Dubovik, 21. 05. 2016: Familja jonë Gërvalla në Kosovë, në Shqipëri dh në diasporë jemi tepër të shqetësuar për incidentin e mbrëmshëm që i ka ndodhur vajzës sonë, Donika Gërvalla, nga struktura klanore e Isa Mustafës, kryetar i LDK-së.
Bija jonë mbrëmë po insistonte të merr pjesë në mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm të LDK-së, si kryetare e degës së kësaj partie në Gjermani.
Elementë të klani të Mustafës, duke e ditur qëndrimin e Donikës për t’ia kthyer dinjitetin kombëtar kësaj partie, ashtu si e kishte në kohën e dr. Ibrahim Rugovës, jo vetëm që nuk e kanë lënë të marrë pjesë në mbledhje, por fizikisht, duke e tërhequr zvarrë, nuk e kanë lënë të hyjë në sallë.
Ky incident i parapërgatitur, tepër i rëndë jo vetëm për një femër, na e ka kujtuar kohën e regjimit pushtues serb, për të cilën ka luftuar e tërë familja jonë, duke dhënë madje edhe dy heronjë.
Ky incident jo vetëm që ka nëpërkëmbur dinjitetin njerëzor të vajzës sonë, por është edhe një sulm i rëndë kundër fjalës dhe mendimit të lirë, të cilat janë vlera themelore dhe universale të një shoqërie demokratike, për të cilën trumbeton se po punon vetë klani i Mustafës. Këto vlera qytetëruese, për të cilat punon bija jonë, janë shkelur aq brutalisht në kohën kur e tërë bota ka sytë të kthyer kah shoqëria jonë dhe nga të gjitha veprimtaritë shtetndërtuese të kësaj fryme.
Donika Gërvalla Tërhiqet Zvarrë nga Mbledhja në LDK !
Ne si familje me tradita kombëtare me frymë të mendimit të ri shtetëror, kombëtare dhe demokratik, e dimë mirë se kjo frymë është në kundërshtim të thellë me ideologjinë të komunizmit sllav, të cilën e ka në shpirt, si tani, si më herët, e njëjta strukturë që ka sulmuar vajzën tonë, ashtu si ka sulmuar edhe tani edhe më parë vlerat e lirisë të Kosovës, duke përfshirë të gjitha lëvizjet kombëtare dhe çlirimtare, prej viteve të ’80-ta e deri më sot.
Ne familja Gërvalla, por edhe shoqëria jonë në përgjithësi, do të mbështesim edhe më tutje mendimet dhe veprimet, që kanë vlera kombëtare, shtetërore dhe demokratike, kundër të cilave ka ndodhur ky incident. Vetëm me këto vlera mund të shkojmë përpara për të ndërtuar shtetin dhe shoqërinë demokratike, në të cilën ka vend shprehja e mendimit të lirë, e pranueshme për tërë qytetërimin evropian dhe botëror.
Edhe diçka Isë: Në identitetin tonë kombëtar dhe ate historik, femra ka qënë institucion dhe vlerë e paprekshme e shoqërisë sonë.
Isë, siç e di edhe ti, familja jonë gjatë gjithë historisë është persekutuar, bastisur, kontrolluar, burgosur, syrgjynosur, terrorizuar me qindra herë nga UDB-ja serbe dhe ajo Jugosllave, por edhe ata asnjëherë nuk kanë zbritur në nivelin tënd dhe të klanit tuaj.
Dubovik, 21 maj 2016
Për familjen GËRVALLA
Hysen Gërvalla