Pashtriku.org, 25. 07. 2016: Niko Stillo, shqiptari nga Preveza, me banim që prej më se katër dekadash në Gjermani, nuk është më i panjohur në Shqipëri. Së fundmi mbërriti te lexuesi me librin e tij të fundit “Etruskishte-Toskërishte” me një ligjëratë akademike.
Niko Stillo njihet në Ballkan e Turqi dhe Gjermani; njihet në Kosovë, Maqedoni e Shqipëri pa folur në Greqi. Veprat e veta fillimisht Nikua i boton në gjuhën greke që është gjuha e penës e tij. Stillon e njohin arbëreshët e Italisë, arvanitët e Greqisë, shqiptarët brenda e jashtë Shqipërisë. Zëri dhe pesha e fjalës së tij është ndjerë në Kosovë, në Institutin Albanologjik të Prishtinës, në Institutin e Historisë së Kosovës, në Universitetin Shtetëror të Prishtinës, në Universitetin Amerikan në Kosovë , Universitetin privat “Iliria” etj. Ai është pritur e përcjellë me nderime nga ASHAK (Akademia e Shkencave dhe Arteve të Kosovës) dhe në institucionet më të larta arsimore, shkencore dhe politike të Republikës së Kosovës. Ka marrë pjesë në forumin shkencor më se 30 vjeçar “Seminar i Kulturës Shqiptare për të huaj.” Në Republikën e Maqedonisë ka marrë pjesë në tubime shkencore të Universitetit Shtetëror të Tetovës, në Tetovë dhe në Ohër.
Niko Stillo
Ligjërues në sa e sa konferenca shkencore, kudo në Kosovë, Maqedoni, Shqipëri. Në Republikën e Shqipërisë ka marrë pjesë vazhdimisht në konferencat shkencore të Institutit të Historisë, të Institutit të Gjuhësisë e Letërsisë, në tubime të shoqatave atdhetare si Çamëria, në mbledhjet e shoqërisë civile. Librat e tij janë promovuar në panairet e librit në Shqipëri etj.
Prishtina zyrtare është e para që botoi veprën e parë të tij të përkthyer në shqip “Historia e Shenjtë e Arvanitëve”. Aty Niko argumenton shkencërisht se në themel të mitologjisë greke është mitologjia pellazgo-iliro-shqiptare, ajo e Çamërisë – Epirit. Në veprën e dytë “Fjalori i Marko Boçarit” Niko argumenton lashtësinë e alfabeteve të shqipes me gërma greke e të tjera në “Isagogi”, pjesën paraprirëse prej mbi 100 faqesh.
Njëkohësisht na sjell fjalorin e Marko Boçarit. Gjuhësia është një fushë kryesore, një kalë i betejës i studjuesit Niko Stillo, nëpërmjet së cilës ai hyn për të provuar si lashtësinë e shqipes, ashtu edhe të shqiptarëve.
Tani së fundi doli dhe libri “Etruskishte-Toskërishte”, prej rreth 700 faqësh, pjesën e parë të të cilit e kemi në shqip, të përkthyer nga zoti Llambro Ruci, shkrimtar, poet, përkthyes i njohur nga greqishtja.
Nëse Spiro Konda, pellazgolog i shquar shqiptar, që në vitet 50 të shek. XX, tregoi vlerën e shqipes në sqarimin e problemit pellazgjik; nëse Zaharia Majani, studjues francez, që në vitet 60 të shekullit XX, në dy veprat e tij për etruskët, sidomos në “Etruskët filluan të flasin”, prapë i drejtohet shqipes; Niko Stillo tani në vitin 2010-2011 na tregon se “Etruskët flasin shqip”. Nëpërmjet toskërishtës-çamërishtes shpjegohen rreth 140 tabelat me mbishkrime etruske të gjetura në Itali, Nikua i ka dëshifruar të gjitha.
Zaharia Majani zbërthen një fjali: “She n’ulis rite” (Dmth “Perrua në të tatëpjetë është rinia”) dhe vlera e tij qendron në faktin që zgjodhi shqipen si pikë referimi për të zbërthyer shkrimet në gjuhën etruske. Nikoja, pas një pune shumëvjeçare, cfilitëse, të mundimshme, ka zbërthyer tekstet etruske, duke dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm për albanologjinë, ballkanologjinë, pellazgologjinë e në mënyrë të veçantë për etruskologjinë, me rëndësi europiane e botërore.
Niko Stillo me punën e vet, me zotërimin e mbi dhjetë gjuhëve dhe të greqishtes si asaj të lashtë, bile në dialektet e veta jonike, dorike etj., të greqishtes bizantine, katharevusa, greqishten e Stambollit dhe dhimotiko (greqishtja popullore) është helenisti më i madh shqiptar në kohën tonë. Ndihmesa e tij është e pashembëllt. Zotërues i katër fakulteteve, profesor Niko Stillua është një enciklopedist e erudit i shquar që nuk mund të mos ngjallë admirimin tonë. Jeta e tij është një model për rininë tonë, veçanërisht atë studentore, për sakrificat e bëra për shkollim, për përkushtimin ndaj punës dhe për vullnetin dhe këmbënguljen e treguar në arritjen e qëllimeve të larta që i ka vënë vehtes në jetë. Vepra e tij, ajo e shkruar dhe ajo që ka në proces, është rezultat i një pune kolosale të bërë gjatë mbi gjysëm shekulli. Nikoja, nuk di të ngrihet nga puna me kompjuterin. Madje ka shkruar edhe poezi të cilat priten të sillen së shpejti në shqip.
Gjithashtu dy vepra madhore të tij së afërmi do të shohin dritën e botimit në gjuhën shqipe: Fjalori katër gjuhësh i Dhanil Voskopojarit rreth 500 faqe (kur ai në origjinal s’ka as 40 faqe) dhe Fjalori Shqip-greqisht i ishullit Hidra i Panajot Kupitorit. Ky i fundit ka rëndësi të dyfishtë se na nxjerr në dritë një libër që flinte në arkivat greke, me qëllim apo pa qëllim dhe së dyti ai është tapia e ishullit të Hidrës që flet shqip edhe sot e kësaj dite dhe që luajti rol vendimtar në revolucionin grek të 1821.
Këtë revolucion, luftën për pavarësinë e Greqisë e bënë kryesisht shqiptarët, arvanitët e Greqisë. Populli në këngën e vet do të bubullinte:
Ngrehu Marko Shqipëria
Ngrehu të thërret Greqia”
Dhe në një këngë tjetër popullore thuhet:
“Ngrehu mor Marko Sulioti
Ti Xhavell’ e Kundurioti
O ju trimat e Shqipërisë
Që lirinë i dhatë Greqisë“
Niko Stilloja është në linjë të drejpërdrejtë nga babai i vet, stërnip i Marko Boçarit. Nuk ka asnjë rastësi në marrjen prej tij me shqipen, arvanitët, çamët, ilirët, pellazgët, etruskët.
I takon Shkollës së Janinës që lidhet me emrin e gjimnazit të dëgjuar “Zosimea”, të themeluar nga shqiptarët. Në bangat e tij u shkolluan një pjesë e mirë e rilindasve tanë më të shquar si Abedin Dino, Jani Vreto, Kostandin Kristoforidhi, vëllezërit Naim e Sami Frashëri, Ismail Qemali e shumë të tjerë. Edhe Nikua, veç Prevezës e Athinës, një kohë të viteve të gjimnazit i ka bërë në Zosimean e Janinës. Vetëm se duhet të dallojmë disa breza rilindasish. Së pari kemi brezin e hershëm rilindas me Angjelica Palin (Kjo e zhvilloi aktivitetin e saj në Evropë dhe është si të thuash një Dora D’Istria e llojit vet, por një shekull para saj). Mbasandaj kemi brezin e rilindasve tanë të shquar të sipërpërmendur.
Këtyre do t’u shtonim dhe tre emra të tjerë; Peshkopin e Paramithisë Anthim Caco që më vonë erdhi në krye të Patriarkanës së Stambollit. Në vitet e stuhishme të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, ky dijetar çam botoi në Stamboll në gjuhen shqipe Ungjillin. S’mund të lëmë pa përmendur dhe dijetarët arvanitas njeri nga Salamina (Kulluri) Anastas Kullurioti që kish mbaruar Universitetin e Harvardit në shekullin XIX; tjetri Panajot Kupitori nga Hidra. Në gjurmë të tyre vjen në fillim të shekullit XX një gjuhëtar e akademik arvanitas si Petro Furiqi.
Në vazhdë të gjithë këtyre që përmendem deri tani kemi rilindasit e sotëm arbërorë, të cilëve do t’u shtonja një emër arbëresh në krah të tyre, dijetarin Antonio Belushi nga Kalabria. Disa prej tyre janë ende gjallë e disa nuk jetojnë më. Po sjell disa nga emrat më të spikatur si Jorgo Maruga, folkloristi Vangjel Lapi, Aristidh Kola, Jorgo Miha, Jorgo Jeru etj. Niko ka qenë mik i ngushtë i rilindasit të mirënjohur, Aristidh Kola, që vdiq apo e helmuan tani në dekadën e fundit. Me Aristidhin dhe kryetarin aktual të shoqatës së Arvanitasve të Greqisë, Jorgo Jeru, kemi pasur fatin e nderin të flasim e të njihemi personalisht si në Stamboll dhe në Prishtinë në Javën e Kulturës Arvanitase më 2004. Aty e merr zanafillen edhe miqësia jonë me dijetarin, shkencëtarin e studjuesin Niko Stillo.
Ai është vazhdues i çështjes së madhe të arvanitëve të Greqisë për të fituar të drejtat e tyre si një makrokomunitet disa milionësh dhe të qindra mijëra çamëve ortodoksë që jetojnë nga Preveza e Arta deri në Gumenicë e filat, ai është një përfaqësues i denjë i tyre. Niko Stillo është i brumit rilindës në gen e në vepra e në tërë veprimtarinë e tij shkencore dhe praktike shoqërore. Ai është një rilindas i gjallë që është i pranishëm jo vetëm me veprën diturake.
Ja disa rrjeshta që përbëjnë kredon, devizën, motivin qenësor të jetës së tij:
“Niko Stillos edhe ai arvanit (shqiptar i Greqisë) jo vetëm që nuk beson se arvanitasit janë të ardhur nga Shqipëria në Mesjetë në Greqi, por ata janë autoktonë atje dhe ka bindjen në të kundërtën e ndodhur në Lashtësi.
Ilirët në viset e Shqipërisë e kanë prejardhjen nga Thiva e Beotisë. Siç e dimë i pari apo themeluesi i tyre ka qenë Iliri, i biri i Kadmit, mbretit të Thivës (Tebës), prej të cilit morën dhe emrin.
Duke u përpjekur të provojë vërtetësinë e këtyre sa përmendëm më lartë, Stylos merret me mbishkrimet shumë të lashta të shkruara me alfabetin jonik, të cilat deri më sot nuk janë lexuar. Në këto mbishkrime shpjegimin e gërmave të panjohura e gjen në alfabetet e njohur të Epirit, që na kanë arritur deri në ditët tona. Nëpërmjet përdorimit të këtyre gërmave të panjohura zbërthehet lehtësisht enigma…na dalin përpara tekste të përsosura në gjuhën shqipe…”
Po të perifrazojmë fjalët e një autori italian për shkrimtarin e madh e të mirënjohur Umberto Eko që “ai e njeh Mesjetën sikur të ketë jetuar çdo ditë në të“, për Niko Stillon duhet të themi që “ai e njeh lashtësinë sikur të ketë jetuar orë e çast në ato kohëra të largëta e të mugëta të historisë.”
Dr. Jakup Krasniqi, Kryetar i Kuvendit të Republikës së Kosovës që ka bërë parathënien e librit “Etruskishte-Toskërishte” Tiranë 2010, e cilëson Niko Stillon si një studjues të përkushtuar dhe të pasionuar për ndriçimin e shqipes dhe të shqiptarëve në lashtësitë paraantike dhe antike.”
Nga Atdhetari rilindës, miku i shqiptarve Niko Stillo, priten arritje të mëtejshme në punën e vet kërkimore shkencore, vepra të reja për të mirën e çamëve dhe arbërorëve të Greqisë, për popullin e kombin shqiptar, për lashtësinë e tij. Në këtë vit jubilar për të, kur ai mbush së shpejti 65 vjet (ka lindur më 18 prill 1946) mbërrin si urim simbolika e jeta e gjatë krijuese dhe pendës së mprehtë!
Pas Universiteteve të Kosovës, Universiteti “Kristal” në Tiranë është i pari që të hapi dyert dhe nderoi zyrtarisht njeriun-akademi Niko Stillo./Shkruar nga Dr. Laurant BICA/