ANGJELINA GEGAJ: BARIU I PAFAT

Shkodër, 07. 10. 2016:

 

 

 

 

 

BARIU I PAFAT
Kalova male, fusha e kodrina
Pashë një shtëpi tek ajo lugina
Vërejta një kasollë plot me bagëti
Pak me tutje takova një bari.

Ec dhe nja dy hapa, një krua që buron
E bariu i mirë me gisht më tregon
Gjithë këto vende o bir i shetita
Këtu më err nata e me zbardh drita.

Këtu ha e këtu pi
S’jam gjë tjetër veç një bari
Në këtë shtëpi i vetëm rri
Bekuar delet që më bëjnë shoqëri.

E këto male që më rrethojnë
Ky ujë i pastër që më freskon
O njeri, ç’të solli në këtë vend?
Se prej vitesh këtu s’kam parë askënd.

Më shikonte me aq çudi
Në sy i lexoja çdo fjali
Më vështronte duke folur
Ish aq plak dhe i lodhur.

E unë me të butë ia ktheva
Të vërtetën, s’e gënjeva
Po ja… Rruga këndej më ra
Mendova se ky vend ish i shkretë
Si duket nuk qenka e vërtetë.

Bariu buzëqeshi si pa të keq
Të jetosh këtu nuk është e lehtë
Kam bagëti, tokë dhe një mulli
Punoj pa pushuar në borë e shi.

Ai uli vështrimin e përvuajtur
Duart e plasur e trupin e kërrusur
Më braktisi i gjithë fshati
Mëshirë për mua kush nuk pati.
***
Por s’mërzitem, unë do të pres
Se këtu linda e këtu do vdes
Nga vendi im kurrë s’do largohem
Se qëndrova asnjëherë s’pendohem.

Një grua e fëmijë pata dikur
Por ata ikën, nuk i pashë më kurrë
Vetëm për këtë mallkoj që jam gjallë
Edhe veten e çoj në djallë.

Kështu më rrëfehej bariu i gjorë
Me rroba të vjetra e një shkop në dorë
Biseda atë ditë ishte aq e gjatë
Në mendje me rri bariu i pafat.

DASHURIA
Si lule me ngjyra është dashuria
Zemrën çdokujt ia gëzon
Për njeriun vetë mrekullia
Pa të jetën dot s’e kalon.

Është e bukur, aq e fortë sa të verbon
Bëhet si një rrugë me pluhur
Ku mjegulla të shoheësh nuk të lejon
Kur nuk ke dashuri, varfëria të mbulon

Je si nëna pa fëmijë
Që i ka humbur e po i kërkon
Si në mes të shkretëtirës ku s’ka ujë
Ku të djeg pa pikë të mëshirës.

Nuk jam unë
S’jam dashuria
Unë s’të mallkoj
S’janë duart e mia
Unë s’të lëndoj.

Dashuri emrin e kam
Veç me përmend
Më kërko, ja ku jam
Në gjirin tënd.

***

NËSE
Nëse Zoti më krijoi
Ky ishte fati im, s’mund ta ndryshoj
Nëse nëna më lindi
Kështu desh të bëhej, jetën ta vazhdoj

Nëse del mëngjesi
Për mua del, ditën ta filloj
Nëse del dielli
Për mua del, me rreze të më ngrohë.

Nëse del hëna
Për mua del, më jep dritë që unë të shoh
Nëse bie shi
Për mua bie, tokën të ujisë, mua t’më ushqejë.

Nëse Zoti më dha mëndje
Për mua e kishte, që diçka unë të ia vlej
Nëse tërmet bie e shkatërron çdo gjë.
Për mua është, a jetoj në këtë tokë?

Nëse loti bie
Për mua është, si ç’dokush në këtë botë
Nëse nata vjen
Për mua vjen, në mendime gjumin më sjell.

Por edhe nëse vdekja më vjen
Mirë se të vijë, se për mua është
Përderisa linda në këtë botë.
Duroj dhimbje, gëzim dhe lotë.

***

NËNA IME
Sot nëna ime nuk ndihet e qetë
Fëmija i saj e djallosi, si retë
Që papritur lëshojnë shi
Ca pika, brenda saj u bënë stuhi.

Sot nëna ime e vetme qëndron
Në vatrën e saj askush nuk jeton
I vetmi fëmijë që e deshi si sytë
Dheu i huaj iu bë nënë e dytë.

Gabova dikur, sot qetësi nuk gjej
Se pa ty o nënë asgjë nuk vlej
Se une ika, unë të braktisa
Në një rrugë pa kthim u nisa.

Zemra e nënës u bë laps e letër
Nisi të shkruante për parkun e vjetër
Kur isha i vogël qëndroja dikur
Ku syri i saj s’do më shihte kurrë.

Unë kam zemrën gur, nuk jam bir i nënës
Nisi të shkruante për dritën e hënës
Ku gjumi s’më zinte e zëri i saj
Këndonte ninulla, unë flija pastaj.

Ajo hënë e bukur lotët e tua
Ti mori o nënë e mi solli mua
Po tani ku je o nënë
Unë të vetme të pata lënë.

E di o nënë, tani është e kotë
Shumë më prite në këtë botë
Anëembanë kërkova
Një vend e harrova
Varrin tënd o nënë
E veten e mallkova.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura