KLAUDIA MALAJ: EMRIN GAZETARE MA DHA NJOHJA ME TERRENIN…

Tiranë, 19. 07. 2016: 1.Jemi takuar rastësisht, gjatë veprimtarive kulturore e letrare në kryeqytet. Por, më e rëndësishmja për mua ishte kur, një vit më parë, bëmë bashkë një Bisedë të ngrohtë, në studion e Radio-Tiranës. Ajo i kushtohej librit tim “Për ju, krijuese”, për të cilën përsëri të falënderoj përzemërsisht! Pra, si i kujton ti këto takime tonat?
-Ne jemi njohur më mirë, pikërisht nga takimi në Radio-Tirana, ku unë ju ftova në emisionin “Kohë Vere”, në rubrikën “Kopertina- Kohë për të Shfletuar”. Më pas, jemi takuar në disa përurime librash. Ju, profesor, keni qenë aty pjesëmarrës dhe i papërtuar për t’i ndjekur veprimtaritë dhe, më tej, për të publikuar, në shtyp e në Internet, shkrime rreth përurimit të librave, ku keni qenë pjesëmarrës.
2.Ti, Klaudia, ke redaktuar edhe libra. Janë tre, tashmë, të redaktuar nga ti.. Ç’mund të na thuash edhe për këtë përvojë me përgjegjësi?
-Po, unë kam redaktuar tre libra, deri më tani. Këta libra janë: “Prostitutë më bëri nëna” dhe „Pesh’ore Shpirti“, nga autorja Bukurije Bushati dhe „Ditari im“, nga motrushja ime e vogël (ne kështu i themi njëra-tjetrës), një vajzë shumë e talentuar, vetëm 8-vjeçe dhe që shkruan poezi, Sibora Huda. Mund ta quaj privilegj faktin, që ma besojnë një pjesë të shpirtit të tyre, disa autorë krijues, por sigurisht është edhe përgjegjësi.
3.Je gazetare e re, që provove punën në Radio-Tirana dhe, tanimë, në gazetën ditore “Telegraf”…Cilat janë përshtypjet tua dhe a je ndeshur me vëshirësi në profesion, përveç kënaqësive, që të jep ai?
-Unë jam përballë me profesionin, që në fund të vitit të parë të Fakultetit. Pra, kjo ndodhi para 4 vjetësh, me gazetën kulturore- javore, “Intervista”, shumë cilësore edhe serioze. Po gjatë asaj kohe, fillova të shkruaja në gazetën “Tirana Observer”, e cila tashmë është vetëm online. Me pas, përjetova kënaqësinë e gazetares në TVSH, te emisioni “Kolor”. Qendrova aty 6 muaj dhe, pa u shkëputur asnjë ditë nga puna, kalova në Radio-Tirana, në departamentin e emisioneve social-kulturore, ku vazhdoj prej një viti e gjysëm. Aktualisht, aty jam autore dhe moderatore e emisionit “Format” e, në shtator, ky emision bën një vit, që nga fillimi i tij.

Klaudia Malaj, publiciste e poete…

Po kështu, po mbushet rreth një vit, që i jam bashkuar edhe stafit të një ndër gazetave më të njohure në Shqipëri, “Telegraf”. Aty kam sektorin e politikes, të cilën nuk e mbaj vetëm unë. Plus edhe dy rubrika të tjera: “Specialisti shpjegon: Fadil Kepi” dhe “Psikologjia”. Mund ta them, me plot gojë, që është krenari për mua të punoj me zotin Fadil Kepi. Është njeri korrekt, shumë i zoti e, nga ai, kam mësuar edhe unë mjaft, tashmë, për legjislacionin e pensioneve. Tani, gjatë verës, po kështu, kam nën përkujdesje gazetën javore, “Tendenca Verore”, po në “Telegraf”.
Por, mund të them se unë, përditë, ndeshem me vështirësi dhe përditë mësoj shumë, nga punët që kryej. Gjithashtu, më është dashur të ndjek edhe shkollën e lartë…Pra, siç shihet, jam rritur njëkohësisht edhe në profesion edhe në Fakultet. Emrin „gazetare“ ma dha punë në terren, njohja me jetën e përditëshme. Fakuteti më mësoi si të jem e kujdesshme, mos të gaboj në një shkrim ose në daljet mediatike. Më mësoi të bëj pyetjen e duhur, për të marrë përgjigjen që dëshiron. Kjo është „arma“ e gazetarit, pyetja. Po nuk formulove pyetje të mira, nuk do të kesh një shkrim ose emision cilësor.
4.Në jetëshkrimnin tënd dhe siç e tregove më lart, kam lexuar se ke publikuar në disa gazeta. Për çfarë tematike ke shkruar?
-Në gazetën „Intervista“ kam realizuar disa intervista, por edhe materiale të tjera të tematikës së saj. Te „Tirana Observer“ e nisa me disa komente dhe analiza. Për hirë të së vërtetës, këtu e kam gjetur veten më mirë dhe kjo gjë më ka pëlqyer më shumë. Ndërsa te „Telegraf“, në të cilën jam aktualisht, merrem me çështjet politike të ditës, siç edhe e theksova edhe më lart. Përgatis edhe intervista të ndryshme, shoqërore e kulturore.
Për mendimin tim, duket pak si hallakatje të bësh shumë gjëra, njëkohësisht. Por kështu kupton, se ku je më mirë dhe ku ti jep më shumë. Kështu, unë e kam kuptuar, se ku jam më mirë dhe çfarë dua të bëj: pra dua politikën. Dhe për këtë e falenderoj pafundësisht drejtorin e gazetës, zotin Engjëll Musai, i cili më caktoi në një drejtim të tillë edhe më ka besuar goxha. Por nuk duhet lënë pa përmendur që edhe ndihma e drejtorit, ndaj meje, ka qenë shumë e madhe dhe mbeshtetëse.
5.Ndoshta, duhej të pyesja më parë: A mund të na tregosh diçka për familjen, shkollimin tënd etj.?
-Unë kam një vëlla, dy vjet më të vogël se veten, i cili quhet Klajdi. Dy prindërit e mrekullueshëm kanë ditur të më bëjnë kjo, që jam sot. Dua të shtoj këtu, se babai im është ndjekësi më i rregullt i emisionit tim „Format“, në Radio-Tirana. Ndërsa mami e Klajdi, jo. Por, edhe pse nuk e ndjekin, më japin ide për emisionin. Megjithatë, janë krenarë për sukseset e mia, të arritura deri më tani.
6.Një krijues e re dhe e talentuar, siç je ti, zakonisht, thurë edhe poezi ose shkruan skica e tregime…A është e vërtetë kjo edhe për ty dhe a mund të presim ndonjë libër me poez, nga ti?
-Unë kam nisur të shkruaj që e vogël, pa ndonjë qëllim dhe as nuk e kuptoja çfarë shkruaja. Por nuk i kam ruajtur poezitë e para. Mbaj mend se, kur kam shkruar poezinë e dytë, e kam grisur të parën. Dhe kështu e bëja me disa. Sepse poezia e radhës më dukej më e bukur, se e shkuara. Pastaj i ruajta disa, pastaj prapë i grisa. Ndërsa nga viti i dytë i Fakultetit fillova të kujdesesha për to. Pra, po, do jetë një libër nga unë. Por, se kur do të botohet ai, nuk e them të saktë, as vetë!? (ha,ha).
7.E di që do ta “lavdërosh” (ha,ha) gazetën, ku punon, pra “Telegraf”-in…Çfarë mendon se është më e pëlqyer në faqet e kësaj gazete dhe a do të dëshiroje të kishte ndonjë rubrikë të re ose të ndryshonte diçka aty?
-Meqë e dinit, që do ta lavdëroj, pa thonjëza të vëna, them se “Telegraf” është një gazetë e kompletuar. I ka të gjitha rubrikat, që i duhet një botimi të përditshëm. Është gazetë serioze dhe me një staf drejtuesish shumë të aftë.
8.E fundit, në radhën e pyetjeve të mia: A mos kemi “harruar”(ha,ha) ndonjë gjë pa diskutuar bashkë, në këtë Bisedë modeste, për të cilën të falëndroj përzemërsisht? Gjithashtu, të urojmë mbarësi e frymëzime të reja, shoqëruar me një fat, si në punën e përditëshme gazetareske dhe në krijimtarinë poetike!
-Faleminderit shumë për këtë bisedë. Kemi mjaft për të thënë, por më mirë pa treguar çdo gjë, sesa t‘i zbulojmë të gjitha!
Bisedën e zhvilloi: Prof. Murat Gecaj – publicist e studiues, Tiranë, 16 korrik 2016.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura