DR.LILJANA KRISTULI: ETIKA E MORALIT SEKSUAL /5/

Pashtriku.org, 10. 12. 2015: Etika e moralit seksual të çdo individi formohet nga ndërthurja e faktorëve personalë dhe shoqërorë. Çdo person, në bazë të shijeve të tij individuale, të cilat varen nga prirja seksuale dhe përvoja personale, bën zgjedhjen e partnerit. Por kjo zgjedhje ndikohet edhe nga faktorët e poshtë përmendur. Kultura dhe tradita e një populli përcakton çfarë është e pranueshme ose jo në sjelljen seksuale të një individi. Shteti me ligjet e tij, vendos kufijtë e marrëdhënieve midis njerëzve në këtë aspekt. Si në të gjitha fushat e tjera të jetës, edhe në sferën seksuale, njerëzit kanë të drejta dhe detyra. Për etikën e rinisë të brezit tim, morali nënkuptonte autokontrollin e rreptë në jetën seksuale. Sot mendoj se morali do të thotë të njohësh të drejtat e tua dhe të respektosh të drejtat e partnerit. Kështu seksi jetohet në mënyrë të qetë dhe bukur. • Kjo është një e drejtë që i përket çdokujt.
• Ke të drejtë të respektosh pjekurinë personale. Dëshira seksuale, është një instinkt si gjithë të tjerët dhe lind me lindjen e njeriut, por ajo shfaqet vetëm në pubertet kur arrihet pjekuria seksuale. Në qoftë se je një djalë apo një vajzë në moshën e adoleshencës, që seksi akoma nuk të tërheq, mos mendo se ka diçka që nuk shkon. Nuk je akoma gati.
• Një e drejtë që të përket, është ta fillosh jetën seksuale kur e ndjen se je gati. Nuk fillohet një raport seksual, sepse i fejuari ta kërkon këtë gjë. Vajza, e cila nuk ndjehet gati për të filluar një jetë seksuale, është e lirë të mos pranojë. Dy të rinj shoqërohen sepse pëlqehen, sepse kanë interesa të përbashkëta, sepse vlerësojnë dhe çmojnë karakterin e njëri tjetrit, pra edhe respektohen. Ndodh që ndonjë vajzë fillon jetën seksuale e nxitur nga kurioziteti, ose sepse të gjitha shoqet e saj kanë raporte seksuale. Të fillosh të bësh seks me mendimin se sidoqoftë është një gjë që shpejt a vonë duhet bërë, humbet bukurinë e herës së parë. Kështu kjo ngjarje e pa përsëritshme kthehet thjesht në një detyrë për t’u plotësuar. Nuk është e vërtetë që vajzat thonë gjithmonë jo, edhe kur duan, e prandaj duhen detyruar. Nëse je një djalë që e mendon kështu, mund të merresh për një dhunues. Ndonjëherë vajzat e fillojnë shpejt jetën seksuale duke menduar se i fejuari e pret këtë gjë prej saj. Por edhe ai, mund të mos jetë gati për të filluar një raport seksual. Mund të ndjehet i “trembur ” sepse mendon që nuk ka akoma përvojë dhe ndruhet se mund të “dështojë.” Jepini kohë njëri tjetrit për t’u njohur më mirë dhe gëzojeni dashurinë tuaj pa u shqetësuar.

(Ilustrimin e përgatiti editori i pashtriku.org, sh.b)

• Një tjetër e drejtë është të mos ndjehesh e detyruar të bësh seks, një e drejtë që nuk ndryshon asnjëherë, në çfarëdo vendi dhe rrethane që mund të ndodhesh. Në qoftëse i ke premtuar dikujt të bësh dashuri me të, por më vonë ke ndërruar mendim, kjo është një e drejtë që të përket. Nëse dikush ka shpenzuar lekë për ty, të ka bërë dhurata, të ka ftuar në restorant, ky është problemi i tij, ti nuk je e detyruar të bësh dashuri me të. Trupi yt nuk është në shitje. Ti nuk je e askujt, as e atij që ka shpenzuar, as e atij që ka autoritet mbi ty, as e të fejuarit, as e personit më të cilin je e dashuruar.
• Ke të drejtë të thuash mjaft. Nëse ndodh që je në një lloj afërsie fizike me partnerin, nuk do të thotë se duhet pa tjetër ta përfundosh këtë afërsi me një akt të plotë seksual. Mund të ndalesh në çastin që e dëshiron këtë, edhe pse keni arritur pothuajse në fund të një raporti seksual. Kjo vlen edhe për djemtë. Nuk është e vërtetë që ata janë gjithmonë gati dhe as janë të detyruar për të shkuar deri në fund. Mund të tërhiqen pa u ndjerë të turpëruar apo “të pazotë”. Të bësh seks vetëm se të jepet rasti, i ngacmuar nga dridhma e çastit ose ideja fikse për të arritur atë që e quan rekordin tënd, nuk tregon sa “burrë”je, por vetëm se ke nevojë për një çlirim fizik. Seksi i përjetuar në këtë mënyrë kthehet në një front lufte për ta marrë. Ke të drejtë të respektohesh. Për fat të keq ka persona që mendojnë në mënyrë të ndryshme mbi sjelljen seksuale kur bëhet fjalë për një vajzë apo për një djalë. Për këta është normale që djemtë mund të kenë disa histori seksi apo dashurie. Ndërsa vajzat, i gjykojnë si mendjelehta, dhe me moral të dyshimtë. Jeta seksuale i përket individit, pra gjithkush vendos kufijtë e tij moralë në bazë të kulturës, traditës, shijeve personale, dhe respekton zgjedhjet seksuale të personave të tjerë. Për këtë askush nuk ka të drejtë të fyejë e aq më pak të bëjë presion: “e ke bërë me filanin, përse me mua jo ? Lëre që ky tip ta gjejë tek vetja e tij pse ti nuk pranon.
• Ke të drejtë për një raport seksual të qetë. Nëse ka gjë që dëmton një raport dashurie, ky është egoizmi dhe mos interesimi për partnerin. Kur ai është i shqetësuar sepse ka ndonjë problem, sigurisht që nuk mund t‘i kërkosh të bëni dashuri. Po ashtu, nëse je ti që ke probleme, kërko t‘ia shpjegosh me qetësi çfarë të shqetëson. Nuk je e detyruar të bësh seks për mos t’ia prishur qefin. Dashuria bëhet në çift dhe marrin pjesë shpirti e mendja. Kur mësoni të njihni gjendjen shpirtërore të njëri tjetrit, do të thotë se keni ndërtuar një raport të bukur, të bazuar në dashuri dhe mirëbesim.
• Ke të drejtë ta mbash sekret dashurinë tënde. Kur jeni të dashuruar është një gjë e bukur, e mrekullueshme, dhe kjo të përket vetëm ty dhe të dashurit tënd. Por, nëse për njërin prej jush, kjo lidhje nuk është dashuri por vetëm një akt seksual, kjo nuk do të thotë se mund të tallesh dhe të përgojosh ndjenjat e tjetrit. Ta përflasësh, do të thotë ta lëndosh në shpirt partnerin, dhe kjo është një gjë e ulët e shëmtuar. Kështu tregon vetëm se je një person bosh, pa ndjenja dhe akoma i paformuar për jetën shoqërore.
• Ke të drejtë dhe detyrë të respektosh seksin. Ndodh që dikush e përdor seksin si mjet për të arritur një qëllim ose për të marrë një premtim. Sigurisht, kjo e kthen këtë gjë që natyra zemërgjere na e ka dhuruar, në një mjet tregtie. Është e shëmtuar të pranosh ose të kundërshtosh të bësh seks, vetëm sepse partneri e ka mbajtur ose jo fjalën që të ka dhënë. Nuk është e moralshme ta përdorësh seksin si mjet për të dënuar. Të mos bësh seks për inat, apo ta bësh me dhunë, pa dëshirë, për hakmarrje apo për të ndëshkuar, nuk është e ndershme, ul dëshirën seksuale dhe të ve në dyshim personalitetin.
• Ke të drejtë të mbrohesh. Në qoftë se djali me të cilin shoqërohesh, kërkon që të ketë marrëdhënie seksuale me ty, ndërsa ti nuk dëshiron të njëjtën gjë, ke të drejtë të kundërshtosh dhe të mbrohesh. Në rast se ai ngul këmbë, megjithëse ti i ke kundërshtuar, vlerësoje mirë mjedisin dhe kushtet në të cilat ndodhesh: në qoftë se nuk mund të largohesh ose të kërkosh ndihmë nga dikush, përpiqu të sillesh sikur je në një rrethanë normale. Në qoftë se arrin ta bindësh, që ti je e “tërhequr nga ai,” se nuk po i kundërshton sepse ai nuk të pëlqen, apo se nuk do, por sepse nuk ndjehesh e qetë, se ke uri, se ke etje, se di një vend ku mund të rini të qetë, pra ti thuash ndonjë gënjeshtër bindëse ndoshta e shmang këtë rrethanë dhune të mundshme, duke fituar kohë, deri sa të gjesh një mundësi për t’u larguar. Këto “hile” zakonisht funksionojnë. Por mos dil më me këtë person duke menduar se radhën tjetër nuk do të ndodhë e njëjta gjë. Edhe pse ke arritur t’i shpëtosh një tentative abuzimi mos e mbaj sekret. Fol me prindërit ose me një të njohur tek i cili ke besim. Të ndihmon ta kalosh këtë rrethanë traumatike pa lënë shenjë në psikologjinë tënde. Po ashtu, mund të ndihmojë edhe djalin që të kuptojë se ka gabuar.
• Ke të drejtë dhe detyrë të mbrohesh nga sëmundjet seksualisht transmetuese.

(…)
Nga libri “Heshtja nuk është zgjidhje” – Liljana Kristuli.
====================
DR.LILJANA KRISTULI: HESHTJA NUK ËSHTË ZGJIDHJE (DHUNA, ABUZIMI, BULIZMI, STALKING, MOBING, DROGA) / 1 /
https://pashtriku.org/?kat=47&shkrimi=4579
***
DR.LILJANA KRISTULI: SJELLJA SEKSUALE DHE ҪRREGULLIMET E SAJ – PEDOFILIA / 2 /
https://pashtriku.org/?kat=47&shkrimi=4597
***
DR.LILJANA KRISTULI: FËMIJËT DHE ABUZIMI SEKSUAL /3/
https://pashtriku.org/?kat=47&shkrimi=4608
***
DR.LILJANA KRISTULI: DHUNA! / 4 /
https://pashtriku.org/?kat=47&shkrimi=4629

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura