimit, ofron këtë koment:
Pajtimi mund të ndodhë vetëm nëse këtë e bëjnë të gjitha kombet. Gjëja e parë që duhet bërë është përcaktimi i kufijve rreptësisht të qartë, mirëpo duke pasur gjithnjë në mendje se kufiri nuk është një pengesë për miqësi, por një shprehje e harmonisë ndërfqinjësore. Hapi i dytë, po aq i rëndësishëm, është përpjekja pendestare e agresorit kryesor, gjegjësisht e Serbisë nacionaliste. Gjithë përderisa serbët, ashtu si gjermanët, nuk bëjnë një rishqyrtim dhe introspeksion gjithëpërfshirës në çmendurinë që i ka mbërthyer, nuk do të ketë të ardhme për këtë pjesë të Evropës. Pastaj aktet e tyre duhet t’i shqyrtojnë kroatët dhe boshnjakët, por iniciativa në këto punë u takon para së gjithash serbëve. Ata u kamufluan në viktima me qëllim që t’i sulmojnë dhe përndjekin fqinjët e tyre, kroatët, boshnjakët e kosovarët. Madje edhe vetë malazezët preferuan që më me dëshirë të ndaheshin prej tyre se sa të pranonin të jetonin në një federatë me ta. Disa kombeve u ndodh nganjëherë që të infektohen me sëmundje që i bën ato të rrezikshme për të tjerët. Ndalimi i rikthimit të idesë së çmendur për veten si viktimë, e cila i ka obseduar nacionalistët e Beogradit në vitet 80, është njëri ndër parakushtet e pajtimit. Duket se elitat e reja politike në Serbi janë fare të vetëdijshme për këtë fakt.
MANIA E PAFAJËSISË
(Fragmente nga libri)
“Sepse kjo thirrje e përhershme e ekstremistëve serbë që i referohet genocidit është një thes pa fund, nga i cili nxirren pambarimisht urrejtja, hakmarrja e mëria. Të dashuruar në fatkeqësinë e cila i bën ata ekscentrikë, këta ekstremistë vërtetë i shohin gjërat sipas një thjerrëze zmadhuese të jashtëzakonshme: vetëm në këtë shekull ata kanë zbuluar për vete jo një, po tre genocide. Kështu, njëfarë Petar Milatović Ostroski, një shkrimtar serb që po e mbron vendin e tij nga „komploti ndërkombëtar“, vlerëson se si „populli serb gjatë shekullit XX ka qenë tre herë viktimë e genocidit kroat. Herën e parë nga 1914 deri 1918, herën e dytë në kohën e shtetit të pavarur kroat dhe herën e tretë që nga inaugurimi i Franjo Tuxhmanit, ish-gjeneral i Titos dhe biograf i Paveliqit. Për turpin më të madh të serbëve, ky genocid po vazhdon akoma.“ (P.M. Ostroski, Nouvelle valse sur le Danube noir, 1992).
Mirëpo në përhumbjen e tij të thellë delirante, Petar Milatović Ostroski ka harruar edhe një genocid tjetër: atë që mbi serbët po e ushtrojnë shqiptarët në Kosovë. „Genocidi fizik, politik, kulturor ndaj popullsisë serbe në Kosovë dhe Metohi përbën disfatën më të rëndë që Serbia ka pësuar në luftërat e saj për liri, duke filluar nga beteja e Orashecit më 1804, deri te kryengritja e vitit 1941,“ siç përkujton Memorandumi i Akademisë serbe të shkencave i vitit 1986, dokument themeltar i përshkuar tërësisht nga idetë e Dobrica Çosiqit, për të cilin konsiderohet se e frymëzoi „revolucionin kulturor“ të Millosheviqit. Duke filluar që nga genocidi real i ustashëve, „gjuha e drunjtë“ zyrtare e shtrin dhe e zgjeron këtë shprehje poshtë e përpjetë mbi çfarëdo lloj kundërshtimi apo kontestimi të politikës serbe. Në janar të vitit 1994, një farë Daniel Schiffer, „filozof“ dhe propagandist i regjimit të Beogradit në Evropën Perëndimore, i akuzon një numër intelektualësh francezë për një „tradhti të re intelektualësh“ për shkak të qëndrimit të tyre kundrejt Serbisë:
„Pjesa më e madhe e intelektualëve francezë sa u përket serbëve i është përkushtuar një genocidi të vërtetë moral, të afërt me njëfarë linçimi të pastër e të thjeshtë kulturor, në mos edhe shpirtëror, sikur secili serb të ishte një nacist i vërtetë ose potencial.“ (Daniel Schiffer, Lettre ouverture à Pascal Bruckner, Alain Finkielkraut, André Glucksmann et Bernard-Henri Lévy, 1994.)
Sepse antiserbizmi s’mund të jetë veçse një transformim modern i antisemitizmit, siç sugjeron sërish Daniel Schiffer, duke i tejkaluar bashkëbiseduesit e tij: „me atë mënyrën shpeshherë plot vrer me të cilën i keni akuzuar vazhdimisht vetëm serbët, duke pandehur se po ngriteni kundër krimit, faktikisht vetëm sa e keni shpikur një tip të ri racizmi para syve të opinionit publik ndërkombëtar: një antiserbizëm të vërtetë siç ka ekzistuar për 40 vjet antisemitizmi kundër prindërve tanë.“ Qysh në janar të vitit 1991 shkrimtari Milorad Pavić shkruante: „Në këtë çast serbët në Jugosllavi gjenden edhe një herë në listat për genocid, të atillë çfarë serbëve dhe çifutëve u ka ndodhur gjatë Luftës së Dytë Botërore. Por kjo është hera e parë që aktualisht serbofobia në europë, madje në gjithë botën, është më e ashpër se antisemitizmi.“
Mirëpo, shtrohet pyetja, çfarë nuk është genocid për serbët?
Edhe kritika më e vogël, edhe bëzajtja më e vogël fryhet në shkallën e një krimi gjithëpërfshirës: një ekzagjerim fantastik i cili e mjegullon qëllimin e fjalës, duke e shtrirë e duke e shkrirë deri në pakufi. Nëse të kritikosh Millosheviqin do të thotë të bëhesh fajtor për genocid, atëherë kjo fjalë serioze, e cila do të duhej të përdorej me kursimin më të madh, nuk ka asfarë kuptimi. Duket qartë se pushteti serb nuk është i vetmi përgjegjës për zhvlerësimin e kësaj fjale: ky abuzim gjuhësor nuk është i përbashkët vetëm për të gjitha palët në Ballkan, ku i pasqyron tensionet etnike, por madje edhe këtu në Perëndim, siç jemi bindur tashmë, përdoret kuturu dhe mbarë e prapë. Ta themi në mënyrë të thjeshtuar: për simpatizuesit e Millosheviqit, kushdo që u kundërvihet atyre është „nacist“ dhe çdo sikletosje që mund të ndjejnë do të quhet „genocid“ Duke iu drejtuar përfaqësuesve të BE-së në Gjenevë, dhe duke protestuar kundër vazhdimit të sanksioneve për Jugosllavinë e re, me 9 dhjetor 1993 Millosheviqi deklaronte:
„Nuk e di se si do t’ua shpjegoni fëmijëve tuaj, një ditë kur ta kenë marrë vesh të vërtetën, se përse i keni vrarë fëmijët tanë, përse keni bërë luftë kundër tre milionë fëmijëve tanë dhe me ç’të drejtë i keni kthyer 12 milionë banorë të Evropës në poligon për ekzekutimin e genocidit të fundit – ashtu shpresoj – të këtij shekulli“. Në këtë mënyrë anatema më e rëndë, përmes një shtrembërimi të shkallëzuar tragjik në gjuhën e propagandës kthehet në një ndërkallje retorike, në një formulë e cila ka një detyrë të thjeshtë që t’ua mbyllë gojën kontestuesve të mundshëm, dhe mbi të gjitha, për të ardhur në përfundimin vijues: për shkak të të këqijave që na keni shkaktuar, ju na keni borxh gjithçka, asgjë s’mund të na refuzohet! Kjo ide, sipas së cilës e gjithë bota është borxhli kundrejt këtij apo atij grupimi, ose vendi, dhe duhet të mbyllë sytë për të gjitha teket e tyre, ndeshet edhe tek eskstremisti rus Zhirinovski […]
Shkurt, sa herë që një komb ose një popull do të dalë me ndërgjegje të qetë jashtë ligjit, ai do të thirret në aktet e veta heroike, në vuajtjet e veta të shkuara, që të bjerë së fundi në përfundimin se si e meriton atë pak mosrespektim të normave ndërkombëtare!
Sepse lufta që po shkretëron gjithçka para vetes që prej vitit 1991 në vendet e ish-Jugosllavisë, një luftë kjo e planifikuar qysh më parë nga Beogradi, u kthye në një absurditet të frikshëm: xhelati e prezantoi veten si martir, ndërsa Evropa, duke u pajtuar me të, viktimat e agresionit (kroatët, boshnjakët, shqiptarët në Kosovë) i shpalli si përgjegjës për tragjedinë që i kishte goditur. Nëse u ndodhi fatkeqësia, kjo ndodhi sepse e deshën vetë, sepse janë vetë fajtorë! Përse erdhi deri te kjo çoroditje e tmerrshme, përse gjatë pothuajse një viti të tërë shumica e intelektualëve perëndimorë, politikanë e publicistë, i përqafuan arsyetimet serbe, përse edhe një figurë e tillë e matur dhe e arsyeshme si Miterani mundi të thoshte akoma më 29 nëntor 1991, mu atëherë kur Vukovari ishte bërë rrafsh me tokën dhe kur një e katërta e territorit kroat ishte vënë nën kontrollin e ish-ushtrisë federale: „Kroacia i përkiste bllokut fashist ndërsa Serbia jo“ (intervistë e botuar në Frankfurter Allgemeine Zeitung)? Kjo, sepse Millosheviqi dhe njerëzit e tij e kishin zënë opinionin publik në grackën e kategorive të tyre personale dhe paraprakisht e kishin justifikuar luftën që do të ndiznin më pas, duke luajtur deri në pakufi me kartën e tyre propagandistike të fatkeqësive të popullit serb në rrjedhën e historisë. Duke i shfaqur gjithandej fotografitë, xhirimet filmike të grave, fëmijëve e pleqve të vrarë, të shtypur e të shpërfytyruar, duke deklamuar deri në pakufi gjatë diskutimeve e mitingjeve listën e të vdekurve në Jasenovc (njërin ndër kampet më të tmerrshme të vdekjes nën regjimin profashist të Ante Pavelicit, në të cilin kishin gjetur vdekjen mijëra çifutë, romë e partizanë serbë e kroatë, kjo propagandë i kishte siguruar vetes epërsinë morale, ata që në fillim e kishin arritur para kontestuesve të mundshëm fuqinë e jashtëzakonshme frikësuese: Shikoje vuajtjen time dhe guxo të krahasohesh me të!
Ç’do të thotë për serbët identiteti i viktimës?
Ky është pikësëpari miti që mbështesin kisha dhe letërsia serbe/ortodokse, me rrënjët në thellësitë historike, në historinë e kolonizimit turk e të tutorisë habsburgase, nga e cila kishte lindur patriotizmi inatçor i cili ushqehej me vullnet të plotë me heroizëm e akte kreshnikësh. Bëhet fjalë për ndjesinë e një pasigurie të qëndrueshme të shkaktuar nga shpërngulje dhe ndryshime të vazhdueshme kufijsh, frika nga çrrënjosja dhe dëbimi i bashkëpatriotëve anembanë vendeve armiqësore.
Kjo është fundja një karakteristikë e trashëguar që ka vazhduar që nga disfata e princ Lazarit prej turqve në Betejën e Kosovës më 15 qershor 1389, si një ngjarje e vërtetë themelvënëse, sepse kujtimet për të përjetësohen gjatë shekujve. Sipas kësaj, serbët kanë merituar një fat të lavdishëm, i cili u ka ikur nga duart, që të jenë ndërtuesit e një mbretërie të re bizantine. Si trashëguesit e sfilitur të një perandorie, e cila për pak sa nuk dështoi, ata mbeten të pangushëllueshëm për shkak të kësaj disfate. Në këtë lloj festimi të disfatave të tyre fshihet një kapardisje, madje edhe një gjë e bukur, sikur Perëndia e paskësh zgjedhur pikërisht këtë popull me qëllim që ta ndëshkojë me fatkeqësi dhe që të shërbehet me të për realizimin e qëllimeve të tij, sikur disfata tokësore automatikisht të jetë kthyer në një fitore qiellore mbi forcat e së keqes. Serbët duket se entuziazmohen deri në delir me fajet e përjetuara dhe kultivojnë, mbi të gjitha në poezinë e tyre epike, këtë kremtim plot dalldi të pësimeve të tyre, këtë besim të çeliktë në fatalitetin e martirizimit të tyre.
I gjithë populli është i zhytur thellë në faktin e sigurt se qysh më parë është i dënuar të vuajë, dhe nga ky fakt ai nxjerr një farë krenarie aristokrate: duke qenë se është poshtëruar kësisoj, është fyer që nga lashtësia, ai duhet të ketë patjetër origjinë hyjnore!
Sapo erdhi në pushtet, Millosheviqi ia doli me shumë shkathtësi të nxiste tek bashkëkombësit e tij frikën, të zgjonte atë bazament të thellë stërgjyshor që ta vinte në shërbim të planit politik dhe luftarak serbomadh. (Le të përkujtojmë, Serbia e madhe nuk nënkupton vetëm bashkimin e të gjithë serbëve në një shtet, por edhe përjashtimin e të gjithë joserbëve nga ai shtet). Ky obsesion me gjëmën, me vdekjen, me zhdukjen, krejt i respektueshëm në vetvete, bëhet haptazi i dyshimtë sapo që, i përvetësuar nga organet e pushtetit, kthehet në një armë ideologjike për të arsyetuar luftën. Kësisoj, nga fundi i viteve 80 Serbia e Millosheviqit zbuloi se ishte e kërcënuar, jo nga disa rrethana të krijuara padrejtësisht e të lidhura me avatarët fatkeqë të Luftës së Dytë Botërore dhe me shpërbërjen e Jugosllavisë, por nga një padrejtësi esenciale metafizike rrënjët e së cilës depërtojnë në historinë mijëravjeçare.”
(Përkthyer nga: Bislim Elshani)
_______
Burimi: “Svjetlo rijeci”, Sarajevë, nëntor 2011
==============================================
…………………………………………………
(Ilustrimet janë të pashtriku.org, sh.b)