FETNETE RAMOSAJ: NDËSHKIMI I KRIMEVE TË LUFTËS DHE STABILITETI I BALLKANIT

 Pashtriku.org, 18. 06. 2016: “E ashtuquajtura Gjykatë Speciale për krime lufte, e vetmja e këtij lloji në vendet e ish-Jugosllavisë, është themeluar që t’i gjykojë në mënyrë selektive vetëm ish-pjesëtarët e UÇK-së. Siç dihet nga ajo që është bërë publike deri më tani, kjo gjykatë nuk e ka në mandatin e saj të merret me trajtimin e përgjithshëm të rasteve të krimeve që kanë ndodhur gjatë luftës në Kosovë. Pra, nuk i trajton krimet e kryera nga forcat okupuese serbe, por i trajton vetëm rastet e krimeve të pretenduara se janë kryer nga shqiptarët. Një mekanizëm i tillë ndërkombëtar mendoj se është i paprecedent, i padrejtë, i njëanshëm, racist, e mbi të gjitha një veprim jo juridik, por veprim skajshmërisht politik i ndikuar nga Serbia dhe Rusia dhe si i tillë përbën shkelje të rëndë të lirive dhe të drejtave të njeriut dhe njëkohësisht e cenon rëndë sovranitetin e shtetit të Kosovës.” – kështu thotë Fetnete Ramosaj, bashkëpunëtore profesionale në Institutin për Hulumtimin e Krimeve të Luftës (IHKL) në një intervistë të botuar në uebfaqen bullgare www.obshtestvo.net.
Kjo intervistë me lejen e redaksisë së këtij portali botohet edhe në portalin www.pashtriku.org.
***
1. Zonja Ramosaj, Ju merreni me hulumtimin e gjenocidit serb kundër shqiptarëve. Na tregoni, Ju lutem, për projektet Tuaja të reja në këtë drejtim dhe sidomos për ekspozitën.
Para se të përgjigjem në pyetjet Tuaja, më lejoni t’u falënderoj që na e keni dhënë mundësinë për këtë intervistë, t’u falënderoj juve, stafin e portalit obshtetstvo.net dhe lexuesit. Është fakt i pamohueshëm se terrori dhe gjenocidi që e ka ushtruar shteti serb mbi popullin shqiptar jo vetëm gjatë luftës së fundit në Kosovë por edhe më herët, veçanërisht që nga vitet 1876/1878, duke filluar me gjenocidin e ushtruar mbi shqiptarët e Sanxhakut të Nishit e të Toplicës e deri më sot, ka përmasa shumë më të mëdha sesa që e tregojnë të dhënat dhe hulumtimet që janë bërë deri më tani. Periudha e fundit e okupimit serb (23 mars 1989 – 12 qershor 1999) është një nga periudhat më tragjike për popullin shqiptar të Kosovës, i cili u ballafaqua me vrasje, burgosje, helmimin masiv të mijëra nxënësve, dëbimin masiv të punëtorëve shqiptarë nga puna, spastrimin etnik, kolonizimin, etj. Veçanërisht në periudhën e luftës frontale (1998-1999), dhuna, terrori dhe gjenocidi i Serbisë në Kosovë, mori përpjesëtime të tilla sa që e rrezikonte ekzistencën fizike të shqiptarëve, të cilët e përbënin popullsinë shumicë të Kosovës, me mbi 90 për qind të popullsisë së përgjithshme të vendit. Në dhjetor të vitit të kaluar në kuadër të Institutit për Hulumtimin e Krimeve të Luftës, i cili vepron në kuadër të Ministrisë së Drejtësisë, e kam hapur ekspozitën “Terrori dhe gjenocidi i Serbisë në Kosovë 1998-1999”, ku janë të përfshira mbi 200 fotografi e faksimile. Ekspozita fillimisht është hapur në Prishtinë (në dhjetor të vitit të kaluar me rastin e shënimit të Ditës Ndërkombëtare për të Drejtat e Njeriut), në muajin prill të këtij viti është hapur në Tiranë. Këto ditë po ekspozohet edhe në Korçë, në Muzeun Kombëtar të Arsimit, e më pas do të vazhdojmë edhe në qytetet evropiane. Dëshmitë faktografike të paraqitura në këtë ekspozitë, janë vlerësuar lartë prej vizitorëve të shumtë shqiptarë dhe atyre të huaj. Shumica e vizitorëve kanë deklaruar se nuk i kanë pasur të njohura krimet dhe gjenocidin serb në këto përmasa që janë paraqitur këtu dhe shumë prej tyre kanë pyetur se si është e mundur që njeriu t’ia bëjë këtë njeriut?! Si është e mundur që këto krime të mbeten të pandëshkuara dhe të padënuara?!

2. Pritet në gjysmën e dytë të vitit Gjykata speciale të fillojë me aktakuzat e para kundër luftëtarëve të UÇK-së. A do të angazhohen institucionet e Kosovës në mbrojtjen e tyre?
Siç dihet e ashtuquajtura Gjykatë Speciale për krime lufte, e vetmja e këtij lloji në vendet e ish-Jugosllavisë, është themeluar që t’i gjykojë në mënyrë selektive vetëm ish-pjesëtarët e UÇK-së. Siç dihet nga ajo që është bërë publike deri më tani, kjo gjykatë nuk e ka në mandatin e saj të merret me trajtimin e përgjithshëm të rasteve të krimeve që kanë ndodhur gjatë luftës në Kosovë. Pra, nuk i trajton krimet e kryera nga forcat okupuese serbe, por i trajton vetëm rastet e krimeve të pretenduara se janë kryer nga shqiptarët. Një mekanizëm i tillë ndërkombëtar mendoj se është i paprecedent, i padrejtë, i njëanshëm, racist, e mbi të gjitha një veprim jo juridik, por veprim skajshmërisht politik i ndikuar nga Serbia dhe Rusia dhe si i tillë përbën shkelje të rëndë të lirive dhe të drejtave të njeriut dhe njëkohësisht e cenon rëndë sovranitetin e shtetit të Kosovës.
Fatkeqësisht deri te kjo situatë kemi ardhur edhe për shkak të neglizhencës dhe mosdenoncimit nga organet kompetente të shtetit të Kosovës për krimet e kryera nga forcat serbe gjatë luftës në Kosovë, por edhe para e pas luftës. Për shumicën dërmuese të krimeve që i kanë kryer forcat serbe gjatë luftës në Kosovë, duke vrarë e masakruar mbi 12 mijë civilë shqiptarë e duke përdhunuar mbi 20 mijë femra shqiptare (madje edhe fëmijë të moshës 7-vjeçare), përjashtuar gjeneralët serbë të dënuar në Tribunalin e Hagës, gjykimet dhe dënimet për këto krime janë mospërfillëse. Ka edhe mjaft raste kur vetë serbët i kanë vrarë njerëzit, jo vetëm nga radhët e shqiptarëve por edhe turq, boshnjakë, egjiptianë, madje edhe serbë e malazezë, por për të arritur qëllime të caktuara i paraqesin si viktima të shqiptarëve. Mjafton të përmendim këtu rastin e vrasjes së gjashtë të rinjve serbë në kafenenë “Panda” në qytetin e Pejës, në dhjetor të vitit 1998. Për këtë akt terrorist të kryer gjatë luftës, Serbia i akuzoi shqiptarët, dhe e përdori si shkas për t’i akuzuar shqiptarët për terrorizëm, për të ushtruar terror në shkallë të gjerë kundër popullsisë civile në Pejë e më gjerë, për të rifilluar ofensivat ushtarake dhe për ta shtuar numrin e forcave ushtarake në Kosovë. Vetëm pas 15 vjetësh, kryeministri serb Vuçiq e zyrtarë të tjerë, e pranuan publikisht se vrasja e të rinjve serbë në Pejë nuk është kryer nga shqiptarët, por është kryer nga Njësia Speciale JSO, me urdhër të Shërbimit Sekret Serb (RDB).
Deri më tani, shteti i Kosovës e zë vendin e fundit sa i përket përkujdesjes për qytetarët e vet të cilët janë akuzuar për krime lufte, ndonëse shumica prej tyre pas qëndrimeve disavjeçare në burgje janë liruar të pafajshëm. Ligjet e miratuara nga Kuvendi i Kosovës përkitazi me Gjykatën Speciale parashohin një përkujdesje për të akuzuarit e mundshëm, por se si do të rrjedhin gjërat mbetet të shihet. Përderisa në njërën anë, Kuvendi i Serbisë ka themeluar grupe të veçanta për t’u marrë me hartimin, analizën dhe mbledhjen apo thënë më mirë fabrikimin e akuzave kundër pjesëtarëve të UÇK-së për të gjitha zonat operative, në anën tjetër, ne si Kosovë nuk mund të themi se e kemi bërë mjaftueshëm punën tonë. Kur i kemi parasysh faktet se si ka arritur Serbia të amnistohet për të gjitha ato krime që i ka kryer gjatë luftës, por edhe para e pas saj, që edhe sot e kësaj dite është e pa penduar dhe e pandëshkuar për gjenocidin e spastrimin etnik kundër popullit shqiptar në Kosovë, se si ka arritur të barazohet xhelati me viktimën, fatkeqësisht gjendja reale del të jetë e mundur nga fabrikimet dhe propaganda fiktive e Serbisë, edhe pse realiteti në terren është krejt tjetër.
3. A ka ndërmarrë Serbia hapa më aktivë për përndjekjen e kriminelëve të luftës, të cilët kanë kryer krime kundër shqiptarëve?
Serbia nuk ka bërë shkëputje nga e kaluara. Ajo me fanatizëm vazhdon t’i mbrojë kriminelët serbë të luftës, tek e fundit ata i kanë zbatuar urdhrat e shtetit serb, të parapara në detaje përmes platformave dhe strategjive shtetërore kundër shqiptarëve. Hapat që i ka ndërmarrë deri më tani Serbia për ndjekjen e kriminelëve të luftës, të cilët kanë kryer krime kundër shqiptarëve, lirisht mund të themi se kanë qenë “shumë zhurmë për asgjë”, përkundrazi u ka ofruar mbrojtje shtetërore. Të gjitha arrestimet e kriminelëve serbë dhe gjykimet për krime lufte që i ka bërë deri më tani Beogradi zyrtar, i ka bërë gjithnjë kur i janë dashur privilegje nga Bashkimi Europian, por edhe në këto raste dënimet kanë qenë minimale dhe shumë fyese për viktimat e luftës dhe për drejtësinë përgjithësisht. Ka fare pak aktgjykime të plotfuqishme, janë amnistuar përgjegjësit e rangjeve të larta dhe janë akuzuar e gjykuar niveli më i ulët i përgjegjësisë, aq më tepër në të gjitha rastet është tentuar që krimet, masakrat dhe spastrimi etnik të pasqyrohen si veprime të kryera nga grupe të pakontrolluara nga shteti, gjë që nuk është e vërtetë. Për këtë mjafton të kemi parasysh gjykimet e organizuara në Beograd në rastin e masakrës kundër familjes Berisha të Suharekës, rastin e shtetasve shqiptaro-amerikanë tre vëllezërve Bytyqi, rastin e gjykimeve për masakrat e kryera në fshatrat e Pejës: Qyshk, Pavlan, Zahaq, Lybeniq, etj.
Në varrezat masive në Serbi, që nga qershori i vitit 2001 janë gjetur shumë varreza masive me kufoma të shqiptarëve, ku dyshohet se ka edhe disa të tjera. Deri më tani në varrezat masive në Serbi janë gjetur mbetjet mortore të mbi një mijë shqiptarëve, pikërisht në bazat e ushtrisë dhe të policisë serbe, si në: Batajnicë, Petrovo Sello, Peruçac, Rudnicë etj. Megjithëse përgjegjësit dihen dhe kanë pozita në larta në institucionet shtetërore të Serbisë, askush nuk është nxjerrë para drejtësisë. Për shembull, përmendim rastin e shefit aktual të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë së Serbisë, Dikoviq, kur dhjetëra mbetje mortore të viktimave të shkaktuara nga forcat ushtarako-policore serbe nën komandën e tij në zonën e Drenicës gjatë kohës së luftës, u gjetën në varrezën masive në Rudnicë të Rashkës (2014), pikërisht në vendqëndrimin e njësive ushtarake të Brigadës së tij, të cilën e ka komanduar gjatë luftës. Ai është përgjegjës edhe për vrasjen e tyre (por edhe të shumë të tjerëve në masakrat e Rezallës, Qirezit, Izbicës, Abrisë etj.) edhe për fshehjen e kufomave, por Serbia jo vetëm që nuk ka marrë masa ndaj tij, por e mbron me fanatizëm…
4. Fitorja bindëse e Vuçiqit dhe angazhimi i tij për anëtarësi në BE a ndikon për shpërbërjen e strukturave ekstremiste të Serbisë në Kosovë?
Fitorja e Vuçiqit dhe angazhimi deklarativ i tij për orientim proeuropian, duke i parë zhvillimet e deritanishme prej se Vuçiq ka ardhur në krye të Qeverisë së Serbisë, janë të paqëndrueshme, sepse Vuçiq vetëm sa i ka forcuar dhe unifikuar strukturat ekstremiste të Serbisë në Kosovë, duke përdorur mjete dhe metoda të ndryshme, apo thënë më mirë duke e përdorur fuqinë e shtetit që e drejton. Pothuajse të gjitha kokat e krimit të organizuar që veprojnë në veri të Kosovës e më gjerë, janë sponsorë dhe njerëz të afërm të Vuçiqit dhe të partisë së tij. Besoj se mjafton të përmendim vetëm rastin e të ashtuquajturës “Mbrojtje Civile”/ “Civilna Zastita”, e cila sipas marrëveshjes së Brukselit ishte paraparë të shpërbëhej. Madje, ajo u shpërbë formalisht në shtator të vitit 2015 dhe qindra pjesëtarë të saj edhe pse të implikuar në krime të shumta u amnistuan dhe u inkuadruan në institucionet e Kosovës, mirëpo në anën tjetër del se “Mbrojtja Civile” vazhdon të veprojë papengueshëm, madje ka rekrutuar pjesëtarë të rinj edhe përmes konkurseve publike!
5. Në kontekstin e perspektivës evropiane a mund të ketë zhvillime pozitive te statuti i shqiptarëve në Luginë dhe garantimi i të drejtave të tyre?
Në këtë kontekst duhet të vlejë raporti i reciprocitetit. Shqiptarët dhe të tjerët në Serbi, si boshnjakët, hungarezët, bullgarët, rumunët etj., duhet të kërkojnë të drejtat e tyre. Për garantimin e të drejtave njerëzore e kombëtare duhet të bëjnë më shumë shtetet amë. Aq sa ka të drejta pakica serbe në Kosovë, duhet të ketë të drejta edhe pakica shqiptare dhe pakicat tjera në Serbi. Është i padrejtë dhe i papranueshëm lejimi i zbatimit të standardeve të dyfishta. Dihet se në Luginën e Preshevës (në Kosovën Lindore) Serbia po vazhdon t’i shkelë në mënyrë drastike të drejtat e shqiptarëve. Për ta spastruar etnikisht nga shqiptarët këtë rajon, përveç faktit se nuk e ka mundësuar kthimin e mbi 80 mijë shqiptarëve të zhvendosur nga lufta, Serbia ka kohë që shqiptarëve po ua pasivizon edhe vendbanimet në Medvegjë, Bujanoc e Preshevë, me çka shqiptarëve u mohohet e drejta për të nxjerrë dokumente personale dhe të drejtat e tjera, si shërbimet sociale dhe mjekësore, shkollimi dhe e drejta e votimit, pra po i bën inekzistentë!
6. A ka rol Serbia në destabilizimin e Maqedonisë dhe si mund të zgjidhet kriza politike atje?
Roli i Serbisë, por edhe i aleates së saj Rusisë, në destabilizimin e Maqedonisë është i dukshëm. Me këtë udhëheqje të shantazhuar dhe të manipuluar, për të mos thënë edhe proserbe, vështirë se mund të gjendet zgjidhje e qëndrueshme në Maqedoni, aq më tepër kur shërbimet sekrete serbe e ruse kohëve të fundit kanë paralajmëruar fillimin e një lufte të re në Maqedoni dhe po investojnë e po influencojnë vazhdimisht për ta mbajtur një vatër aktive të krizës atje. Kriza politike mund të zgjidhet kur udhëheqësit e atjeshëm të përcaktohen qartë për rrugën euro-atlantike, të mendojnë dhe të punojnë për interesat e popullit dhe të vendit të vet pa dallim etnie.
7. Si mendoni, a mjafton zbatimi i Marrëveshjes së Ohrit për integrimin e shqiptarëve në Maqedoni apo janë të nevojshme edhe ndryshime të tjera kushtetuese dhe ligjore, si edhe negociata të reja mes partive shqiptare dhe maqedonase në kërkim të një zgjidhjeje të qëndrueshme?
Marrëveshja e Ohrit meqë nuk është zbatuar në afatin e paraparë që të zbatohej, tash pas shumë viteve nuk e di sa mund të jetë efektive të kërkohet të zbatohet si e tillë, kur dihet se ligjet dhe veprimet shtetërore në Maqedoni janë tejet diskriminuese në raport me shqiptarët edhe pse është popull shumicë në këtë shtet. Sa më parë që në Maqedoni shqiptarët trajtohen në pozita të barabarta, trajtohen si popull shtetformues e jo si armiq, zgjidhja është më e lehtë dhe e qëndrueshme. Në të kundërtën, nëse nuk ndalen dhe nuk përmirësohen padrejtësitë e bëra ndaj shqiptarëve, kur dihet se qindra shqiptarë mbahen në burgje nëpërmjet proceseve të montuara gjyqësorë si rasti “Monstra”, “Sopoti”, “Kumanova” etj. dhe u mohohen të drejtat kombëtare e njerëzore, duke i konsideruar si popullsi të kategorisë së dytë, Maqedonia si e tillë nuk mund të ketë të ardhme.

Ju faleminderit!
(Kjo intervistë botohet me lejen e redaksisë së uebfaqes www.obshtestvo.net, ku është publikuar më 4 qershor 2016. Për më shumë shih linkun: http://obshtestvo.net/?p=13106)
Fetnete Ramosaj: [email protected].

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura