Vjenë, 19 qershor 2016: (Me rastin e 12 qershorit, 17-vjetorit të çlirimit të Kosovës, në qytetin Knnitelfeld të Austrisë u organizua një manifestim i pasur dhe i larmishëm kulturor dhe letrar.) -Me ftesë të Shoqatës Kulturore “Dardania” nga Knnitelfeld-i, disa anëtarë të Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Krijuesve Shqiptarë në Austri “Aleksandër Moisiu” (LSHKSHA), me seli në Vjenë, morën pjesë në këtë takim manifestues dhe lexuan nga krijimet e tyre. Në emër të Shoqatës “Dardania” të pranishmit i përshëndeti kryetari z. Enver Tërshana, duke i falënderuar të gjithë të pranishmit, dhe duke lavdëruar punën e krijuesve shqiptarë në Austri, të cilët, sipas tij, me shkrimet dhe botimet bëjnë që bashkatdhetarët të ndjehen më afër atdheut. Në emër të LSHKSHA përshëndeti kryetari z. Anton Marku. Ai pasi bëri një përshkrim të shkurtë të krijimit dhe punës së Lidhjes, të pranishmëve ua uroi 17-vjetorin e çlirimit të Kosovës dhe u dëshiroi çaste të këndshme me programin e përgatitur enkas për këtë ditë. Në emër të Këshillit Koordinues të Shoqatave Shqiptare për Steiermark përshëndeti z. Fatmir Osmani.
Për udhëheqjen e programit u përkujdesën Leonita Totaj, e cila është njëkohësisht edhe moderatore e programit të gjuhës shqipe në Radio Rinia (që është pjesë e Radio Helsinki nga qyteti Graz, (www.helsinki.at)), dhe studentja Jeta Jashari nga Shkupi.
Në fillim u bë prezantimi i romanit “1803”, i autorit Besim Xhelili, për të cilin foli poeti Anton Marku. Ai e cilësoi këtë vepër të parë në prozë të autorit Xhelili, si një vepër që pasuron thesarin e autorëve shqiptarë në Austri, kurse vetë tematika e romanit është një ngjarje nga përditshmëria, sado qoftë fiktive dhe e imagjinuar, ajo është një romancë moderne dhe tërheqëse për lexuesin, duke shtuar se autori ka në proces vazhdimin edhe me dy pjesë të këtij romani si dhe përkthimin në gjuhën gjermane të pjesës së parë.
Më pas me disa poezi gjegjësisht me shkrime në prozë u prezantuan krijuesit e pranishëm Ramiz Selimi, Zef Ndrecaj, Haxhi Morina, Leonita Totaj, Jeta Jashari, Anton Marku, Besim Xhelili, ndërsa nxënësit dhe të rinjtë Diart Elshani, Lora Iballi, Edona Zekolli dhe Dafina Përteshi, si dhe grupi i vajzave i shoqatës “Dardania”, përveç që lexuan vargje të zgjedhura nga shkrimtarë të dalluar shqiptarë, ata me këngë dhe valle i dhanë programit një bukuri të veçantë. Hysni Elshani lexoi dy poezi të poetes Resmije Uka, e cila jeton në Graz dhe këto poezi ia ka kushtuar bashkëshortit të saj të ndjerë Mehë Uka, i vrarë në luftën e fundit në Kosovë. Një poezi nga poeti Jeton Kelmendi kushtuar Nënë Terezës e lexoi Tahir Turkaj, kryetar i SHKA “17 Shkurti” nga qyteti Baden, Isuf Tërshana luajti disa pika muzikore në gajde, kurse rapsodi Naim Krasniqi disa në çifteli. Në fund u shpërndanë libra, ndërsa nga shoqata “Dardania” u shtrua një sofër e begatshme me ushqime tradicionale shqiptare.