BLERIM ҪOҪAJ: XHENETA VIKTIMË E VDEKUR, QYTETARËT TJERË VIKTIMA TË GJALLA TË RAMADAN MUJËS

Prizren, 13. 6. 2016: Vdekja e vajzës 3- vjeçare tregon se sa të pasigurt janë qytetarët e Prizrenit, sidomos ata që jetojnë brenda apo afër shtëpive të vjetra. – Përgjegjësia për këtë tragjedi, jo vetëm familjare, vërtet është zingjirore. Organet e drejtësisë, duhet që sa më shpejt të zbardhin humbjen e jetës së vajzës së vogël. Adresa e përgjegjësve është shumë e qartë, prandaj organet e drejtësisë duhet të veprojnë. Nuk mjafton deklarata se “rasti është duke u hetuar”.
Komuna, Ministria e Kulturës, por edhe Policia, duhet të japin përgjegjësi për vdekjen e vajzës së vogël. Policia duhet të tregojë se a ka diskutuar me kryetarin e Prizrenit, Ramadan Mujën për rrezikun e këtyre shtëpive.
Nëse nuk e kanë diskutuar, atëherë si kanë ardhur deri të konstatimi, se siguria e qytetarëve është e mirë, në takimet që kanë mbajtur deri më tash në Këshillin e Sigurisë? Pra, përgjegjësia për vdekjen e vajzës së vogël, nuk është individuale, por zingjirore. Ky rast mund të zbardhet vetëm nga organet e drejtësisë.
Pak ka rëndësi a japin apo jo dorëheqje Ramadan Muja, Kujtim Shala dhe Ferid Agani. S’ka qytetar n’këtë vend që nuk është i vetëdijshëm që institucionet qendrore dhe ato lokale drejtohen nga njerëzit që, përveç, egos për pushtet dhe paras, nuk kanë ndjenë tjetër njerëzore.
Kjo është dëshmuar edhe në rastin tragjik të vogëlushes, ku asnjëri prej përfaqësuesve të institucioneve nuk e kanë marrë mundin të shkojnë e ngushllojnë familjen. Xheneta është viktimë e vdekur, kurse qytetarët e tjerë të Prizrenit janë viktima të gjalla të Ramadan Mujës.
Partitë politike nuk është mirë që tragjedinë të keqpërdorin dhe shfrytëzojnë për përfitime politike. Qytetarëve nuk do të mund t’ia mbushni mendjen se dalloni nga pushteti i Mujës. E keni pasur mundësin që këtë çështje ta trajtoni, por nuk e keni bërë, prandaj tash është mirë me heshtë.
Shoqëria civile ka paralajmëruar një protestë për javën e ardhshme. Mirë do të kishte qenë që protesta të mbahet para organeve të drejtësisë, e jo në sheshin “Shatarëvan”.
Asnjë protestë deri më tash që është mbajtur në “Shatërvan” nuk ka prodhuar rezultat. Protesta do të duhej të mbahet para organeve të drejtësisë me kërkesën e vetme që të veprojnë dhe përgjegjësit për humbjen e jetës së Xhenetës, të vihen para drejtësisë.
***

Qytetarët Aktivë të Prizrenit: Bashkohuni protestës për dorëheqjen e Ramadan Mujës
Grupi i Qytetarëve Aktivë Për Prizrenin bëjnë thirrje të gjithë qytetarëve që t’i bashkëngjiten protestës qytetare, të thirrur nga disa organizata të shoqërisë civile, të mërkurën me 15 qershor, nga ora 12:00, në Sheshin Shadërvan, për të kërkuar llogari dhe dorëheqje të menjëhershme të kryetarit të komunës së Prizrenit, Ramadan Muja, ministrit të mjedisit, Ferid Agani, dhe ministrit të Kulturës, Kujtim Shala.
“Në vazhdën e kundërshtimeve dhe rezistencës ndaj qeverisjes së të dënuarit Ramadan Muja, që prej dy vitesh disa herë është tërhequr vëmendja dhe është kërkuar llogari dhe dorëheqje nga zyrtarët e institucioneve komunale për mos përgjegjësinë e tyre karshi qytetarëve, me qëllim që degradimi i institucioneve dhe qytetit të Prizrenit të ndalet”, thuhet në komunikatën e këtij grupi.
“Qeverisja nga persona me precedent penal, jokompetenca, korrupsioni, nepotizmi etj., i kanë shkaktuar dëme të mëdha Prizrenit dhe kanë ulur dukshëm besueshmërinë e qytetarëve ndaj institucioneve lokale, duke e bërë kështu pushtetin komunal jolegjitim. Mirëpo, ky degradim nuk është përcjellur asnjëherë me përgjegjësi nga zyrtarët lokal dhe aq më pak nga institucionet qendrore. Madje shumë nga rastet kriminale të zyrtarëve publik kanë ngelur duke u zvarritur nëpër institucionet e drejtësisë për vite me radhe, përfshirë edhe procesin e kryetarit të dënuar, Ramadan Muja”.
“Si rrjedhojë e kësaj, Prizrenit po i humbet çdo ditë e më shumë trashëgimia kulturore-historike, po i shemben objektet e vjetra dhe ajo që është më e rëndësishmja pas gjithë kësaj papërgjegjësie institucionale, Prizreni pësoi një tragjedi me vdekjen e vajzës 3 vjeçare Xheneta Gashi”.
“Vdekja e një qytetareje si pasojë e mos-intervenimit të institucioneve është kufiri i cili nuk mund të tolerohet. Përgjegjësit e këtij krimi duhet të vihen sa më parë para drejtësisë. Qytetarët e Prizrenit dhe Kosovës janë të gjithë të kërcënuar nga ky lloj pushteti, në vend të Xhenetës mund të ishte secili prej nesh. Ne s’mund ta tolerojmë edhe më gjatë një pushtet që përveç trashëgimisë vret edhe njerëz”.
“Prandaj, Qytetarët Aktivë Për Prizrenin, ju bëjnë thirrje të gjithë qytetarëve, që t’i bashkëngjiten protestës qytetare, të thirrur nga disa organizata të shoqërisë civile, të Mërkurën me 15 Qershor, nga ora 12:00, në Sheshin Shadërvan, për të kërkuar llogari dhe dorëheqje të menjëhershme të kryetarit të komunës së Prizrenit, Ramadan Muja, ministrit të mjedisit, Ferid Agani, dhe ministrit të Kulturës, Kujtim Shala”.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura