Pashtriku.org, 27. 04. 2016: Të burgosurit politikë shqiptarë në Burgun e Novi Sadit, të cilët për shtatë vjet rresht po mbanin dënimin në kushtet e burgut hetues, i drejtonin një letër proteste, nëpërmjet drejtorisë së Burgut, sekretarit të Sekretariatit Krahinor për Jurisprodencë në Prishtinë, Vesel Latifit, në të cilin thuhej:
„Kanë kaluar afro tre muaj që kur se autoritetet e burgut na kanë njoftuar me vendimin tuaj që të na ndalohet çdo libër. Duke pasur njëfarë bindje se kjo masë do të ishte e përkohshme dhe po aplikohej për arsye a një tjetër, e që për ne ishte e paqartë, prisinim të qetë fundin e saj. Është e qartë: ne u zhgënjyem, ju doni të na ndaloni punën intelektuale dhe librat. Po çfarë janë objektivat? Atë ju e dini. (Apo ndoshta doni akoma të provoni durimin tonë?!)
Sidoqoftë, ju po i shkelni me të dyja këmbët ligjet në fuqi, politikën tuaj sanksionuese të proklamuar zyrtarisht dhe vetë kushtetutën.
Ne, të dënuarit politikë shqiptarë, në mënyrë sistematike dhe në shkallë të gjerë, jemi të diskriminuar rëndë në krahasim me të dënuarit politikë në plan jugosllav.
Shkelje e ligjit, shkelje e kushtetutës dhe thyerje e konventave ndërkombëtare që i ka nënshkruar edhe vetë Jugosllavia, ka qenë gjithë procedura hetuse gjatë së cilës ndaj nesh janë përdorur mjete e metoda të egra torturuese, të denja për inkuizicionin mesjetar.
Në procesin gjyqësor, të mbyllur dhe për shumëçka të jashtëzakonshëm, ne as të drejtën e mbrojtjes e të fjalës nuk e kishim të plotë. Edhe një injorant i humbur nuk e ka të vështirë të shohë e të dallojë ndryshimin e politikës ndëshkuese, si qielli me tokën, ndaj të burgosurve të tjerë politikë shqiptarë, në njërën anë dhe ndaj të burgosurve të tjerë politikë në Jugosllavi, në anën tjetër. Kjo politikë ndëshkuese ndaj nesh ka marrë të gjtha tiparet e një politike hakmarrjeje të egër dhe të shfryrjes e të nxjerrjes së inatit. Një praktikë e panjohur gjer tani, jo vetëm në Jugosllavi, por edhe më gjerë, ka qenë dhe vazhdon të jetë hallakatja dhe degdisja masive e të dënuarve politikë të një populli nëpër, pothuaj gjithë burgjet hetuese të shtetit, për të vuajtur atje dënimin. Të vendosur me shumë vite në birucat e burgjeve hetuse kosovare dhe jugosllave bashkë me kriminelë ordinerë, hajdutë të regjur e vagabondë, bashkë me të sëmurë nervorë e mentalë (shpesh të rrezikshëm për të tjerët), bashkë me të sëmurë nga sëmundje ngjitëse, etj., në kushte jetese prej kazamatesh, ka qenë e pamundur ta ruanim shëndetin nga një shkatërrim i vazhdueshëm.
Megjithatë, mbaheshim dhe shpresonim se gjithë këto kushte të egra ishin për një kohë të shkurtër. Ta themi çiltërisht, ne nga pak edhe besonim demagogjinë se në Kosovë, gjoja s´kishte vend të mjaftueshëm, se posa të ngrihej objekti i Shtëpisë Ndëshkuese Përmirësuese në Gjurakovc (Dubravë), do të ktheheshim atje për të vazhduar vuajtjen e dënimit, sikur të burgosurit e tjerë, në vend të vet, në kushte pak a shumë normale, diku afër nivelit mesatar jugosllav, se nuk do të torturoheshin më familjet tona, duke udhëtuar me mijëra kilometra për 20 – 30 minuta vizitë, se nuk do të harxhonin nga një rrogë kosovare për çdo vizitë dhe se do të kishin mundësi, më në fund, të na vizitonin prindërit e moshuar dhe fëmijët e vegjël.
Gjithë këto fakte të hidhura flasin për të vërtetën e trajtimit tonë, jo si të burgosur të një shteti modern, por si skllevër të kohëve antike. Faktet flasin qartë për atë gjendje tonë të rëndë diskriminuese që theksuam në fillim e që në vetvete, edhe ajo nxjerr shumë të palara në shesh.
Masat tuaja të fundit për të na ndaluar librat, janë edhe një fakt tjetër i qartë që dëshmon realitetin e shëmtuar, janë edhe një mohim i të drejtave tona elementare, një shkelje e vetë ligjit, e rregulloreve të çdo burgu dhe një thellim i frymës hakmarrëse.
Shprehim kundërshtimin tonë të vendosur edhe kundër këtij vendimi absurd dhe të vendosur edhe kundër këtij vendimi absurd dhe të paligjshëm.
Kërkojmë edhe një herë me këmbëngulje që të na sigurohen të drejtat tona, si të burgosurve të tjerë në Jugosllavi e edhe të drejtën për të porositur e për të lexuar literaturë.
Në Burgun e Novi Sadit
Më 1.8.1988
Të dënuarit:
Mehmet Hajrizi
Isa Dërmaku
Jahir Hajrizi
Naim Jaka
Bajram Dërmaku.“
(Shkëputur nga libri i Mehmet Hajrizit: „Histori e një organizate politike dhe demonstratat e vitit 1981“ – Botimet Toena, Tiranë 2008 ) / E përgatiti editori i pashtriku.org, sh.b/