Pashtriku.org, 01. 05. 2016: Para se të mbërrijë në Berat, Evlia Çelebiu, gjatë udhëtimit të tij nëpër Shqipërinë e Jugut, ka përshkuar Delvinën, distriktin e Kurveleshit, Vlorën, Gjirokastrën, Tepelenën, Këlcyrën dhe Skraparin…
“Lamë fortesën dhe filluam të zbresim poshtë kodrës, në drejtim të lumit të Gjirokastrës, të cilin e kaluam menjëherë duke lundruar mbi varka, e duke iu shmangur asaj gryke për të cilën bëhej fjalë se na kishin ngritur pusi. Në krahun tjetër të lumit, udhëtimi zgjati tri orë, deri sa arritëm në kufi me Skraparin…”
“…Ne vazhduam të ecim dy orë rresht, pasi e lamë Skraparin dhe mbërritëm në fshatin Vizhkor (i pa identifikuar) dhe pas një ore, duke ecur në drejtim të perëndimit, në fshatin Tërpan, ku jeniçeri Hasan Aga ka pronat e tij dhe ku mes tokave të bie menjëherë në sy shtëpia e tij me një oborr të zbukuruar brenda dhe jashtë, gjithmonë e hapur për udhëtarët. Prej këtej arritëm në fshatin e Zhitomit. Është një fshat i begatë me vreshta dhe kopshte të mbjella. Ky fshat i përkiste Mustafa Pashës, agait të jeniçerëve. Gjysmë ore larg, matanë një lugine, ndodhet fshati i Lavdanit (Bardhaj ) dhe, ndërsa lamë Bardhajn, në krahun tonë të djathtë, mbërritëm në fshatin Roshnik. Aty pamë shtëpi një deri dykatëshe prej guri dhe me çati të mbuluara me tjegulla dhe të rrethuara nga kopshte dhe vreshta me rrush. Ky fshat i përket Koprulu Mehmet Pashait. Shtëpitë janë të shumta, por ndodhet edhe një xhami, e cila duket e mbajtur mirë dhe vazhdon të shërbejë për të kryer ceremonitë fetare të rastit, një shtëpi tjetër, e veçantë, ku shkohet për të bërë lutjet, si dhe një medrese, një shkollë fillore, një teqe, një banjë publike e sapondërtuar si dhe një numër i mjaftueshëm dyqanesh.
Moti është jashtëzakonisht i kënaqshëm. Prej këtej u kthyem përsëri në Zhitom dhe pastaj zbritëm nga ana veriore për të mbërritur, pas një ore në Drabonik. Ky është një fshat prej gati 150 shtëpish, plot me pjergulla, tamam si Kopshti i Airemit, po që ishte i banuar nga njerëz jo besimtarë. Prej këtej, poshtë në luginë, të shfaqet përpara syve qyteti i Beratit.
Evlia Çelebi (1611 – 1683)
Pas një ore, mbërritëm në tokën madhështore të Xhihadit, në qytetin e bukur të vendosur përgjatë një lugine, në Belgradin shqiptar (Berati)…Janë 4 fortesa në Perandorinë Otomane që kanë të njëjtin emër, “Belgrad”. E para, Belgradi danubian në lumin Danub; e dyta, Belgradi i Stolnas në Budapest; e treta, Belgradi transilvanian, i cili ndodhet nën juridiksionin turk; dhe së katërti, ky, Belgradi shqiptar. Sipas regjistrave të Sulejman Khan-it, ky qytet është selia e beut të sanxhakut të Vlorës për vilajetin e Rumelisë. Është jashtëzakonisht i rëndësishëm, ndaj dhe beu merr nga Sulltani një të ardhur të mirë që arrin deri në 229.000 akçe. Ka 28 ziamete dhe 489 timare. Gjithashtu, ka një allaj-beg dhe një çeribash. Në kohë lufte, sanxhak-beu është i detyruar me statut që të sigurojë për sulltanin 4000 ushtarë të armatosur duke përfshirë në këtë numër ata që kishte në shërbim si dhe ata të grumbulluar nga timaretet. Këta janë ushtarë trima dhe të papërmbajtur.
Berati ka një sheihulislam, një nakibuleshraf , një kadi me rrogë të nivelit 300 akçe dhe 120 fshatra, nga grumbullimi i të ardhurave vjetore të të cilave kadiut i takojnë 6 qese, kurse pashait 30 qese. Në qytet, gjithashtu janë edhe disa figura të tjera, si komandanti i jeniçerëve, guvernatori i kështjellës dhe garnizoni i tij ushtarak, vojvoda i qytetit, inspektori i tregut, taksidari, komandanti i fortesës, kryetari i bandës muzikore, kryetari i bashkisë, kryearkitekti dhe një punonjës i zyrës së taksave.
Fortesa e Beratit është ndërtuar në formën e një shandani në majën e një kodre të pjerrët dhe të zhveshur që shtrihet në drejtimin veri-jug. Ajo duket e fuqishme dhe madhështore, një fortesë e qëndrueshme e ndërtuar me gurë të lëmuar dhe të prerë në formë kallëpesh të mëdhenj. Periferia e gjithë murit rrethues të kështjellës është 2600 hapa të mëdha. Ka katër porta të forta dhe të qëndrueshme. E para, në faqen veriore, quhet Porta e Madhe. Prej andej, largësia deri në pazar është 1000 hapa. Kjo Portë, ka tri hyrje të mëdha, të cilat janë larg njëra-tjetrës, në një distancë prej 100 hapash secila. Dy nga këto hyrje janë me pamje nga veriu dhe e treta është hyrja e brendshme e kalasë, në drejtim të lindjes. Gurët e themeleve të portës janë të mëdhenj sa trupi i një elefanti. Porta e dytë, poshtë një manastiri të heshtur, është me pamje nga ana perëndimore dhe komunikon me një rrugë që zbret përballë xhamisë së re të ndërtuar nga Hysen Pashai, në lagjen Murat Çelepia. Porta e tretë është me pamje nga lindja, midis lagjeve; është e vogël, paksa e fshehur dhe jo shumë e përdorshme. Akropoli është një kështjellë e vogël, shumë e bukur, brenda fortesës kryesore. Është e ndërtuar me gurë dhe ka një perimetër prej 800 këmbësh. Njëra qoshe e saj mbështetet në murin perëndimor të fortesës. Ka dy porta. Njëra, me dalje nga lindja, përballë pjesës së brendshme të fortesës. Tjetra, me dalje nga perëndimi që të shpie poshtë, jashtë fortesës, në lagjen e Çelepisë.
…Në Berat tregjet dhe pazaret janë të mbuluar. Janë tregje të mrekullueshëm me dyqane të vendosur në radhë dhe shumë komodë, duke përfshirë atë të opingarëve, të këpucarëve e të prodhuesve të artikujve prej lëkure. Përgjatë lumit është pazari shumë i bukur, i sapo krijuar nga Hysen Pashai me 100 dyqane, që të gjithë njëkatësh. Është vendi ku njerëzit takohen me njëri–tjetrin. Këtu, nëpër tezga të vendosura nën hijen e pemëve të ndryshme, gjen nga të gjitha llojet e prodhimeve artizanale. Secili është i zënë me llojin e zanatit të vet. Në mes të këtij pazari ndodhet një shesh i madh me një kullë sahati të lartë dhe të mrekullueshme. Ora ishte sjellë nga Transilvania dhe kambana ishte aq e madhe, sa që brenda saj mund të qëndronin 10 veta. Ajo bie 12 herë në ditë. Tingulli i kësaj kambane mund të dëgjohet deri në një distancë prej një ditë të ecur më këmbë. Në afërsi të këtij pazari ndodhen 6 kafene, secila e lyer dhe e zbukuruar si ata tempujt kinezë kushtuar idhujve të tyre. Disa nga këto janë në breg të lumit që kalon përmes qytetit: këtu, disa veta lahen në lumë, ca peshkojnë dhe të tjerë vijnë për të takuar ndonjë shok e për të biseduar për fenë apo për problemet e ditës. Ka shumë poetë, njerëz të shkolluar dhe shkrimtarë me horizont të gjerë. Ata janë të sjellshëm dhe fisnikë, të zgjuar dhe të urtë, e me kurajë për t’i zgjidhur hallet e jetës më mirë vetë, se sa t’i luten Zotit. Tregu i lëkurëpunuesve, përgjatë bregut të lumit, është i mbuluar nga hija e pemëve të larta të shelgjeve dhe të pjergullave, duke e bërë atë një vend tepër tërheqës për njerëzit që vijnë aty për të kaluar kohën e lirë edhe pse pronari i këtij tregu është Ahi Evran-i. Tregu i kazanxhinjve, me zhurmën karakteristike dhe të vazhdueshme ‘takatartak’, ‘takatartak’ që vinte nga kudhrat ku godisnin çekanët e bakërpunuesve, gjithashtu, ishte vendosur nën hijen e pemëve dhe dukej mjaft i bukur me ato dyqanet njëkatësh. Tregu i mëndafshpunuesve, i cili, gjithashtu, është shumë i pastër dhe i sistemuar mjaft mirë, ofron pamjen e një bukurie të jashtëzakonshme me ata djemtë e rinj dhe simpatikë që shërbejnë atje. Ata janë kaq të pashëm dhe elegantë sa mund të dallosh edhe palcën e kockës nëpër gishtërinjtë e tyre që lëvizin harmonishëm.
Uji i pastër i lumit kalon përgjatë gjithë gjatësisë së pazarit, duke i dhënë atij vendi një freski të tillë sa cilido ndjen kënaqësi të ndalet në mes të rrugës, të ulet dhe të humbasë mendjen në mes të kësaj mrekullie që e rrethon. Brenda dyqaneve, shërbejnë djem të rinj e me fytyra të pastra të pa rrahura nga rrezet e diellit si ato të princave nëpër oborret mbretërorë. Shumica e dyqaneve, në të dyja anët e rrugës kanë çati prej dërrase. Miqtë, shokët, të dashuruarit, takohen këtu me njëri-tjetrin dhe e kalojnë kohën duke biseduar e duke ngacmuar këta djem të rinj, të cilët, tanimë, janë mësuar dhe vazhdojnë punën pa ndjerë t’u skuqen faqet nga turpi. Gjithë të rinjtë janë të dhënë pas armëve, sepse-Zoti na ruajt!-kjo është Shqipëria dhe nuk bëhet shaka me shqiptarët. Ata dinë të betohen vetëm për shpatën e tyre.
Përtej lumit Osum, në bregun jugor të tij, shtrihet një tjetër qytet shumë i bukur, i quajtur Koru Varosh, me rreth 200 shtëpi të mbuluara me tjegulla të kuqe, rrethuar nga kopshte, pemë frutore dhe vreshta me rrush. Është e banuar, kryesisht, nga të krishterë apo shqiptarë të pafe. Në shpinë të këtij qyteti ngrihet mali Koru (mali i Goricës) prej nga vjen edhe emri i këtij qyteti. Është një masiv malor i mbuluar në pjesën më të madhe nga pemë të larta. Trungjet e këtyre pemëve janë përdorur si kolona mbajtëse dhe për riparimin e urës mbi lumin Osum. Kushdo që do të guxonte të priste qoftë edhe një degë të vetme nga këto pemë, do të dënohej nga autoritetet vendase. Po ashtu, kushdo që do të kryente ndonjë vrasje, për t’i shpëtuar dënimit, do të fshihej në thellësi të këtij mali, dhe që nga ky çast ai i shpëtonte ndjekjes, por nuk mund të rikthehej më kurrë në qytet. Ne se krimineli kthehej, do ta kapnin dhe do ta ekzekutonin menjëherë, ndaj në këto kushte, vrasësi mbetej si një ekzilant i përjetshëm.
Të gjitha shtëpitë e mëdha të qytetit i kanë dritaret e tyre me pamje nga lumi. Poshtë qytetit të Beratit, në fund të tregut të kazanxhinjve, ndodhet një urë që kalon mes përmes lumit Osum për në Koru Varosh. Është një urë e madhe prej druri me 9 harqe. Këmbët e saj janë ndërtuar prej guri dhe janë të futura thellë në shtratin e lumit. Shtresa e urës është përbërë prej dërrase të trashë dhe të fortë dushku të prerë në malin Koru. Është me të vërtetë një urë e mrekullueshme. E vetmja urë që mund të krahasohet me të, është ura vetëm me një hark, që Sulltan Sulejmani ndërtoi mbi lumin Drin, në qytetin Foca të vilajetit të Hercegovinës. Por ura e Beratit ka 9 harqe! Zoti e ruajt atë!
****
Pse erdhi Evlia Çelebi në Shqipëri?…
Mundësinë për të kryer udhëtimin në këto zona, Çelebiut iu dha nga eprori i tij, Meleq Ahmed Pasha, kur ky nga guvernator i Bosnjës, u emërua guvernator i Rumelisë (me rezidencë në Sofje). Evliai kaloi përmes Kosovës, ndaloi në Mitrovicë, Vuçiternë, Kosovë, Polje, Prishtinë dhe Kaçanik, Novi Pazarit dhe Shkupit. Pas një viti, Meleq Pashai u vendos në Belgrad, për të marrë pjesë aktivisht në organizimin e ushtrisë otomane në Transilvani. Për shkak të mungesës së fondeve, ai dërgoi Evlia Çelebiun në Shqipëri për të mbledhur ca borxhe. Evliai ndaloi në Tiranë, Lezhë, Shkodër, Podgoricë dhe Ulqin, pastaj vazhdoi rrugën për në Sofje, ku u bashkua përsëri me Meleq Pashën para se të merrnin rrugën për në Stamboll. Evliai mori pjesë në luftën për pushtimin e Kretës nga Turqia, në vitin 1669. Vitin tjetër, komandanti turk, Ali Pashai, e dërgoi Evlianë me mision në Shqipëri për të rindërtuar kalanë e Zarnata-s, duke mobilizuar ushtarë dhe krahë të nevojshme pune dhe kështu të siguronte Manian në Peloponez nga ndonjë sulm i mundshëm i venedikasve, të cilët, pa dyshim, synonin që të rimerrnin atë që humbën një vit më parë. Evliai kaloi përmes Delvinës, Gjirokastrës, Tepelenës, Përmetit, Beratit, Vlorës, Durrësit, Kavajës, Elbasanit, Ohrit dhe Pogradecit para se të vazhdonte më tej përmes Maqedonisë dhe Bullgarisë e për të mbërritur në oborrin turk, në Edrene.
Çelebi Udhëtar i palodhur, historian brilant i shek. të 17-të
Evlia Çelebiu (njihej edhe me emrin Dervish Mehmet Zillí) është nga historianët më produktiv në shënimet e tij, të cilit, për një periudhë të caktuar, i referohet historiografia shqiptare, dhe që përbën pjesën më të ndriçuar të saj. “Seyahatname”-ja e tij (“Libri i udhëtimeve”) përmban një material të bollshëm mbi historinë, kulturën, folklorin dhe gjeografinë e atyre vendeve që Evlia Çelebiu vizitoi. Për Shqipërinë e shekullit XVII e sidomos për jetën e brendshme të saj, këto shënime janë një minierë informacioni dhe me një vlerë të pallogaritshme. Burimet historike për Shqipërinë e kësaj periudhe janë shumë të rralla. Udhëtari turk Evlia Çelebi vizitoi Kosovën në dhjetor të vitit 1660, Shqipërinë e Veriut dhe Malin e Zi, më 1662, si dhe Shqipërinë e Jugut, më 1670. Vepra e Evlia Çelebiut na jep një itinerar të detajuar përmes një toke krejtësisht të panjohur duke përfshirë, mes shumë gjërash të tjera, përshkrime shumë tërheqëse dhe befasuese për qendrat e qyteteve, për fortesat, xhamitë, për vendet ku organizoheshin pelegrinazhet fetare dhe për ato vende ku shkonin për t’u zbavitur. Shkrimet e tij bëhen për ne edhe një burim i pasur informacioni lidhur me përhapjen e islamizmit dhe të urdhrit bektashian në Shqipëri. Përshkrimi që Evliai u bën qyteteve dhe fshatrave të Shqipërisë zbulojnë ato elementë të kulturës islame që vetëm shumë pak kanë mundur t’i rezistojnë kohës. Të dhënat që lidhen me gjuhën shqipe të regjistruara në thëniet e Çelebiut, përbëjnë, gjithashtu, një kontribut të shquar dhe të pazakontë për historinë e kulturës dhe të gjuhësisë shqiptare. Ndërsa për strukturën e popullsisë shqiptare, Evliai flet pak ose hesht fare, por, kur vjen fjala për origjinën (legjendare) të këtij populli, ai bëhet shpërthyes dhe shumë informativ. Në vazhdim, lexuesi mund të njihet me shënimet e kronikanit të shquar turk, Evliha Çelebi, ku përshkruhet udhëtimi i tij në vise të banuara nga shqiptarët dhe në veçanti në qytetin e Beratit, në vitin 1670, të cilin ai e quan: “Qyteti i një mijë syve”.
……………………………………
Film i vjetër, i xhiruar në Berat më 1916