PROF.DR.MUSA KRAJA&EMIRJONA KRAJA: ‘MËSUES E KRIJUES NË DIASPORË’

Vjenë, 24. 06. 2016: (‘Mësues e Krijues në Diasporë. Monografi Social-Pedagogjike” – Hazir Mehmeti.
PSE U PËRQENDRUAM NË KËTË FUSHË
Në Vendimin e Miratimit të Akademisë së Shkencave të Edukimit, tek paragrafi “Qëllimi dhe Objektivat“ Neni 4, pika 3, thuhet: “Njohja, studimi dhe përgjithësimi i ndihmesave të figurave të shquara si mendimtarë popullorë, si veprimtarë të shkollës dhe të arsimit, si personalitete të mendimit pedagogjik në troje shqiptare dhe në diaspora.”
Pra, po bëjmë një punë me kënaqësi, nisur edhe nga kjo detyrë që buron edhe nga Programi i Akademisë sonë, një fushe e re pas botimit “PEDAGOGJIA SHSH me PP”, tashme si Aspekte te Pedagogjisë së Zbatuar, që fillon me këtë Monografi Social-Pedagogjike, për një nga më të mirët mësues të shkollave shqipe në diasporë…Hazir Mehmetin.
Përvoja e përparuar në çdo fushë të veprimtarisë së njeriut përbën vlerë për individin, grupin shoqëror, institucionin e çdo fushë shoqërore apo teknike. Kjo është, forcë shtytëse, frymëzuese edhe për të tjerët , sepse përbën inovacion, rendiment e cilësi. Aq më shumë në punën me njeriun e ri, me brezin që rritet e zhvillohet.
Nganjëherë i kemi përpara njerëzit e thjeshtë , që bëjnë shumë punë të vlerta dhe i kalojmë në heshtje , kërkojmë “emra të njohur, të afirmuar”. Pikërisht edhe tek këto të thjeshtit, kur i vëzhgojmë pa paragjykime, vërejmë realisht të madhërishmen, të vërteten, që përbën vlera, të mbetura brenda katër mureve. Kjo ndodhë në shumë sektorë ose më saktë nuk duhet të ndodhi, jo për eufori, por për vlerat e pozitivitetin, që i karakterizon në profesion dhe në jetën sociale.

E kam fjalën për mësues që kanë vite përvojë, veprimtarie, kanë rezultate të lavdërueshme, bëjnë kërkime studimore, botime tekstesh shkollore, veprimtari të vlerësuara me çmime deri edhe të nivelit ndërkombëtar, ushtrim pune edhe në publicistikë, etj. Atëherë çfarë duhet pritur, përse kjo punë të mbesë e mbyllur, të mos publikohet ?! Në këtë rast nuk e kemi fjalën për mësuesit e zakonshëm që punojnë në qytete dhe në fshatrat e vendit tonë, puna e të cilëve ka qenë dhe është ndër më të vlertat punë që bën një njeri, sepse punon me vetë njeriun që rritet fizikisht e mendërisht, për formimin e drejtë të tij. Këta mësues në Shqipëri, në Kosovë, madje edhe në Maqedoni, e në Malin e Zi,, etj, që përbëjnë “armatë më vete” që kanë infrastrukturë, kanë traditë, ligje që i mbrojnë, i trajtojnë, në mënyrën e mundësitë e vendit dhe në nivelin e kujdesit të ndonjë prej tyre. Gjithsesi janë krejtësisht të garantuar.
Tani e kemi fjalën për mësuesit e diasporës, që nuk janë një “armatë”, por një” brigadë “në rritje e sipër, ne fronin e dijes, fusha me njerëzore e njerëzimit, në të cilën mund të përfshihen me brezat e rinj një e treta e shqiptarëve të emigruar , sidomos vitet e fundit, që kanë tërhequr fëmijët e tyre, ose lindin fëmijët e tyre, madje edhe fëmijët e fëmijëve të tyre, pra deri te brezi i tretë e në vazhdim. Atje punojnë rreth 600 mësues, te angazhuar për gjuhen shqipe, në kushte të tjera, një pakicë që punojnë me vështirësi, dhe shumë prej tyre edhe pa kushte fare. Dhe punojnë, merren me breznitë shqiptare , që t’u mësojnë gjuhën amtare, historinë e popullit tonë, kulturën, traditat, me aq sa u lejon mosha, koha qe kane ne dispozicion.
Në diasporë po zgjerohen e shtohen shkollat shqipe me program plotësues. Tashmë ato janë realitet në Zvicër, Austri, Gjermani, Belgjikë, Suedi, Norvegji, Finlandë, Itali, Greqi, ShBA, Angli, Australi, etj. Rritja e emigracionit në dekadat e fundit, e ka bërë më të mprehtë këtë problem, duke zgjeruar shkollat në zonat ku ka fëmijë e adoleshentë shqiptarë të brezit të parë apo të dytë dhe të tretë, që të mësojnë e zhvillojnë gjuhën amtare shqipe dhe të marrin njohuri për historinë e popullit tonë, të kenë vizione të qarta për etnokulturën, etnopsiqikën, etnografinë e vendit amë.
Këtë e bëjnë edhe popuj të tjerë, madje në mënyra më të organizuara, sipas mundësive të vendeve, legjislacioneve të tyre në fuqi. Tek ne është një detyrim kushtetues për shtetin ndaj qytetarëve të vet jashtë vendit, që të kujdesen për trashëgiminë e tyre kulturore. Në disa raste mbarëvajtjet e shkollave shqipe varen nga mësuesit vullnetarë, nga prindërit, sa janë të interesuar që fëmijët e tyre të mësojnë gjuhën shqipe. Indiferentizmi dhe heshtja ndaj tyre është e shtrirë. Austria e Suedia, etj, e kanë zgjidhur problemin në mënyrë shembullore, duke i trajtuar mësuesit e gjuhëve amtare, të emëruar sipas kritereve të forta profesionale, njëlloj si mësuesit e vet, të kombësisë së tyre, një shembull i pastër kristal i demokracisë së tyre.
Veprimtaria e mësuesve ka qenë dhe mbetet në kujtesën afatgjatë të nxënësve bashkë me ndikimet e tyre tek breznitë që përcjellin. Përvoja botërore e ka pasqyruar gjithnjë vlerën e punës së mësuesve.
Vitet e dekadës së fundit, kam ndjekur me kujdes punën e mësuesve në diasporë, për ruajtjen e zhvillimin e gjuhës shqipe. Duke shfrytëzuar edhe kohën e specializimeve në Zvicër, Gjermani, etj, për probleme të tjera të arsimit, apo kohen kur isha i ngarkuar nga Universiteti i Tiranës për të udhëhequr 2-3 doktorante në Maqedoni, etj, më pas , por edhe tani, nga Universiteti Europian i Tiranës, për një doktorant në Kosovë, si dhe një tjetër në diasporë, përfshirë edhe lidhjet t e reja me diasporën, zgjerova njohjen e punës së këtyre mësuesve. Bashkë me kolegë, botuam tekstin universitar: “Pedagogjia, Shkolla Shqipe me Program Plotësues”, si një disiplinë e re pedagogjike, enkas për mësuesit e këtyre institucioneve. Përmes këtyre njohjeve, pata kënaqësinë të njihesha edhe me Profesorin e nderuar, albanolog dhe mik i shqiptareve Z.Basil Schader, një kryemjeshtër në punën për mësimet në gjuhen amtare, e sidomos të gjuhës shqipe.
Duke ndjekur disa seminare mbarëkombëtare, që zhvillohen çdo vit, me mësuesit e shkollave shqipe në diasporë, që për mua janë kuvende shkencore të vërteta mbarëkombëtare, të organizuara nga dy ministritë: të Kosovës dhe të Shqipërisë, në të cilat kam pasur kënaqësinë të mbajë referate, diskutime e të ndjekë edhe seancat e veçanta, vizioni im, në optikën e autorit të disa teksteve zyrtare të pedagogjisë, tani po zgjerohej, edhe në njohje me të gjëra , për këto shkolla, duke mësuar edhe nga përvoja e mirë që evidentohej. Aty mendoja: “Ja, kjo mësuesja Vera Kurti, vlonjate, punon në Greqi, për nevoja ekonomike, por kishte edhe nevojën e madhe shpirtërore, tek i shikonte fëmijët shqiptarë që humbisnin gjuhën amtare, themelin e identitetit të çdo njeriu. Me iniciativë, duke shfrytëzuar njohjet e saj, duke shfrytëzuar orët e lira, madje edhe në kushte të vështira, arriti të hapë dy qendra mësimi të gjuhës shqipe (Shkolla Shqipe me Program Plotësues), të shtunave e të dielave, duke u bërë model frymëzimi, siç u paraqit bukur e me vërtetësi në filmin dokumentar enkas për te ,me skenar të Abdyrahim Ashikut, realizuar bukur nga Z.Melonashi”.
Tek dëgjoja diskutimet për abetaret shqipe në këto shkolla, në një promovim të abetares origjinale nga mësuesi Hazir Mehmeti në Austri, tek dëgjoja e lexoja mësuesen e talentuar Nexhmije Mehmeti, punime të mësuesit poet e studiues Rizah Sheqiri, etj. meditoja.
E kam ndjekur edhe përmes shkrimeve mikun tim te nderuar Prof.dr.Bachil Schader, që po vazhdon me shumë energji të japi ndihmë shumë të çmuar për shkollat shqipe në diasporë. Ai ka kryesuar grup mësuesish shqiptarë, që janë autorë tekstesh, në konkursin ndërkombëtar, për tekstet në gjuhën amtare. Në këtë konkurs janë paraqitur tekste nga dhjetëra gjuhë, që në bazë të drejtave themelore të njeriut, ato që duan të mësojnë gjuhën amtare, organet arsimore austriake u krijojnë të gjitha mundësitë, që ta mësojnë, përveç gjuhës së vendit pritës. Prandaj u ngritën grupe pune për hartimin e teksteve, të cilat i quanin fletore pune. 12 Mësues shqiptarë, të zgjedhur nga rreth 600 prej tyre ,që punojnë në shkollat shqipe me program plotësues, ne te gjitha vendet, ne diaspore, u ngarkuan për hartimin e 19 teksteve, në gjuhën shqipe, ndërmjet të cilëve Hazir Mehmeti, Nexhmije Mehmeti, Rizah Sheqiri, etj.
Këta mësues janë evidentuar për punë të mirë në këto shkolla, kanë shkruar e botuar tekste shkollore, enkas për specifikën e shkollës shqipe me program plotësues, kanë krijuar marrëdhënie shumë të mira me nxënësit, me prindërit e tyre, me kolegët dhe drejtorët e shkollave të vendeve pritëse, kanë bërë studime për të thelluar cilësinë e punës së tyre, mbajtur kumtesa e diskutuar në seminare lokale, zonale e mbarë shqiptare, të cilat edhe janë botuar me interesimin e Z.Nuhi Gashi, specialist i vërtetë i këtyre institucioneve, me vlera të veçanta në këtë fushë, nëpërmjet mundësive të krijuara nga Ministria e Diasporës në Republikën e Kosovës. Edhe Zonja Rozalba Mardani, qe ka përfaqësuar aparatin e Ministrisë së Arsimit dhe të Sporteve të Shqipërisë, bashkë edhe me drejtues të këtij dikasteri, e ka ndjekur me preokupacion këtë detyrë.
Studimin e përvojës pozitive dhe përgjithësimin e saj, ne e trajtojmë si aspekt të drejtimit shkencor të këtij sektori. Pa kaluar në shabllonizëm e robotizëm këto përvoja përbëjnë vlera, sepse janë në kulmin e produkteve që marrim, tek rezultatet në mësime të nxënësve, në” garat e diturisë,” që organizohen aq bukur në gjuhen shqipe, në diasporë, me këngë e valle, kostume kombëtarë, që zhvillohen, si metodë inkurajuese e motivuese të nxënësve e vetë mësuesve, madje edhe të prindërve, shumë prej të cilëve i ndjekin me preokupacion dhe emocione.
Në të vërtetë disa nga mësuesit janë krijues në zbatimin e kurrikulës së shkollës, sipas grupeve që drejtojnë. Por, shumë prej tyre, sidomos të Greqisë e në ndonjë vend tjetër, sakrifikojnë kohën, mundin, shpenzimet personale të udhëtimit, etj, pa ndihmën e trajtimin e domosdoshëm ekonomik.
Qëndrimi indiferent ndaj veprimtarisë së tyre është i dëmshëm, , është i pafalshëm, sepse ato përbëjnë vlera, përvojë, që duhet evidentuar, studjuar e përgjithësuar për masën e mësuesve të shkollave shqipe në Evropë, e në kontinente të tjera, ku jetojnë e punojnë shqiptarë,, duke ruajtur identitetin kombëtar, themelin e të cilit e përbën gjuha amtare, njohja e kulturës, artit, mentalitetit dhe psikologjisë shqiptare, sidomos në pikëpamje, etnopsiqike, etnokulturore, etj.
Duke i patur fatbardhësisht të gjallë e aktivë modele mësuesish mjeshtër në këtë fushë, siç i kanë edhe popuj të tjerë, të cilët i mbështesin, në trajtime, me lindi ideja të evidentojmë, studiojmë e përgjithësojmë këtë vlerë, që është sa konkrete edhe aq teorike e aplikative, një pedagogji e zbatuar në rrethana e pretendime bashkohore.
Në këto punime ka pasqyrim përvojash në kushte bilinguizmi, ose drejt kësaj, eksperimente, metoda të punës në kushte dygjuhësore, duke bërë krahasime e konsoliduar gjuhën e folur dhe gjuhën e shkruar, si atë amtare ashtu edhe gjuhën e vendit pritës.
Këta mësues janë promotorë të organizimit të festave kombëtare apo lokale me nxënësit, por që nuk janë indiferente edhe prindërit, duke njohur jo vetëm gjuhën amtare, ushtrimin e saj, zonën nga vijnë, pozicionet gjeografike, vlerat ekonomike, sociale, etnokulturore, me programe bisedash, këngësh popullore dhe të reja, shqipe, valle, përmes të cilave edhe njohuritë e tyre, për të njohur të afërmit, gjyshërit e gjyshet e dashura, sportistët dhe artistët e vendit, etj, dhe të gjitha janë në përputhje me strategjinë e shkollave shqipe me program plotësues.
Këtu roli i mësuesit është tepër i veçantë, ai duhet të ketë vizione të qarta, kulturë, aftësi komunikuese e frymëzuese të nxënësve, kolegëve e prindërve të tyre, gjithmonë në mënyrë krijuese. Por, duhet të jetë edhe kurajoz, organizator, i punës.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura