(Prishtinë, 31. 08. 2012) – Varësia e agjendës së Kosovës nga Serbia është evidente. Pra, jo vetëm që agjendën e dialogut e përcakton Serbia dhe rrugëtimi i saj drejt BE-së, por edhe agjendën e hapave politikë në Kosovë po e përcakton Serbia. Dialogu me Serbinë, i quajtur teknik, e që nisi më 8 mars 2011, ishte shkaku kryesor i trazirave qeveritare të vjeshtës së vitit 2010 e që çuan në zgjedhjet e 12 dhjetorit të atij viti.
Dialogu me Serbinë, tash i quajtur politik dhe i paralajmëruar për të ardhmen e afërt, është shkaku kryesor i trazirave qeveritare që veç sa kanë nisur. Dialogu me Serbinë për veriun dhe dialogu me PDK-në për Qeverinë po bëhen i njëjti dialog. Një hap në drejtim të koalicionit qeverisës me PDK-në është po ashtu një hap në drejtim të dialogut politik me Serbinë. Pra, s’bëhet fjalë këtu për dy hapa të ndryshëm por për një hap të vetëm, për të njëjtin hap.
Edhe heqja e mbikëqyrjes së pavarësisë është në funksion të dialogut politik me Serbinë. Sikur të fillonte dialogu politik para datës 10 shtator, atje do të duhej të shkonte Pieter Feithi. Si Përfaqësues Civil Ndërkombëtar, në bazë të Planit të Ahtisaarit dhe, për pasojë, sipas Kushtetutës së Kosovës, pikërisht Pieter Feithi është kreu i shtetit të Kosovës.
……………………………………………..
Edhe në takim me kryetarin e Serbisë, Nikoliq, dhe në takim me kryeministrin e Serbisë, Daçiq, për të negociuar për Kosovën do të duhej të shkonte Piter Feith. Plani i Ahtisaarit që paraqet dyshemenë politike dhe tavanin juridik të Kushtetutës së Kosovës, ia garanton Piter Feithit këtë gjë por edhe e imponon Piter Feithin për këtë gjë. Dialogu i mëhershëm me Serbinë u quajt teknik dhe e evitoi Pieter Feithin duke ecur nën radarin e tij. Dialogu gjithsesi politik për veriun është tepër i madh për t’u neglizhuar.
Në anën tjetër, Pieter Feith është garancioni i Planit të Ahtisaarit ashtu siç e kodifikon Aneksi IX i këtij plani. Ai përkujdeset që Plani i Ahtisaarit do të zbatohet dhe do të respektohet. Ai siguron që asgjë nuk mund ta anashkalojë Planin e Ahtisaarit apo t’i sipërvendoset atij. Ai është instaluar përmes Planit të Ahtisaarit por edhe paraqet instancën që është kompetente për interpretimin e tij. Pieter Feithi është gardiani i Planit të Ahtisaarit si germë dhe si frymë.
Dihet që dalogu politik me Serbinë nënkupton kompromisin për rezultat të tij. Dialogu për veriun me Serbinë është dialog për autonominë e veriut nga Kosova. Duke e trajtuar veriun veçmas, veriu fiton status të veçantë. Duke e bërë këtë trajtim me Serbinë, ky status është status i Serbisë brenda Kosovës. Pra, do të shkohet përtej Planit të Ahtisaarit dhe këtu Pieter Feith na shfaqet si pengesë legale dhe juridike.
Ose, së paku, do të ketë interpretim të ri të Planit të Ahtisaarit, interpretim liberal në favor të Serbisë, interpretim ky që duhet të varet nga dialogu politik dhe jo nga Piter Feithi. Çfarëdo marrëveshje e Qeverisë së Kosovës me Serbinë në dialogun politik për veriun do të mund të rrezikohej nga Pieter Feithi.
Mbyllja e Zyrës Civile Ndërkombëtare, e parë në vetvete, duket pozitive. Po hiqet mbikëqyrja e pavarësisë dhe do të kemi pavarësi pa mbikëqyrje, pra pavarësi të plotë. Mirëpo, kur e vendos këtë gjë në kontekstin aktual politik të dominuar nga përgatitjet për dialogun politik me Serbinë, sakaq nxjerrin kokë motivet e mbrapshta dhe pasojat e dëmshme.
Kosovës po i hiqet mbikëqyrja e pavarësisë që t’i hiqet veriu i vendit. Nuk po hiqet mbikëqyrja e pavarësisë për më shumë shtet por për më shumë pushtet. Dhe, ky pushtet po rritet që të zvogëlohet shteti. Qeverisë po i shtohen kompetencat për t’iu zbritur prerogativat shtetërore Kosovës. Nuk është ky dialog politik për problemet në veri dhe për zgjidhjet e tyre sepse asisoj do të dilte që Serbia është problemi. Ky dialog e presupozon Serbinë si faktor të zgjidhjes së problemit ndërkohë që Serbia e konsideron pavarësinë e Kosovës për problem.
Andaj do të synohet një zgjidhje e mesme, e ndërmjetme, ku veriu nuk ndahet e nuk pavarësohet plotësisht nga Kosova por as shteti i Kosovës nuk e kontrollon përnjëmend atë pjesë. Shumëçka po merr ngjyrën dhe shijen e Marrëveshjes së Daytonit që e sakatoi Bosnjen: autonomia e veriut do të jetë më shtet sesa shteti i Kosovës, ngjashëm sikurse në Bosnje ku Republika Srpska është më shumë shtet sesa vetë shteti i Bosnjes.
Ndërkohë qytetarët e Kosovës bombardohen me opinionin e njëjtë të regjimit dhe shoqëruesve të tij që aspiron të shndërrohet në fakt të ri e lajm të vjetër: dialogu politik është i pashmangshëm. Duke e ditur mirë që ky dialog nuk është as i drejtë dhe as i dobishëm kanë zënë e thonë se ai është i pashmangshëm. Pra, ai na prezantohet si fat yni kolektiv e shtetëror që s’e evitojmë dot.
Konstatimi i këtillë mbi domosdoshmërinë e dialogut politik me Serbinë, po u pranua, sigurisht që shndërrohet më pastaj në motorin e organizimit të gjithë skenës politike në Kosovë. Mirëpo, pse na qenka i pashmangshëm ky dialog? Pse ai parqet bazamentin e çfarëdo rruge të mëtututjeshme? Pse nuk na e sqarojnë këtë gjë? Në fakt, ka një sqarim i cili është shndërruar madje në sqarim kujdestar: presioni ndërkombëtar!
Mirëpo, tash ky presion nuk sqarohet më tutje. Pse ky presion ndërkombëtar mbi qeveritarët kosovarë dhe kryeministrin? Dhe, pse kaq i madh saqë i papërballueshëm? Pse është i mundur ky presion? Cila është natyra dhe përmbajtja e këtij presioni? Me fjalë tjera, çka po i thonë ndërkomëbëtarët kryeministrit dhe qeveritarëve të tjerë kur po bëjnë presion mbi ta? Si duket një fjali e presionit? Pse tek Lëvizja VETËVENDOSJE! nuk po vijnë të bëjnë presion?
Konkretisht nuk e dimë, por përgjithësisht secili qytetar i Kosovës e di përgjigjen në këto pyetje. Presioni ndërkombëtar mundësohet nga dosjet e politikanëve. Këto janë dosje të shkeljeve të mëdha ligjore, dosje të korrupsionit e të krimit. Këta qeveritarë nuk mund të mbesin në liri pa mbetur edhe në pushtet. Këtë dialog me Serbinë e bën të mundshëm jo thjesht dëshira, por nevoja e paepur për pushtet e kësaj Qeverie.
Ata duan të mbesin me çdo kusht në pushtet si parakusht që të mbesin në liri. Edhe nëse për këtë gjë zvogëlohet shteti ku ata e ushtrojnë pushtetin. Prandaj po na kërcënon ky proces ku qeveritarët kosovarë janë fort të kushtëzuar ndërkaq Serbia edhe me një qeveri nazifashiste në pushtet është krejtësisht e pakushtëzuar.
Të gjithë ata që shprehin mirëkuptim për politikanët që ndodhen nën trysninë ndërkombëtare, në fakt, shprehin mirëkuptim për korrupsionin e atyre politikanëve. Ku s’ka korrupsion vendor, s’ka presion ndërkombëtar. Me këtë kryeministër, më këta qeveritarë e politikanë të tjerë, që faktorëve ndërkombëtarë nuk dinë t’u thonë asnjëherë për asgjë JO, dhe që madje nuk u thonë as PO, por ANI, bën gabim të madh kushdo që sadopak u beson a shpreson në ta.