Gostivar, 15 prill 1999 – (In Memoriam – për vdekjen e atdhetarit të pavdekshëm Prof.Sami Peja) –
…………………………
Ora 18.45 e datës 14 prill 1999.
Kumti i TVSH-së: “Vdiq Profesor Sami Peja…!”
Eu, ç’më theri pik në zemër. Gjë, më, nuk kuptova…!
Kur vdiqe, ku vdiqe, pse vdiqe, Profesor?!
As të tjerët, të pranishëm, nuk kuptuan, gjë. Ndoshta Kumti ishte shifër që nuk duhej të kuptohej. Ndoshta!?!
Në cilat Varre do të prehen kocet e trupit të shpirtit Tuaj të martirizuar, Profesor?!
E, sot, unë, larg nga Kosova, të cilës, Profesor, ia fale rininë dhe burrërinë.
Larg, shumë larg, nga Varri shenjtë Yti, i thej gishtërinjtë, mjerueshëm.
Në robëri të dyfishtë – i ndjekur nga Vatra që u linda, pranë sofrës së vëllezërve nën shkja.
PROF.SAMI PEJA
………………………………………………..
Dhe Unë, dhe Ne…
Heu, të mjerët ne për vetën tonë!
Profesor, sot, këtu, do të flasim pa dorëza, si gjithherë.
Nuk do t’u pyes, kush derdhi lot, për Ju, për Ju, o Profesor,
Mbi Varrin me dhe të freskët, me Dhe të Kosovës…
Se, në gurrën e lotëve të mi i dalloj lotët e të gjithë nxënësve Tu
Nga orët e mësimdhënies patriotike.
Janë shumë, këta…
Një det lotësh e gjaku të Kosovës, sot, oh sot…!
Eh, të kuvendojmë, pak, Profesor, vetëm pak!
Sa për t’u përshmallë, unë, me Mësuesin…
Unë, sot, muhaxhir i ndjekur me plumb e zjarr nga çerdhja ku u linda.
Dhe, ku i rrita zogjtë e shpresës…
Po, po, Profesor, edhe rafalët e barbarit tri herë, për tri ditë rresht, m’u shkrepën mbi kokë…
Më 28 Mars… (1999)
Në shtëpinë time, me dyer të hapura, Sofra e Sillës së Bajramit të Vogël mbeti e shtruar.
“Praga” e pushtuesit villte hekur të skuqur mbi Lagjen e Normales, e në Lagjen e Sefalisë tri shtëpi po i përpinte flaka e zjarrit.
Dhe, Kryetaukbashqës një vajzë e korrën rafalet…
Panik e popullsisë duarthatë, pa Krye!?!
Edhe zjarri i shtëpisë së një stërnipi, ku gjeta strehim, pas ndjekjes nga shtëpia ime, ra mbi kokën time dhe, të nëntëmbëdhjetë fëmijëve të gjakut tim, më 30 Mars…!!!?
Shpërngulja me dhunë e shqiptarëve nga barbarët shkja – Mars-Qershor 1999!
…………………………………………
Rafalet nga “Praga”, pak pëllëmbë mbi kokën time, thermuan tjegullat e strehes, ma vranë vdekjen…!?!
Vetëm një fjalë, për të fundit, në atë strehë shtëpie, arrita t’ia them Drenushës tetëmuajshe, që e shtrëngoja mbi zemrën që therte, tmerrshëm:
“Mbaje mend, bija ime, këtë fjalë të gjyshit…!
Nëse ki fatin të mbijetosh këtë Golgotë tonën, kurrë nuk ke për të ditur se çka është dhuna e shkaut, e kurrë nuk ke për të parë derra të shkive duke kullotur mbi varrin e Gjyshit tënd…!”
Edhe më 31 Mars, Profesor,
Në gjirin e Njësitit Gueril të Gallapit…
Në “Taslixhe” – Ora 13.45-23.20.
Rafalet mbi kokat tona qethën degët e drunjve,
Nuk pata fat t’u bashkohem fatosave të Lirisë, edhe fizikisht.
Dhe, më shumë se vdekja, më 1 Prill.
Milicë e paramilitarë serbë, me maskota të zeza në kokë, u lëshuan në gjah mbi qytetarët duarthatë, në Taslixhe…
Pesë stërmbesave, dymbëdhjetë deri tetëmbëdhjetë vjeçe, e një stërnipi shtatë vjeç, pa asnjëri tjetër të vetin afër, nuk munda t’ua ktheja shpinën…!
Nipi ia kishte mësy UÇK-së, drejt Gallapit…!
E Djalin, e Njësitin, i putha në ballë për kur i përcolla në Rrugën e Lirisë, në Terrin që nuk e shpërthenin sytë…!
E Unë, Profesor, eca kokulur, me kolonën e turmës pa Kokë, i rrethuar nga ata fëmijë të vetmuar midis masës së tmerruar…
Po, po, të pakokë, e të tmerruar, me lotët gurrë deri sa u ndaleshin në Gropën e fytit, akull…!?!
Në zemër më rëndonte një peshë guri shumëcepësh, mbështjellë me një shpresë që nuk di ta përshkruaj!?!
Ishte kjo, Profesor, Via Dolores imja. Via Dolores e kombit Tuaj, që po dërrmohej drejt muhaxherisë, ashtu siç përjetuan stërgjyshërit Tuaj…
Nga Naisusi i shqiptarisë së kryehershme.
E, Ju, Profesor, i qëndruat besnik Vatrës –
Në Kosovën e qullur me gjak shqiptari e latë Varrin tapi shqiptare,
Shpirtin ia falët Qiellit të Kosovës – meteor i pashuar …
Nuk e di datën e lindjes Tuaj, Profesor.
Të vitit, po, sigurt…1924.
Ishte viti i Revolucionit Demokratik, në Shqipëri, i ngjyrosur me prosovjetizëm nolian.
Më kujtohet kjo se, kur merrja guxim për Tua qortuar qëndrimet proletareske të mishëruara bukur me patriotizmin shqiptar të Mic Sokolit, u thoja: “Në qenien Tuaj shoqërore, o Profesor, bartni nolizmin e Njëzetekatërtës…!”
Dhe, si për flakë, njëpërnjë, ma ktheje: “Edhe Minaveri i tha nënës: ’Mama fëmijën t’i thamë kurvë Salës, sa s’më ka thënë mua…’, O ta hëngësha enverizmin tënd…!”
Profesor, në Juve shihja sintezën e shkëlqyeshme të mendjes së mprehtë të malësorit me shkëlqimin e intelektualit me diçka aristokrate qytetare në hije.
SAMI PEJA – PARTIZAN, 1943-45.
……………………………………………………….
S’ishe qytetar, as fshatar, rugovas as krumas, pejanë as shkodranë.
Ishe një bashkëjetesë e të gjithëve: Krenar, madhështor, syrin pishë, zemërgjerë, fjalën maje gjuhe, gishtin në këmbëz, mendjendritur, Burrë i Dheut.
U linde në gjirin e një mjedisi tregtaro-intelektual dhe, pate fatin, si fëmijë të shkoje pas babasë, në Shqipërinë londineze.
Në Prefekturën e Kosovës, ku të punoi babai nëpunës, more mësimet themeltare të edukatës intelektuale. Aty, në gjirin e Konviktit “Kosova” të Nënës Mbretëreshë.
Shtatin e djalërisë të parehatshme e lëshove në Shkodrën e viteve ‘30-ta migjeniane, që frymonte larmishëm me frymën e Lahutës së Malcisë, të hijesuar me purpurin e rrezatimit të Yllit të kuq pesëcepësh.
Këto frymë i gjëja në qenien Tuaj fenomenale dalliano-fishtiane me dominim të së kuqes fundo-kelmendiane.
Qartë. Mendjeethur me botëkuptimet e Zjarristëve në rini, me fanatizëm proletari e kuptove “Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare”.
I ri, i njomë, por, shumë zhbirues, shumë shpërthyes, aksionist, shumë veprues. Vlerën e jetës sate, rinore, dhe të burrërisë, gjithmonë e krahasove më pak se të rëndësisë së detyrës së besuar nga rrethi..
Kjo, shumë herë, të solli buzë varrit nga plumbi ose laku dhe gjithmonë të shpëtoi “Fati – mbret i situatave!” – siç thoje me buzëqeshjet karakteristike, plot sinqeritet.
Një personalitet e deshe, mbi të gjithë: Nënprefektin e Gjilanit, Rifat Berishën e Drenicës, për një dhuratë të “Vockël” – “Ai më shpëtoi nga pushkatimi i sigurtë, për shkak të një gabimi strategjik të komandantit të Aradhës Partizane “Emin Duraku”, që solli Gjakderdhjen e Livoçit, të 26 prillit 1943…”
Dhe, pa përfunduar “Lufta Nacionalçlirimtare”, Ti, sikurse Rifati, e kuptove lakun e tradhtisë kominterniste sllave ndaj Çështjes shqiptare, ndaj tërësisë së Shqipërisë Etnike, dhe u nise në Rrugën e Emrushit legjendë.
Nuk deshe të ndash fatin nga Fati i idolit, Berisha, drejt Mëmës Shqipëri.
Ai, ia fali jetën Atdheut, ballëpërballë me shkaun që e tradhtoi, e Ti, Profesor, mbete dëshmi e Goli Otokut për mizoritë komunisto-çetnike mbi shqiptarinë e Kosovës.
Me shikimin laserik rrëzove përtokë, për turp, shikimet cinike të xhelatëve që të torturonin, nga një burg në tjetrin, për të ta thyer dinjitetin. Mbete fenomen i pastërtisë humaniste të shqiptarit.
Dhe, ajo që na magjepste në rrëfimet Tuaja, të gjithë të pathyeshmit, shqiptarë e joshqiptarë, i nxirrje me vlera mbi veten, e Ti, Profesor, ishe orientim i tyre, busollë për sjelljet e tyre.
Fati, mbret i jetës, të la për mësues në mësimdhënie të revolucionaritetit dhe të patriotizmit për gjeneratat e reja.
Në gjeneratën Tuaj, pak shokë si veten, Profesor!
Ishe e mbete granit ekzemplar i pathyeshmërisë revolucionare e kombëtare në duar të kanibalëve mbi shqiptarët.
Trupçelik ishe, e mbete Çelik…!
Dhe, midis gjeneratave të nxënësve Tuaj, shokë e bashkëveprimtarë, zure një vend të posaçëm, vendin më të pashëm, krejt origjinal, ekzemplar i Burrit të pashoq.
Nuk i shtroheshe, kurrë, oreolit të rrejshëm të Autoriteteve, nuk e shtyje të rëndomtin, në shpirt e në sjellje i barabartë ishe, me ata që uleshe në të njëjtën sofër…!
E çmoje vetëm punën, vetëm veprën, vetëm rezultatet e të bëmave të secilit që të rrethonte, të atyre të bëmave që kishin rëndësi për kolektivitetin kombëtar, që shënonin vlera shoqërore, politike e shkencore.
Rrëfimet Tuaja, Profesor, Gjykimet tuaja, për atë që e quanim, pa dëshirë, “Lëvizje Antifashiste Nacionalçlirimtare”, për atë që e quanim “Revolucion socialist”, për atë që e quanim edhe “Luftë Nacionalçlirimtare”, ishin krejtësisht origjinale, shkencërisht të pakontestueshme.
Vlerësimi i Juaj për personalitetet “kombëtare”, “antifashiste” e “komuniste” ishte i paanshëm, ishte vlerësim burrëror në dëm të një pjeseje të qenies Tuaj.
Kampi famëkeq i Goli Otokut.
Rijekë – Goli Otok, 20. 12. 1956: Sami Peja (në mes) me bashkëvuajtësit
e tij – në kampin e Goli Otokut.
………………………………………………..
As në këtë pikë nuk pate shoq, kurrë!
Në gabimet Tuaja, që vetë i denoncoje, mësuam ne, nxënësit Tuaj.
Nuk dalloshe personalitetin në kombësi e sipas fesë. Masë për vlerat historike të së cilit kishe vlerat humaniste, të drejtësisë, të së vërtetës. Kundërshtimin me mikun me të cilin, njëpërnjë, nuk pajtoheshe, e bëje në një mënyrë tepër origjinale: “Ndoshta nuk dita ta them atë që desha, e nuk më kuptove…!”
Kundërshtari, para Jush, mbetej i çarmatosur, por jo i muajtur, jo i fyer. Ndaheshe, nga ai, miqësisht.
Dhe, sa nisën fshikullimat tmerruese të hanxharit të përgjakur të Milosheviqit mbi qenien shqiptare të Kosovës, me guxim u vure në krye të të burgosurëve politikë shqiptarë të të gjitha gjeneratave, deri në vjeshtën e vitit 1989.
Ishe i pakontestueshëm, magnet që bashkoje copa e thërrmija
në një tërësi unike.
Dhe, porsa Rinia Studentore e inicoi Lëvizjen Gjithëpopullore Shqiptare të Pajtimit Kombëtar, përmes faljes së hasmërive, më 2 shkurt 1990, ndihmove derdhjen e Shoqatës së të Burgosurëve Politikë në atë Lëvizje, ndikove që të shkrihej në të, pahetueshëm.
Dhe, Ti, Profesor, ishe shprehja e gjallë, e prekshme, e forcës morale të kërkesave studentore e popullore të rëndësisë së faljeve të gjaqeve, të plagëve e të ngatërresave – N’emër të rinisë, në emër të popullit, në emër të gjakut të derdhur të dëshmorëve të kombit, në emër të Flamurit kombëtar shqiptar – Për Kosovën Republikë, si hap fillestar drejt lirisë dhe bashkimit të Shqipërisë Etnike.
Profesor Sami Peja – Shtylla e Lëvëzjes së Pajtimit të Gjaqeve (1990 – 1992).
………………………………………
As Grupi nismëtar i Lëvizjes, as Kreu i Këshillit Qëndror të Lëvizjes, as Koordinatori i punës të këtij Këshilli – nuk bënin hap të dytë për arritjen e ndonjë “faljeje të zorshme” pa Ty,
Sepse Ti ishe Çelësi, Ti ishe shifra për të hapur drynin e zemrës më të akullt, me të gurëzuar…
Fjala jote bindëse buronte nga Gurra e zemrës,
Ajo dilte dritë, dilte flakë që shkrinte akujt në zemrat më të ngrira.
Ti, si gjithmonë, gacën e kapje me dorë, e lëpije me gjuhë…Profesor!
Pas teje bëmë pusi, si pas Shkëmbit legjendar.
Të falëmnderit, o të falëmnderit, Profesor!
Për të gjitha të bëmat dhe për të gjitha mësimet përvojë Juaja jetësore – amanet për gjeneratat në pambarim, për përpjekjet në luftën me sakrifica pa çmim për dinjitetin kombëtar, për çlirimin dhe bashkimin e kombit shqiptar!
Vërtetë, ishe Përmendore e gjallë për argumentim të qëndresës, të rezistencës, të sakrificës të luftëtarit e të intelektualit, për liri e pavarësi të Kosovës e të Shqipërisë Etnike.
Profesor Yni i Madh!
Nuk u fola, këtu, për komplimente.
Unë, i mjeri unë, sot, vetëm u shmalla me Juve dhe,
Gjeneratave të reja po ua lë të shkruar të vërtetën për qenien Tuaj – Meteor i pashuar në qiellin e shqiptarisë e të shqiptarësisë së Kosovës.
Ishe rrëfim i veprimeve tona, sentencë e të menduarit, porosi për të ardhmen shqiptare të Kosovës.
Shumë besim, Besim e shpresë të pakufizueshme, pate në armët e UÇK-së – “Drenica na e ktheu nderin e kombit, he Pushka iu bëftë TOP…!”
Këtë Lutje e këtë Urim Tuajin, Profesor, e futa në Pamfletin për Bashkimin politik e ushtarak përreth UÇK-së, të botuar në ditën e hapjes së Konferencës së Parë Ndërkombëtare për Çështjen shqiptare, në Rambuje.
Por, Profesor, së paku unë, i mjeri Unë, në të cilin gjeje ngushëllim, nuk arrita t’i qëndrojë besnik Betimit, para Jush…!?!
Se, në vend të pushkës për armë ma pëlqeve penën, shumë të paefektshme para kanibalizmit serb, me tolerim e me përkrahje ndërkombëtare, në të cilën Ju, Profet i shqiptarisë, METEOR NË QIELLIN E SHQIPTARISË SË KOSOVËS.
U qoftë i lehtë i Tokës Mëmë! Më mban shpresa, në Varrin Tuaj do të kemi Mauzoleun e Shqiptarësisë së Kosovës – Djep i Shqiptarizmit! A M I N!
G o s t i v a r, 15 prill 1999
_____________
(Këtë shkrim e botoi gazeta “Fakti”, Shkup, 22 maj 1999, f.11. Autori këtë shkrim me E-mail ia ka dërguar për botim edhe gazetës “Koha Ditore” në Tetovë dhe gazetës “Zëri i Kosovës” në Zvicër.)