DR.AGIM ZOGAJ: HISTORIKU I MARRËDHËNIEVE SHQIPTARO – JUGOSLLAVE GJATË LUFTËS SË DYTË BOTËRORE – Kapitulli i parë (4)

Prishtinë, 12 prill 2019: Siç shihet nga dokumentacioni i Konferencës së Pezës, Miladin Popoviçi ishte këmbëngulës në kundërshtimin e idesë për të krijuar një front të gjerë antifashist të përbërë nga të gjitha forcat patriotike. Udhëheqësit nacionalistë ishin angazhuar që të krijonin frontin e përgjithshëm në luftë kundër fashizmit, me anën e të cilit do të bëhej realizimi i idealeve të Shqipërisë etnike, si dhe pretendonin që ky front të drejtohej nga Këshilli i Përgjithshëm Nacional çlirimtar. Enver Hoxha, duke respektuar sugjerimet që vinin nga emisarët jugosllavë, në radhë të parë nga Miladin Popoviçi, ishte kundër idesë që këtë front lufte ta drejtonte KPNÇ, por vetëm PKSH. “Me sa duket, në Pezë dhe më pas, puna ishte se Enver Hoxha ishte tepër i shqetësuar që të siguronte rolin drejtues të PKSH në rezistencën shqiptare, sesa të tërhiqte në një shkallë sa më të gjerë ndjenjat nacionaliste kundër pushtuesit. Nga kjo kohë, ai do ta kishte idenë për të marrë pushtetin në fund të luftës.. Në Pezë, ai nisi rrugën drejt pushtetit nga një bazë relativisht e ngushtë: dukej qartë që ai parapëlqente më mirë këtë, sesa ta ndante pushtetin me të tjerët”24.
Në këtë frymë, nuk ishin pa domethënie kundërshtime te Koço Tashkos ndaj Miladin Popoviçit, lidhur me përfshirjen e popullit të Kosovës nën drejtimine PKJ. Edhe në këto bisedime, Miladin Popoviçi kishte mbrojtur vazhdimisht mendimin se Kominterna kishte vendosur që çështja e Kosovës të zgjidhej në kuadër të PKJ. Involvimi i theksuar dhe i drejtpërdrejtë i PKJ në zhvillimin e ngjarjeve brenda lëvizjes antifashiste e nacional çlirimtare në Shqipërie në Kosovë u shpreh edhe në Konferencën e Parë të Vendit të PKSH, e cila u mbajt në mars të vitit 1943. Ndikimi i PKJ në PKSH dhe përgjithësisht në LANÇ të Shqipërisë, në fillim të vitit 1943, u zgjerua edhe më tej në çështjen e organizimit të lëvizjes dhe të përhapjes së saj në masat popullore. Tani e tutje, thuajse gjithçka filloi t’i nënshtrohej konceptit organizativ, sipas Titos. Pasojat e ndërhyrjes së misionarëve jugosllavë në krijimin e platformës për Konferencën e Pezës dhe qëndrimi jokritik i prijësve të PKSH në raport me PKJ, ishin të drejtpërdrejta dhe hapnin shtigje për ndërhyrje edhe më frontale e tinëzare të jugosllavëve. Komunistët jugosllavë nuk mund të pajtoheshin me faktin se në Pezë, në kuadër të forcave dhe grupimeve politike shqiptare, u inkuadruan edhe patriotë dhe forca të tjera demokratike, atdhetare, të cilat u angazhuan në platformën e luftës kundër fashizmit. Një ecuri e tillë dhe një koekzistencë paqedashëse e të gjitha forcave politike në Shqipëri nuk u konvenonte emisarëve jugosllavë.

Prandaj, sipas tyre dhe urdhraveqë vinin nga PKJ duhej sa më parë të prishej koekzistenca e demokratëve dhe e komunistëve në Shqipëri. Kështu, nëpërmjet Svetozar Vukmanoviç-Tempos, Tito u përkujdes që në Shqipëri t’u dërgonte direktiva të reja Dushan Mugoshës e Miladin Popoviçit dhe të thirrej një konferencë e re e PKSH. Qëllimi ishte i dukshëm: për t’i përçarë nacionalistët dhe komunistët. Kështu, “…me direktivën e Titos, u mbajt Konferenca e Parë e Vendite PKSH në Labinot (17-22 mars 1943), në një fshat afër Elbasanit. Tito, në emër të Kominternës dhe nëpërmjet Blazho Jovanoviçit, u dha direktiva të reja komunistëve shqiptarë se në ç‘mënyrë të distancoheshin nga nacionalistët dhe të krijonin një forcë unike sipas modelit sovjetik. Në këtë konferencë, ideologjia nuk luante asnjë rol primar. Të rëndësishme ishin çështjet organizative”.25 Në këtë direktivë të Titos ishte apostrofuar edhe çështja e organizimit dhe e bashkimit të aradheve dhe të grupeve në një ushtritë organizuar, e cila, përveç luftës kundër armikut, do të përpiqej të organizonte edhe pushtetin popullor. Sipas udhëzimeve të Titos, në këtë konferencë të PKSH u formuan shtabe ushtarake dhe komitete të tjera partizane, të cilat morën përsipër çështjen e pushtetit komunist dhe afirmimin e ideologjisë. “Vendimi më i rëndësishëm në këtë konferencë ishte që në bazë të njësive vullnetare partizane të krijohej një ushtri nacionalçlirimtare, e cila do të ishte një fuqi e rëndësishme kundër okupatorit dhe garanci e sigurt për çlirimin e vendit. Ushtria Nacionalçlirimtare u definua si sektori më i rëndësishëmi punës për të gjithë pjesëmarrësit e Partisë. Përveç punës së rekrutimit të fshatarëve, edhe puna me femrat dhe të rinjtë u konsiderua me rëndësi”.26 Konferenca e Labinotit ka rëndësi dhe domethënie edhe për një moment, i cili i shteme peshë të veçantë në zhvillimin e LANÇ në Shqipëri. Në fakt, misionarët jugosllavë, të cilët arritën të ndikonin fuqishëm në krijimin e platformës së Konferencës së Parë të Vendit të PKSH, ia arritën qëllimit që përfundimisht ta hidhnin Ballin Kombëtar në terrenin kundërshtar, që luftën ideologjike e politike ndërmjet PKSH dhe Ballit Kombëtar ta acaronin dhe ta vinin në një vazhdimësi të përçarjeve e të mosmarrëveshjeve. “Ndërhyrja jugosllave ishte aq e fuqishme dhe e pakontrolluar, sa që në Konferencën e Parë të Vendit zgjedhjene KQ të Byrosë Politike, të sekretarit të përgjithshëm të PKSH-Enver Hoxhës, të strukturës organizative të organeve më të larta të partisë, si dhe përbërjen e tyre, e vendosën emisarët jugosllavë, Miladin Popoviç dhe Dushan Mugosha. Ky fakt u konfirmua nga drejtuesit e PKSH, në Plenumin e Beratit”.27 Duke analizuar pikat qendrore të platformës politike të Konferencës së Labinotit dhe vendimet e saj, Reginald Hibbert konstatonte se: “…shumë shpejt, pas Konferencës I të Vendit të PKSH, në mars, marrëdhëniet ndërmjet PKSH dhe PKJ morën një kthesë të re me ardhjen në Labinot të Svetozar Vukmanoviç-Tempos, i dërguari kryesori PKJ dhe i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Nacionalçlirimtare Jugosllave për Maqedoninë. Diskutimet me Tempon e përqendruan vëmendjen në çështjen e Kosovës dhe të zonave kufitare të Maqedonisë, veçanërisht të Dibrës, ku popullsia ishte kryesisht shqiptare. Qysh nga viti 1942, Tempoja kishte pasur si detyrë të përpiqej të rriste rezistencën kundër italianëve dhe gjermanëve ndër maqedonasit dhe shqiptarët në Kosovë-Metohi, në Maqedoni dhe në zonat kufitare ndërmjet Maqedonisë jugosllave e Shqipërisë, Greqisë dhe Bullgarisë… Tempoja i jep vetes meritën se i ka dhënë udhëheqjes së PKSH shtysën për të formuar brigada e më pas divizione të rregullta. Nuk ka dyshim se Tempoja ka pasur ndikim, por me sa duket ai merrte shumë gjëra për vete. Vendimi për të ngritur një ushtri me brigada e më pas me divizione, tashmë, ishte marrë në Konferencën e I të Vendit të PKSH, në mars 1943, para se të dilte në skenë Tempoja. Tempo kishte thënë se udhëheqja komuniste shqiptare po i zvarriste këmbët lidhur me mobilizimin dhe zhvillimin e luftës, sepse ishte tepër e zënë me përpjekjet për të arritur marrëveshje me Ballin Kombëtar. Sipas Tempos, kursi i drejtë do të ishte rruga jugosllave”.28 Natyrisht, duke preferuar rrugën jugosllave edhe për LANÇ të Shqipërisë dhe për vetë PKSH, Tempo donte të tërhiqte PKSH dhe Lëvizjen Nacionalçlirimtare Shqiptare pas qerres jugosllave. “Me siguri, ai nuk ishtei interesuar për asgjë që do të inkurajonte nacionalistët dhe aspiratat e tyre lidhur me Kosovën. Kjo u bë plotësisht e qartë gjatë vizitës së tij, në fillim të gushtit, ku ai luajti rol për hedhjen poshtë të marrëveshjes së Mukjes me Ballin Kombëtar nga LNÇ”.29 Pikëpamjet, udhëzimet dhe vlerësime e Tempos kapnin edhe çështjen e diferencimit të masave popullore, qëndrimin kundrejt Ballit Kombëtar, si dhe çështjen e marrjes së pushtetit. Edhe lidhur me këto çështje, Tempo kishte vlerësimenegative kundrejt vijës së PKSH. Duke folur për çështjen e polarizimit dhe konfrontimit të forcave politike dhe të formacioneve ushtarake në luftë kundër okupatorit, Tempo ishte kritik dhe i pakompromis: “Pasojat e këtij mos aktivitetit tuaj janë esenciale: nuk është bërë polarizimi i forcave në ato që bëjnë luftë kundër okupatorit dhe në ato, të cilat ende qëndrojnë mënjanë. Pa polarizim të ashpër nuk ka as fitore kundrejt forcave të rendit të vjetër… Ju, nga sa kam mundur të vlerësoj, ndodheni në fillim të këtij procesi”.30 Edhe në rastet e tjera, Tempo kishte akuzuar udhëheqës të LANÇ të Shqipërisë, por ato cilësime, udhëheqja e komunistëve shqiptarë i kishte marrë si fyerje dhe “aspak komuniste”. Lidhur me këtë qëndrim të Tempos, Enver Hoxha, në një letër drejtuar udhëheqësve të KQ në Tiranë, më 4 tetor1943, shkruante: “Kjo letër është shumë fyese për ne dhe Tempua shkruan në një mënyrë aspak komuniste, duke na akuzuar si sabotatorë, se ne nuk kemi çuar ushtritë tona të shuajmë reaksionin në Maqedoni dhe Tempua të vendosë pushtetin. Ai paturpshëm akuzon Haxhi Lleshin dhe shokët e tjerë se punojnë tamam si shovinistë serbë dhe shqiptarë”.31 Lidhur me takimin me Tempon dhe akuzat që ai i bënte LANÇ të Shqipërisë dhe jo vetëm HaxhiL leshit, ky i fundit, në kujtime te tij midis të tjerash shkruante: “Tempoja vinte për herë të parë në Dibër të Madhe. Më thanë se kur kishte ardhur qe shprehur: – Këtu, në Dibër, t’u krijuaka përshtypja se ndodhesh në Shqipëri dhe jo në territorin e Jugosllavisë -… Më duhet të them se prania e Tempos në zonat ku vepronin forcat tona na krijonte herë pas herë telashe dhe situata të vështira”.32 Por, Tempon e pengonte gjithçka shqiptare. Prandaj, nuk kishte hezituar ta pyeste Haxhi Lleshin: “Në qytet pashë të valojë vetëm flamuri shqiptar. Mos edhe kjo vjen nga druajtja?”.33 Këto ishin arsyet që Tempoja të ndiheji pakënaqur me përparimine LANÇ të Shqipërisë. Për këtë arsye, sipas Haxhi Lleshit: “…duket se arsyet kryesore qenë mosnjohja e situatës dhe kryesorja, frika e Tempos nga ndjenjat patriotike të shqiptarëve të Maqedonisë. Kjo frikë që lidhej me synimet e PKJ për të ruajtur të pandryshuar kufirin e 1913-ës, bënte që Tempos të mos i pëlqente forcimi i Lëvizjes Nacionalçlirimtare Shqiptare”.34 Pavarësisht prej pretendimeve jugosllave për të përdorur Luftën Nacional çlirimtare të popullit shqiptar për gllabërimin e tokave shqiptare, të cilat ishin qëllimet e tyre historike, forcat kombëtare të popullit shqiptar, si në radhët e PKSH, të Ballit Kombëtar dhe të të gjitha forcave të tjera politiko-ushtarake, ishin të vendosura përbashkimin pa kushte në luftë për çlirimin e vendit. Në këtë synim historik, i cili më vonë, gjatë vazhdimit të LANÇ në Shqipëri, do të pësonte deformime për ardhmërinë e kombit, Kuvendi mbarë kombëtar i Mukjes ishte sprovë me dimension kombëtar historik për realizimin e këtij qëllimi. “Platforma politike e Kuvendi të Mukjes buronte pikërisht nga Rezoluta e Konferencës së Parë Nacionalçlirimtare të mbajtur në Pezë, ku u konfirmua karakteri kombëtar dhe pluralist me strategjinë e luftës për Shqipërinë e lirë, të pandashme, të pavarur dhe demokratike”.35 Synimi ishte të realizohej një front i madh demokratik. Për këtë vijë politike të Konferencës së Pezës, e cila do të rikonfirmohej në Kuvendin e Mukjes, dëshmonin edhe kujtimet e dr. Ymer Dishnicës, pjesëmarrës në Konferencën e Pezës dhe Kuvendin e Mukjes: “Kam ndenjur në Pezë. Direktiva ishte të realizohej një front i madh demokratik për të luftuar, jo vetëm me penë, por edhe me pushkë. Kishim organizuar njësitë guerile, kish filluar lufta. Në Pezë erdhën njerëz nga Durrësi, Shkodra e Dibra, nacionalistë oficerë madhorë: Bazi i Canës, Mustafa Gjinishi,etj., gjithsej 28 vetë. Një e katërta ishim komunistë, të tjerë patriotë pa parti, anëtarë të Kongresit të Lushnjës etj. Platforma ishte shumë e bukur dhe shumë e thjeshtë: do të luftojmë me të gjitha forcat për të goditur Italinë fashiste, që nga njësiti i thjeshtë gueril dhe lufta me çeta”.36 Marrëveshja dhe mosmarrëveshja e Mukjes, në të cilën ndodhi ndërhyrja më flagrante e misionarëve jugosllavë, në historinë kombëtare mbetet si shansi madhi bashkimit të forcave politike shqiptare, pore dhe si fatalitet me dimension kombëtar. Edhe sot mbeten për studim çështje që kanë të bëjnë me platformën politike të Kuvendit të Mukjes dhe, mbi të gjitha, mbetet për t’u dhënë përgjigje në pyetjen: Në ç‘masë misionarët jugosllavë arritën që raportet kombëtare brenda politikës shqiptaret’i ngatërronin me raportet ideologjike dhe prishjen e Marrëveshjes së Mukjes ta impononin pikërisht për hesapet e veta, konkretisht për ta lënë Kosovën dhe LNÇ në Kosovë nën sundimin e PKJ dhe të Serbisë? Dhe, me këtë rast, nuk duhen harruar as synimet dhe qëndrimet e misionarëve jugosllavë në Shqipëri:“Partisë Komuniste Jugosllave i interesonte një kundërvënie pa kompromis midis dy forcave politike, që Balli Kombëtar të hidhej artificialisht në krahun e pushtuesit, që në LANÇ të sundonte vetëm PKSH e dirigjuar nga PKJ, sepse kështu, sipas planeve serbomëdha, në Shqipëri mund të vendosej përfundimishtsundimi i tyre, sepse kështu, jo vetëm Kosovën, por edhe tërë Shqipërinë do të mund ta përfshinin në projektet e tyre ogurzeza antishqiptare për ta bërë atë republikën e shtatë të Jugosllavisë Federative”.37
Historiografia e sotme shqiptare, me të drejtë e ka shtruarpyetjen: Si do të ishte fati i Marrëveshjes së Mukjes sikur të mos kishte ndodhur aq shpejte në mënyrë ultimative intervenimi politik i emisarëve jugosllavë dhe sikur të mos e kishin kontestuar dhe kundërshtuar kategorikisht Marrëveshjen e 1 dhe 2 gushtit midis forcave politike mbarëshqiptare? Pikërisht, nga momenti i ndërhyrjes aq të hapur, tinëzare dhe qëllimkeqe të jugosllavëve nisi një situatë krejtësishte re dhe përfundimisht fatale për perspektivat e realizimit të kësaj marrëveshjeje. Në fakt, emisarët jugosllavë, sapo kuptuanvendimet e Konferencës së Mukjes, u ngutën që ta kundërshtonin dhe shumë shpejt i detyruan edhe udhëheqësite PKSH që, falë servilizmit të tyre ndaj emisarëve jugosllavë dhe përgjithësisht ndaj urdhrave që vinin nga PKJ e nga Tito, të kundërshtonin marrëveshjen e arritur. Fragmentet e caktuara të kundërshtimeve të rrepta të Marrëveshjes së Mukjes, nga ana e Enver Hoxhës me bashkëpunëtorë janë aq të prera, intolerante e me paragjykime, saqë mund të shtrohet pyetja: A ishte, pikërisht, ai me bashkëpunëtorë që kishin dhënë pajtimin paraprak që përfaqësuesit e tyre, Ymer Dishnica e Mustafa Gjinishi, t’i mbronin qëndrimet e deklaruara politike të PKSH në bisedimet e Mukjes? Pas intervenimit të emisarëve jugosllavë dhe nënshtrimit të Enver Hoxhës direktivave të PKJ, marrëveshja, përkatësisht mosmarrëveshja e Mukjes, ishte prishur në mënyrë të njëanshme. Nga dokumentet del qartë se, rolin vendimtar në prishjen e Marrëveshjes e pati PKJ. “Ajo nuk mund të lejonte që PKSH, të cilën konsideronte se e kishte krijuar vetë, të bënte pazarllëk me nacionalizmin shqiptartë tipit irredentist. Ky përfundim shprehej edhe nga parashtrimi që i bënte Vladimir Dedijer Marrëveshjes së Mukjes, të cilën e paraqiste si shembull të devijimit shqiptaromadh”.38 Mbështetur në ndërhyrje te emisarëve jugosllavë në ngjarjet gjatë LANÇ të Shqipërisë dhe në zhvillimet e brendshme të PKSH, qoftë në krijimin e politikës së përgjithshmetë PKSH, qoftë në praninë e tyre madje edhe në nivele të udhëheqjes së PKSH, që nuk mbeti pa pasoja për rrjedhat e përgjithshme në Shqipëri dhe në viset e tjera ku banojnë shqiptarët, vështirë se mund të flitet për një veprim dhe orientim krejtësisht të pavarur të PKSH. Ndërhyrjet e PKJ ndaj PKSH dhe LANÇ në Shqipëri patën reflektime, si në marrëdhëniet e brendshmenë PKSH, ashtu edhe në jetën e përgjithshme shoqërore e politikenë Shqipëri. Pretendime te emisarëve jugosllavë nuk mbetën vetëm në sferën e ndërhyrjes së papranueshme në punët e brendshme të PKSH. Ata, duke u trimëruar me ndërhyrjet e vazhdueshme dhe të papenguara nga vetë kreu i udhëheqjes së PKSH, arritën ta nënshtronin në të gjitha planet PKSH dhe udhëheqjen e LANÇ në Shqipëri. “PKJ, pra, është direkt e implikuar e edhe shkaktari kryesor i dy përçarjeve më të mëdha politike në Shqipëri gjatë viteve të Luftës së Dytë, me ndikim në zhvillimin politik, jo vetëm të këtyre viteve, por edhe të viteve të pas luftës, në përçarjen e madhe në vetë PK të Shqipërisë”.39 Plenumi i 2-të i PKSH, i mbajtur në Berat më 23-27 nëntor 1944, në historikun e PKSH cilësohet si një njollë e zezë dhe si një përpjekje e emisarëve jugosllavë për nënshtrim të plotë të udhëheqjes së PKSH, me në krye Enver Hoxhën. Angazhimi i emisarëve jugosllavë për nënshtrim të udhëheqjes së PKSH dhe për marrjen definitive të çështjeve të brendshme shqiptare në duar të veta, pra nën komandën e PKJ dhe të Titos, duhet analizuar në prizmin e synimeve hegjemoniste të udhëheqjes së PKJ, në konstelacionin e raporteve të gjithëmbarshme politike, ushtarake e gjeostrategjike në rajon. Koha e ardhjes së Misionit ushtarak dhe politik jugosllav, me në krye Velimir Stojniçin, në gjysmën e dytë të vitit 1944, ishte kohë kur shihej përfundimi i Luftës së Dytë Botërore dhe në Jugosllavi e Shqipëri shiheshin edhe fituesit. Pretendime te udhëheqjes jugosllave për dominim në një zonë edhe më të gjerë sesa ishte Jugosllavia, të shprehura enkas në fjalën e Stojniçit, në Plenumin e Beratit, në pohimine tij se Titoja është personalitet jo vetëm i Ballkanit, por edhe i Evropës Juglindore, manifestoheshin më qartë dhe me më shumë agresivitet. Shqipëria ishte një ndër zonat e para të këtyre pretendimeve. “Që të arrihej dominimi mbi Shqipërinë, duhej të nënshtrohej plotësisht PK e Shqipërisë”.40 Goditja dhe nënshtrimi i PKSH, në radhë të parë, i udhëheqjes së saj me në krye Enver Hoxhën, ishte qëllim prioritar. Goditja dhe kritika që i bëhej vijës së deri atëhershme të PKSH nënkuptonte kritikë të udhëheqjes dhe të politikës së Enver Hoxhës. PKSH dhe personalisht Enver Hoxha kritikohej nga Titoja dhe nga PKJ për politikë të gabuar, oportuniste, të paqëndrueshme e sektare. Stojniç dhe Dizdareviç kishin ardhur që, nëpërmjet kritikës së pamëshirshme drejtuar vijës së PKSH dhe politikës së udhëheqësit të saj, të zhvleftësonin çdo të arritur të PKSH në mobilizimine masave shqiptare për pjesëmarrjenë LANÇ të Shqipërisë. Kritika synonte të siguronte pa pengesë imponimin e modelit jugosllav, si të vetmen alternativë të Luftës Nacionalçlirimtare edhe në hapësirën mbarëshqiptare. “PKSH dhe Hoxha akuzoheshin se kishin qenë tepër “oportunistë” përçështjet që lidheshinme Jugosllavinë (Kosovën,Dibrën, nacionalizmin shqiptar, përgjithësisht) dhe disa operacione ushtarake, të cilat do t’i kishin ndihmuar partizanët jugosllavë në kurriztë shqiptarëve dhe se kishin qenë tepër “sektarë” në trajtimin e opozitës brenda Shqipërisë…Natyrisht, pikësynimi i vërtetë i kritikave të Stojniçit ishte Enver Hoxha. Duhej që Hoxha të qethej sa t’i zvogëloheshin përmasat, kështuqë Shqipëria të bëhej një pasuese e bindur e Jugosllavisë”.41
Për të krijuar rrethana, në të cilat më lehtë do të rrëzohej vija e Enver Hoxhës dhe me të edhe ai vetë, sipas Stojniçit, më parë duhej realizuar largimi i mbrojtësve të Enver Hoxhës nga udhëheqja politike. Prandaj, “…kurkuarteri u zhvendos nga Odriçani në Berat, në mes të tetorit, Koçi Xoxe dhe Nako Spiro sajuan që ta largonin nga Byroja Politike Ramadan Çitakun (i cili mbështeste Hoxhën) dhe Liri Gegën dhe t’i zëvendësonin me Sejfulla Malëshovën dhe Pandi Kriston… Enver Hoxha e pa veten me katër anëtarë në Byronë Politike, që ishin të kënaqur t’i nënshtroheshin influencës së Stojniçit”.42 Enver Hoxha shpjegonte se, pikërisht, Sejfulla Malëshova, Nako Spirue Koçi Xoxe ishin realizatorët kryesorë të të gjitha veprimeve që ndodhën brenda PKSH në prag të mbajtjes së Plenumit të 2-të të KQ të PKSH dhe personalitetet kryesore në qërimin e hesapeve brenda radhëve të udhëheqjes së PKSH, gjatë dhe pas Plenumit të Beratit. Në përgatitje të Plenumit të 2-të të KQ të PKSH, derisa zhvillohej prapaskena e Beratit dhe me përkrahjen e Malëshovës, Xoxes, Spirut e të tjerëve, Stojniçi ia arriti të krijonte situatë dhe rrethana në favor të pretendimeve jugosllave. Sipas Enver Hoxhës, pikëpamje këto, të cilat pas hapjes së arkivave perëndimore dhe atyre shqiptare, në lidhje me Plenumine Beratit, janë mjaft të diskutueshme,: “…çdo gjë që bënte ose thoshte ‘Veloja’ ishte e drejtë, pse këtë e thoshte Titoja, e thoshte PKJ dhe kush e kundërshtonte ishte armik dhe duhej luftuar. Për arsye e motive nga më të ndryshmet, qysh në këtë fazë të parë të veprimtarisë së tij agjenturiste, Stojniçi arrititë bënte për vete një numër shokësh kryesorë të udhëheqjes sonë”.43 Stojniçi ishte i vendosur, prandaj, para fillimit të Plenumit të 2-të të KQ të PKSH, i paralajmëronte Enver Hoxhës masa ndëshkuese nëse, eventualisht, nuk përmirësohej dhe nuk e ndërronte rrugën e deri atëhershme. Kjo ishte një ndërhyrje tepër e padenjë e një përfaqësuesi të një partie tjetër të jashtmekomuniste ndaj PKSH dhe udhëheqësit të saj. Nga ana tjetër, vështirë të gjendet ndonjë rast më karakteristik i një nënshtrimitë pashembullt dhe jodinjitoz të një partie komuniste nga një parti tjetër. Kjo përulje, ky nënshtrim, mbeten të pakuptim të dhe me pasoja të rënda, pavarësisht historikut të ndërhyrjeve të vazhdueshme të Jugosllavisë në çështjet e brendshmetë shtetit shqiptar. Është e qartëse format e ndërhyrjes së PKJ ndaj PKSH dhe çështjes shqiptare manifestonin edhe pasionin e pashtershëm të politikës jugosllave për dominim dhe për ndërhyrje në raport me faktorin mbarëshqiptar. Në këtë kontekst, Fehmi Agani shtronte pyetjen: “Por, pse pranuan marrëdhënie të këtilla, pse u nënshtruan komunistët shqiptarë? Shqipëria ishte e vogël, e pazhvilluar, momente të shumta hendikeponin pozitën e saj. Por, në fund të vitit 1944 e më 1945, komunistët shqiptarë ishin fitimtarë të një lufte të madhe nacionalçlirimtare, s’kishin pse të ndiheshin inferiorë ndaj askujt, pra as ndaj jugosllavëve. Megjithatë, qëndrimi i tyre ishte kapitulant”.44 Pas Plenumit të 2-të të KQ të PKSH, lufta për pushtet ishte bërë edhe më e rreptë dhe më e pakompromis. Thellimi i vijës terroriste të PKSH, vartësia dhe nënshtrimi i plotë i udhëheqjes komuniste nga PKJ, projektimi dhe realizimi i shumë vrasjeve të panumërta, jo vetëm të nacionalistëve, kundërshtarëve politikë, por edhe të shokëve të tyre, në prag të çlirimit të Shqipërisë, shënuan hapat e parë në jetën shtetëroree politike të Shqipërisë drejt totalitarizmit lindor.45 Nuk është e rastësishme pse PKSH, pas Plenumit të Beratit, edhe më pamëshirshëm goditi nacionalizmin shqiptar, i cili angazhohej për një Shqipëri të bashkuar e demokratike. Nacionalistë te shquar, si brenda Frontit Nacional çlirimtar, ashtu edhe nacionalistët demokratë, të cilët vepronin në Ballin Kombëtar dhe Legalitet, u ndoqën, u vranë, u burgosën, u internuan dhe shumë të tjerë u detyruan të lëshonin atdheun. Nacionalistët shqiptarë, të cilët ishin me orientim properëndimor, u trajtuan si “armiq” nga ana e PKSH, të cilët me çdo kusht duheshin izoluar politikisht e ndonjëri prej tyre edhe duhej zhdukur. E tërë kjo veprimtari bëhej që të triumfonte komunizmi shqiptari orientimit sllavo-komunist, platformën e të cilit e kishin krijuar PKJ dhe PKSH. Qëndrimi i tillë i PKSH ndaj intelektualëve atdhetarë, ndaj pjesës më avangarde, demokratike e properëndimore të kombit, shënonte thellimin e frymës terroriste. Është mëse e kuptueshme përse emisarë te PKJ futën në Shqipëri frymënterroriste në udhëheqjene PKSH dhe në udhëheqjene Luftës Nacionalçlirimatre.46 Kështu veprohej edhe për eliminimin e kundërshtarëve politikë, të cilët, si nga radhët e PKSH, ashtu edhe nga radhët e forcave të tjera politike, kundërshtonin vijën terroriste dhe angazhoheshin për një vijë liberale e demokratike të ndërtimit të shoqërisë shqiptare. Në Plenumin e 2-të të KQ të PKSH, një prej çështjeve kryesore ishte: “Në ç‘rrugë do të ecte Shqipëria pas luftës?” Sipas planit të Stojniçit dihej se, Enver Hoxha duhej të angazhohej më së tepërmi për orientimin projugosllav, që Shqipërinë ta ofronte, jo vetëm ideologjikisht, por edhe sa më ngushtë me Jugosllavinë. Bazën e këtij orientimi e kishte paralajmëruar Enver Hoxha, i cili, në punimet e këtij plenumi, ishte shprehur për “ndihmën e pakursyere të çmueshme, për eksperiencën e madhe” që PKJ i kishte dhënë PKSH. Sipas Enver Hoxhës, PKJ i ofronte perspektiva të reja PKSH. “Populli ynë e di sa e shtrenjtë e jetike është për popullin tonë aleanca dhe vëllazërimi me Jugosllavinë. A mund të rrojë i lirë dhe të ndërtojë jetën e tij populli ynë pa Jugosllavinë Federative Popullore.Jo, kjo është e pamundur”.47 Ky besimi verbër ideologjik, mbi bazat e internacionalizmit proletar, do ta mbante Enver Hoxhën symbyllazi në orientimin projugosllav deri në prishjen definitive me Titon, në vitin 1948, ndërsa çështjen e Kosovës do ta linte në harresë. Orientimi i politikës shqiptare të viteve të pasluftës për bashkim me Jugosllavinë është një prej rrjedhojave më fatkeqe që buroi nga vendimet e Plenumit të 2-të të KQ të PKSH. Ky orientim kaq i skajshëm, jo vetëm ideologjik, por edhe i dëmshëm në aspektin kombëtar, pati pasoja të rënda në planin e mos njohjes së qeverisë shqiptare nga ana e Fuqive të Mëdha. Qysh më 4 janar 1945, qeveria e përkohshme e Enver Hoxhës u ishte drejtuar për njohje qeverive të SHBA, Britanisë së Madhe dhe Bashkimit Sovjetik. Kundërshtimet, sidomos amerikane dhe ato britanike, qenë recidive, ndonëse jo edhe aq të drejta. Ministri britanik i Punëvetë Jashtme, Eden, në lidhje me pranimin e qeverisë së Hoxhës, më 14 mars 1945, deklaroi se kjo çështje nuk do të vinte në konsideratë, meqenëse çështja e Shqipërisë ishte e pazgjidhur. Sekretari amerikan i Shtetit, Stetinius, nëpërmjet shtypit lajmëroi se do të dërgonte në Shqipëri përfaqësuesin diplomatik, i cili do të shqyrtonte situatën.48


_______________________
Referencat:
24 Reginald Hibbert, vep. e cit., f. 40.
25 Bernhard Tönnes, Sonderfall Albanien, vep. e cit., f. 451. 28 Po aty, f. 451
26 Po aty, f. 451.
27 Dr. Muhamet Shatri, vep. e cit., f. 103. 30 Reginald Hibbert, vep. e cit., f. 47-48. 31 Po aty, f. 47-48
28 Reginald Hibbert, vep. e cit., f. 47-48. 29 Po aty, f. 47-48
29 Po aty, f. 47-48
30 Svetozar V. Tempo, vep. e cit., f. 365-367. 31 Po aty, f. 457.
31 Po aty, f. 457.
32 Haxhi Lleshi, Vite, njerëz, ngjarje, Tiranë, 1996, f. 216.
33 Haxhi Lleshi, po aty, f. 218
34 Po aty, f. 221.
35 Klement Shalari, (Mos)Marrëveshja e Mukjes kullon ende gjak, Tiranë, 1996, f. 10.
36 Alternativa, Tiranë, 23.3.1992, f. 7. (krahaso [cfr.] ): Uran Butka, Mukja, shans i bashkimit, peng i tradhëtisë, Tiranë, 2007.
37 Klement Shalari, vep. e cit., f. 6.
38 Dr. Muhamet Shatri, vep. e cit., f. 106-107.
39 Fehmi Agani, Demokracia, kombi, vetvendosja, Pejë, 1994, f. 53.
40 Fehmi Agani, vep. e cit., f. 66.
41 Reginald Hibbert, vep. e cit., f. 332.
42 Po aty, f. 333-334.
43 Enver Hoxha, Titistët, f. 144.
44 Fehmi Agani, vep. e cit., f. 75.
45 Uran Butka, Ringjallja, Tiranë, 1995, f. 37.
46 Po aty, f.46.
47 Po aty, f.530.
48 Bernard Tönnes, Sonderfall Albanien, vep e cit., f. 481.

VIJON…
_
____________________

DR.AGIM ZOGAJ: HISTORIKU I MARRËDHËNIEVE SHQIPTARO – JUGOSLLAVE GJATË LUFTËS SË DYTË BOTËRORE – Kapitulli i parë (3)
https://pashtriku.org/?kat=60&shkrimi=8644

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura