Itali, 21. 05. 2016: Ky shkrim është një përgjigje për ata që duan të minimizojnë gjenocidin grek ndaj çamëve, duke e thjeshtëzuar në “çështje fotosh”, qofshin historianë, politikanë, akademikë, të huaj apo të vendit, që marrin përsipër ngarkesa, të cilat i zhysin në thellësitë e injorancës, servilizmit dhe mercenarizmit. Për të sqaruar opinionin vendas dhe të huaj, e shohim të arësyeshme të ndalemi shkurtimisht tek shkrimi:
“Plasari replikë me Shpëtim Idrizin”. “Do një çam që bashkpunoi me nazistë? Ke Napolon Zervën. Në duar të kujt ka rënë “çështja çame” dhe Kuvendi i Shqipërisë. Gjithë kapadaillëk tipik injorantët deputeti, një herësh kryetar i PDIU-së si dhe nënkryetar i Kuvendit të Shqipërisë, e paskësh sfiduar ministrin shqiptar të Punëve të Jashtëme me fjalinë bombë kalamajsh: “ I thuaj Nikos Katzias që të gjejë një fotografi të vetme të ndonjë çami me ndonjë nazist dhe unë po të them se do ti jap foton e Napoleon Zervës me nazistët”! Shkurt fjala: bast për një “foto të një çami me nazistët” përkundër një” fotoje të Zervës me nazistët”. Por si i bëhet që një çam është pikërisht krimineli Napoleon Zerva, madje suliot i pastër?. Pra, një foto e Zervës me nazistët është pikërisht një foto e një çami me nazistët. Quod erat demonstrandum. Çka duhet vërtetuar” shkruan Plasari. (Sipas gazetës Tema, të datës 09.04.2016).
•••
Nga sa sipër e ndjej të nevojshme të sqaroj disa nënkuptime, të cilat do i shërbejnë historisë dhe aspak replikantëve që koha na i paraqet.
Së pari, për shprehjen latine, e cila në shqip përkthehet, ose kuptohet: ”Kjo u demonstrua“. Pra profesori ynë, me entuzizëm dhe plot krenari na e gjeti foton e një “çami” që paska bashkëpunuar me nazistët dhe ky na qenka “çami Napoleon Zerva”. Po të isha në sallën ku është deklaruar kjo gjetje, do të kërkoja “duartrokitje frenetike”, dhe ovacione, si dikur që bëheshin në kohën time dhe të të ndjerit Ndreçi Plasari. Por, pasi mendova pak, mu kujtua që shteti Grek i djeshëm dhe i sotëm, nuk na e pranojnë këtë foto, sepse ai, Napoleoni, sipas grekëve “nuk ka bashkëpunuar me nazistët”, ndryshe si mund të arësyetohet dhe argumentohet që ai njihet si “Zervas Napoleon-stratigos etnikos arhigos- ethnikis antistatos 1941-1945” (Strateg, arkitekt i Rezistencës së përgjithshme kombëtare greke), hero i Greqisë dhe me monumente të shumta në rajonin e Çamërisë si dhe brenda, mu në mes të Athinës?!. Për këtë çështje faktike, mendoj se Aurelit, i duhet të sqarojë më shumë opinionin publik brenda dhe jashtë Shqipërisë. Po kështu, meqenëse profesori na e deklaron dhe e vërteton këtë realitet të Napoleonit (pala jonë e di të vërtetën), duhet të argumentojë edhe anën tjetër të ngjarjes, pikërisht atë se si mundet që Napoleon Zerva, si nazist, të akuzonte çamët si bashkëpunëtorë me nazizmin dhe të kryente masakra e dëbime masive ndaj bashkëpuntorve të tij me nazizmin?. Apo mos vallë përdor lojë fjalësh për të thënë të vërtetën që bashkëpunëtor me gjermanin ishte Napoleon Zerva, por Zerva mashtroi për çamët, pasi del qartë që ata nuk ishin bashkëpunëtorë me gjermanin! Nëse është ky mendimi i profesorit, unë them se ka deklaruar të vërtetën!.
Së dyti, edhe më naivët e kanë shumë të qartë se kriminelët, diktatorët, vrasësit, janë “looking monstres” ( njerëz me pamje përbindëshi) dhe nuk mund të dallohen nga origjina, prejardhja, besimi fetar, ngjyra dhe as vlerësohen nga kjo anë, ashtu si Hitleri, vërtet ishte gjerman, por nuk u bë kriminel se ishte një gjerman, apo……shumë të tjerë, që me siguri i di mirë edhe vetë Plasari. Megjithatë, për efekt sqarimi e marrim se ishte çam. Profesori e di se para shekullit të shtatëmbëdhjetë, të paktën në rajonin e Ballkanit, nuk kishte shtete të mirëfilltë, në ata shekuj mbretëronin perandoritë, si ajo romake, bizantine dhe më pas otomane. Ndërsa në rajonin ku po replikohet për të realizuar mbrojtje për dy të palët që bëhet fjalë, historikisht i gjejmë mbi baza fisesh, konkretisht fisi i arbërit me nënfiset përkatëse, epirotët (me fiset e thesprotëve, mollosëve, kaonëve), thesalët, peloponezët, thrakët, athinasit, spartanët etj. Fise të cilat më pas kaluan në organizime shtetërore dhe nga emërtime të veçanta, u quajtën me emra të përgjithshëm si: shqiptarë, epirotë të etnisë shqptare, grekë, vllehë etj.
Një sqarim tjetër, besoj historianët, shkrimtarët, apo gjuhëtarët duhet ta dinë, se në rajonin e Thesprotisë (nga mesjeta e këndjet të Çamërisë), është përfshirë dhe përfshihet territori i Sulit, por banorët e sulit, që u pagëzuan me emrin suliotë, nuk i përkasin fisit të thesprotëve-çamëve, ata janë të ardhur atje, andej nga fillimet e shekullit të XVII-të prej trojeve të tjera shqiptare. Ndërsa zervatët, që nuk janë çamë as që diskutohet, por thuhet se janë fise vllehe të ardhur kohë shumë më parë. Sqarimi bëhet jo për të lehtësuar çamët, por për të ditur të vërtetën.
Ashtu si krimineli nuk gjykohet nga origjina edhe Napoleoni apo stërgjyshi i tij Nikollas, arvanitasit Karaiskaqi, kapetani Theodhori Grivas etj. që kanë vrarë çamët, nuk mundet që historia ti gjykojë nga origjina, për faktin se për pavarësinë e Greqisë, u përfshinë të gjithë banorët e jugut të Ballkanit, pavarësisht nga origjina, si vetë grekët e pakët, arvanitasit e shumtë, çamët myslimanë e të krishterë, vllehët dhe të tjerë, të cilët pa dallim feje, krahine dhe ideje luftuan kundër Rusisë, Turqisë dhe Ali pashë vrasësit dhe fituan. Dihet suliotët me ndërrimin e identitetin etnik në atë fetar, humbën Sulin dhe u shkërmoqën, disa në ishujt e Jonit dhe pjesa tjetër në Korfuz, ata e quajnë veten grekë, ashtu i quan edhe vetë greku.
Ndërmjet periudhave të ndryshme kohore, siç njihen nga historia, ka marrëveshje dhe koalicione para dhe pas tyre, të cilat, të shumta në raste janë shkelmuar nga pala greke, sepse mjeshtrat e institucioneve fetare arrinin të ndërsenin popujt mes tyre duke përdorur besimin fetar ortodoks. Dallime këto që për 200 vjet, kanë sjellë masakra, gjakderdhje, mes banorëvë të besimeve të ndryshme, gjithmonë kryesimin e tyre historia na e lidh, për fat të keq, me institucionet greke të besimit ortodoks, pavarësisht nga etnia e tyre. Këto fakte i trajton historia, që nga fillimet e shekullit të XIX-të, e vërtetuar me kulmin e saj atë të vitit 1854, ku shumica e kryengritsave ishin arvanitas që gjoja nën pretendimin se luftonin perandorinë otomane, bënin masakra, vrasje dhe rrëmbime pasurish ndër trojet e banorëve të Thesprotisë dhe Thesalisë, me kapedanë të kryengritjes arvanitasit Griva, Karaiskaqi etj. që në fakt nuk luftonin kundër otomanëve, por me vllezërit e fisit, si kundër Qemal Bejdeshatit, Hamit bej Çaparit, Zejnel Husos, apo labit Mahmut bej Vlora (gjyshi i Ismail Qemalit) etj. por që institucionet fetare u kishin futur në kokë “trutë e karrakaçes” (laraskës) me përcaktimet bajate të kombit se: myslimanët janë turq dhe ortodoksët janë grekë.
Së treti, dëshiroj të sqaroj opinionin në tërësi se kur arrihet të thjeshtohen çështjet kombëtare, duke vendosur “baste fotosh”, siç shprehet profesori (besoj titullin e ka të dokumentuar) konstatohet një tjetër keqardhje: Mjerim në arësyetimin intelektual dhe trishtim për shkarje nga objektivizmi në subjekivizëm, sigurisht nuk i mendoj të qëllimshme, por që ndodhin për arësye të kundërshtive të panevojshme mes palëve politike, ngjarjeve rutinë, të rëndomta, të cilat kanë mbërthyer prej vitesh shoqërinë tonë. Të kërkosh një “foto” dhe me zell ta gjesh një “foto”(nëse vërtet qëndrojnë këto replika) pas 72 vjetësh të asaj masakre, nuk besoj se do të vlejnë si dokumente për të vërtetuar masakrat greke të viteve 1913-’45. Të mbivlerësohet një apo dy foto, dhe të anashkalohen masakrat, rrëmbimet e pasurive dhe dëbimet masive të një komuniteti, të faktuara, të dokumentuara, të njohura edhe nga pala greke, pavarësisht justifikimeve që përdor, mendoj se duhet përcaktuar si paaftësi juridike, diplomatike, sociale, të cilat me kohë shpien në frazat e para të tregimit të përrallave “na ishte, ç’na ishte njiherë”, sigurisht kjo nuk do të ndodhë, sepse të vërtetat, sa do të bëhen përpjekje për ti fshehur e fshirë, siç është verpruar, ajo çështje po rritet dhe po i afrohet zgjidhjes.
Për të shuar kureshtjen e ndokujt dhe për të mos u lodhur nëpër arshiva për gjetjen e ndonjë apo më shumë fotoje, mbështetur në të dhënat historike dhe dëshmitë e kohës, si të palës zerviste, përfshirë dhe misionerët e aleatëve dhe të palës së viktimës, përfshirë edhe forcat ndërluftuese të majta të Greqisë. Në ato vite, bashkë me mbi 30 mijë grekë të kryesuar nga mbreti Ioannis Rrallis dhe qeveria kolaboracioniste e gjeneral Tsolakoglou, me forcat e EDES-it dhe me okupatorin, kanë marrë pjesë edhe 70 djem dhe vajza çame; ndërsa me forcat e majta EAM-in që luftonin kundër EDES-it dhe okupatorit, për çlirimin e Greqisë kanë marrë pjesë 700 dejm dhe vajza çame. Shumica e banorëve të rajonit të Çamërisë, nuk muarën pjesë dhe nuk bashkëpunuan as në luftën e Greqisë ndaj okupatorit dhe as me okupatorin. Në fakt, në zonën e Çamërisë nuk u zhvillua luftë ndërpalëse, Gjermani-Greqi. Në atë periudhë forcat gjermane tërhiqeshin në drejtim të Shqipërisë.
Së fundi e falenderoj profesorin, që me “gjetjen” e tij tepër qesharake, na dha mundësinë të bëjmë të qartë se “Çështja Çame”, nuk është çështje fotosh, as nuk ka mbetur tek një apo dy persona për tu nëpërkëmbur apo për të synuar në shurjan e saj.
Gjithashtu pa vlerë mbetet edhe ndonji qëllim për të thënë se: “shqiptarët, apo çamët kanë vrarë njëri-tjetrin”, pasi siç u tha kriminelët, dikatorët kushdo qofshin, nuk gjykohen nga origjina, persona të tillë dhe turma që i shoqëron, nuk kanë atdhe, ata janë monstra që paracaktojnë fundin e tyre si plehëra, fundërina të shoqërisë njerëzore. A nuk u vranë para 26 -27 vjetësh rreth 1,5 milionë rumunë nga dikatotri dhe dikatatura e kohës? Edhe ai vrasës, pavarësisht nga origjina, mbetet në histori kriminel, diktator dhe njeri i yrryer për mbarë njerëzimitn, ashtu si vëllai i Napoleon Zervës- Sllobodan Millosheviçi, etj.
“Çështja Çame”, është çështje e krijuar si rrjedhojë e filozofive fetare, ku përcaktimi i kombit diktohet nga institucionet fetare, nga idetë subjektive dhe jo nga realitetet objektive. Pikërisht është ky gjenocid fetar dhe racist esktremist, që turpëron dhe çvlerëson idetë subjektive të ndarjeve të popujve të ndryshëm në komb grek, komb turk, etj. Aplikimi i filozofisë së mësipërme, tek komuniteti çam mysliman, ku ranë në kurth edhe drejtues të shteteve të fuqishme europiane, vërtetoi jo vetëm dështimin e plotë dhe të turpshëm të saj, por ka tronditur fort dhe predikimet e institucioneve fetare përkatëse, duke çoroditur qendrimet në vetë shoqërinë civile greke. Një filozofi e dështuar, patjetër ndikon në ndërgjegjësimin e elitave intelektuale të çdo kombi.
Një ndërgjegjësim të tillë të sinqertë e shohim edhe në studimet e një grup profesorësh grekë të Universitetit Pandio të Greqisë, të cilët pranojnë gjenocidin grek mbi popullsinë çame. Në studimin e tyre deklarohet se “…77 çamë të Paramëthisë janë ekzekutuar nga forcat e EDES-it, vetëm për shkak të kombësisë së tyre”, duke i vijuar deklarimet se: “50 mijë çamë të Epirit janë dëbuar ose vrarë nga Ushtria Revolucionare Çlirimtare Greke (EDES, forcat e djathta të Greqisë) gjatë periudhës së Luftës së Dytë Botërore”.
Një e vërtetë historike, e deklaruar në katedrat e dijeve, brenda shtetit vrasës, ku përgënjeshtrohen strategjitë e mashtrimeve, shpifjeve dhe që rrëzohen akuzat ndaj çamëve myslimanë nga vetë elita e dijeve greke, nuk mund të mos sillte reagimet e kundërta në mbrojtje të gënjeshtrave dhjetra vjeçare, sikundër dhe mbrojtja e punës nga profesorët. Kështu të pranishnit në sallën e Universitetit Pandio, kryesisht studentë grekë dhe pedagogë kundërshtuan studimin, duke thënë se “fashistët (duke iu referuar çamëve) atë meritonin, ndërsa Lambros Bulciotis, një prej hartuesve të studimit tha se: “ky është thjesht një studim shkencor, që nuk tenton të futet në situata politike. Ne, thjesht paraqesim faktet, që ekzistojnë dhe asgjë më shumë”. Duke vazhduar konkluzionet e studimit ku thuhej se: “Vorio-epirotasit” bashkëpunuan me forcat naziste në Shqipërinë e Jugut (kjo nënkupton se nuk ishin çamët që bashkëpunuan me okupatorin, por ishin shtetas të Shqipërisë:-FD) dhe se tokat dhe pronat e shqiptarëve në Thesproti (Çamëri) i u dhanë mikrasiatëve”(kupto: tokat e çamëve u grabitën dhe ju dhuruan ardhacakëve aziatikë:-FD). Këto arritje në studim, ku hidhen poshtë mashtrimet për bashkëpunimin e çamëve myslimanë me pushtuesit, tek të pranishmit sollën çoroditje dhe irritime të ashpra, por pavarësisht nga kjo pedagogët nuk pranuan të ndryshonin asnjë presje në studimin e tyre. Meqë salla duhej qetësuar, profesor Konstandinos Ciceliqis, një ndër hartuesit e studimit i u drejtua sallës: “nuk po flasim për çështje kombëtare por për çështje historike dhe për fakte të dokumentuara, të cilat sot po i paraqesim”.
Para këtij studimi, është kryer edhe nji studim tjetër që pranon gjenocidin grek ndaj çamëve, i cili është hartuar nga profesori grek i Universitetit të Jeillit (Yale) në Shtetet e Bashkuara, z. Stathis Kalivas. Në studimin e tij ndër të tjera ai shkruan: “ky rast është padyshim një gjenocid. Pyetja që mbetet është nëse kemi të bëjmë me një (gjenocid) të parapërgatitur nga qendra (drejtuesit e ushtrisë), apo nëse erdhi nga veprime hakmarrjeje në nivel lokal. Mendoj se diferenca mes këtyre të dyjave është shumë e vogël. Megjithëse, EDES-i ishte një organizatë e përqendruar ku, në ndryshim nga EAM, drejtuesit qendrorë mund të kontrollonin lehtë ushtarakët lokalë, asnjë fakt nuk tregon se udhëheqësit kishin dëshirën më të vogël (apo reale) për t’i ndaluar (të kryenin gjenocidin). Rrethanat politike të shtatorit të vitit 1944 lejonin “zgjidhjen përfundimtare” të çështjes çame, dhe sipas mendimit tim, EDES-i nuk u frenua për të përfituar nga rasti”.
Gjenocidi grek ndaj çamëve, ishte i parapërgaditur, pasi ngjarjet e njëpasnjëshme kundër komunitetit çam nga shteti Grek, nga viti 1913 e deri në vitin e masakrave, përfshi shpërnguljet tërësore dhe nga ana tjetër mos ngarkimi me përgjegjësi penale të atyre që e organizuan, përkundrazi ata quhen heronj të Greqisë, nuk lënë asnji hapësirë për të çliruar shtetin Grek nga përgjegjësia dhe gjykimi ndërkombëtar për atë gjenocid. Në këto rrethana, besoj edhe profesor Plasari arrin ta kuptojë se “Çështja Çame” nuk është thjeshtë çështje fotosh, as gjetja se “shqiptari vret shqiptarin”, pasi ai gjenocid ishte përgaditur në tryezat famëkeqe të institucioneve shtetërore dhe kishtare greke.
Argumentet ligjore, llogjike, ushtarake, kadastrale, sociale, për “Çështjen Çame”, ekzistojnë dhe, në dijeninë time, janë të gatshme për tu paraqitur në Parlamentin shqiptar, për të marrë miratimi e nisjes së proçedurave në mbrojtje të kësaj çështjeje kombëtare, prandaj nga profesori dhe nga kushdo që është i ndërgjegjshëm kombëtarisht për të ndikuar në zgjidhjen e problemeve, kërkohet të jepen kontributet shkencore, politike, diplomatike, juridike dhe historike, pa qenë nevoja për replika boshe, të pavlera për nivelet që pretendohet apo përfaqësohet.
Fahri Dahri, Itali, më 21 /majl /2016