PROF.DR.ABDULLA MEHMETI: MAQEDONIA DUHET TË RIBËHET SHTET ME KONCEPT TË RI

Tetovë, 31. 08. 2016: – (Numri i popullsisë në Maqedoni) – Sipas të dhënave të Entit Shtetëror të Statistikës, nga regjistrimi i fundit i banorëve, familjeve dhe banesave, në vitin 2002, Republika e Maqedonisë ka pasur gjithsej 2.022.547 banorë. Ndërkaq, regjistrim i ri i popullsisë në këtë vend nuk është bërë një kohë të gjatë. Regjistrimi i rregullt i banorëve të vendit, i filluar në vitin 2011, u anulua me arsyetim për mungesë të klimës politike në vend. Por, ekspertët e kësaj çështje kanë konstatuar se regjistrimi ka dështuar për shkak të dyshimeve të bazuara për zvogëlimin e madh të numrit të popullsisë, si dhe ndryshimi i strukturës etnike të popullsisë në këtë vend.
Gjatë viteve të fundit, edhe pse nuk jepen të dhëna zyrtare të sakta, mendohet se Maqedoninë e kanë braktisur së paku 300 mijë qytetarë të saj, kryesisht për shkaqe ekonomike, por edhe për shkaqe politike dhe të tjera.
Së paku 200 mijë qytetarë të këtij vendi, me përkatësi etnike maqedonase, e kanë braktisur vendin për të siguruar të ardhme më të mirë, në Australi, Kanada, SHBA dhe shtetet e Evropës Perëndimore.
Po ashtu, vetëm gjatë dekadës së fundit, mbi 100 mijë shqiptarë janë larguar nga vendi në drejtim të SHBA-ve dhe shteteve të Evropës Perëndimore, në mungesë të perspektivës në vendin e tyre.
Mbi 200 mijë qytetarë të Maqedonisë viteve të fundit kanë marrë shtetësi bullgare, të cilët e konsiderojnë veten bullgarë, ndërsa atyre u mohohet e drejta e deklarimit të lirë sipas bindjes së tyre. Në asnjë cikël të regjistrimit të popullsisë në Maqedoni nuk është paraparë rubrikë për pakicën bullgare, si për bashkësitë tjera etnike, edhe pse dihet që historikisht në Maqedoni jeton një pakicë bullgare në numër të konsiderueshëm.

Struktura e popullsisë në Strugë (2013).

Në anën tjetër, mbi 100 mijë qytetarë shqiptarë të besimit ortodoks dhe po aq qytetarë me përkatësi tjetër etnike, sidomos vlleh, shprehin tendenca të hapura për t’u rikthyer në identitetin e tyre të natyrshëm, për shkak të humbjes së privilegjeve që i kanë gëzuar gjatë regjimit të mëparshëm.
Gjithashtu, një numër i madh prej disa dhjetëra mijë banorësh me përkatësi sllave nga Maqedonia e Egjeut, që i sjelli pushteti komunist nga vendet e Evropës Qendrore dhe Lindore, për mungesë të perspektivës kanë filluar të largohen me shumicë nga Maqedonia.
Numri i përgjithshëm i votuesve
Numri i përgjithshëm i trupit votues në Maqedoni, në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të vitit 2014 ka qenë 1.780.128 votues.
Nga analizat e fundit, sipas organeve kompetente të këtij shteti, është konstatuar se afër 500 mijë qytetarë të përfshirë në listën e përgjithshme të votuesve, janë fiktivë.
Nga të dhënat e mësipërme del se, prej afërsisht 2 milion banorë, vendin e kanë braktisur së paku 300 mijë banorë.
Afër 400 mijë banorëve vendës u mohohet e drejta e deklarimit të lirë sipas përkatësisë etnike, 200 bullgarëve, 100 shqiptarëve ortodoksë dhe afër 100 mijë qytetarë të tjerë, sidomos vllahëve.
Ndërsa, afër 1/3 e qytetarëve në listën e përgjithshme të votuesve dyshohet se janë fiktivë.
Nevoja për ridefinimin e konceptit të shtetit
Nga kjo del se, Maqedonia nuk ka mundësi të mbijetojë si shtet nacional, sepse asnjëri prej nacionaliteteve të këtij vendi nuk e përbën shumicën, prej së paku 50% të qytetarëve, që t’i njihet e drejta e shtetformimit, sipas parimeve universale të së drejtës ndërkombëtare.
Prandaj, me ndryshimet e reja të domosdoshme të Kushtetutës së këtij vendi, Maqedonia duhet të definohet si shtet i qytetarëve të saj, pa dallim të përkatësisë etnike, gjuhësore dhe fetare.
Problemet kyçe
Përderisa, gjendja në vitin 2016 vazhdon të jetë e paqartë me numrin e banorëve dhe të qytetarëve me të drejtë vote, ndërsa në Listën e përgjithshme zgjedhore në Maqedoni është konstatuar, nga organeve kompetente të shtetit, se janë përfshirë afër 500 mijë votues fiktivë, ose afërsish 1/3 e numrit të përgjithshëm të votuesve në vend;
Kur, ekspertë të kësaj çështje dhe disa përfaqësues të partive politike maqedonase kanë deklaruar se, mbi 200 mijë qytetarë me përkatësi etnike maqedonase duhet të fshihen nga lista zgjedhore, pasi ata që e kanë braktisur përgjithmonë Maqedoninë;
Për sa, Maqedonia përmes ligjeve raciste vazhdon t’ua mohojë të drejtën për shtetësi një numri të madh të qytetarëve të vet shqiptarë, duke mos e respektuar kushtetutën e vendit dhe konventat ndërkombëtare, ku mbi 50 mijë shqiptarë të Maqedonisë ende mbeten pa shtetësi;
Deri sa, nga vetë organet e shtetit është konstatuar se mbi 40 mijë shqiptarë të Maqedonisë janë fshirë nga lista zgjedhore, dhe për këtë skandal të pashembullt Këshilli Shtetëror Zgjedhor deklaron se nuk ka informata, ndërsa organet tjera kompetente të shtetit dhe partitë politike heshtin;
Edhe përkundër nënshkrimit të Marrëveshjes për zgjidhjen e krizës politike në vend, me ndërmjetësim të faktorit ndërkombëtar, më 20 qershor 2016, edhe më tej shumica e qytetarëve të këtij vendi mbeten të pashpresë se kriza politike dhe ekonomike mund të zgjidhet në një të ardhme të afërt.
Pyetje të domosdoshme
Cili është roli i vërtetë ndërmjetësues i faktorit ndërkombëtar për zgjidhjen e krizës politike në këtë shtet?
Cila është rëndësia praktike e marrëveshjes për dalje nga kriza politike mes katër subjekteve politike më relevante (dy shqiptare dhe dy maqedonase), e nënshkruar në Shkup, me ndërmjetësimin e faktorit ndërkombëtar?
Cilat janë garancitë se zgjedhjet e ardhme parlamentare, të parapara të mbahen në dhjetor të këtij viti, do të jenë të lira dhe demokratike, për ta nxjerrë vendin nga kriza e thellë politike dhe ekonomike?
Sa mund të jetë e besueshme kjo marrëveshje, kur palët nënshkruese të saj janë po ato subjekte që me politikat e tyre të gabueshme vetë e krijuan këtë krizë të thellë politike dhe ekonomike në vend?
Përfundime
Nga kjo situatë mund të konstatohet se, nuk janë fajtorë qytetarët e Maqedonisë, shqiptarët dhe maqedonasit si shumicë, as qytetarët e nacionaliteteve të tjera pakicë, për krizën politike dhe ekonomike në vend, por fajet qëndrojnë në konceptin e shtetit dhe mungesën e mekanizmave ligjorë për llogaridhënie para qytetarëve nga partitë politike, të cilat e kanë udhëhequr vendin deri më sot, ndërsa në anën tjetër, lejohet që shteti të mbijetojë vetëm në saje të mbështetjes nga faktori ndërkombëtar, në planin politik dhe financiar, për interesa gjeostrategjike të caktuara.
Në këtë gjendje të krijuar, qytetarët nuk shohin asnjë perspektivë nën udhëheqjen e subjekteve politike që aktualisht e qeverisin vendin, të bindur se ato janë fajtorët kryesorë për krizën aktuale, me dyshime të bazuara se udhëheqësit e po këtyre subjekteve, gjatë viteve të fundit kanë qenë të interesuar vetëm për tjetërsimin e pasurisë së shtetit dhe fare pak janë kujdesur për mirëqenien e qytetarëve dhe sigurimin e progresit shoqëror dhe ekonomik të vendit.
Nga ana tjetër, borxhi i përgjithshëm i shtetit ndaj institucioneve të jashtme financiare vazhdon të rritet në disa miliardë dollarë, ndërsa dyshohet se garnitura politike aktuale ka tjetërsuar afërsisht 6 miliardë dollarë nga pasuria e shtetit dhe qytetarëve të tij.
Zgjidhja
Kjo gjendje ua imponon qytetarëve të këtij vendi, sidomos shqiptarëve, si dhe faktorit ndërkombëtar, të kërkojnë zgjidhje të qëndrueshme dhe afatgjatë për tejkalimin e krizës politike dhe ekonomike në vend, përmes mbajtjes së një Konference Ndërkombëtare për Maqedoninë, për ribërjen e këtij shteti me koncept të ri, duke u bazuar në realitetin historik dhe etnik të këtij shteti, sipas parimeve universale të së drejtës ndërkombëtare.

 

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura