PROF.DR. KUDUSI LAMA: JETA E HEROIT ËSHTË NJË HISTORI, LUFTA E TIJ ËSHTË NJË EPOPE!

Pashtriku.org, 31. 05. 2016 – Më 27 maj 2013, Shoqata e të Burgosurve Politikë e Kosovës, (në Bibliotekën Kombëtare dhe Universitare në Prishtinë), dhe më 28 maj, Organizata e Veteranëve të Luftës së UҪK-së në Pejë, (në ambientet e Teatrit “Istref Begolli”), promovuan librin e veprimtarit Ibish Neziri “Këtu jam për t’i luftuar armiqtë” – kushtuar Dëshmorit të Kombit, Xhemajl Fetahaj. Në promovim, morën pjesë shumë intelektualë e bashkëveprimtarë të dëshmorit, që veprojnë në institucione dhe në shoqata të ndryshme në Kosovë. Gjithashtu, në këtë promovim të librit nga Gjermania kishte ardhur bashkëshortja e dëshmorit, Besa bashkë me fëmijët Arianin dhe Erëzen.
Në 17 vjetorin e rënies së Xhemaj Fetahajt, pashtriku.org, boton kumtesën e Prof.Dr. Kudusi LAMA, Gjeneral: “JETA E HEROIT ËSHTË NJË HISTORI, LUFTA E TIJ ËSHTË NJË EPOPE!”
***
Promovimi i veprës “Këtu jam për t’i luftuar armiqtë”, të autorit Ibish NEZIRI, për dëshmorin Xhemajl FETAHAJ, që e bëjmë sot, është një simbolikë që madhëron pasurinë e vlerave të Kosovës dhe të gjithë kombit shqiptar.
Vlerat e librit në fjalë janë shumë dimensionale. Së pari, është një libër i shkruajtur prej një gazetari, publicisti dhe veprimtari të kahershëm, i cili duke njohur veprimtarinë dhe shpirtin kombëtar të luftëtarëve të Ushtrisë Ҫlirimtare të Kosovës, nuk ka mundur të mos tentojë të vazdojë ndërtimin e veprës aty ku e kannë lenë deshmorët. Së dyti, se autori në këtë ecje në rrugën e krenarisë, ka përzgjedhur të sjellë mes nesh portretin e njerit prej atyre që i duket se ka njohur më mirë e që arrinë ta përjetojë më mirë jetën e tij prej veprimtari, luftëtari e prej dëshmori. Së treti, se ai ka thirrur ne ndihme edhe te gjithe ata që e kanë njohur e që kanë qenë bashkëveprimtarë e bashkëluftetarë të heroit.

Xhemajl Fetahaj për jetën e tij, qendresën e tij, veprimtarinë e tij, pathyeshmërinë e tij, dashurinë e tij, besimin e tij në fitoren, dëshiren e tij për ta parë popullin dhe atdheun e tij në unitet dhe të lire, luftën dhe sakrificën e tij duke dhënë jetën për çlirimin e atdheut nga pushtuesi, meriton gjithë përuljen tonë. Meriton piedestalin e lartë në rrugën e të adhmes kombëtare.
Libri i shkruar me shumë dashuri për të, është një obelisk i gdhendur me kujdes, për ta portretizuar sa më mirë me gjithë bukurinë e tij dhe përmasat e veprës së tij, që të jetë përjetësisht pranë qytetarëve të vendit të tij.
Të shkruash jetëshkrimin e dëshmorëve është një investim historik me vlerë. Nëpermjet shkrimit të monografisë për dëshmorin e për dëshmorët, krijohen përmasat reale të vlerave të luftës për liri. Pa të rënët nuk mund të mendohet çlirimi i atdheut. Ashtu sikurse pa nderimin dhe piedestalin e të rënëve, nuk mund të ketë siguri e ardhmëri vetë atdheu. Momente të tilla janë treguesit e garancisë së të ardhmes. Pa këto shfletime si ky i sotmi as populli nuk mund të ketë lumturi.
Përmasat e dëshmoreve janë të pa përshkrueshme, por jeta e tyre, vepra e tyre dhe sakrifica e tyre është obligim për të gjallët të shkruhet me besnikëri dhe me të gjitha detajet e mbarësive dhe kundërshtive, pasi vetëm kështu mund t’i japim kohës tonë përmasat që ka dhe të lëmë trashëgiminë e nevojshme për shkrimin e historisë së atdheut e të kombit nesër.
Ne nuk mund të pretendojmë që të bëjmë përsosmërinë, por të bëjmë atë që na duket e arrirë dhe e nevojshme duke evidencuar vërtetësinë.
Përkushtimi i Ibish Nezirit për të realizuar këtë vepër monografike për dëshmorin e kombit Xhemajl Fetahaj, duhet përgëzuar, nderuar dhe respektuar, por edhe duhet marrë si shembull për t’u angazhuar sa më shumë në këtë veprimtari, kryesisht luftëtarët, veprimtarët dhe të gjithë shqiptarët. Por gjithnjë duke ndërtuar atë histori që ka ndodhur, sepse “vendi ynë është kaq i pasur, sa nuk ka nevojë të bëjmë as histori e as art, por vetëm të evidencojmë histori dhe art” – ka thënë akademiku profesor Rexhep Qosja.
Në kushtet e sotme të promovimit të kësaj monografie, “më lumturon fakti që kjo nismë me shumë përgjegjësi është bërë realitet dhe që autori i librit Ibish Neziri, i cili gjithë jetën e tij ia ka kushtuar veprimtarisë për çështjen kombëtare dhe në këtë rrjedhë vjen edhe angazhimi i tij për të madhëruar figurat që me veprën, luftën dhe jetën e tyre ndryshuan kahen e zhvillimit kombëtar shqiptar. Një nga gurët e kështjellës së madhështisë kombëtare është edhe monografia në fjalë, për veprimtarin, luftëtarin dhe dëshmorin e kombit e të atdheut Xhemajl Fetahajn”.
“Që në titull të monografisë “Këtu jam për t’i luftuar armiqtë”, që është shkëputur nga thënjet e vetë dëshmorit, jepet një mesazh shumë i fuqishëm, nëpërmjet të cilit kuptohet se të gjithë të lindurit shqiptar, nuk janë të lindur rastësisht, por se ata i duhen atdheut e kombit të tyre për t’i dalë zot në ditë të vështira, kur ai të ketë më së shumti nevojë për ta. Pra jepet standarti i qënjes së çdo shqiptari, për hatër të atdheut e kombit, për t’i mbrojtur ata me luftë të rreptë ndaj të gjithë armiqëve që i rrezikojnë”.
Anipse sot ne po ballafaqohemi edhe me tentativën për të na e shëmtuar luftën. Këtë e tregon edhe rasti i akuzave të ngritura nga segmente të thirrura në emër të Europes e të ligjit ndaj një grupi të kuadrove drejtuese të Luftes Ҫlirimtare të Kosovës, e u bë prezent ditët e fundit. Unë mund t’i them me bindje popullit të Kosovës dhe gjithë popullit shqiptar e gjithe botës, se Lufta Ҫlirimtare e Kosovës ishte një luftë e madhe, një luftë e cila e detyroi Europën dhe botën moderne që të bëjnë drejtësi, duke u bërë edhe vetë luftëtarë të kësaj luftë. Aq e madhe ishte ajo luftë, sa që i dha shanse botës të rishikojë gjithë rrugën e saj historike. I dha shanse Europës të kthejë shikimin nga gabimet e veta dhe të zyrtarizohet duke i marrë në gji gjithe qytetarët e saj me të drejta të barabarta. Por ja që në këtë rrugë ka akoma ashtu shtrigëri si të hershmet, që akoma mendojnë dhe veprojnë si në kohën e hershme. Akoma shkohet me aplikimin e ideve të barazimit të pushtuesit dhe çlirimtareve, duke tentuar t’i kriminalizojnë luftëtarët e lirisë. Por faktet u kanë dhënë goditje të vazhdueshme në Gjykatën e Hagës me gjyqet e Fatmir Limajt, Ramush Haradinajt, Lahi Brahimajt e të tjerëve, ashtu do të marrin goditjet e radhës edhe me gjyqin që po zhvillohet s’dyti ndaj Fatmir Limajt e së fundit me akuzat ndaj Sami Lushtakut, Sylejman Selimit e të tjerëve. Faktet janë kokëforta, njerëzit tashmë janë zgjuar, opinioni di të përcaktojë fajtorët, akuzatorët dhe gjyqtarët është mirë të bëjnë drejtësi, por jo duke u zvarritur me shpresën se mos gjendet ndonjë dëshmi në ndonjë humbëtirë.
Prandaj edhe ndihem sot i lumtur që vjen Ibish Neziri e na sjellë një përmendore për lavdinë e asaj luftë që na solli lirinë dhe na jep përjetësisht krenarinë dhe mësimin e madh se si mund të mbrohet e çlirohet atdheu.
“Ky libër pra është një skulpturë përjetësimi e kësaj pjese të historisë shqiptare, që me gjithë dhembjen që na shkaktoi armiku, erdhi heroike dhe madhëroi kombin shqiptar”.
“Duke ndërtuar këtë monografi realisht autori na ka sjellë një kronikë lufte. Një kronikë që nuk fillon në vitin 1997, kur UҪK-ja doli publikisht para armikut, por një kronikë që tregon se si populli shqiptar në trevat e Kosovës ka luftuar në të gjitha kohët.
Kjo kronikë vërtetë është e pjesëshme, por është një model se si mund të bëhet sa më e pastër historia, si mund të vishet ajo me të gjitha veprimet që e kanë shoqëruar në kohë.
Duke përshkruar vendlindjen e heroit, na vjen në vemëndje gjithë historia kombëtare, gjithë vuajtjet dhe rezistenca. Sepse ashtu si Raushiqi, çdo fshat i Kosovës ka histori të pasur jete, Veprimtarie kombëtare, vlerash historike e kulturore, vlerash familjare, rezistence, qëndrese, uniteti dhe vrulli të pandalur për lirinë e atdheut e të kombit.
Ashtu duke sjellë fëmijërinë e dëshmorit autori na jep një tablo shumë interesante të dinamikës së jetës dhe të shkollimit të femijëve në Kosovë, që nuk do të kishte rrugë tjetër veçse në atë të angazhimit politik e ushtarak për t’i dhënë vendit lirinë e dëshiruar.
Gjatë ndërtimit të veprës ka dalë në pah shumë qartë gdhendja graduale e heroit, në përplasje me jetën, me pushtuesit, në veprimtaritë ilegale që në moshën e hershme shkollore. Dhe ashtu siç është rritur heroi, janë rritur edhe presionet e pushtuesit mbi të, si mbi të gjithë shqiptarët që tentonin ta identifikonin veten si shqiptar të pushtuar e që aspironin të arrinin deri tek liria. Është paraqitur në këtë vepër si platformë shumë e qartë për të parë se si të rinjët e kohës së pushtimit serbosllav përgatiteshin për të marrë në dorë fatet e atdheut të tyre të robëruar.
Përgjithësisht autorët e veprave të tilla, duke u munduar t’i japin sa më shumë hapësirë heroit, flasin pak për të tjerët dhe nuk shtrihen në njohjen e veprimtarive në tërësi dhe nuk merren me të tjerët. Ndërsa Ibish Neziri në veprën e tij i ka dhënë heroit një hapsirë shumë të madhe sepse ka vënë në evidencë në faqet e librit të tij një sasi mjaft të madhe të shokëve dhe bashkëpuntorëve të tij, ashtu edhe ata shqiptarë që i kanë shërbyer armikut me përkushtim. Ky është një tregues i punës së madhe që ka bërë autori në njohjen e gjendjes dhe të veprimtarisë së kohës për të cilën shkruan dhe për hulumtimet që ai ka bërë për të gjetur çdo dokument që e pasuron atë kohë. Kjo mënyrë e të punuarit këtë vepër e bën vërtetë një vepër historike me shumë vlerë për pasurimin e historisë së Kosovës dhe asaj shqiptare.
Jeta e heroit është një histori, lufta e tij ështe një epope, “rënja e Xhemajl Fetahajt më 31 maj 1999 është një moment kur armiku në grahmat e fundit po bënte një rezistencë të dëshpruar përballë forcave të UҪK-së të mbështetura nga ajri prej aviacionit të NATO-s. Në libër jepen tablot më të plota të aspekteve të luftës në atë front, që për vetë kushtet e qënjes së tij në kufi me Shqipërinë ishte më i dukshmi për sytë e ndërkombëtarëve, çfarë ishte edhe njëri prej qëllimeve të hapjes së tij”, në planet e Shtabit te Pergjithshem te UҪK-se.
Një hapsirë të konsiderueshme në libër zënë edhe opinionet e disa prej atyre veprimtarëve e luftëtarëve që kanë njohur heroin nga afër. Kur shikon këto opinione dhe lexon përmbajtjen e tyre bindesh edhe më shumë për vlerat që sjellë kjo monografi në pasurinë e Luftës Ҫlirimtare të Kosovës. Emrat e evidencuar me përvojën e tyre gjatë kontakteve dhe njohjeve me heroin, janë të gjithë personalitete që kanë kontribute të shquara për çështjen kombëtare. Dhe të gjithë deklarojnë se kanë patur fatin të njohin një të ri dinamik, një shqiptar aktiv, trim e të qëndrueshëm, një burrë me tipare të gëdhendura kombëtare, vizionar për të ardhmen, një histori heroike të të kaluarës dhe obligues për të ardhmen, një njeri te sakrificës së plotë me bindjen se fitorja kishte nevojë edhe për luftën e gjakun e tij, një personalitet me karakterin e veprimtarit racional, njeri të thjeshtë, të dashur dhe shumë të vendosur për të realizuar objektivat kombëtare, një luftëtar që luftën e konsideroi domosdoshmëri dhe qënjen e tij në llogoret e kësaj lufte një detyrë për t’u kryer prej tij dhe prej çdo shqiptari, një njeri optimist dhe me besim për fitoren dhe lirinë, një atdhetar me aftësi të jashtëzakonshme menaxheriale dhe të veprave të realizuara e jo i fjalëve pa produkt, një njeri që atdheun dhe lirinë e tij e kishte mbi gjithçka.
Është e kuptueshme që në këtë libër personazhi kryesor është heroi i Kosovës, koloneli i nderuar, dëshmori Xhemajl Fetahaj. Por ai nuk është personazhi i vetëm. Në pjesën më të madhe të veprës së tij autori Ibish Neziri sjellë një mori personazhesh, me vlera dhe antivlera që kanë vepruar në mjedisin ku ka jetuar e vepruar edhe Xhemajli. Por mbi të gjitha Ibish Neziri në këtë mjedis kohor si një studiues i vëmendshëm, ka vënë në evidencë gjithë aspektet kryesore të jetës së heroit. Dhe, kjo është plotësisht e kuptueshme. Ai është një studiues dhe kur përcakton objektivat e një vepre, bën të gjitha përpjekjet për të realizuar ato synime, duke kërkuar në të gjithë fushat që ka vendosur të eksplorojë, prandaj edhe në këtë vepër do të merret në radhë të parë për të ndriquar më qartë veprimtaritë dhe luftën e heroit të këtyre vlerave, Xhemajl Fetahajn. E mbi të gjitha, për ta përshkruar, për ta shpjeguar dhe për ta përjetësuar figurën e këtij luftëtari dhe dëshmori.

Tërheq vemëndjen fakti që autori megjithëse është edhe vetë një veprimtar, është edhe vetë një aktivist i përkushtuar i çështjes kombëtare, është edhe vetë një njohës dhe bashkëveprimtar i heroit, në asnjë moment në libër nuk ka ndodhur që të shkruaj duke qënë edhe vetë personazh i veprës. Ka qëndruar në çdo moment në rolin e autorit, pa kërkuar lavdi për vete. Ky fakt e madhëron akoma më shumë autorin dhe veprën e tij.
Në këtë moment po i jap të drejtën vetes të shpreh paknaqësinë për mjaft shkrime, intervista, deklarime në filma dokumentare etj, e duke folur për betejat nuk di për çfarë arsyesh, varferohet skena e luftës, zvogëlohet përmasa e ushtrisë dhe gjithnjë ai që flet ka qenë prioritar, rrallë herë degjojmë të flasë dikush që ka ndjekur shembullin e të tjerëve. Ashtu sikurse kur flitet për dëshmorët prap flitet sikur ai që flet i ka thirrë në luftë, dhe ka dhënë udhëzime, i ka udhëhequr etj. Këto lloje terminologjishë unë apeloj që të eleminohen në veprimtaritë për luftën.
Por ka edhe diçka të manget në këtë vepër, që mendoj se duhet e do te ishte pasuri që do të krijonte edhe elemente të tjera të këtij mozaiku. Mund të ishte edhe vlerësimi i komandantit të frontit të Koshares, Rustem Berisha, që mungon. Kam dëshirë që autori të mos ketë harruar të kërkojë një mendim prej komandantit të frontit. Nëse ka harruar e vlerësoj si një gabim që nuk duhet të ishte bërë, por nëse komandanti nuk ka pranuar të japë vlerësimin e tij, duhet thënë se ai ka shkelur mbi detyrën dhe përgjegjësinë e tij të një komandanti fronti lufte, ku me urdhër të tij kanë shkuar dhe kanë dhënë jetën gjithë ata luftëtarë, ndërsa të tjerët që plumbi i ka kursyer i kanë dhënë atij lavdinë e qënjes komandant.
Po kështu, në atë front ka vepruar e luftuar edhe eprori i drejtëpërdrejtë i Xhemajlit në fondin “Vendlindja Thërret”, Jashar Saliu. Për fat të keq ai nuk përmendet fare, kur dihet se ai ishte anëtar i Shtabit të Përgjithshëm të UҪK-së. Ai po të kishte mundësi do të kishte thënë shumë për heroin, por meqënëse prehet në amshim, të gjallët nuk kanë asnjë të drejtë ta fshijnë emrin e tij nga vargu i luftëtarëve të frontit të Koshares.
Ashtu mund të thuhet edhe për Naim Malokun, i cili duke qënë në luftë në atë front, pas shërimit të plagëve që kishte marrë në luftrat e mëparshme, duhet të ishte prononcuar për këtë figurë, pasi realisht kur ka rënë heroi, ai ka qënë në vijën e frontit në Koshare.
Në vepër është cituar shumë herë Nasim Haradinaj, i cili me cilësinë e të dërguarit të Shtabit të Përgjithshëm është personi që realisht e ka fuqizuar atë front dhe ka marrë përgjegjësinë e fillimit të mësymjes para Shtabit të Përgjithshëm të UҪK-së që e kishte dërguar. Por për qudi, megjithëse përshkruhen disa beteja të atij fronti, nuk duket askund të jetë duke luftuar Nasimi, i cili të paktën kur unë e kam inspektuar atë front, e kam gjetur duke luftuar. E evidencoj këtë, sepse edhe heroi kur ka ardhur në luftë ka deklaruar se ishte shok i tij dhe se do të luftonte në Koshare ku ishte edhe ai.
Të njëjtat fjalë mund të them edhe për Hysen Dreshajn, i cili nuk ka bërë mirë që nuk është prononcuar me vlerësimet e tij për heroin, pasi në disa raste, veçanërisht në verën e vitit 1998, ka qënë bashkë me heroin dhe kanë një histori të pasur lufte bashkë.
Kështu mund të them edhe për një sërë të tjerësh e edhe momentesh që e pasurojnë veprën. Por i evidencova këto për të thënë se edhe kjo vepër që më duket vërtetë shumë e pasur, e ndërtuar me shumë përgjegjësi, që i ka dhënë me shumë ndjesi fragmentet e kësaj jete të lavdishme të heroit të Kosovës Xhemajl Fetahaj, mund të ishte edhe më e pasur. Por sidoqoftë vlerësoj se me të vërtetë ky libër monografik ka vlera të tilla që duhet të merret si model prej të gjithë atyre që marrin përgjegjësitë të shkruajnë për historinë e Luftës Ҫlirimtare të Kosovës dhe aktorëve të saj luftëtarë, të rënë dhe të gjallë.
Duke përfunduar i uroj autorit sukses dhe jetë të gjatë e shëndet të mirë, për të marrë përgjegjësi që të na sjellë edhe vepra të tjera me vlera të tilla. Ju faleminerit.

………………………………………………………….

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura