AFRIM MORINA: NA MUNGON SHUMË MENDJA E UKSHIN HOTIT (1)

Pashtriku.org, 13. 05. 2015 – (Populli shqiptarë duhet bashkuar) – Zonja dhe zotërinj! Jemi tubuar këtu për të protestuar publikisht kundër mbajtjes në burg të mr. Ukshin Hotit, profesor universitar dhe kryetar i Partisë së Unitetit Kombëtar Shqiptarë dhe të gjithë të burgosurve tjerë politik shqiptar, që dergjen nëpër kazamatet serbo-maqedonase.
Lëvizja studentore e vitit 1981 për Republikën e Kosovës nxori në skenën politike profesorin e tyre të guximshëm mr. Ukshin Hotin, që kishte emër në shkencat e´marrëdhënieve ndërkombëtare- ekonomike, por tash emri i tij filloi të zë vend meritor edhe te masat e gjëra popullore. Me 19 nëntor të po atij viti jo vetëm se do të dilte në mbrojtje të tyre, por shkencërisht e shpjegon domosdoshmërinë e ndërrimit të statusit politik të Kosovës prej atij të Krahinës në atë të Republikës. Citojmë “… Duke kërkuar suprimimin e dibiozitetit të pozitës së Kosovës brenda Federatës Jugosllave, në të vërtetë e kërkonin suprimimin e pengesave për lirimin e hovit kreativ të forcave prodhuese.” Ky shpjegim shkencor i shërbeu si argument regjimit të atëhershëm për ta arrestuar dhe dënuar me 9 vjet burg z. Hoti.
Në kazamatet e ish Federatës Jugosllave përcillej qëndrimi dhe puna e tij, prandaj pas daljes nga burgu atë do ta izolojnë në vendlindjen e tij – Krushë të Madhe dhe me kërcënime e shantazhe mundohen ta detyrojnë të heq dorë nga përcaktimet e tija politiko- shkencore. Të gjitha këto nuk patën efekt, përkundrazi e bënë edhe më këmbëngulës për t’u vu në ballë të forcave për jetësimin e Republikës së Kosovës.
Kur në Slloveni filluan të duken shenjat e demokracisë, ai do të punojë me përkushtim në revistat “Alternativa“ dhe “Republika“. Më vonë nxjerrë gazetën “Demokracia Autentike“ (DEA), ku si ideator i saj do t`u qaset shumë temave që trajtonin çështjen kombëtare. Çdo shkrim i tij ishte i kërkuar nga intelektualët dhe masa. Posa të krijohen kushtet do të kthehet si profesor në Universitetin e Prishtinës, ku para studentëve do të plasojë mendimet e veta shkencore. Në një ligjëratë studentëve iu drejtohet me këto fjalë “Nuk ekziston asnjë arsye me peshë që të mos fitohet kjo luftë. Ndoshta do të humbet ndonjë betejë, por lufta doemos do të fitohet, sepse kurrënjëherë nuk do të pajtohemi me rënien e jetës.“
Angazhimi i tij gjithnjë e më i madh në jetën politike nxiti shqetësime tek disa oponent të tij, të cilët mundohen ta riizolojnë. Me gjithë këtë mendimi i tij shkencor do të plasohet në tribuna e simpoziume. Pas një analize të thukët që i bënë ndarjes së kombit shqiptarë në një simpozium, ndër të tjerash thotë “… Për shkak të pozitës gjeopolitike- në dyert e Otrantit, ishin ndodhur midis synimeve strategjike të të dy grupacioneve të popujve… Mirëpo, me ndryshimin e rrethanave politike sot”, mendon Hoti “Perspektiva e bashkimit të shqiptarëve në një shtet shqiptar rrjedh pikërisht nga nevoja e zhvillimit, nga nevoja e rritjes së brendshme dhe nga theksimi i dobisë së përgjithshme prej saj.“

Ukshin Hoti në mesin e popullit.

Të gjitha lëvizjet dhe mendimet e tij i përcillte UDB-ja. Priste çdo moment të volitshëm, që këtë intelektual kryengritës ta bënte të heshtë. Do ta dënojë me 60 ditë burg dhe do ta rrah në mënyrë shtazarake në Gllogoc. Edhe ashtu i rrahur do të merr pjesë në takimet e Tetovës. Nuk do të ndalet për asnjë moment, për të plasuar mendimet e veta. Pasi mendimet e tij ishin të përafërta me programin e UNIKOMB-it, vjen në këtë parti dhe i jepet besimi për ta udhëhequr deri në Kuvendin e Dytë, ku edhe do të paraqiste projektdeklaratën politike. Këtë e nuhati menjëherë okupatori dhe u shpejtua ta burgoste po atë ditë.
Megjithatë edhe nga pozita e të akuzuarit shndërrohet në tribunë të çlirimit të shqiptarëve dhe të domosdoshmërisë historike të bashkimit kombëtar të tyre. Citat nga fjala mbrojtëse e tij “Populli shqiptar duhet bashkuar, këtë e dinë të gjithë dhe askush nuk e konteston. Ai duhet të bashkohet për shkak se është i njësuar në planin shpirtëror: e ka një gjuhë, një kulturë dhe një histori.“
Nga të gjitha këto që u thanë më lartë, konkludojmë se ai mbahet në burg për shkak se te ai shohin potencialin e madh politiko- shkencor, të cilin regjimi serb e çmon shumë të rrezikshëm për interesat serbe në Kosovë, sepse aktivizimi i një potenciali të tillë në skenën politike të Kosovës, gjithsesi do të ndikonte në rrjedhat politike të Kosovës e më gjerë. Dhe për shkak se përveç potencialit shkencor që ka, me veprimtarinë e tij ka dëshmuar guximin e pashoq prej intelektuali.
Zonja dhe zotërinj!
Mr. Ukshin Hoti, në fillim u mbajt në burgun e Qarkut të Prizrenit, pastaj në burgun e Dubravës, ndërsa që nga 17 korriku është transferuar në burgun famëkeq të Nishit. Nuk ka mundësi të përcjelli shtypin në gjuhën shqipe, e të mos flasim për literaturë. Nuk ka mundësi të shfrytëzoj literaturën profesionale. Trajtohet sikur të gjithë të burgosurit tjerë. E detyrojnë të merret me punë të rënda fizike. Të gjitha këto i bëhen për ta thyer shpirtërisht dhe shkatërruar fizikisht. Një vepër për kundërvajtje prej 60 ditësh, të cilën e ka vuajtur më 1993, tash ia kanë shndërruar në vepër penale.
Me një Memorandum iu kemi drejtuar të gjitha ambasadave,organizatave ndërkombëtare qeveritare e joqeveritare, për të bërë trysnin tek regjimi serb, me qellim të lirimit nga burgu të mr. Ukshin Hotit. Në të njëjtin Memorandum kemi kërkuar që deri sa të lirohet nga burguz. Hoti, të vizitohet nga delegacionet e huaja dhe të merret parasysh mendimi i tij për zgjidhjen e çështjes së Kosovës. Po në të njëjtat adresa është dërguar edhe Peticioni i nënshkruar nga 20 institucione, subjekte politike e jo politike shqiptare të Kosovës. Mirëpo, deri më sot nuk vërehet ndonjë shenjë, se organizmave që iu kemi drejtuar kanë bërë trysni tek regjimi serb për ta liruar z. Hoti nga burgu.
Zonja dhe zotërinj!
Në burgjet serbo-maqedonase mbahen edhe kategori të burgosurish tjerë politik shqiptarë që regjimet aktuale nuk i trajtojnë si të tillë. Në këtë protestë do t`i përmendi veç e veç:
1. Të burgosurit e procesit të Paraqinit. U bëjmë apel të gjithë atyre dëshmitarëve që dinë të vërtetën, nëpërmjet të deklaratave të dëshmojnë këtë. Duhet t’i brej ndërgjegjja të gjithë ata që dinë të vërtetën, por që e heshtin atë.
2. Të burgosurit politik të gjoja dy ministrive, asaj të Mbrojtjes dhe të Punëve të Brendshme. Gjatë proceseve gjyqësore të tyre, me asnjë provë relevante nuk u dëshmua kryerja e veprës penale.
3. Mbajtja në burg e anëtarëve të LPK-së, as për të cilën nuk u dhanë dëshmitë për kryerjen e veprës, flet mjaft.
4. Shpikja e gjoja shtabit të mbrojtjes në Maqedoni, jep për të kuptuar se serbo- maqedonasit i harmonizojnë skenarët kundër shqiptarëve.
5. Burgosja e kreut udhëheqës të Universitetit të Tetovës është kulmi i marrëzisë, sepse regjimi maqedonas përpiqet që rreth një milion shqiptarëve t’ua mohojë të drejtën për t`u shkolluar në gjuhën amtare.
Zonja dhe zotërinë!
Jemi tubuar këtu për të protestuar edhe një herë kundër mbajtjes në burg të mr. Ukshin Hotit dhe të të gjithë të burgosurve tjerë politikë shqiptar. Në këto momente kur po kërkohet një zgjidhje për problemin e madh që ekziston këtu, zëri ynë i protestës shpresojmë se do të trokas në të gjitha organizmat ndërkombëtar, nëse me të vërtetë janë të preokupuar me zgjidhjen e çështjes në rajon, sepse asnjë dialog nuk mund të jetë i pranuar përderisa regjimi serbo-maqedonas vazhdon të mbajë në burgje qindra të burgosur politik shqiptar.
Vjeshtë 1996
* * *
OPONENTËT I FRIGOHEN MARRËJES SË KOLLTUKUT

Akribia e lartë shkencore, largpamësia e tij politike dhe përkushtimi deri në vetëflijim për zgjidhjen e çështjes shqiptare në Ballkan, e kanë bërë sot mr. Ukshin Hotin, të burgosurin politikë më të njohur jo vetëm ndër shqiptarët, por edhe në gjithë kontinentin.
Për fatkeqësinë tonë, mendimi i profesor Hotit dhe ai personalisht, është luftuar jo vetëm nga okupatori, por edhe nga një pjesë e mirë e klasës politike në Kosovë. Mu për këtë, për dy vjet rresht në Kosovë praktikisht është heshtur për dënimin e tij të tretë, vitin e fundit të të cilit po e vuan në burgun famëkeq të Nishit. Përpjekjet e subjekteve politike, intelektualëve dhe qytetarëve, për lirimin e profesor Hotit nga burgu, nëpërmjet memorandumeve, peticioneve, dërguar faktorëve ndërkombëtar, kulmuan me kërkesën e UPS të UP, drejtuar Parlamentit Evropian, në bazë të të cilës, ky Parlament me 14 Maj 1997 nxori Rezolutën për lirimin nga burgu të mr. Ukshin Hotit.
Sigurisht, Parlamenti Evropian, para se të nxirrte një Rezolutë të tillë, ka debatuar rreth personalitetit të profesor Hotit dhe kësisoj në njëfarë mënyre, Hoti edhe nga burgu e ka mbrojtur çështjen e atdheut të tij, që është nder për të gjithë kombin që i takon: për ata që e kërkuan ta kenë në mesin e tyre, e në veçanti është nder i madh për studentët e Universitetit të Prishtinës të cilët u ngritën në mbrojtje të profesorit të tyre duke përqafuar edhe mendimin e avancuar politikë e shkencor të tij. Kjo Rezolutë njëherit e arsyeton edhe mendimin e Ismail Kadares, se mbajtja e Ukshin Hotit në burg, është turp për gjithë kombin, sepse njerëzit si profesor Hoti janë më se të nevojshëm, e sidomos kur kombi gjendet në rrezik.
Oponentët e tij politik edhe pas kësaj Rezolute heshtën, për shkak të manisë së tyre qesharake se mos duke u liruar nga burgu ai do t’ua rrezikojë kolltukët, me të cilat kënaqën edhe kur bijtë më të mirë të popullit shqiptarë vriten për çlirimin e Atdheut. Këtë frikë të pakuptueshme e vërteton fakti që dr. Rugova nuk e pa të rrugës t’ia rezervonte një karrige Hotit në G-15, veprim të cilin gjithsesi duhej ta bënte, nëse jo për të nderuar atë, të paktën që të solidarizohej me Rezolutën e Parlamentit Evropian.
Institucioni autoritativ ndërkombëtar i cili aprovoi Rezolutën për lirimin e profesor Hotit nga burgu, do të duhej që të ngulte këmbë për jetësimin e saj edhe për faktin që në momentin aktual politikë, lirimi i tij do të ishte sinjal për dialogun e barabartë e të sinqertë me shqiptarët. Me një personalitet të tillë me ndikim në jetën politike shqiptare, edhe faktori i jashtëm mundet t’i hynte shumë më i sigurt ndërmjetësimit të dialogut jo vetëm seriozë, por edhe shkencor, për zgjidhjen e problemit shqiptar.
16.06.1998, Prishtinë
* * *
HESHTJA

Heshtja të shton dilemat. Heshtja të jep porosi.
Heshtja të dobëtin e thenë shpirtërisht e moralisht.
Heshtja e shton kureshtjen. Heshtja…

Në këtë shkrim do të flasim për një heshtje të pazakontë për mjetet e informimit ditor e javor, për subjekte politike e pushtetarë, për intelektual në rrafshin kombëtar, por edhe për institucione ndërkombëtare. Dhe për të gjithë parashtroj pyetjen, pse heshtin? Heshtin për shkak të oponencës? Heshtin në mungesë të njohurive? Heshtin në pamundësi për të vepruar? Heshtin për t’i kursyer faqet e gazetave apo të minutazhit në mjetet difuzive të informimit? Të gjithëve me siguri u kujtohet afera Drajfus dhe Zola.
Lexuesin e ndershëm dhe që nuk ka mundësi veprimi, nuk e kam ndërmend ta lodhi. E di se edhe ai ka parashtruar pyetje të tilla sa herë që i ka rënë të shoh fotografinë e profesor Ukshin Hotit.
U bënë shumë protesta për lirimin e të burgosurve politik dhe asnjëri nga folësit nuk e panë të rrugës ta zë në gojë emrin e profesor Hotit.
Sot kemi një mori gazetash dhe nuk e panë të rrugës, me përjashtim, që të paktën t’ia kushtojnë një gjysmë faqe çështjes Hoti. “Koha Ditore“ madje, ka vite që e ka harruar, vetëm ndonjëherë shkarazi nëse është përvjedhur emri i profesorit të nderuar.
Kemi tri stacione të radios, asnjëra nuk e pa të rrugës t’ia kushtojë të paktën gjysmë ore profesor Hotit. Për televiozione mos të flasim, se qëllimi i tyre është të na shndërrojnë në kombin e parë në botë, si komb kosmopolisë.
Heshtin edhe Qosja, Kadare e Agolli, tri figura që kanë dhënë mendime për veprën dhe jetën e profesor Hotit. Këtë heshtje është vështirë për ta zbërthyer me një fjali, se secila redaksi apo subjekt politikë dhe secili intelektual, lider e pushtetarë hesht për hesap të vetin. Sot më nuk ka kredibilitet për t’u marrë në fatin tragjik të profesor Hotit, siç ishte para dhe gjatë luftës. Sot kemi interesa tjera, që nuk shkojnë jashtë kufijve të Kosovës, Shqipërisë, Maqedonisë, Kosovës Lindore dhe Malit të Zi. Ndërsa jeta dhe vepra e profesor Hotit i takon hapësirës kombëtare. Pra kjo heshtje e ka edhe anën tjetër të medaljonit, sot nuk duhet folur dhe shkruar për gjithë kombin, duhet heshtur edhe çështja Hoti! O tempora o mores! Kush përfiton nga kjo? Përgjigja- të huajt, e kurën e kurës kombi ynë!
Këtu qëndron arsyeja pse hesht Kushneri dhe Evropa, Parlamenti Evropian dhe Këshilli i Sigurimit të Kombeve të bashkuara. Me siguri këta edhe kërkojnë heshtjen e çështjes Hoti. Parlamenti Evropian me nxjerrjen e rezolutës së 14 Majit të vitit 1997, për lirimin e Tij nga burgu, ka qenë dashtë të krijoj mekanizëm për jetësimin e tij. A është e moralshme të heshtet kur nëpërkëmbët Rezoluta, aq më tepër edhe pas gjashtë muajsh të mbarimit të luftës? Me asnjë rezolutë tjetër nuk parashihet se çfarë duhet bërë me fatin e profesorit dhe mase katërmijë të tjerëve që dergjen në zindamët serbe.
Hesht Unioni i Pavarur i Studentëve me Universitetin për profesorin e tyre. Pra, kur ishte i nevojshëm mendimi i profesor Hotit, e kërkuan. Letra e dërguar nga burgu për demonstratat shtoi forcën dhe besimin te studentët. U bënë ato me Një Tetor të vitit 1997, e cila datë me të vërtetë hyri ndër datat më të rëndësishme të kombit. Ishte i vetmi Ai dhe UNIKOMB-i që i dhanë zemër, kur të gjithë të tjerët, madje edhe intelektualët e pavarur të kohës, ishin për të mos u mbajtur protestat.
Profesor Hoti, diogjen i lëvizjes kombëtare, që me veprën e tij shkencore dhe jetën e tij prej tribuni, tregoi se si duhet fituar liria. Mu për këtë nuk i ka takuar bashkëkombësve heshtja. Prandaj kjo heshtje të bënë të dyshosh. Jo në është gjallë apo jo. Se dikur Serbinë e tmerronte të gjendet Ai jashtë grilave. Bashkë me Serbinë janë frikuar edhe oponentët e tij. Po në anën tjetër, ajo ishte frikuar edhe ta likuidonte fizikisht, se varrimi i tij ka mundur t`i japi fund durimit të preferuar nga ajo, e zbatuar nëpërmjet rugovistëve. Sot kjo nuk e mundon atë. Serbin e Kushnerin e tmerron po qe se Ai është jashtë grilave, se nuk mund të bëjnë politikën që bëjnë sot. Kur themi Kushneri, këtu nënkuptojmë një varg shtetesh që kanë nënshkruar Rezolutën e lartpërmendur dhe atyre që ndjekin politikën pansllaviste. Kërkohet heqja e embargos ekonomike për Serbin. Lejohet lëshimi i dokumentacioneve: letërnjoftimet, pasaportat, regjistrimi i automjeteve, marrja e patentshoferëve etj. Serbisë në Kosovë i lejohet ndarja e pensioneve për pensionistët serb në Kosovë. Lejohet që paramilitarët serb të mbajnë pjesën më vitale të Kosovës-minierat dhe pjesën Veriore të Kosovës.
Heshtin edhe kolegët Evropian e amerikan të profesor Hotit, të cilët mund të ndikojnë te pushtetarët e vetë për të bërë diçka për te. Ndoshta kanë ndërmarr diçka në këtë drejtim, por me siguri u është sugjeruar të heshtin.
Zola fitoi madhështinë e intelektualit të guximshëm kur u ngrit kundër pushtetit për ta mbrojtur Drajfusin. Sot shqiptarët e kanë më lehtë. Zolës mund t`i shkonte koka, e Ai e la peng për të vërtetën dhe e vërteta ngadhënjeu. Shqiptarët dikur tronditën gjykatën, prokurorinë dhe pushtetin Francez për ta nxjerr nga burgu Avni Rustemin. Sot heshtin. Pse? Secila redaksi, parti apo pushtetarë e intelektual ka hesapin e vetë pse heshtë. Po të ishte ndryshe, do të veprohej. Jo vetëm se do të kishim faqe të gazetave plot shkrime për të, por secila do të vraponte për të shtuar tirazhin. Do t’i kushtonin me orë radiot emisione për të gjetur diçka që nuk është thënë. Kjo do të mbushte edhe faqet e shtypit ndërkombëtar dhe do t’i kushtonin edhe hapësirë në ekrane televizive. Kush do të ishte fitimtar këtu? Me siguri kombi, siç ishte Zola në rastin Drajfus. Atëherë pse kjo heshtje? Përsëri e njëjta përgjigje, secili heshtë për hesap të vetin.
Është fajtor profesor Hoti që zgjodhi një program partiak kombëtar? Jo. Jeta e tij ngado që do ta shikosh është kombëtare. Programet kombëtare sot nuk shkojnë, do të përgjigjet akëcili, prandaj është humbje kohe të merresh me çështjen Hoti!
Pyes Kadarenë, është turp për kombin tonë të heshtët? Nëse po, filloja. Ti di nga t`ia nisësh. Apo ndoshta, nuk të është përgjigjur profesor Hoti në pyetjet e bëra edhe publike në “Gazeta Shqiptare“, sipas dashjes së Juaj dhe për atë heshtë. Keni të drejtë të gjithë të heshtni, por ndërgjegjen e keni të vrarë! Së shpejti do të vi gjenerata që do të ju akuzojë për këtë heshtje!
Kërkoj falje nga lexuesit, vëllezërit dhe motrat, që më të dashurit e tyre i kanë në kthetrat e një regjimi fashist serb, që në këtë shkrim jam marrë vetëm me profesor Hotin. Unë kam shokë, shoqe, nipa e kushërinj që vuajnë në zindamet serbe. Por lirimi i profesor Hotit nga burgu do të bëjë të mundur edhe lirimin e të tjerëve. Atë e mban në vargojë Serbia, sikurse Zeusi Prometheun. Kur u lirua Prometheu iu hoqën vargonjtë e errësirës edhe bashkëmendimtarëve të tij. Hoti ka bashkëmendimtar edhe jashtë burgut që janë të mbërthyer në vargojë nga Zeusi dhe zotërat tjerë kënaqën me erën e temjanit që del nga pjekja e flijimeve. Së shpejti do të rritet numri i bashkëmendimtarëve të tij, do të thyhen prangat dhe do të humbi forcën mendimi fisnor e perandorak, e tek atëherë do të kuptohet profesor Hoti, i cili me makinën e qepjes është nisur në një rrugëtim të gjatë, të cilën e mat me madhësi këmishe, nëpër metropolet e Amerikës dhe Evropës për të arritur në Prishtinë. Me heshtje vetëm i ngadalësojmë mbarimin e këtij rrugëtimi të gjatë.
Janar, 2000, Prishtinë
* * *
NA MUNGON SHUMË MENDJA E UKSHIN HOTIT
Tryezë e rrumbullakët

Në këto qaste historike të cilat populli shqiptar po i kalon, me mundime të mëdha dhe me rreziqe që edhe të gabojë dhe t`i vonojë proceset historike kombëtare, skenës politike të Kosovës dhe asaj shqiptare përgjithësisht, i mungon shumë mendja e Ukshin Hotit, njërit ndër intelektualët e përgatitur dhe të guximshëm të Kosovës, i cili ka përvijuar dhe profetizuar shumë çka nga ndodhitë e mëdha, në rrafshin tonë kombëtar, në këtë fund shekull. Dhe pikërisht për shkak të mendjempreh -tësisë së tij gjeniale dhe guximit të tij të pazakontë për elitën intelektuale, jo vetëm ndër shqiptarët, Ukshin Hoti u izolua, u arrestua, u dënua disa herë nga regjimi serb dhe vazhdon të mbahet pezull fati i tij, fati i tribunit më të njohur të popullit tonë në dy dhjetëvjetëshat e fundit.
Ukshin Hoti që në vitet shtatëdhjeta kishte tërhequr vëmendjen e inteligjencies jo vetëm kosovare, për shtrimin me guxim të çështjes së zhvillimit të shpejtuar dhe për afirmimin ndërkombëtar të Kosovës, shumë të ndjeshme për politiken shtetërore të kohës. Ai me idetë e tij që dilnin përtej kornizave të shteteve të kampit të Lindjes, kishte tërhequr edhe dyshimin e pushtetarëve të kohës dhe të asaj pjese të inteligjencës kuislinge, të cilët bënë çmos për ta thyer dhe pamundësuar të vepronte në drejtim të realizimit të ideve të tij politike e kombëtare, shumë të avancuara.
Pa pasur synim të ndriçoj biografinë e profesor Hotit, dua me këtë rast të ju përkujtojë vetëm disa parashikime gjeniale të tij për kahet e zhvillimit të politikës kombëtare, të cilat fatkeqësisht nuk u morën seriozisht nga nomenklatura politike e kohës, që për efekt patën rrjedhojat tragjike për popullin tonë. Dua të ju përkujtojë këtu faktin, që në kohën kur shumica e bashkëkombësve tanë ishin magjepsur me të ashtuquajturën rezistencë paqësore në Kosovë, profesor Hoti me largpamësinë mahnitëse sheshonte pasojat afatgjata të politikës pacifiste në Kosovë. Në artikujt e Tij të guximshëm të botuar në gazetën “Demokracia Autentike“ të cilat më vonë ubotuan nëlibrin e tij “Filozofia politike e çështjes shqiptare“, tërhiqte vërejtjen, se pas fillimit të shpërbërjes së Jugosllavisë dhe të Bashkimit Sovjetik, Shqipëria, sidomos pjesa e saj Jugore, mund të jetë arenë e ardhshme e konflikteve sociale e politike deri në luftë civile, për shkak të ekuilibrave të rinj të faktorëve gjeopolitikë global e rajonalë. Pikërisht në Tetovë, këtu e gati një dhjetëvjetësh më parë, në tubimin e subjekteve nga të gjitha trojet shqiptare (Konsulta e Tetovës 1 dhe 2), profesor Hoti shkoqiste domosdoshmërinë e unifikimit të faktorit politik shqiptarë për zgjidhjen e çështjes kombëtare, për emancipimin të gjithanshëm e përparim të shpejtuar ekonomik dhe shoqëror. Siç dihet, një ide e tillë e përpunuar, u minua nga dy partitë në Shqipëri dhe Kosovë që mbajnë ndajshtimin demokratikë. Se sa dhe se si u realizuan parashikimet e profesor Hotit, sa të drejta dhe të dobishme ishin vërejtjet dhe shqetësimet e tij për fatet e kombit, sot duket fare qartë, siç duken qartë pasojat e mospërfilljes dhe të arrogancës politike e atyre që iu adresoheshin vërejtjet.
Kur të tjerëve nuk guxonte të ju binte në mendje as në ëndërr seshqiptarët në çfarëdo mënyre mund të ndesheshin me regjimin shtypës të Beogradit, profesor Ukshin Hoti e thoshte çartë dhe prerë “Kosova duhej të ketë Ushtrinë e saj Çlirimtare”. Letra e Tij nga burgu dërguar studentëve të Universitetit të Prishtinës, nëkohën kur nëntëdhjetë e nëntë përqind e subjekteve politike në Kosovë ngarendnin përtë pamundësuar protestat në Kosovë, u bë udhërrëfyese dhe frymëzim për protestat estudentëve, që shkunden psikologjinë e robit ndër shqiptarët dhe i hapën rrugë luftësçlirimtare.Po sot a i duhet Ukshin Hoti skenës politike të Kosovës? Po t’i pyesësh politikanët e Kosovës, do të thoshin se bënë pa atë që s’është! Intimisht seciliprej tyre admiron bagazhin politikë e kombëtar të profesor Hotit, sidomos erudicionin e tij. Ata në të shumtën e rasteve, siç kanë bërë edhe më parë, do të shprehin keqardhje për fatin e tij, por thënë troç, e ndjejnë vetën më mirë pa të, sepse nuk janë të sigurt se do të mund të rriteshin nën hijen e tij. Në këtë disperzim të partive politike në Kosovë dhe garë të përgjithshme për pak emër dhe për pak pushtet, një njeri i kalibrit të Ukshin Hotit do të ishte promotor i unitetit të forcave morale kombëtare. Mbase për këtë fakt regjimi serb është kujdesur që një njeri të tillë me vizione të qarta politike e kombëtare dhe me moral të fort njerëzor, të mos lejoj të dilte përtej mureve të burgut edhe shumë muaj pas përfundimit të dënimit. Në të njëjtën pikë, mbase, duhet kërkuar edhe heshtjen e faktorit ndërkombëtar për fatin e profesor Hotit. Ndryshe si mund të shpjegohet fakti që Parlamenti Evropian edhe pse me 14 Maj të vitit 1997 aprovon një Rezolutë për lirimin e Hotit nga burgu serb, nuk ndërmerr asnjë hap për përmbushjen e saj. Po shqiptarët a bënë mjaft për lirimin e profesor Hotit?
Fare pak, do të thosha dhe sidomos jo në mënyrë institucionale. Përjashto një varg mbrëmjesh protestuese të organizuar nga Partia e Unitetit Kombëtar Shqiptar, memorandumet e po kësaj partie drejtuar institucioneve ndërkombëtare dhe personaliteteve me ndikim, si dhe peticionin e qytetarëve të Kosovës dhe atë të subjekteve politike dhe jopolitike të Kosovës, për profesor Hotin të iniciuara nga UNIKOMB-i, për lirimin e tij, nuk është bërë ndonjë gjë tjetër serioze në Kosovë e në viset tjera shqiptare. Denoncimet, shantazhet dhe nderskamsat që i janë bërë këtij tribuni janë më të shumta dhe flasin për moralin e një pjese të klasës sonë politike. Qytetarët gjithsesi kanë manifestuar ndjenjë më të theksuar meraku për fatin e profesor Ukshin Hotit dhe kjo më së miri shihet nga numri i madh i fotografive të tij gjatë manifestimeve protestuese për lirimin e shqiptarëve nga burgjet serbe, të cilat i bartin individët, të cilët kurrë nuk kanë pasur rastin të takohen me profesor Hotin.
Them që arrestimi i Tij, dënimi shumëvjeçar dhe moslirimi i Tij edhe pas përfundimit të dënimit e kanë dëmtuar rëndë popullin shqiptarë, skenën politike të Kosovës dhe në veçanti Partinë e Unitetit Kombëtar Shqiptarë, kryetar i së cilës profesori Hotiqe zgjedhur në Kuvendin e Dytë të kësaj partie, deri sa ndodhej në burgun serb. Është humbje e madhe, sepse Hoti kishte vizion të qartë për zgjedhjen e çështjes sonë kombëtare, kishte guximin intelektual dhe politikë dhe kishte përgatitje solide shkencore për marrëdhëniet ndërkombëtare dhe për funksionalizimin e shtetit.
Zonja dhe zotërinj
Duke pasur parasysh seriozitetin e kësaj tryeze dhe personalitetin e lartë të profesor Ukshin Hotit, propozoj nga ky forum të ju dërgohet një memorandum faktorëve relevant ndërkombëtar për lirimin e profesor Hotit dhe të shqiptarëve tjerë nga burgjet serbe. Nga këtu të nisim edhe një peticion të kryetarëve të subjekteve politike nga gjithë bota shqiptare, me porosinë e qartë se pa lirimin e Ukshin Hotit, pa lirimin e të gjithë shqiptarëve nga burgjet serbe, nuk do të ketë zgjidhje politike në Kosovë dhe nuk do të mund të sigurohet paqe dhe qëndrueshmëri në rajon.
04.03.2000, Prishtinë.

(VIJON…)

 _____________
PJESA E PARË:
AFRIM MORINA: NA MUNGON SHUMË MENDJA E UKSHIN HOTIT (1)
https://pashtriku.org/?kat=64&shkrimi=4023
***
PJESA E DYTË:
AFRIM MORINA: NA MUNGON SHUMË MENDJA E UKSHIN HOTIT (2)
https://pashtriku.org/?kat=64&shkrimi=4024

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura