Tetovë, 4. 9. 2016: Treva e Pollogut sipas studiuesve të huaj është pjesë përbërëse e Dardanisë e jo e provincës së Maqedonisë. Për këtë flasin monumentet mbivarrore të Pollogut, që kryesisht i sajojnë stelat, për nga ana e epigrafisë paraqiten në dy gjuhë: atë latine dhe greke, gjë e cila është e zakonshme në zonat kufitare.
Kohët e fundit politika maqedonase po tenton të krijojë një situatë të re. Por me këtë rast, me anë të monumenteve sepulkrale dhe të kultit të kohës të erës romake do të vërtetojmë edhe një herë faktin se kjo trevë i ka takuar Dardanisë. Një gjë të tillë e vërteton edhe njëherë përkatësinë dardane të Pollogut, në të mirë të së cilës aq më tepër flet edhe një altar votiv me mbishkrim latin.
Për përkatësinë e kësaj treve që në të kaluarën i ka takuar Dardanisë janë shumë studiues të huaj, si F. Papzoglu, H. Kiperti, N. Vuliqi dhe shumë studiues të tjerë me përjashtim të Nade Proevës të cilës me të madhe i pengon kontinuiteti Iliro dardan. Ndërsa Garashanini ka deklarua se: “Dardanët ishin padyshim Ilirë”. Edhe studimet linguistike të M. Budmirit kanë dëshmua lidhjet e ngushta të gjuhës së sotme shqipe me ilirishten e vjetër. Problemi i raportit të shqipes ndaj ilirishtes është një problem historik e gjuhësor, atë duhet rrokur në tërësinë komplekse të tyre. Për këtë arsye shqiptarët duhet të konsiderohen si pasardhës të ilirëve, banorëve më të vjetër të Ballkanit Perëndimor, pasi shumica e studiuesve që merren me këtë problematikë kanë pranuar pa hamendje tezën se shqiptarët janë pasardhës të ilirëve.
Këta studiues për caktimin e kufijve të Dardanisë dhe kufijtë e saj e futin edhe qytetin e Tetovës dhe të Gostivarit. F. Papazoglu, çështjen e kufijve të Dardanisë për herë të parë e trajton me rastin e përcaktimit të kufijve të provincës së Maqedonisë, ku thekson se treva e Pollogut duket se në kohën antike ka qenë e banuar me dardanë, prandaj më shumë ishte e lidhur me Shkupin se sa me trevën në jug të saj. Në bazë të këtyre të dhënave, treva e Tetovës duhet të ketë hyrë në pjesën e Mezisë së Epërme, pjesë përbërëse e së cilës ishte Dardania.
Por, më vonë, si duket kjo shkencëtare e ndërron mendimin dhe bie nën influencën e kolegëve sllavomaqedonas, në veçanti të Nade Proeva. F. Papazogllu në fillim për një kohë e mbrojti qëndrimin e saj shkencor, duke e trajtuar trevën e Pollugut si dardane, ajo vërtetoi se në këtë hapësirë gjendet edhe qyteti i vjetër Draudakum, Gradeci i sotëm, të cilin e përmend edhe Tit Livi, si pastel (kështjellë), me rastin e përshkrimeve të ngjarjeve luftarake në mes romakëve dhe Perseut, të birit të Filipit të V, në vitin 169. p.e.s.
Në anën tjetër, historiani romak Tit Livi, përmend edhe qytetin tjetër të vjetër të Tetovës, Oeaneum, të karakterit oppidum (qytet) të fortifikuar mirë, i rrethuar me male të larta dhe me një lum të ashtuquajtur Artat. Tit Livi përshkruan rrugën e ushtrisë së Perseut kah Prilepi, për në Kërçovë (Uskana), pastaj ushtria e Perseut merr drejtimin e Gostivarit dhe e pushton Draudrakumin (Gradecin e sotëm), me 11 vendbanime më të vogla, që në atë kohë shtriheshin në fushëgropën e Pollogut dhe arrinin në Oenej, (Tetova e sodit), për të dalë kah veriu në drejtim të Shkodrës, ku sundonte Genci.
Sipas Tit Livit, qyteti i vjetër ndodhej mbi Tetovë në vendin e quajtur kalaja e Hisarit. Tit Livi bën një përshkrim të hollësishëm për pushtimin e Tetovës. Perseu pas një rrethimi të gjatë dhe vrasjeve që bëri, arriti të merr këtë qytet të fortifikuar pranë lumit Artat, i cili me kohë quhej Skuma , sot lumi Shkumbin, ndërsa në hartat e sodit serbo-sllave është i shënuar si lumi Pena.
Në librin përmbledhja e autorëve antikë vihen në dukje barbarizmat luftarake të Perseut në Pollog. Perseu pasi vuri roje në Uskanë, të gjithë turmën e të dorëzuarve, që ai barazohej me një ushtri të tërë, e shpuri në Stuberë. Këtu përveç krerëve, ushtarët romakë, që ishin katër mijë vetë, i ndau nëpër qytete për t’i mbajtur nën roje. Uskanasit dhe ilirët i shiti dhe menjëherë u nis me ushtrinë e tij për në Penesti, kundër qytetit Oene, me qëllim ta pushtonte. Ky qytet, përveç që kishte pozitë të mirë ishte edhe rrugë kalimi për në krahinat e labeatëve, ku sundonte Mbreti Gent. Kur po kalonte pranë një fortese të quajtur Draudakum. Që ishte mjaft e populluar, një nga ata që e njihte mirë vendin i tha se pushtimi i Oeneut ska dobi, po të mos pushtohej edhe Draudakumi, (Gradeci i sotëm), i cili ka një pozitë më të përshtatshme në çdo pikëpamje. Perseu atëherë iu afrua Gradecit të sotëm me ushtri dhe e mori pa luftë, pasi banorët e tij u dorëzuan. Perseu duke marrë zemër nga ky dorëzim, i cili u krye më shpejtë se sa mendonte dhe në anën tjetër duke parë se ushtria e tij kallte tmerrin kudo, përfitoi nga ky tmerr dhe pushtoi edhe 11 kështjella të tjera. Forca u përdor për ato pak kështjella që kundërshtuan, të tjerat u dorëzuan me dashjen e tyre. Këtu u zunë njëmijë e pesëqind ushtarë romakë, të vendosur aty për roje. Karvil Spoletini i dha dorë mbretit gjatë bisedimeve, duke siguruar shokët e vetë se mbreti nuk do të sillej mizorisht kundër tyre.
Më në fund, Perseu arriti në Oene, qytet që s’mundë të merrej pa ndonjë rrethim të rregullt, mbasi roja e tij ishte diçka më e fortë se sa e qyteteve të tjera. Dhe muret e tij ishin më të forta, mbrohej nga njëra anë prej lumit Artat dhe në anën tjetër prej një mali shumë të lartë, i cili mezi kalohej, dhe kjo ua shtonte shpresat vendasve për një qëndresë kundër armikut. Perseu, pasi e rrethoi qytetin me hendek dhe ledhe, urdhëroi të ngrihej nga ana e sipërme një çukë dheu, me një lartësi më të madhe nga ajo e mureve. Gjatë këtij punimi, të rrethuarit dilnin me sulme të shpeshta nga qyteti, me qëllim që të mbronin muret njëkohësisht të pengonin punimet e armikut, por në këto përpjekje humbi një numër i madh prej tyre, edhe ata që mbetën gjallë, s’ishin më të vlefshëm, se ishin dobësuar shumë duke u munduar ditë e natë për të mbrojtur qytetin dhe nga plagët që kishin marrë nuk ishin në gjendje të mirë. Kur u ngrit çuka afër murit, Kohorta mbretërore me emrin “Nikatores”, (fitimtarë), u hodh më atë anë dhe me shkallë e sulmoi qytetin nga shumë anë. Gjithë burrat u vranë; gratë e fëmijët e tyre u zunë rob, të tjerat u lanë ushtrisë për plaçkë. Perseu, pas kësaj fitoreje u kthye në Stuberë, (Çepigova e sotme ndodhet në Maqedoni). Prej këtej i dërgo Gentit dy delegatë: Ilirin Pleurat, i cili gjendesh pranë tij si mërguar dhe Adeun, maqedon nga Beroja. Këta u porositën t’i tregonin veprat, që bëri ai kundër romakëve dhe dardanëve gjatë verës e dimrit që shkoi, t’i numëronin fitoret që kish korrur gjatë fushatës së fundit në Iliri dhe më në fund të shtynin Gentin të lidhej me miqësi me atë dhe me vendasit-maqedonët. Këta delegatë kaluan qafën e malit Skod (Sharr), shkuan përmes krahinave të shkretuara të Ilirisë të cilët maqedonët i kishin shkretuar me qëllim që të mos mund të hynin dardanët përmes saj në Maqedoni dhe në Iliri. Pas shumë mundimesh arritën në fund në Skodra. Mbreti Gent ndodhej në Lis. Këtu i ftoi delegatët dhe me shumë dashamirësi dëgjoi propozimet dhe u dha atyre një përgjigje të pa caktuar. Duke u thënë se atij nuk i mungonte dëshira t’u shpallë luftë romakëve, por për të ndërmarrë atë që dëshironte i mungonin sidomos të hollat. Këto fjalë delegatët ia shpunë Perseut në Stuberë, pikërisht kur ky po merrej me shitjen e robërve ilirë. Me të dëgjuar këtë përgjigje, menjëherë dërgoi përsëri po këta delegatë në Iliri, duke u dhënë për përcjellës edhe Glaukin, një nga rojet e tij, po në përgjigjen nuk bënte fjalë për të hollat, të ishin i vetmi mjet që mund ta shtynin për luftë një mbret barabar dhe të vobektë. Perseu pastaj mbasi plaçkiti Ankyrën, hyri përsëri në Penesti bashkë me ushtrinë, forcoi rojet e Uskanës dhe të fortesave rreth saj, të pushtuara më parë dhe u kthye prapë në Maqedoni.
Sipas mendimit të Vuliqit, ky qytet duhet të identifikohet me Tetovën e sodit, pasi pozita e tij është plotësisht e identike më atë që përshkruan Tit Livi. Ndërsa lumi Artat duhet të identifikohet me lumin Skuma (Shkumbin), e jo me atë përcaktim të Novakoviqit, i cili mendon se lumi Artat është identik me lumin Aksius. Sipas studiuesit Degmedzhiç, lumi Vardar i sotëm sipas Homerit njihet ndryshe edhe si lumi i madh i dardanëve, i cili më parë quhej Peon-Axios, ka marrë emrin ilir-Vardarios.
Nëpër Oenej kalonte lumi Artat, i cili me kohë quhet Shkuma (Lumi i Bardhë), e jo si në hartë. Ndërsa sipas Ptolomeut, Skupi gjendej në provincën e Dardanisë, krahinë e lashtë midis Ballkanit. Po ashtu, këtë e vërteton edhe Gërka Novak, i cili vërteton se Dardania shtrihej në veri të Velesit dhe në fushën e Kosovës dhe territoret e afërme. Ky autor më poshtë shënon: “Nga Gjeografia e Ptolomeut, nga “Storia Naturale” e Plinit, dhe nga shkrimtarë të tjerë, del se dardanët kanë jetuar jo vetëm në luginën e Vardarit e në fushën e Kosovës, por edhe në luginat e Moravës, në perëndim të Çaçakut, të Nishavës dhe në territorin rreth burimit Pingus (Pek) dhe shtriheshin në lindje në Timachus, Timok. Dardanët ishin pra një popull i madh, i cili banonte edhe në shekullin e V të erës sonë, në pjesën më të madhe të Serbisë së sotme.
Po ashtu, kjo mund të verifikohet edhe nga udhëpërshkruesit e ndryshëm evropianë, të cilët Dardaninë e përcaktojnë midis Ballkanit, fillon nga Mezija e Epërme. Qytetet kryesorë kanë qenë Naisusi (Nishi) dhe Serdika (Sofija). Ndërsa një tjetër udhëpërshkrues në ditarin e vetë do të shënojë: Krahina e lashtë e Dardanisë ndodhet në zemrën e Ballkanit, në rrjedhën e Epërme të lumit Vardar dhe të lumit Morava.
Po ashtu, edhe studiuesit e huaj, si psh, Georg Kastelan, ndajnë mendimin se grekët dhe iliro-shqiptarët janë ballkanasit më të vjetër. Ndërsa sllavët përbëjnë kontingjentin më të rëndësishëm të prejardhur nga zona e fushave midis Oderit dhe Dnieprit, ata kaluan Karpatet në drejtim të jugut duke nisur nga shekulli VI pas Krishtit duke depërtuar gjatë korridorit ë Moravës, qafave të Karpateve dhe fushës së Moldavisë. Në kohën Justinianin ata arritën deri në bregdetin dalmat dhe tronditën Salonën (afër Splitit) dhe Durrësin, pastaj të nënshtruar nga avarët të ardhur nga Altaji, shkelën në shekullin e mëvonshëm Perandorinë Bizantine. Në valë të ngjeshura që i mbytën të gjitha provincat që nga Istria deri në Peloponez dhe në Kretë. Ndërsa në vitin 626 ata rrethuan pa sukses Bizantin.
Gadishulli ruan toponiminë e gjurmëve të pranisë së tyre sepse, ndryshe nga zotërit e tyre avarë, këta sllavë nuk mjaftoheshin me grabitjen e qyteteve antikë, edhe pse këta andej Karpateve jetonin në kolibe dhe varfëri, duke qenë bujq, që e punonin tokën me bashkësitë e tyre familjare (zadruga), të grupuara në klane dhe fise, ata formuan “skllavinitë” (shoqëritë) të cilët arritën të bëheshin të pavarura nga fuqitë fqinje.
Sipas studiuesit J. Edreljnoviq, i cili ka shkruar se dallimet ndërmjet gegëve dhe toskëve në gjuhë, zakone, kostume etj., janë dëshmi e padyshimtë që shqiptarët duhet të jenë popull shumë i vjetër në territorin e tyre.
Nëpër viset e Maqedonisë së sotme ka edhe sa e sa emërtime onomastike ilire, ose shqiptare, porse këtu vlen të vështrohet edhe emri i vjetër i Tetovës, (Ihtetova-Htetova, pas ardhjes së turqve në Shkup, në vitin 1392, në të njëjtën kohë edhe Tetë-hova bie nën sundimin Osman.
Pas ardhjes të sunduesve osmanë në trojet shqiptare, ata e riemërojnë Tethtovën në Kalkanedelen. Pas rënie të fushës së Pollogut nën sundimin osman, turqit e ardhur filluan ta quajnë veten “Gelen Galan”, ose “Gelen Kalanlar” (të ardhur të mbetur-V.Xh). Këta që erdhën më parë, ata që vinin më vonë i quain “Klakan Gelen”, (i mbetur- i ardhur), ose “Kalkan Gelenler”, të mbetur të ardhur. Pas një kohe u ndërrua shqiptimi i fjalës “Kalkan Gelen” në një fjalë. Ata Tetë-hovën e emërtuan Kalkandelen.
Qyteti në vitin 1452/53, ka pasur 60 shtëpi myslimane dhe 146 shtëpi të krishtera. Pra, nga kjo që thamë më lartë nuk qëndron mendimi se mund të jetë ndërtuar nga ajo strukturë popullsie, pasi atëherë fare nuk kishte banorë turq në Tetovë. Ndërsa edhe shqiptarët ku pjesa më e madhe ishin të krishterë, me emra më shumë të krishterë grekë e bizantinë. Ka shembuj të shumtë që flasin se nga Shkupi, Tetova e deri në Ohër, ashtu edhe sot, as atëherë nuk kishte ndonjë banorë të ndonjë përkatësie tjetër etnike veç shqiptarë. Para se të mbuloheshin këto shtresa antroponomike me shtresën orientale. Pra, më kot përpiqen disa autorë maqedonas që në bazë të emrave të krishterë mesjetarë, të cilët lanë gjurmë në emrat edhe të fshatrave të derisotme të nxjerrin se, ,,nëpër ato fshatra jetonte popullsi maqedonase”. Por, është fakt se shqiptarët përmenden si frekuentues në pazarin e Manastirit të Shën Gjergjit” pranë Shkupit, si Barinj, bujq e ushtarë në krahinën e Tetovës. Kjo ka mundësi se një pjesë e vogël e popullsisë shqiptare nën ndikimin e kishës dhe propagandës mesjetare të jenë kthyer më vonë edhe për kah përkatësia etnike në bullgarë apo maqedonas. Por shqiptarët ishin të pranishëm në shek. XIV në zonat e Prizrenit dhe të Shkupit me rrethinë.
Shembull tipik i këtyre ndryshimeve është qyteti i Ohrit, emri i tij buron nga emri Lychnidos, emri antik i liqenit dhe i qytetit, i banuar nga fisi ilir Dasaretëve. Me këtë rast duhet theksuar qëndrimin shkencor të V. Pjankës, se në vitin 1346 “Në Ohër ka sunduar dinastia e shqiptarëve Gropa, si vasal në farefisni me Mark Kralin, i pari prej tyre ka qenë sundimtari Andreja Gropa, Princ i Shqipërisë.
Këto argumente historike dhe onomastike se edhe lidhja e shqiptarëve Gropaj dhe Kral Markut me Ohrin, si në pikëpamje të traditës ilire-shqiptare, ashtu edhe gjatë mesjetës krishtere, flasin për zotërimin e këtyre trojeve përherë me banorë iliro-shqiptarë, qoftë si paganë, të krishterë, ose të besimit islam. Mandej, kur është fjala për nxënësit ortodoksë që trajtohen si sllavë Klimentit dhe Naumit të Ohrit, për nga përkatësia etnike ashtu edhe nga puna e tyre krishtere e kulturore, është e errët në këto troje iliro-shqiptare. Por e vërteta është kjo: Shqiptarët ortodoksë ndërmerrnin pelegrinazhe në manastire të ndryshme. Por më rëndësishme është ajo e Shën Naumit në Ohër, ku këto pelegrinazhe mbaheshin në gjuhën shqipe.
Fusha e Pollogut është urë lidhëse edhe gjatë ngritjes të shtetit të Gjon Kastriotit. Në këtë periudhë aty ka fundi i shek XIV, zotërimet e tij janë zgjeruar sidomos në drejtim të lindjes në rejonet e Prizrenit dhe në fushën Pollogut, në drejtim të Gostivarit e Tetovës deri në afërsi të Shkupit. Për këtë flet edhe martesa e Gjonit me Vojsavën (Jellën), sipas një dokumenti nga Raguza të vitit 1439). Ku sqaron se kjo vajzë ishte bijë fisnike afër Shkupit.
Kur mësojmë për shtetin e Gjon Kastriotit del në pah kryqëzimi i rrugëve kryesore që lidhnin tokat shqiptare me dy rrugë tepër të rëndësishme. Ndër to në Perëndim Lindje më të përhapura ishin dy: Njëra rrugë lidhte viset bregdetare me Prizrenin, që duhet të ketë qenë qendra administrative e shtetit të gjon Kastriotit. Në këtë qytete të lashtë kryqëzoheshin rrugë tregtare të rrahura që shkonin në drejtim të Prishtinës, Pejës dhe Tetovës. Sot e kësaj dite kjo rrugë që lidh Tetovën me Prizrenin në popull është e njohur si rruga romake apo e Ilire, që ka lidhur Prizrenin me Tetovën dhe Shkupin, nëpër shpatet e Malit Sharr kah fshati Veshallë, ku udhëpërshkruesi francez Jozef Sharbonell e përshkruan si rrugë shumë të shkurtë, por edhe shumë e vështirë për të kaluar malin Sharr, për të dalë në Shkup, në drejtim të Selanikut.
Traseja e rrugës së dytë kalonte nga Durrësi, Tirana, në drejtim të krahinës së Matit, në Dibër ndiqte rrjedhën e lumit Vardar për të arritur në Shkup. Interesat ekonomike e tregtare të Gjon Kastriotit shtriheshin edhe përtej zotërimeve të tij në fushë Dardani, madje edhe përtej Shkupit.
Sipas ndarjes më të re administrative turke, në vitin 1864 u formuan tri vilajete në mes të Ballkanit: i Shkodrës, Manastirit dhe Janinës, ndërsa disa vite më vonë më 1868 u formua edhe Vilajeti i Kosovës, me seli në Prizren. Por, pasi në këtë qendër shqiptare bënte pjesë Tetova, Gostivari, Shkupi, Kumanova dhe Velesi. Komanda turke për ta neutralizuar Prizrenin si qendër revolucionare, vendosi të caktonte si qendër Prishtinën, në vitin 1875, por këtë vendim pas tre viteve e ndërroi. Ajo në vitin 1888 për qendër administrative dhe diplomatike të Shqipërisë Verilindore e shpalli Shkupin.
Mendimi i historiografisë së sotme shqiptare dhe mendimi shkencor objektiv i historiografisë së huaj vërtetojnë vazhdimësinë e jetës dhe popullit shqiptar në viset ku jeton edhe sot e kësaj dite. Të dhënat arkeologjike, historike, gjuhësore dhe folklorike, dëshmojnë qartë për vazhdimësinë iliro-shqiptare në shekujt e mesjetës së hershme në trevën e Kosovës, për praninë dhe mbizotërimin e popullsisë shqiptare në provincën e Dardanisë. Për praninë dhe mbizotërimin në të popullsisë shqiptare edhe gjatë periudhës së pushtimit dhe të sundimit mesjetar serb, gjatë shek XII-XV, si dhe periudhën e parë të sundimit osman para djegies së Shkupit 1689, kur propaganda e historiografisë serbe tenton të ndryshojë pa argumente strukturën e popullsisë shqiptare në këto anë. Për fat të keq me këtë propagandë shërbehet sot e kësaj dite edhe historiografia sllavomaqedonase e cila shprehet: ”Pas invazionit turk fillon edhe hyrja e popullsisë shqiptare kah lindja në fund të shek. XVII deri në fillim të shek. XX-të.
Këto hipoteza janë të pa baza, jo shkencore dhe deri në skajshmëri shoviniste. Kjo tezë e historiografisë serbo-maqedonase, e cila pa argumente tenton ta mohojë autoktoninë e shqiptarëve në këto troje, është e bazuar krejtësisht në politikën ditore, kinse pas luftërave Austro-turke në këto troje u vendosën shqiptarët me ndihmën e pushtetit turk.
(Fusnotat janë hequr)