Gjenevë, 20. 09. 2016: Është interesante të dihet pse lista serbe refuzon ta votoj demarkacionin. Këtë nuk e shtron si pyetje askush, as qeveria, as opozita. Madje as vet serbet, deputetë në Kuvendin e Kosovës nuk e sqarojnë pozicionin e tyre. Edhe pse, për hir të vërtetës, as që u kërkua ky sqarim nga ata. Pse nuk u kërkua nga partitë në pushtet dhe disa në opozitë, nuk çuditem, ata e kanë të qartë pozicionin e tyre dhe këtë pozicionim nuk duan ta quajnë me emrin e vërtet, sepse do i shpaloste të gjitha gabimet e tyre gjatë negociatave “teknike” me Serbinë dhe do i trazonte shpirtrat e fjetur të disa “kosovarëve” të kënaqur me një flamur të shpifur dhe himn edhe më të shpifur. Pse kjo pyetje nuk u shtrua nga gazetarët, apo pse një qëndrim i tillë nuk u shpjegua nga opozita, është e pakuptueshme (për mua).
Pse pra lista serbe refuzon ta votoj demarkacionin?
Mund të bëhen shumë spekulime: ndoshta janë kundër faljes së 8’500 hektarëve tokë Malit Zi, sepse ata e duan Kosovën më shumë sesa gjysma e deputetëve shqiptar; ndoshta vërtet kërkojnë ndonjë favor nga qeveria Mustafa, siç u tha njëherë dhe pastaj u mohua; ndoshta duan ta rrëzojnë qeverinë dhe provokojnë zgjedhje të reja; janë të zemëruar pse nuk janë konsultuar apo pse nuk kanë qenë pjesë e negociatave; janë të interesuar që faktori shqiptar pozitë – opozitë të armiqësohet sa më shumë; duan ta pengojnë liberalizimin e vizave … ???
Për fat të keq nuk është asnjëra nga këto arsyet.
Ata nuk do e votonin demarkacionin as në rast t’i faleshin Kosovës 8’500 hektar nga Mali Zi; nuk do e votonin as me plotësimin e çfarëdo kushti nga qeveria Mustafa; edhe më pak kanë arsye ta rrëzojnë qeverinë Mustafa (këtë të njohur të tyre të kahershëm); liberalizimin e vizave do e dëshironin edhe serbët vet, jo për veti – ata nuk kanë nevojë për viza, por që sa më shumë shqiptar të shkojnë në perëndim dhe kur mos të kthehen më. Arsyeja e vërtet është shumë e thjeshtë dhe shumë e thellë. Lista serbe, e dirigjuar nga Beogradi, nuk do e votoj asnjëherë asnjë lloj demarkacioni për kufirin ndërshtetëror me Malin e Zi, sepse ai do ishte votim për pranimin e shtetësisë së Kosovës. Këtë hap lista serbe, respektivisht Serbia, nuk do ta ndërmerr me asnjë kusht, me asnjë presion, me asnjë shantazh. Tani për tani. Ashtu siç nuk i pranoi as targat e veturave të Kosovës me shenjën që paraqet emrin e shtetit. Dhe ky qëndrim do të zgjas gjersa Kosova tregohet e gatshme për koncesione të reja dhe gjersa miqtë tanë ndërkombëtar bëjnë presion vetëm mbi palën më të dobët.
Dhe kjo është arsyeja e vërtet, pse tani qeveria po bëhet “zemërgjerë” dhe po fillon për herë të parë negociata me opozitën. Sepse i ka humbur shpresat që lista serbe do të votoj në favor të qeverisë. Kurse shpresa e vetme kanë mbetur deputetët e opozitës dhe disa të partive në pushtet, se mund ndonjërin nga ata ta blejnë, ndonjërin ta mashtrojnë apo ndonjërin ta shantazhojnë. Edhe nëse nuk e arrijnë këtë qëllim, s’paku të arsyetohen para ndërkombëtarëve për mos realizimin e premtimit kurse para qytetarëve të Kosovës se opozita është fajtore për mos liberalizimin e vizave.
Por, e gjithë kjo situatë tregon edhe diçka tjetër. Sa naiv janë pushtetarët tanë që ende nuk e kanë kuptuar që lista serbe është aty për të sabotuar çfarëdo përpjekje për konsolidimin e shtetit të Kosovës. Mos të flasim për injorancën dhe servilizmin e tyre. Dhe ndoshta është rasti që të mendojnë edhe njëherë se çfarë do ju sjell asociacioni i komunave serbe? Nëse nuk dinë le të pyesin?
Megjithatë, një fjalë e urtë popullore thotë se çdo e keqe e ka një të mirë. Kësaj radhe një e keqe e parandaloj humbjen e 8’500 hektarëve të tokës së Kosovës.