FATMIR BRAJSHORI: GAFAT E BEDRI ISLAMIT PËR LËVIZJEN TE LIBRI “LËVIZJA…”

Cyrih, 7. 6. 2016: Këto ditë një mik imi m’i ka dërguar faqet: 230 – 235 dhe 240 -243 të librit: “Lëvizja (Lindje e përgjakur) – bashkëbisedim me Ibrahim Kelmendin me autor Bedri Isamin, duke menduar se mund të kem qenë pjesë e atyre ngjarjeve, siç ishte Mbledhja e katërt e Përgjithshme e LPRK (LPK) që u mbajt në fund të korrikut 1993, në Prishtinë dhe takimet e mbajtur në dhjetor 1993 dhe në prill 1994 në Tiranë. I lexova me kujdes dhe t’u them të drejtën nuk u befasova, ngase autori i librit nuk ka qenë pjesë e asnjë vendimi historik që kishte marrë LPK-ja atëkohë!
Pavarësisht këtij fakti, e pranoj se për të dhënë vlerësimin e duhur për një vepër, së pari duhet lexuar komplet librin, për të kuptuar pastaj komponentët kryesore siç janë: subjekti, kompozicioni, ekspozicioni, dramaticiteti si dhe porosia që del në fund.
Megjithatë, kur i lexova ato pak faqe gjëja e parë që mendova të thoja, është si vijon: “Janë disa, që flasin dhe madje shkruajnë edhe libra, duke u munduar që të fshihen prapa atyre librave, për t’mbuluar turpin e tyre ngaqë çdo gjë u ka dështuar: ëndërra e tyre për t’qenë në ballë të ndonjë revolucioni, në krye të një ideje politike, lider partie apo edhe akter të rëndësishëm të ngjarjeve të tjera…”
E kjo velnë para se gjjithash për autorin e librit, por jo edhe për Ibrahim Kelmendin, i cili ka qenë bartës dhe pjesëmarrës i të gjitha vendimeve të rëndësisë së veçantë në mërgatë…

Autori i librit është munduar të bëjë një gjë, me bëmat e të tjerëve, të shkruaj një pjesë historie për LPK-ën, duke dëgjuar rrëfimet e të tjerëve. Edhe të tjerët kanë folur në libër për te dhe vetën e tyre, nga pozitat e të dështuarve, ashtu sikurse ky autori i dështuar që ishte zgjedhur në krye të LPK-së (maj 1998) për ta shkatërruar atë!
Në librin “Lëvizja…, Bedri Islami bashkëbisedim me Ibrahim Kelmendin” ka shumë paçartësi, trillime dhe të pavërteta… Më duket se autori duke mos e njohur sa duhet veprimtarinë dhe organizimin e LPK-ës mbrenda vendit, ka ra pre e qëllimeve dhe e manipulimeve të disa ish-të organizuarve në këtë organizatë (ose dhe vetë ka pas një rol të tillë, kush e di?!)
***
Në Mbledhjen Kollares (prill 1993), nuk është biseduar për formimin e asnjë ushtrie dhe të asnjë grupi gueril (!) ndërsa për përgatitjen tonë për luftë është folur në çdo takim të ilegales, që nga viti 1981 e këtej…
Mbledhja e Kollares është thirrë më shumë për t’u konsultuar, se si të rimëkëmbet LPK-ja, ngaqë nga Mbledhja e Tretë e Përgjithshme (tetor 1991), ajo, në vend që të dalë e kompletuar dhe më e fortë, pësoj një goditje. Dhe kjo goditje për dikë ishte e papritur, ndërsa për mua ishtë e pritur…
Në fakt udhëheqja që kishte dalë nga Mbledhja e Tretë e mbajtur në Ujmirë të Klinës (më 4 tetor 1991), si drejtuesit e Organizatës (Gani Syla, Halit Krasniqi, Hydajet Hyseni (pjesmarrës dhe tutor i kryesisë si një lloj „babai“), Mehmet Hajrizi, Ramë Buja, ishte edhe Ali Lajçi prezent) propozojnë:
“Nuk ka më nevoj të jemi të organizuar ilegalisht, dhe me këtë gjë akoma të rrezikohemi, por të hymë të gjithë nëpër partitë legale e sidomos në LDK dhe aty pastaj – nga mbrenda të marrim kalanë…”
Kështu pothuajse komplet udhëheqja e LPK-ës, e dalë nga Mbledhja e Tretë e Përgjithëshme braktisë LPK-ën dhe bëhen anëtarë të LDK-ës…! Dhe në këtë kohë LPK-ja mbrenda vendit kishte mbetur pa udhëheqje…!
***
Kjo ishte njëra nga arsyet kryesore, përse ishte thirrur Mbledhja Konsultative e Prillit 1993 në Kollare, që të bëhet Organizimi dhe Ri-Organizimi i LPK-ës, ndonëse vepronin pak a shumë Këshillat Rajonal si, ai i Prishtinës, i Prizrenit, i Klinës (i shkëputur nga baza), i Podujevës etj.
Për më tepër kjo ka qenë edhe arsyeja që (pas hyrjes së Kryesisë së LPK-ës në LDK-ë), një pjesë e anëtarësisë së LPRK-ës (më vonë LPK-ës) vendosin që në ilegalitet të thellë, të formojnë një Organizatë të re me emërtimin LKÇK, e cila për mendimin tim, (bazuar në veprimet dhe rolin që luajti), mund të krahasohet me rolin e FARK-ut që luajti gjatë kohës së luftës në Kosovë!
***
Në faqen 230 të librit “Lëvizja…” Bedri Islami pasi thekson se, në Mbledhjen e Kërçovës (Kollares) do të formohet Grupi i Organizimit dhe Riorganizimit (GOR) për përgatitjen e Mbledhjes së Katërt të Përgjithëshme, shkrun si vijon: “Grupi i Organizimit dhe Riorganizimit (GOR) përbëhej prej pesë vetave – Ramadn Avdiu, Adnan Asllani, Hashim Thaçi, Bilall Sherifi dhe Hulusi Beqiri”. Unë kujtoj se ky i fundit – Hulusi Beqiri (të cilin nuk po e njohë) s’ka qenë anëtar i GOR, por ishte veprimtari Ibish Neziri!
Në të vërtetë në GOR ishte propozuar e zgjedhur edhe Behajdin Allaqi, por pas akuzave të pabaza që i bëri Hashim Thaçi, vendin e Behajdinit në GOR e zuri pikërishtë – Hashim Thaçi!
***
Këto fakte autori i librit B.Islami, s’i ka ditur ose s’ka dashur t’i di dhe ia ka futur si kali pelës, njësoj sikur edhe me një libër tjetër kushtuar Ali Ahmetit, atij aliahmetit, që po e luan rolin e të fortit!
Në vitin 2001 në një Mbledhje të LPK-ës, të cilën e udhëheqja unë, për shkak se fliste jashtë teme, e kam përjashtuar nga punimet e Mbledhjes të fortin Ali Ahmeti, që për Bedri Islamin ishte i forti, ndërsa për mua ishte i dobëti – Abaz Gjuka – alias Ali Ahmeti!
***
Por t’i kthehemi GOR-it të Bedri Islamit
GOR-i mund të them se gjatë asaj kohe, bëri punë të mirë. I kontaktonte celulat e LPK-ës, Këshillat e LPK-ës, individë të shkëputur nga organizimi, por që kishin shprehur gatishmëri për ri’aktivizim…
Njëri nga më aktivistët në GOR ishte Bilall Sherifi, i cili si përforcim për degën mbrenda vendit, (me propozimin dhe dakordimin e Mbledhjes Konsultative), vjen në Kosovë, për t’vepruar deri në Mbledhjen e Katërt të Përgjithëshme (korrik 1993).
Por GOR-i ishte akuzuar edhe për faktin, sepse disa i ka eliminuar me dashje që të mos jenë prezent në Mbledhjen e Katërt të Përgjithëshme, (që u mbajt me 26/27 korrik 1993 në Prishtinë), siç ishte rasti me Ibish Nezirin, Ukshin Hotin, Bislim Elshanin e disa të tjerë! I.Neziri më vonë akuzonte se me qëllim e kanë dërguar në Kërçovë, që të priste atje ngaqë siç thoshte ai: »më kishin thënë të pres në këtë vend, sepse Mbledhja do të mbahet atje…».
***
Sa u përket aksioneve të armatosura, ato nuk fillojnë në vitin 1993 por shumë më herët, dhe me këtë rast mund t’i përmend disa prej tyre:
– aksioni në aksin hekurudhor Prishtinë-Podujevë-Nish (në tetor të vitit 1989), ku u rrëzuan disa shtylla telefonike;
– hudhja e dinamitit në gjeneratorin e RTP-ës, në dhjetor të vitit 1990,
– Grabitja e armëve nga një kamion në Lëvizje, që i përkiste Armatës Jugosllave (në Kodër të Trimave), dhe atë pikrishtë në rrugën asfalltore siç njihet « Supermarketi te Rimanishtët e gjerë tek Sharbanët»…
***
Në libër B.Islami shkruan për ekzistencën e Këshillin të Përgjithshëm por, pas anulimit të vendimeve të Mbledhjës së Tretë të Përgjithshme dhe kalimit të shumicës së kryesisë në radhët e LDK-ës, LPK-ja mbrenda vendit nuk kishte Këshill të Përgjithshëm…
B.Islami shkruan (citoj): “në këtë mbledhje (në mbledhjen e katërt – f.b) është zgjedhur Këshilli Drejtues dhe Kryesia e LPK-së. Zgjedhja e Këshillit të ri të Përgjithshëm do të ketë një veçanti, e cila ka ndodhur vetëm një herë, vetëm në këtë Mbledhje dhe nuk është përsëritur më”. (Lëvizja…, faqe 232).
Në të vërtetë delegatët e Mbledhjes së Katërt, nga Këshillat Lokal dhe të Rretheve, s’e kanë marrë miratimin për t’qenë në Këshill të Përgjithshëm. Madje as pas Mbledhjes së Katërt të Përgjithshme, nuk ka pas dhe nuk ishte zgjedhur asnjë Këshill i Përgjithshëm. Në faktë GOR-i (pas ikjes në Tiranë) e kishte shpallur veten: edhe si udhëheqje, edhe si Këshill Drejtues, edhe si Këshill i Përgjithshëm! pra, GOR-i bëri një lloj Puqi në këtë kohë.
***
Në dhjetor 1993 (bëhet fjalë në libër) dega e LPK-ës jashtë vendit, në Tiranë ka mbajtur takime me disa të organizuar ilegal, që veten e njihnin, si të ‘zgjedhur’ nga vet-zgjedhja, sepse s’e kishin marrë bekimin dhe s’ishin votuar nga delegatët e Mbledhjes së Katërt. Në Tiranë në banesën ku banonte Hydajete Krasniqi është mbajtur edhe një takim ku ishim prezentë më shumë se 30 veta, që të gjithë, pjesëtarë të LPK-ës dhe nga anëtarësia e gjerë pati kritika të rrepta për GOR-in
Grupi (GOR) i përbërë nga Hashim Thaçi, Azem Syla dhe disa të tjerë (përpos Halil Selimit i cili e kishte respektin dhe besimin e gjithë anëtarësisë) nuk ishin të zgjedhur as legjitim, të paktën unë si pjesëtar i Mbledhjes së Katërt, s’i kisha votuar!
Se s’ishin me të vërtetë të duhurit, tregon ky fakt:
«Dega mbrenda vendit, kishte arritur që të krijonte shtypshkronjën për nevoja të organizatës ku bënim shtypjen e trakteve, broshurave dhe gjërave tjera të nevojshme për agjitacion dhe propagand…Pas ikjes së numrit më të madh të drejtuesve të LPK-ës, ose më mirë me thënë të bartësve kryesor të veprimtarisë ilegale mbrenda vendit – shtypshkronja kishte mbetur në duar të fatit…
Shtypshkronja tashmë ishte vënë në rrezik për t’u zbuluar, ngaqë një i organizuar që bënte pjesë në kreun e organizatës kishte ikur, duke e lënë këtë teknik, në një shtëpi të zënë me qera!
Një natë më vije në shtëpi Hamit Avdiu, një njeri patriot, bujar, fisnik por edhe praktik sa të doni, dhe më thotë:
– «Ke porosi nga shokët nëse ekziston mundësia që shtypshkronjën ta evakuosh nga kjo shtëpi!»
Unë qëndroja akoma në Prishtinë dhe s’kisha Lëvizur vendit!
– « I them, patjetër – por këtë gjë duhet ta bëjmë në fshehtësi të madhe, askush të mos dijë »…
Natën s’bashku me Bacin Hamit dhe me babain tim Maliqin, i cili na shoqëronte me makinë, e morëm dhe e strehuam tek unë në shtëpi… Po atë natë ika tek një miki në fqinjësi, dhe i tregova për hallin që kam, se shtypshkronjës duhet t’i gjindet një vend më i sigurtë. Ai pranoj që ta strehojmë në shtëpinë e tij, duke menduar se, meqë merrej me tregti askush nuk do të dyshonte… Ashtu edhe bëmë… E mora shtypshkronjën, e strehova dhe nuk i tregova askujt se ku gjendej; as dy ndihmësve të mi: bacës Hamit dhe babait tim Maliqit…
Medoja nëse UDB-a do ta burgoste dikë, do ishte më mirë që ta dinin sa më pak vetë, për të mos u rrezikuar e tërë organizata.
Ky Grupi në Tiranë, që vetën e quanin si të zgjedhurit dhe përfaqësuesit e një farë Këshilli të Përgjithshëm të LPK-ës, vajtonin si ato gratë e këqija se: “shtypshkronjën e humbëm”! Në të vërtetë ajo s’kishte humbur, por i kishin humbur këta të gjitha lidhjet! Kjo tregon, se ky “këshill i përgjithshëm” s’kishte lidhje me bazën!
***
Prandaj, në Mbledhjen që e bëmë në banesën ku banonte Hydajetja, një shoqe e drejtpërdrejtë dhe e sinçertë, këta të GOR-it nuk u pranuan si të zgjedhur, ngase askush s’i kishte zgjedhur… Madje në librin e Bedri Islamit “Lëvizja…”, na dalin edhe disa emra, të cilët fare s’kanë qenë delegatë, as në Kollare dhe as në Mbledhjën e Katërt të Përgjithshme në Prishtinë…!
Si përfundim, në Mbledhjen e Katërt të përgjithshme nuk kemi zgjedhur Këshill të Përgjithshëm prej 7 vetësh, por ata e kanë propozuar veten e tyre sikur të jenë të zgjedhurit nga MKP-ja!

Cyrih, 7 qershor 2016

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura