Pashtriku.org, 07. 05. 2016: Aristoteli shtetin e shihte si një bashkësi të krijuar për shkak të ndonjë të mire e cila përfshin në vetvete të gjitha të tjerat… Hegeli shtetin e identifikon me praninë e Zotit në këtë botë. Një grumbull njerëzish mund të quhet shtet vetëm kur ai është lidhur tokë për mbrojtjen e përbashkët të tërsisë së pronës së vet, thotë Hegel. Kurse Immanuel Kanti, shtetin e sheh si bashkim me ligj të një grupi njerëzish. Max Weber, ka përcaktuar shumë parametra për shtetin të cilat diskutohen në vazhdimësi edhe pas një shekulli. Ai thotë se shteti është i krijuar nga dhuna. Sipas tij ai është edhe burimi i vetëm i të drejtës për ushtrimin e dhunës. Kurse shteti modern ka një rend administrativ dhe ligjor, i cili mund të ndryshoj vetëm me ligj.
***
Shteti është institucion i krijuar për realizimin e disa qëllimeve. Më e rëndësishmja është ruajtja e së drejtës dhe rendit brenda kufijve të tij dhe ruajtja pavarësisë. Thuhet se shteti është një krijim kompleks. Ai është nyja e institucioneve: politike, ligjvënëse, gjyqësore, ushtarake, financiare etj., me të drejtën për të krijuar ligje, si dhe për t’i bindur të tjerët, që t’u nënshtrohen këtyre ligjeve. E ligjet e forta pasojnë pas armëve të forta – thotë Machiavelli.
Aristoteli shtetin e shihte si një bashkësi të krijuar për shkak të ndonjë të mire e cila përfshin në vetvete të gjitha të tjerat. Ai shtetin e paraqet ashtu si njeriun, nga natyra të pajisur me funksione të qarta. Platoni, shtetin e shihte të përbërë nga filozofë që do të kujdeseshin për ligjet. Ata do të duhej të jenë ndër më të zgjedhurit dhe më të merituarit, duke marrë nën përgjegjësinë e tyre edhe punët e brendshme dhe të jashtme të shtetit. Mbrojtësit e shtetit të Platonit, nuk do të duhej të kenë ndjenja labiale. Shteti ku duhet të paraprinë drejtësia, sipas Platonit do të duhej të merrte edhe rolin prindëror.
Hegeli shtetin e identifikon me praninë e Zotit në këtë botë. Një grumbull njerëzish mund të quhet shtet vetëm kur ai është lidhur tokë për mbrojtjen e përbashkët të tërsisë së pronës së vet, thotë Hegel. Kurse Immanuel Kanti, shtetin e sheh si bashkim me ligj të një grupi njerëzish. Max Weber, ka përcaktuar shumë parametra për shtetin të cilat diskutohen në vazhdimësi edhe pas një shekulli. Ai thotë se shteti është i krijuar nga dhuna. Sipas tij ai është edhe burimi i vetëm i të drejtës për ushtrimin e dhunës. Kurse shteti modern ka një rend administrativ dhe ligjor, i cili mund të ndryshoj vetëm me ligj.
Ekzistojnë disa teori politike që shpjegojnë se një politikë e mirë nuk është ajo që drejtohet nga vullneti subjektiv dhe arbitrar i njerëzve të veçantë, por nga veprimi objektiv i ligjeve të përgjithëshme dhe publike. Çështje parësore për shtetin është organizimi i policisë shtetërore dhe krijimi i aparatit të mirëfilltë të drejtësisë, thotë Adam Smith. Sipas tij krimi ekonomik është pasojë e pabarazisë sociale. Ai thotë së “abuzimi zyrtarë me paratë e shtetit” varfëron kombet, duke shkuar aq larg sa shumica e parave përdoren për të punësuar krah pune joprodhuese.
EVOULIMI I SHTETEVE DHE POLITIKA E JASHTME E TYRE
Shteti i parë i krijuar në Evropë daton në shekullin e dymbëdhjetë. Evoulimi i shtetit ndikoi në zgjerimin e veprimtarive dhe përgjegjësive shtetrore, duke ndikuar edhe në ndarjen e shteteve të mëdha dhe shteteve të vogla në veprimtarinë e tyre ndërkombëtare. Përkufizimi i shteteve të mëdha dhe shteteve të voga, është temë diskutimi nga analistë e studiues të shumtë të politikës dhe marrëdhënieve ndërkombëtare në përgjithësi. Ekziston një numër i madh definicionesh për shtetet, por dominon mendimi i përgjithshëm se nuk ka definicion të qartë për shtetet e vogla. Që moti ka mbizotëruar mendimi se shtetet e vogla në marrëdhëniet ndërkombëtare, luajnë rolin kryesisht të vëzhguesit, sepse shtetet e mëdha janë ato që tërheqin perin e zhvillimeve botërore. Ato vendosin sipas dëshirës së tyre, duke mos i respektuar interesat e shteteve të vogla, e bile shpesh herë duke marrë vendime edhe në kundërshtim me interesat e tyre.
Por sot kjo ka ndryshuar plotësisht. Shtetet e vogla kanë hapësirë të madhe për të shfaqur interesat e tyre, në mënyra dhe forma të ndryshme. Me një fjalë, sot, pozita e shtetit të vogël në marrëdhëniet ndërkombëtare, varet nga vet burimet e tija. Me këtë nuk kemi parasysh atributet tradicionale, siç janë shtetet e mëdha me shumë popullsi. Para së gjithash është në pikëpyetje aftësia e veprimit fleksibil në marrëdhëniet ndërkombëtare. Për shembull, Izraeli për nga territori dhe numri i banorëve radhitet në mesin e shteteve të vogla, por sa i përket armatimit ushtarak qëndron në maja të shteteve botërore. Të njëjtin shembull mund ta marrim edhe për Zvicrën, e cila me të ardhurat për kokë banori, është e radhitur ndër shtetet, më të pasura, pra edhe mes shteteve të mëdha, kurse territori i saj është i radhitur mes shteteve më të vogla.
Sa i përket formulimit të politikës së jashtme, padyshim ndikojnë marrëdhëniet e brendshme politike dhe ekonomike tek secili shtet. Këto arrijnë të bëhen më të theksuara sidomos tek shtetet e vogla, pozita e të cilit në marrëdhënie ndërkombëtare ekskluzivisht është e varur nga formuluesit e politikave të shtetit përkatës si dhe nga shkathtësia e tyre për tu përshtatur ndryshimeve në arenën politike ndërkombëtare. Politikën e jashtme secili shtet e realizon sipas strategjisë së caktuar e cila varet nga shumë faktor. Në të shumtën e rasteve ajo është e përcaktuar në kushtetutën e shtetit.
Autori slloven Benko, shpjegon dy strategjitë që shtetet e vogla i përdorin për të zbatuar politikën e tyre të jashtme.
Strategjia aktive: me qëllimin kryesor formulimin e politikës së jashtme në mënyrë të pavarur dhe pa u ndikuar nga shtetet tjera.
Strategjia pasive: kjo ka për qëllim ruajtjen e status quo-s nëpërmjet politikës së jashtme.
Që politika e jashtme të jetë e suksesshme, shtetet e vogla duhet të realizojnë strategji aktive, të realizojnë marrëveshjet ndërkombëtare, të marrin masa për një politikë të brendshme bashkëkohore, dhe në mënyrë të padiskutueshme të realizojnë politika integruese, gjithmonë duke ruajtur pacenueshmërinë e pavarësisë. Autori kroat Vukadinoviq, Ministrinë e Jashtme e sheh si një nga ministritë më të rëndësishme të një shteti, pasi ajo sipas tij praqet syrin e shtetit para botës. Gjithsesi, për një qeveri nuk është e mjaftueshme vetëm të bashkojë opinionin publik në mbështetje të politikave të saja të jashtme. Ajo gjithashtu duhet të fitojë edhe mbështetjen e opinionit publik të vendeve tjera për politikat e saja të jashtme dhe të brendshme. Sot politika e jashtme është duke u zbatuar jo vetëm me mjete tradicionale të diplomacisë dhe forcës ushtarake, por edhe me armën e re të propagandës. Sot forca e një vendi varet jo vetëm nga mjeshtëria e diplomacisë dhe fuqia e forcave të saja të armatosura, por edhe nga bërja për vete e vendeve të tjera me filozofinë e saj politike.
POLITIKA E JASHTME, DO TA SHNDËRROJ KOSOVËN NË ”TRUP PA IMUNITET”
Krijimi i shteteve të reja lidhet kryesisht me luftën për pavarësi dhe të drejtën për vetëvendosje të popujve. Populli i Kosovës, luftën për pavarësi, e ka vazhduar pa ndërprerë që nga copitmi i saj nga trungu amë Shqipëria më 1878 në Kongresin e Berlinit. Kosova u pushtua nga Serbia më 1912. Kurse më 17 shkurt 2008, falë luftës heroike të bijave dhe bijëve më të mirë të saj, Kosova shpallet shtet i pavarur. Padyshim shteti i ri i Kosovës ndodhet mes sfidave të mëdha, si në planin e brendshëm ashtu edhe atë të jashtëm, siç janë: sfidat e qeverisjes, administrimi i institucioneve si dhe sfidat e forcimit të identitetit shtetëror dhe krijimit të këtij shteti si subjekt ndërkombëtar.
Sfidat e mëdha, që kanë të bëjnë me njohjen e Kosovës nga shtetet tjera, themelimin e misioneve diplomatike, në vendet ku Kosova do të përfaqësohet, pastaj, pranimi i misioneve të huaja në Kosovë, hyrja në organizatat ndërkombëtare, krijimi i një diplomacie publike dhe serioze e cila do të kujdeset që imazhi i i mirë i Kosovës, të plotësohet në arenën ndërkombëtare, nxitja e investitorëve të huaj që të vijnë në Kosovë, nxitja e tregtisë e sidomos me shtetet e rajonit, rrit nevojën e krijimit të një stafi profesional i cili punon duke u koordinuar me të gjitha organet kryesore të shtetit.
Më lartë shpjeguam për strategjitë e Politikës së Jashtme të shteteve të vogla, të cilat janë aktive ose pasive. Republika e Kosovës, duhet të synojë një politikë të jashtme aktive, që të jetë në përputhje me synimet e popullit të Kosovës për integrime euro-atlantike, ruajtjen dhe forcimin e lidhjeve me vendet mike, thellimin e marrëdhënieve të mira me vendet e rajonit, si dhe arritjen e statusit të një partneri të besueshëm në luftën kundër kërcënimeve të sigurisë ndërkombëtare.
Politika e jashtme e Republikës së Kosovës në radhë të parë duhet të jetë e orientuar drejtë avancimit të vazhdueshëm të pozicionit ndërkombëtar të Kosovës dhe forcimin e përkrahjes ndërkombëtare për sovranitetin e saj. Sot Kosova është e njohur nga 65 vende të botës. Përveç Serbisë, Kosova ësht njohur nga të gjitha vendet fqinje. Marrëdhëniet e mira ndërfqinjësore janë edhe kriter për anëtarësimin në strukturat euro-atlantike.
Gjithësesi Kosova nuk mund t’i ik komunikimeve brenda shqiptare. Bashkëpunimi dhe komunikimi brenda shqiptar duhet të jetë prioritet i Politikës së Jashtme të Kosovës. Shqiptarët asnjëherë nuk kanë qenë më të favorizuar apo siç thuhet në popull, asnjëherë nuk kanë qenë një: ”trim i madh me shokë shumë” se sa sot, përçka keqdashësit e kombit shqiptarë janë në siklet të madh nga ky fakt. Por kjo aspak nuk guxon të jetë pengesë për fuqizimin e bashkëpunimit mbarëkombëtar.
Padyshim sprovë e shtetit të Kosovës, është anëtarësimi në OKB. Kosova duhet njohur nga dy të tretat e anëtarëve të organizatës së Kombeve të Bashkuara, në mënyrë që të ketë legjitimitetin ndërkombëtar. Megjithatë kjo nuk do të thotë se Kosova nuk duhet ta bëjë kërkesën, për aderim në OKB. Në këtë drejtim zbatimi i një fushate të fuqishme lobimi pa dyshim se do të sillte rezultate.
Lobimi për njohjen e Shtetit të Kosovës, duhet të jetë çështja parësore për të gjitha institucionet e Kosovës, duke veçuar Ministrinë e Punëve të Jashtme që është një nga Ministritë më të rëndësishme të secilit shtet. Jo rastësisht shpjegova për Ministrinë e Punëve të Jashtme të shteteve të vogla, pikërisht që të shërbejë si shembull edhe për shtetin e ri të Kosovës. Pra sot në kohën e zhvillimeve globale, edhe nuk luan rol madhësia e formave klasike të shteteve. E rëndësishme është politika e saj aktive dhe fleksibile që realizohet dhe zbatohet nga Ministria e Punëve të Jashtme, me rolin kryesor kryeministrin e shtetit përkatës.
Stagnimi i njohjeve të shtetit të Kosovës, e dekurajon popullin e Kosovës, se Ministria po realizonë një Politikë të Jashtme të mirëfillt dhe aktive. Përkundër disa të arriturave, përderisa Kosova, nuk është anëtare me të drejta të plota në OKB, dhe organizma tjerë ndërkombëtar, puna dhe veprimtaria e kësaj Ministrie do të radhitet ndër veprimtaritë më të cunguara dhe më dëmprurëse për shtetin e Kosovës.
Pa asnjë dyshim, se edhe në këtë shkrim është reflektuar ajo që reflektohet në çdo hap të politikës dhe shoqërisë kosovare. Fjala është për mbështetjen e madhe që ka Kosova nga bashkësia ndërkombëtare, duke veçuar këtu SHBA-në. Është më se normale edhe përkrahja e Shtetit Shqiptar, për Republikën e Kosovës. Mua personalisht, por edhe shumë atëdhetarëve tjerë, na brengos fakti se mbështetja e tepërt e institucioneve të Kosovës në fuqitë e huaja, do ta kthej Kosovën në një ”trup pa imunitet”, që çon drejtë paaftësisë dhe pamundësisë për tu përballur, me sfidat, me të cilat përballet çdo subjekt ndërkombëtar, e pa dyshim edhe Kosova.
Republika e Kosovës, nëpërmjet Ministrisë së Punëve të Jashtme, duhet, që me çdo kusht të reflektojë para botës, kulturë politike dhe shtetformuese. Të reflektojë interesat e popullit të Kosovës, pavarësinë politike dhe ekonomike, si subjekt i pavarur ndërkombëtar.
***
(Pjesë nga punimi seminarik i autores, ndërsa referencat janë hequr nga editori i portalit)
Prishtinë, 18. 04. 2010
*) Autorja është e diplomuar në Kolegjin Universitar VICTORY – Fakulteti i Politikës Ndërkombëtare dhe i Diplomacisë.