SKËNDER IBISHI: KOSOVA IA KA ZBARDHUR GJITHMONË FAQEN SHQIPËRISË

(Pashtriku.org, 26. 06. 2012) – IBRAHIM ÇAVOLLI (1928, Pejë) mësimet e para i mori në Tiranë, ku ishte shpërngulur në moshën dyvjeçare, për të vazhduar Liceun. Me pas do të ndjekë mësimet në shkollën e mesme “Sami Frashri” të Prishtinës. Nga fundi i ’45-ës shpërngulet sërish në Shqipëri ku do të ‘kryeje studimet e larta në Fakultetin Histori-Filologji të Universitetit të Tiranës dega Histori-Gjeografi. Me 1950 nisi veprimtarinë si gazetar, me pastaj ndihmësdrejtor i Radiotelevizionit Shqiptar, sekretar i Kolegjiumit të revistës “Ylli” etj. Me 1981 ngarkohet me detyrën e Zëvendëskonsullit të Përgjithshëm të Shqipërisë në Stamboll. Para pensionimit punoi si redaktor në revistën “Shqipëria sot”. Gjatë veprimtarisë gazetareske e publicistike ka shkruar editoriale, artikuj, kritika problemore, reportazhe, portrete, përshkrime … Pas daljes në pension i është kushtuar përkthimeve nga letërsia, për fëmijë. Libri që po ju paraqesim është vëllimi i dytë i serisë “Jam kosovar…!”

Ibrahim Çavolli

______________________

Po! Jam kosovar! E them me zë të lartë, pa fshehur aspak krenarinë. Veç, ka qenë një kohë, kur do të doja ta shqiptoja këtë fakt, më fort. Do të doja që ky pohim të ishte aq i fuqishëm, sa të jehonte me gjëmim, gjer në kupë të qiellit. Jo, thjesht siç thuhet rëndomtë: jam lab, jam malësor, jam shkodran apo jam korçare. Jo! Do të dëshiroja që zëri im të bubullinte, të shkreptinte si rrufeja dhe të davariste retë e thashe-themnajes, si dielli me shkëlqimin e vet verbues. Kam shumë arsye të jem krenar që jam kosovar. Se Kosova ia ka zbardhur gjithmonë faqen Shqipërisë.

TRE DJEM TRIMA E IDEALISTË

(…Faqe 199…)
Me sa di unë, autorësinë e demonstratave të vitit të madh 1981: e mori përsipër, grupi i të rinjve të quajtur Partia Komuniste M-L e Kosovës (PKMLSHJ – v.i.), Në fillim nuk dija asgjë për ta. Vetëm se, më qe dhënë porosia që, t’i prisja e të bisedoja hollësisht, në se vinin e paraqiteshin. Me të vërtetë, ata erdhën, por, për fat të keq, unë nuk qëllova aty. I priti e bisedoi Ali Ymeri.
Kur u ktheva unë, ai, me tregoi gjithçka dhe m’u lut që edhe të nesërmen, kur të vinin prapë, ta vazhdonte bisedën, sepse “paraqiste shumë interes” për sektorin e tij. Detyrat tona qenë ndarë mirë e prerë: Me çdo njeri që do të fliste në emër të ndonjë lëvizjeje, për çështjen e Kosovës, do të bisedoja vetëm unë. Shokët e tjerë të konsullatës, nuk duhej të përziheshin, në asnjë Mënyrë.
Aliu, me tha se, do të më jepte të gjitha shënimet që, kishin të bënin me grupin nismëtar të demonstratave e çdo gjë që lidhej me organizimin, platformën etj. Ai, do të mbante vetëm ato që paraqisnin interes të veçantë për sektorin e tij.
Kjo nuk qe e rregullt, por, i ndodhur para faktit të kryer dhe me bindjen se, pavarësisht nga detyrat e ndara, kishim një qëllim të vetëm e duhej të bashkëpunonim me njëri-tjetrin, me mirëkuptim, unë pranova.
Sidoqoftë, ata, nuk erdhën të nesërmen. Shkuan në Ankara dhe u takuan me Bujar Hoxhën. Më vonë, pas largimit të profesorit, shiheshim e bisedonim bashkë për çdo gjë.
(…Faqe 200…)
Ishin djem të mrekullueshëm. Të lidhur ngushtë me njëri-tjetrin, jo vetëm nga ideali që i bashkonte, po edhe nga gjaku qenë të afërt. Kurrë nuk i harroj ata: aq të rinj dhe aq trima e të përgatitur në çdo drejtim. Djem të sakrificës si të qenë kalitur në beteja. Kosova i rriste me vështirësi djemtë e vet, nuk i mësonte me pekule. Ashtu qenë rritur edhe ata: përmes shtrëngatave që nuk iu ndanë, gjatë gjithë historisë së lashtë.

Drejtuesit e PKMLSHJ’së: Osman Osmani, Abdullah Prapashtica dhe Faton Topalli

________________________________

Ç’ishte ky grup?
Unë njoha vetëm Abdullahun (Prapashticën), Osmanin (Osmani) dhe Fatonin (Topalli). Si të ishin tre vëllezër. Të sjellshëm, të ditur, po modestë. Shpesh mendoj e them me vete se: mësova nga ata, më shumë se ç’munda t’u jap, ndonëse qenë shumë të rinj e unë kisha gjithë ato vite në kurriz. I kishte kalitur jeta dhe iu futën luftës së vështirë e me rreziqe, gjithnjë duke mësuar. I desha shumë ata djem që braktisën ngrohtësinë e jetës familjare, për të vënë kokën, si të thuash në satër, që të fitoje ngrohtësi mbarë vendi. U zhytën me guxim në rrebeshin e zjarrtë të betejave, për t’i siguruar liri e drejtësi popullit të tyre, të shumë vuajtur që, mbante mbi kurriz, barrën e rëndë e të akullt të robërisë.
Grupi i tyre, qe formuar, që në të gjallë të Titos. Kishte shpërndarë thirrje, në të gjitha institucionet e Jugosllavisë, me kërkesën që Kosova të shpallej republikë, në kuadrin e Federatës. Ishte aspiratë e vetë popullit kjo. E patën përsëritur disa herë këtë veprim, duke ftuar autoritetet më të larta që, të plotësonin këtë të drejtë legjitime, pa qenë nevoja të dilet në rrugë e të bëhen konfrontime të padëshirueshme. Shpresonin që kjo do të fitohej sa që gjallë Titua. Por pritja qe e kotë. Ai qe përgjigjur njëherë me 1968 dhe me sa duket, nuk e vlerësoi më. Ndofta nuk guxoi ta vlerësoje. Rankoviçi, vërtet që kishte rënë nga fiku, por jetonte ende mes luksit e mbahej mirë, ndërsa nacionalizmi serb, ndonëse i goditur teorikisht, mbahej fuqishëm praktikisht.
Vdekja e Titos, e ndërlikoi gjendjen. Grupi i Abdullahut, me intuitë të mprehtë, e mori me mend se, pas kësaj, serbët shovenë që i mbanin veshët bigë, do të gjallëroheshin, do të ngrinin jo vetëm veshët, po edhe thikat që mbanin nën kokë. Si rrjedhim, sa më shumë ditë që të kalonin, aq më shumë do të vështirësohej, plotësimi i kërkesës së tyre dhe i popullit. Pritja nuk do të sillte asgjë, veç dëmit të mëtejshëm. Pra, O tani o kurrë!
(…Faqe 201…)
Ishte koha, kur pritej regres në Jugosllavi. Mbi të gjitha, ishte koha, kur ndjenja kombëtare e shqiptarëve qe rritur, populli kishte fituar besim në vete. Marrëdhëniet e shpeshta vëllazërore me Shqipërinë, qenë sigurisht, ushqim shpirtëror i pazëvendësueshëm.
Në këto rrethana, grupi mendoi të hidhej në sulm. Ashtu u bë. Dhe siç dihet, pas një preteksti të thjeshtë, thirrja për demonstratë, u përkrah menjëherë nga studentet. Pastaj mori flakë e u shtri në masën e gjerë të popullit. Preku zemrën e tij, plagët që i dhimbnin. Nxori në dritë e vuri në pah, atë bashkim të çeliktë që, gjallonte duke pulsuar, pa u ndalur kurrë, në shpirtin e tij të madh.
Në ato demonstrata, mori pjesë aktive, edhe një grup tjetër i organizuar që, njihet me emrin, Grupi Marksist Leninist i Kosovës. Të gjithëve na kujtohet, e përhapur në shtyp, nëpërmjet të një fotografie, figura e Hydajet Hysenit. Ai u foli masave, me zjarr e mençuri. I udhëhoqi me guxim e shembull vetëmohues. Me sa di unë, ai i përkiste, pikërisht këtij grupi i cili kishte në krye djem si Kadri Zeka.

Prishtinë, Prill 1981: Hydajet Hyseni, duke folur para demonstruesve…

________________________________

Kam bindjen se, të kësaj kategorie qenë edhe Abdullahu me shokët e vet, Osmanin e Fatonin. Hero nuk janë vetëm ata që vdesin! E di që, tani, vret veshin përmendja e emërtimeve si komunist, marksist-leninist etj. Po ç’ti bësh së vërtetës? Ata qenë në ballë! Ata sakrifikuan të parët!
Një ditë, në shtëpinë e Tefik Strajës, në Pendik të Stambollit, që ishte kthyer në strehë të ngrohët për luftëtarët e lirisë, më dhanë një pamflet të shkruar. Ishte përgatitur për qëllin propagandistik.
E lexova me kujdes dhe i entuziazmuar, thashë:
– Po ky, është manifest i shkëlqyer, bre! Kush e shkroi? Abdullahu, ngurroi një çast, pastaj duke u drejtuar nga Osmani e Fatoni, tha:
– Po ja, ne … së bashku!
Si gjithnjë, ai djalë fisnik, i talentuar e i guximshëm, me cilësi prijësi, ndonëse fort i ri, ishte njëherësh edhe tepër modest.
(…Faqe 201…)
Ra fjala, për partinë që kishin formuar. Ai, me të drejtë, kishte vënë re se, mungesa e një partie kombëtare që gjatë Luftës NÇL kishte sjellë pasoja negative në fatin e statusit të Kosovës. Maqedonët që e patën krijuar një parti të tillë kombëtare, fituan statusin e republikës, ndonëse me popullsi më të pakët se ne.
Ishim te Tefik Straja. Aty, qenë strehuar si në shtëpinë e vet, falë bujarisë edhe të zonjës së shtëpisë, Nuran hanëmit, me origjine të largët nga Lushnja. Ajo, ashtu si edhe i shoqi, e dinin mirë se ç’bindje politike kishin mysafirët. Ato bindje qenë të ndaluara dhe dënoheshin në Turqinë e asaj kohe. Nga ana tjetër, ata, burrë e grua, qenë antikomunistë të vendosur.
Ç’i shtynte të jenë kaq dashamirës?
Asgjë tjetër, veç luftës për ta bërë Kosovën të lirë, si gjithë popujt e tjerë. Vetëm kjo i bashkonte! Ishte një forcë që rrinte mbi çdo ndasi!
Ruaj kujtime të pashlyera, për të gjithë. Nuk më ikin kurrë, nga zemra, ata djem, të cilët, duke lënë pas dore gjithçka të jetës rinore, studimet e kënaqësitë e moshës, iu kushtuan, me mish e me shpirt, me mundësi për të humbur dhe jetën, çështjes së rrezikshme të lirisë së popullit të vet.
E takova, pas shumë e shumë vitesh, Abdullah Prapashticën. Në Prishtinën e lirë. U përqafuam vëllazërisht. Kujtuam ato ditë të kaluara e të largëta që na njohën e na bashkuan, për një qëllim. Ishte po ai, i thjeshtë, modest e pa asnjë pretendim. Ende i brishtë në pamje, siç qe atëherë, po tërë zjarr e shpuzë në shpirt e zemër dhe i përkushtuar, si gjithnjë, për çështjen tonë të madhe. U binda edhe një herë: Nuk është nga ata që rrahin gjoksin.
(…Faqe 203…)

Me respekt,
Skender Ibishi, Qershor 2012

 ____________________________________

NJË MATERIAL ARKIVOR I PKMLSHJ’së

—————————————————-

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura