(Pashtriku.org, 15. 09. 2012) – Emri është elementi i parë i identitetit të njeriut, kombit, vendit, e po ashtu edhe i shtetit. Pasi që bëhet fjalë për emrin e shtetit tonë “Kosova”, fillimisht dua të them se, nuk di si të ndihem sot, krenar i zhgënjyer apo i nevrikosur, e po ashtu, nuk di si ndihen studiuesit tjerë si, historianë, gjeografë, gjuhëtarë etj., kur shkruajmë dhe e përdorim emrin në punime të ndryshme e nuk e kemi ende të qartë kuptimin apo prejardhjen e tij.
Rreth kësaj që u tha më lartë, kisha për të shtuar dhe atë se, të habit fakti që deri më sot, kemi shumë pak rezultate, studime nga studiuesit shqiptar të Kosovës që janë marrë me këtë çështje. Kureshtja ime që të merrem me këtë punë nis nga dy arsye. E para, kur disa muaj më parë lexova në gazetën ditore punimin e botuar të historianit Qazim Namani metitull “Fusha e Kosovës – Fusha e Kështjellave”, i cili emrin “Kosova” e nxjerr me prejardhje nga gjuha shqipe. E dyta, kur pak javë para shpalljes së Pavarësisë së vendit, mjetet tona të informimit, si televizioni e gazeta ditore, paraqiten intervista të marra nga studiues e politikan vendor ku shtrohej pyetja: se nga e ka prejardhjen emri, kur emri përmendet për herë të parë në burimet e literaturën historike dhe se, si do të njihet vendi me emrin zyrtar pas njohjes ndërkombëtare: Kosovë-a apo “Kosovo” (varianti që pretendohet për shumë kohë e edhe sot nga historiografia serbe). Për fat të keq, përgjigjet rreth këtyre pyetjeve ishin mjaft konfuze dhe të pa qarta nga të intervistuarit. Këto arsye, më bën që të merrem mehulumtimin dhe studimin e të dhënave – burimeve dhe literaturës historike që kanë të bëjnë me emrin ‘’Kosova’’, me qëllim që të kemi një pasqyrë sa më reale për kuptimin dhe prejardhjen e tij.
………………………………………………….
Fillimisht duhet të dimë që, emri i sotëm i vendit dhe shtetit tonë “Kosovë-a”, si toponim është emër historik, i cili sot përfshinë vetëm një pjesë të territorit (pjesën qendrore) të Dardanisë antike e cila gjendej në qendër të Gadishullit Ilirik, sot Ballkanik. Regjioni gjatë historisë së vet, ishte së pari pjesë e Dardanisë Ilire, pastaj në kuadër të Romës, Bizantit (Campus Dardanci), për pak kohë në mesjetë nën Sllavët e më pas nën Perandorinë Osmane, kur ndahet si njësi e veçantë “Vilajet” (1877-1912). Gjatë kohës të Jugosllavisë së vjetër (pasi që vendi ishte okupuar më 1913 dhe riokupuar më 1918 nga Serbia), territori i Kosovës është ndarë në tri zona – “zhupani” si: Zetës, Vardarit dhe Moravës (1921-1931), të cilat më vonë u shndërruan në “banovina” regjionale (1929-1939). Pas luftës së Dytë Botërore, territori bashkohet dhe formohet një njësi e re administrative dhe territoriale nën Jugosllavinë e re që do të quhet, Territori i Krahinës Autonome të Kosovës e Metohisë – “Kosmet” (1945- 1968). Nga viti 1968, vendi zgjeron statusin e tij, e do të quhet Krahina Autonome e Kosovës – Kosova, e cila vepron deri në vitin 1999, kur vendi pas luftës (1998-99) pavarësohet dhe sot njihet ndërkombëtarisht me emrin Republika e Kosovës.
Kështu, emri i sotëm i vendit “Kosovë” nga aspekti historikë, merret si pasardhësi iemrit të vjetër të vendit që quhej “Dardani”. Të dhënat e para historiografike për emrin “Kosovë” (në kuptimin e ngushtë të fjalës “Fusha e Kosovës”) janë relativisht të vona në histori, edhe pse emri në aspektin gjeografik përmendet që nga shek. XIV. Emri historikë i vendit “Kosovë” njihet nga gjysma e dytë e shek. XIX, kur krijohet Vilajeti i Kosovës si njësi administrative e territoriale nën Perandorinë Osmane, që përfshinte një territor më të gjerë se që ka sot (afro 30.000 km), duke vazhduar të mbijetoj deri në ditët e sotme (shumë i zvogëluar, me 10.870 km).
Mendoj që, është shumë me rëndësi të njihemi përgjithësisht me qëndrimet historiografike që janë dhënë deri më tani rreth emrit të vendit tonë “Kosovë-a”. Lidhur mekëtë, duhet të themi që, rreth prejardhjes së emrit të vendit ‘’Kosovë/a’’, ka lindë problemi qe një kohë të gjatë dhe ai, në mes historiografisë serbe dhe historiografisë tonë shqiptare. Historiografia serbe përgjithësisht, kuptimin dhe prejardhjen e emrit mundohet ta nxjerr nga gjuha sllave-serbe. Duhet theksuar se, në këtë drejtim, shumë më tepër është angazhuar dhe ka punuar historiografia serbe, e cila i përkushton çështjes dhjetëra punime deri sot, duke filluar që nga vitet e para të shek. XX. Rezultatet e dhëna të deritashme nga historiografia serbe, siç do të shohim në këtë punim, do të jenë përgjithësisht të llojllojshme, të sakta e të pa sakta, të deformuara, e për më tepër sipas mendimit tim, qëndrime tendencioze e skajshmërisht të politizuara.
Historiografia serbe, mund të themi pa përjashtime, veçohet në këtë drejtim me qëndrimet e saja se, emri “Kosova” ka prejardhje (etimologji) nga gjuha sllave-serbe. Prejardhja e emrit, konsiderohet që rrjedhë nga gjuhët sllave të jugut, ku fjala “kos”, “kosov”, “kosovac” e “kosoviq”, kanë kuptimin e shpendit (zogut) “mëllenjë” (merula), përkatësisht “zogu i mëllenjës” apo “zogu i zi”. Kështu, nocioni kryesor dhe rëndësia e emrit‘’Kosovë’’, apo kuptimi i thirrjeve të ndryshme (mendohet në emërtimet si, ‘’Serbia e Vjetër’’, ‘’Serbia Jugore’’, ‘’Kosova e Metohija’’etj., E. R.), ka rëndësi dhe kuptim të ndryshëm në disa shoqëri etnike. Te Serbët, emri shënon, përcakton ‘’tokën serbe’’, ‘’hapësirën e Jerusalemit serb’’, e cila ngriti shkëlqimin kulturorë e ekonomikë në mesjetë, që në mënyrë brutale e ndërpreu ardhja e Osmanlijëve. Më tutje thuhet:’’se për serbin mesatar emri ‘Kosova’ është emër qiellor, i cili shënon, cakton tokën e shenjtë […]’’. Sipas kalkulimeve të politizuara dhe të mitologjizuara të studiuesve serb rreth emrit, theksohet se, heronjtë serb të rënë në Fushë Kosovë (Beteja e Kosovës – 1389) janë kthyer në “mëllenja” dhe vajtojnë në këngën e tyre për disfatë e që nga atëherë na ardhka dhe emri Fushë Kosovë, ku “kos” është fjala serbe për “mëllenjë”. Emri i plotë i Krahinës (bëhet fjalë për periudhën kur Kosova gjendej në ish Republikën Jugosllave, E. R.), e cila është juridikisht në Serbi, është “Kosova e Metohija”. Ka shumë simbolika në këtë emër. “Kosovo” është, në serbisht, toka “Kosova”, “zogjve të zinj”, ndërsa “Metohija” tokë “metohie”, “prona manastiresh”[…]. ”Në kohen e humbjes më 1389, në ‘tokën e manastireve dhe të zogjve të zinj’ jetuan ‘serbët’ dhe një numër ‘simbolik’ i shqiptarëve”.
Etimologët serb ndër kohë më tepër sikur e largojnë qëndrimin nga emri “kos” për ta nxjerrë kuptimin nga emri “kos-a” – “kositi”, që ka kuptimin e veglës bujqësore për korrjen, prerjen e bimëve, drithërave etj. Sipas historiografisë serbe, emri “Kosova” përmendet për herë të parë para Betejës së Kosovës të vitit 1389 në një diplomë (krisobul) mesjetare, origjinali i të cilës i takon kohës së Stefan Nemanjës. Në këtë shkrim përmendet emri i rrethit i quajtur “Kosova”, i cili duhej të paguante taksa manastirit Studenicë. Për këtë të dhënë të parë të emrit “Kosova” që i takon kohës së S. Nemanjës, i cili vdiq në dhjetëvjetëshin e fundit të shek. XII, kuptohet se edhe emri përmendet që nga ajo kohë. Për diplomën në fjalë, autori A. Urosheviq thekson se, sipas fjalëve dhe disa emrave, ndër ta dhe emri “Kosova”, që ishin shkruar në te asokohe, mendoj që ky dorëshkrim u plotësua më vonë, pra në kohen e re, sepse emra të tillë nuk ka pasur në kohen e Stefan Nemanjës e as në gjuhen tonë. Kështu në këtë dorëshkrim (të diplomës) hyri dhe emri “Kosovë”. Emri gjeografik “Kosova” paraqitet tek pas betejës së vitit 1389.
Deri atëherë ky emër me një përjashtim të dyshimtë, asnjëherë nuk përmendet me emrin “Kosova”. Pas Betejës së Kosovës treva e Kosovës së sotme gjithherë thirret me emrin “Kosovë”. Pas Betejës së Kosovës, vendi i Kosovës së sotme, gjithherë thirret “Kosovë” si në shkrimet tona, turke dhe të huaja. Kuptimin e këtij emri të huajt, sigurisht sipas përshkrimit – përkthimit të vendasve, e kuptojnë sikur vjen nga emërtimi i zogut “kos”, sepse përkthehet si Campus Merulae ose Shamp de Merles ose Amselfeld. Emërtimi “Kosova e Metohija” në vend të “Serbia e Vjetër” (Stara Srbija), u krijua tek pas luftës së Dytë Botërore. Sipas burimeve historike (serbe, E. R.) “Serbia e Vjetër”, në të sotmen “Kosovë e Metohi”, përbëhej gjatë mesjetës nga 9 krahina (zhupa). Edhe gjatë shek. XVI e XVII, po sipas burimeve historike, gjitha këto krahina thirreshin me emrin e përgjithshëm “Serbi e Vjetër”. Sipas dëshmive të shkruara nga Sava “Biografia mbi Nemanjën”, Stefan Nemanja (1114-1200) bashkoi “shtetet serbe” dhe që nga atëherë territori i sotëm i “Kosovës e Metohisë” (Serbia e Vjetër) hynë në kuadër të “shtetit të madh serb”. Nga kryengritja e Parë dhe e Dytë serbe, 1804 dhe 1813, sikur dhe në Mbretnin Serbe dhe Jugosllavi e deri te lufta e Dytë Botërore, në përdorimet zyrtare – shtetërore është përdor termi “Serbia e Vjetër”, ashtu si dhe në hartat gjeografike, dokumente historike, literaturën shkencore dhe shkrimet diplomatike, a sidomos në studimet toponimike. Emri ‘’Serbia e Vjetër’’ si thirrje gjeografike, vendoset në shek. e XIX, nën ndjenjën e ndërrimeve që pësoi pas çlirimit Principata Serbe. Kur Principata e Serbisë, filloi të paraqitet si trevë e veçantë në Harta, gjeografët (serb, E. R.) u dashtë të krijojnë emrin e ri gjeografikë për ato treva të ‘’shtetit mesjetar serbë’’të cilat nuk hynë në përbërje të Principatës. Me ‘’Serbi të Vjetër’’ u quajtën atëherë të gjitha trevat qendrore, jugore dhe jug veriore të ‘’serbisë mesjetare’’. Autori D. Bogdanoviq në librin e tij kushtuar historisë së “Kosovës” thekson se, vetë emrin “Kosova” do ta përdori kushtimisht sepse, në qoftë se është fjala për krahinën, emri i sotëm që e thërrasim është turko-shqiptar (tursko-albanski), e rrjedh nga emërtimi i “Vilajetit të Kosovës” (Kosova), i cili përfshinte para luftës së parë ballkanike gjithë territorin e Sanxhakut ( Novi Pazarit) me Polimljen e Epërme, pastaj territorin e “Kosovës e Metohisë”, Maqedoninë Veriore deri te Velesi dhe at Lindore me rrjedhën e plotë të Bregalnices.
Insistimi për at emërim (Kosova, E. R.), krahas lëvizjes së autonomisë drejt njësisë më lartë, asaj federale (1968), kishte për çdo kënd që merret vesh me historinë – parathirrje nacionaliste e pretendimeve të “mëdha shqiptare”.[…] Në dokumentet e PKJ, para dhe gjatë luftës së Dytë, si dhe në dokumentet e së drejtës kushtetuese të Jugosllavisë së re, ky regjion quhej “ Kosova e Metohija”, edhe pse dhe ky emërtim nuk ishte krejt i vërtetë, sepse territori i tij përfshinte dhe treva tjera me emra të veçantë. Nga pikëpamja e gjeografisë regjionale, as ky emër nuk ka qenë plotësisht i arsyetuar. Kështu, historikisht dhe sipas traditës (serbe), as emri i parë (Kosova) e i dytë (Metohija) nuk janë zbatuar në këtë territor dhe në hapësirën e tij. Me arsyen më të madhe, pra është folur para vitit 1912 për “Serbinë e Vjetër”, sepse kjo ishte foleja e “ kulturës dhe e shtetit të vjetër serb”[…]. Por ne do ta përdorim emrin “Kosova”, jo vetëm se ai ka hyr në përdorim të përgjithshëm si shenjë për tërë trevën por më tepër për at se, ky emër tani është një problem aktualë, politikë e historikë, i cili me këtë emër është i njohur dhe ka hyrë në botë. Duke hulumtuar në të kaluarën historike mesjetare të Kosovës në hapësirë të gjerë, krahas ‘’Fushë Kosovës’’ dhe ‘’Kosovicës’’ që vazhduan të jetojnë, nuk kemi të dhëna tjera për të ditur më tepër për emrin. Por sot, duhet ditur dhe duhet të merret parasysh dallimi në mes “Kosovës” mesjetare, e cila ishte në rend të parë thirrje gjeografike dhe emërtimit modern të gjerë të “Kosovës” si tersi administrative të datimit të ri. Emri “Kosovë” filloi të zgjerohet me krijimin e Vilajetit të Kosovës (shek. XIX).Hapi më i madh i zgjerimit merret më 1968, kur emri prej dy pjesëve i krahinës autonome “Kosova e Metohija” ndërrohet me emrin “Kosova”.
Përveç të dhënave të paraqitura më lartë, do të paraqesim dhe qëndrime të tjera që jepen nga shumë autorë tjerë të historiografisë serbe për emrin ‘’Kosova’’. Pa përjashtime, emrin “Kosova”, në njëqind vitet e fundit, e gjejmë të manipuluar nga autorët e historiografisë serbe në disa forma dhe trajtime, afërsisht me qëndrimet e lartpërmendura. Emërtimet për “Kosovë-n”, prodhohen sipas dëshirave dhe qejfeve dhe i gjejmë në format si: “Serbia e Vjetër”, “Serbia Jugore”, “Kosova e Metohija” – “Kosmet” e “Kosovo”, emërtime këto, të cilat nuk kanë të ndalur as në punimet e ditëve tona. Kjo vlen edhe për emërtimet e popullit shqiptarë të Kosovës, kur nga po kjo historiografi, shqiptarët quhen ndërkohë: “arnaut”,“arnautash” e “shiptari”. Termi ‘’shiptar’’ ndonëse i ri, u shti në përdorim në këtë territor. Përndryshe, termi ‘’shiptar’’ si opsion, ishte gjatë në përdorimin zyrtar në ‘’Kosovë’’, afërsisht deri në vitet 1968.
Emrin në trajtën “Serbi e Vjetër”, e hasim pothuajse në të gjitha shkrimet historike dhe materialin hartografik të historiografisë serbe të viteve të fund shek. XIX, e duke vazhduar deri në periudhën e luftës së Parë Botërore, duke u përdor ndërkohë deri në ditët e sotme. Nga vitet 1920 e deri më 1940, emri i vendit parapëlqehet të shkruhet dhe të thirret edhe si, “Serbia e Re” (për pak kohë, nga viti 1913-1918) dhe “Serbia Jugore” (ku përveç territorit të sotëm të Kosovës, përfshihej dhe territori i Maqedonisë së sotme e më gjerë). Trajta e emrit “Kosovë e Metohi” që përdoret nga vitet 1945 e deri më 1968, edhe sot pretendohet nga “Serbia” të jetë emri “zyrtar” i “Kosovës”. Qëndrimet e tilla i gjejmë, kushtimisht po e them, edhe te autorët e mëdhenj të historiografisë serbe, si: M.S. Milojeviç, J. Ristiç, S. Novakoviç, S. Protiç, V. Gjorgjeviç, J.Cvijiç, S. Stanojeviç, R. Novakoviç, N. Kostiç, J. H. Vasileviç, J. Dedijer, D. Kovaqeviç, S. Çirkoviç, A. Urosheviç, D. T. Batakoviç, D. Bogdanoviç dhe te shumë autorë të tjerë.
Duhet të dihet që, edhe në shumë punime tjera të autorëve serb kemi këto qëndrime, të cilat janë më tepër të karakterit politik se sa shkencor, e për më tepër janë qëndrime që autorët i prodhojnë, i arsyetojnë etj., por ato siç do të shihet, dalin të jenë historikisht të pa verifikuara, pra janë qëndrime të falsifikuara. Historiografia turke na ofron një të dhënë interesante sa i takon prejardhjes së emrit. Kjo historiografi na ofron variantin turk të prejardhjes së emrit “Kosova”. Enciklopedia turke emrin e shpjegon sipas emrit “Koh – soh – vah”, që është emër origjinal turk dhe do të thotë “fushë e mëllenjave”. Në gjuhën turke fjala “Kus” lexohet “Kosh” që do të thotë “mëllenjë”, derisa në turqishten e vjetër fjala “Kus” ka qenë adekuate për “mëllenjat”, ndërsa “ova” do të thotë “fushë”.
Po ashtu kemi dhe disa punime, por të pakta në numër, të autorëve shqiptarë të Kosovës, kryesisht të punuara që nga vitet e tetëdhjeta të shek. XX, që janë marr meprejardhjen dhe origjinën e emrit “Kosova”. Duhet domosdo të theksohet se, vlen për tiveçuar vetëm autorët, të cilët emrin e vendit dhe prejardhjen, origjinën e nxjerrin nga emër vendi, vendbanimi, mali, kështjelle apo qyteti nga hapësira e territorit vendor, të cilët me punën e tyre arrijnë në përfundime që, emri ka origjinën nga gjuha ilire-latine, shqipe etj. Ndër autorët që veçohen në këtë drejtim, kisha për ti përmendur këta: Muharrem Carabregu, Skender Rizaj, Ejup Statovci, Avni Këpuska e Qazim Namani. Fatkeqësisht, kemi dhe disa autorë shqiptar të cilët duke mos pasur dije të mjaftueshme, e ma merr mendja edhe duke qenë nën ndikimin dhe shkollën e historiografisë serbe, në punimet apo deklarimet e tyre rreth emrit te vendit, prejardhjen dhe etimologjinë e tij e shpjegojnë se rrjedh nga gjuha sllave. Për më keq, kemi dhe raste kur ndonjë i ashtuquajtur ‘’studiues’’ i joni, deklarohet dhe shpjegon se, emri “Kosova” për herë të parë në burimet historike përmendet apo shkruhet në trajtën “Kosovo”. Për këta ‘’studiues’’ as që e vlen të bëhet fjalë, le ti kanë në ndërgjegje ‘’dijet’’ e tyre.
Historiografia ndërkombëtare në shumë punime shkencore që i’a kushton historisë së Kosovës, regjionit e më gjerë, në rastet e shumta nuk merret me prejardhjen e emrit “Kosovë”. Është një numër relativisht i vogël i punimeve që i qasen çështjes së emrit, dhe atë, duke e shpjeguar shkurt e sipërfaqësisht. E keqja është se, kemi edhe ndonjë rast, kur në këto punime, nga ndonjë autorë, merret versioni i historiografisë serbe rreth prejardhjes së emrit, e kjo është një propagandë e keqe në këtë drejtim. Fatkeqësisht, kjo ndodh për një arsye. Dihet që historiografia serbe ka shumë punime tendencioze e jo objektive, që përveç emrit, përgjithësisht i dedikohen historisë së popullit shqiptarë dhe Kosovës. Punimet që janë më të rëndësishme për propagandë shkencore anti shqiptare, institucionet serbe i përkthejnë në gjuhët kryesore botërore (anglisht, frëngjisht, gjermanisht, rusisht etj.) dhe ishpërndajnë institucioneve shkencore botërore dhe opinionit të gjerë ndërkombëtar.
Në vazhdim, do të paraqesim dëshmi të cilat do të lidhen me kohën kur emri fillon të përmendet më tepër nga të dhënat historiografike. Duhet të dimë se, emri “Fusha e Kosovës” -“Kosova”, vendi ku ishte zhvilluar lufta e vitit 1389, e njohur në historiografi si “Beteja e Kosovës”, në mes të Koalicionit të popujve ballkanik dhe Osmanëve (Turqve), nga historiografia evropiane e më gjërë, njihet edhe me emrat: Amselfeld (Gjermanisht), Campia Mierlei (Rumanisht), Champs des Merles (Frengjisht), Kosifopedhio (Greqisht), Rigomezo (Hungarisht), Campus Turdurum (Latinisht), Campus Merulae (quhet nga kronistët latin), Kosovo Polje (Serbisht) dhe Kosova (Turqisht).
Dëshmitë, ndër të parat, për emrin e vendit, fushës, malit, katundit-fshatit, qytetit të quajtur “Kosovë/a”, i gjejmë në dokumentet e kohës që dalin që nga fillimi i shek. XV. Ipeshkvi i Ulqinit, Martino Segano (i lindur në qytetin Novobërdë të Kosovës), i cili për një kohë ishte dhe famullitar vendas i kishës katolike në Novobërdë, në një shkrim të vetin me karakter gjeografik kushtuar vendlindjes gjatë gjysmës së dytë të shek. XV, e përmend një luginë të quajtur “Kosovitza” nëpër të cilën po kaluaka lumi Llap, ku nga vendi në njërën anë gjendet Prishtina e në anën tjetër Novobërda. Nga shkrimi greqisht i Konstantin Filozofiti shek. XV, në kontest të përshkrimit të Betejës së Kosovës, përmendet dy herë një vend i quajtur “Kosova/Kosovë”. Shënimi tjetër i shek. XV tregon se, për të shkuar nga Prishtina për në Vuqitërn, tregtarët duhej të kalonin nëpër “pyje (male) të Kosovës”, përkatësisht nëpër “boschi di Cossova”. Nga Libri i borxhlinjve i vitit 1438, i tregtarit dubrovnikas, Michael de Luchari, i cili veproi në Novobërdë, në afërsi të këtij qyteti, përmend katundin “Chosouiza”. Nga punimet e studiuesit Muhamet Tërnava, kemi të dhënat dhe për katundin “Kosofc” në regjionin e Llapit, i cili përmendet në vitin 1455, e që dëshmohet dhe në regjistrimet e viteve 1566 e 1574. Duket se po me këtë katund ka të bëj dhe studiuesi Iljaz Rexha, kur thekson se, dokumentet e viteve 1566/1574, e paraqesin katundin “Kosovc” por që gjendet në krahinën e Gallapit.
Udhëpërshkruesi i shek. XVI, Petantius, kur po kalonte nëpër këtë trevë, shkruan se, përgjatë rrugës që shpie për Procopia (Prokuplje) në Nisum (Nish) nëse lëshohesh poshtë, kah jugu, jo fort larg shtrihet lugina “Kosovitza” përmes së cilës kalon lumi Llap. Libri i botuar në Venedik më 1605, nga Giacomo di Pietro Luccari, kur flet mbi Betejën e vitit 1389, tregon se, sulltan Murati depërtoi deri në vendin e quajtur “Kosovë”, që Gjermanet e quajnë “Amselveld”, Hungarezët – “Rigomezev” a Turqit – “Cossova”. Sipas të dhënave që i paraqet Haxhi Kalfa nga viti 1650, “Kosova” ishte Kadillëk (Kaza) i Sanxhakut të Vuçitërnës që ndodhet mes Prishtinës dhe Kurshumlisë. Po ky autor, pra gjeografi turk Haxhi Kalfa, gjatë gjysmës së dytë të shek. XVII, përmend qytetin “Kosova” duke e cilësuar si Kadillëk. Historiani Skender Rizaj, paraqet dëshmitë e studiuesit anglez J. Mackay, që tregojnë se, ekzistonte një “qytet” që quhet “Kosova” dhe i cili gjendej afro 7 (shtatë) milje (1 milje = 1.852 m) në verilindje të Prishtinës në Rumeli (Ballkan). Po ky autor, na tregon se, “Kosova” ishte qytet dhe se njihej si lokalitet i vjetër xehetarë. Një defter i vitit 1498, përmend “Kosovën”, duke treguar që ishte dhe lokalitet i rëndësishëm xehetarë […]. “Kosova” si qytet antik, mesjetar dhe i kohës së re u rrënua në fund të shek. XVII, por fama e tij nuk u rrënua, emri i tij përfshiu një territor shumë më të gjerë të Gadishullit Ballkanik. Qyteti ‘’Kosova’’ ishte njëri ndër qytetet që ranë në duart e austriakëve në viti 1689.
Pas të gjitha këtyre që u thanë, do të japim të dhëna interesante që kanë të bëjnë me emrin “Kosova”, të cilat dalin nga burimet hartografike (gjeografike). Këto të dhëna do të paraqiten në shumë Harta të punuara nga studiues evropian që përfshijnë periudhën kohore që nga shek. XV e deri në shek. XIX. Në këtë drejtim duhet ta falënderojmë studiuesinMuharren Carabregu, i cili me punën e tij, na mundësoi që ti njohim burimet hartografike që kanë të bëjnë me emrin e vendit tonë ‘’Kosovë’’. Rezultatet e punës së tij, kryesisht ato që kanë të bëjnë me punën tonë, do ti paraqesim në vijim të punimit. Fillimisht, është shumë me rëndësi të tregohet se, në shumë Harta, emri i vendit “Kosovë-a”, paraqitet apo shënohet kryesisht si: “Casoua”(Kasoua), Casova(Kasova), “Cascova” (Kaskova), “Cassovia” (Kasovia) etj., dhe gjithnjë duke e paraqitur vendin, herë si vendbanim e herë si rajon (provincë). Këto dëshmi të para hartografike për emrin ‘’Kasova’’- ‘’Kosova’’ janë shumë të rëndësishme, sepse këto vërtetojnë ekzistimin e këtij lokaliteti me këtë emër në territorin tonë.
Dëshmitë e para hartografike për territorin (e Kosovës së sotme) i kemi nga fundi i shek. XV, nga F. Roselli (1447-1527), i cili boton hartën e Evropës J.L. në Firenza të Italisë, ku paraqet emrin ’’Casoua’’ (Kasova), që ka të bëj me emër visi. M. Benventano në vitin 1507 në Romë-Itali, boton hartën ‘’Tabula Moderna […]’’, ku paraqet emrin ‘’Cascova’’ (Kaskova) për emër të vendbanimit. G. Gastaldi në hartën ‘’Carte dei paesi […], që e botoi në vitin 1546, paraqet emrin ‘’Cascoua’’ (Kaskova) si vendbanim, ndërsa në hartën ‘’Tavole nuovo […]’’ të vitit 1548, e quan ‘’Cassovia’’ (Kasovia), prapë duke e theksuar për vendbanim. Po ky autor, në vitin 1560, boton hartën ‘’Atlas Ptolomaeus […]’’, ku si vendbanim paraqet vendin me emër ‘’Scascoua’’ (Skaskova). G. Mercatori në hartën e botuar në Duisburg në vitin 1595, paraqet vendbanimin ‘’Scascoua’’ (Skaskova). Në atlasin e Ortelit të vitit 1595, paraqitet emri në formën ‘’Scascova’’ (Skaskova). P. M. Coronelli, duke punuar në hartimin e atlasit-globit tokësor gjatë viteve 1683-1704, boton harta në 12 vëllime. Në botimin e hartës ‘’Iliricum’’ të vitit 1688, përmend vendin e quajtur ‘’Campo Cassova’’. Po në këtë atlas të Coronelli-t, në hartën nr. 143 të botuar më 1689, paraqitet vendi ‘’Campo Cassoua’’. Mathias Seutteri në hartën nr. 152 të atlasit të tij, përmend emrin ‘’Campus Merlinius Cassovius’’, ndërsa në hartën nr. 153, e paraqet ‘’Campus Cassovius’’. Në një riprodhim të hartës së I. M. Hasiusit, të punuar nga Hamanni, përmendet visi me emër ‘’Cassova Provincia’’. F. Reilly, në koleksionin e atlasit hartografik të botuar më 1796, vendin e quan ‘’Cassovo’’, ndërsa në fletën 22 të po këtij atlasi, e quan vendbanimin ‘’ Ebne Kassavo’’. V. de Vaudoncaurti, në hartën e punuar të vitit 1818, e përmend vendbanimin ‘’Kassova’’.
Është interesant se, vetëm në botimet e hartave të fund shek. XVIII dhe në shek. XIX, emri i vendit fillon të quhet ‘’Kosova’’. Kështu, në hartat regjionale të Haxhi Kalfës nga vitet 1657, në hartën me nr. 297, paraqitet vendbanimi ‘’Kosova’’ . Në hartën e G. de L’Isle të vitit 1702, paraqitet vendi i quajtur ‘’Planin de Cossova’’. F. A. Scheraembli, boton hartën në vitin 1788, ku përmendet visi ‘’Cossovo oder Amsel Feld’’ .J. Riedli në hartën e botuar më 1812, përmend qytetin ‘’Kossova’’ që e vendos në V.L. të Pristines (Prishtinës). Vendin ‘’Fusha e Kosovës’’, të shkruar në gjuhën serbe ‘’Kosovo Polje’’ – ‘’Amsel Feld’’, do të gjejmë të përmendet gjatë shek. XIX , vetëm në tri raste dhe këtë: në vitet 1867, 1876 dhe më 1881. Ndërsa, emrin në variantin e shkruar ‘’Kosovo’’, do ta gjejmë vetëm në një rast edhe atë pikërisht në shek. e XIX, më konkretisht në vitin 1829.
Nga të dhënat-burimet hartografike që i paraqitëm më lart, shihet qartë se, që nga shek. XV e deri në fillimin e shek. XIX, baza e emrit është shkruar dhe paraqitet gjithnjë me fjalën ‘’Kas’’. Gjatë këtyre shekujve, emri kryesisht do të ekzistoj në variantin ’’Kasova’’. Vetëm kah fundi i shek. XVIII dhe gjatë shek. të XIX, fjala ‘’Kas’’ fillon të shkruhet dhe të paraqitet në trajtën ‘’Kos’’, që na jep versionin dhe formën e emrit të sotëm të vendit ‘’Kosova’’. Në këtë drejtim, do të ofrojmë dhjetëra të dhëna historiografike të autorëve-studiuesve të ndryshëm botërorë, të cilët në punimet e tyre, kryesisht të botuara gjatë shek. XIX, e në pak raste dhe gjatë shek. XX, emrin ‘’Kosova’’ do ta paraqesin në trajtën ‘’Kasova’’.
Në një libër, që është botuar në vitin 1822, kur flitet mbi Historinë Moderne Evropiane, gjejmë të dhëna dhe për vendin tonë i cili paraqitet me emrin ‘’Kasova’’ ([…] on the plains of Cassova […]). Libri ‘’ Allgemeine deutsche Real-encyklopodie […]’’ e botuar në vitin 1827, vendin e quan ‘’Kasova’’ ([…] bei Kassova […]). Në një punim tjetër të vitit 1837, “The History of Modern Europe […]”, po ashtu emër vendi paraqitet në versionin ‘’Kasova’’ ([… the plains of Cassova […]). Libri ‘’Histoire de I’Empire otoman […]’’, i botuar në vitin 1841, vendin e quan ‘’Kasova’’ ( Assassinat qu’il commet sur Mourad I, dans la batalle de Kassova). Në librin‘’The Turkish Empire […]’’, të botuar më 1854, duke u përshkruar shkurt ngjarja rreth Betejës së vitit 1389, vendi quhet ‘’Kasova’’ ( A bloody battle was fought in the plain of Kassova […]’’. Po ashtu, në librin ‘’Histoire De L’Empire Ottoman’’ të botuar në vitin 1855, emri i vendit quhet ‘’Kasova’’ ([…] por le plateau de Kassova pour de scendre dans la Macedoine). Libri ‘’Chronological Tables […] And History Of The World’’ i botuar më 1857, vendin ku u zhvillua Beteja e vitit 1389, e quan ‘’Kasova’’ ( Victory of Kassova […]). Revista shkencore ‘’L’Investigateur […] Historique’’ e botuar më 1857, duke e quajtur luftën e vitit 1389, si një ngjarje fatale, vendin e quan ‘’Kasova’’ ([…] apres la fatale batalle de Kassova […]). Libri ‘’Histoire de la Turquie’’ i botuar në vitin 1859, në kapitullin IV, shkruan për vendin dhe luftën e Kosovës (1389), ku emri i vendit quhet ‘’Kasova’’ ( IV. Bataille de Kassova – Mort d’Amurat). Libri ‘’Mittheilungen Aus Justus Perthes Geographischer […]’’ i botuar më 1860, vendin e quan ‘’Kassova’’.
Në librin ‘’Die Geschichte der Welt var und nach Christus’’ të botuar në vitin 1853, vendi quhet ‘’Kassova’’ ([…] aber bei Kassova geschlagen […]). Revista shkencore ‘’The Quarterly Review’’ e botuar në vitin 1865, duke bërë fjalë për luftën e vitit 1389, vendin e quan ‘’Kasova’’ ([…] on the field of Cassova; […] battle of Cassova […]). Libri ‘’History of Europe […]’’ e vitit 1877, duke folur për luftën e vitit 1389, e quan ‘’Beteja e Kasovës’’ ( Battleof Kassova – 1389 […]). Në librin ‘’The Russo – Turkish War’’ i botuar në vitin 1877, vendin e gjejmë tri herë të shënuar në trajtën ‘’Kasova’’. Libri ‘’A History Of The Empire And People of Turkey […]’’ i botuar në vitin 1878, duke bërë fjalë për luftën Hungareze të vitit 1448, tregon se ajo u zhvillua në vendin e quajtur ‘’Kasova’’ (Again the Hungarians rollied in 1448 and again they were routed at Kassova by the furius enemi). Në librin ‘’Muslim Rule In Europe’’ autori , duke bërë fjalë për Hungarinë dhe luftërat e saj me Turqit, përmend luftën e Huniadit (Hunyadi) të vitit 1448, duke përmend edhe vendin ku ajo ishte zhvillua që ishte quajtur ‘’Kasova’’. Në punimin ‘’Baby Rue’’ të botuar në vitin 1881, përshkruhet lufta e vitit 1389, duke theksuar se ajo u zhvillua në vendin e quajtur ‘’Kasova’’ ([…] of August , 1389, the sun a rose over the plains of Kassova […] of victory to the Turkish Sultan). Në librin ‘’Turkey Old And New’’ të botuar në vitin 1883, në pjesën e IV ,duke u bërë fjalë për Greqinë, Bulgarinë dhe vendet shqiptare , thuhet se beteja e madhe e vitit 1389, u zhvillua në vendin ‘’Kasova’’ ( 4. Battle of Kassova – Death of Amurath). Asociacioni i numizmatikës amerikane në botimin e tyre të vitit 1899, përshkruan luftën e vitit 1389, dhe vendin e ndodhjes e quan ‘’Kasova’’ ([…] by the Turks at the battle of Kassova, in 1389, […]). Në punimin ‘’Cyclopaedia of Political Science […] by the Best American and Europian Writers’’ të botuar në vitin 1899, në pjesën ku bëhet fjalë për Turqinë, flitet dhe për Betejën e cila kishte ndodhur në vendin ‘’Kasova’’ ([…] Turkish rule was established in its prezent European limits by the battle of Kassova […]).
Në librin ‘’Jahrbuch der geologischen Bundesanstalt […]’’ të botuar në vitin 1905, autori vendin e quan ‘’Kasova’’. Në librin ‘’Modern History […]’’ të botuar në vitin 1907, kur flitet mbi luftën e vitit 1389, vendin e ndodhjes autori e quan ‘’Kasova’’ (Kassova ‘1389’, the Turks completed the overthrow […]). Në librin ‘’The Modern World […]’’ të botuar në vitin 1915, vendi ku u zhvillua lufta e vitit 1389, quhet ‘’Kasova’’ ( But at Kassova ‘1389’, the Turks completed […]). Në librin ‘’The Middle Ages, 300 – 1500’’ të botuar në vitin 1932, kur bëhet fjalë për luftën e vitit 1389, autori atë e quan ‘’Beteja e Kasovës’’ (1389. Battle of Kassova. Great defeat by […]). Në librin ’’Islam in U.S.S.R., Turkey and Europe’’ të botuar në vitin 1956, autori duke përmendur trevat shqiptare që gjendeshin nën Perandorinë Osmane gjatë fundit të shek. XIX dhe fillimit të shek. XX, përmend provincën ‘’Kasova’’ (Vilajetin Kosova, E. R.), si njërën ndër katër Provincat Turke që paraqet sot Shqipëria ([…] die old Turkish provinces of Skutari, Yanina, Kassova and Monastir […]). Në librin ‘’Contribution a l’histoire du Commerce Bulgare’’ të botuar në vitin 1971, autori duke përshkruar Betejën e Varnës, luftrat e Skenderbeut dhe Betejën e vitit 1389, për këtë të fundit, tregon se u zhvillua në vendin e quajtur ‘’Kasova’’ ( Bataille de Kassova). Një autor hungarez në librin e tij të botuar në vitin 1999, vendin e quan ‘’Kassova’’. Një autor francez, gjatë qëndrimit në treva të ndryshme shqiptare në gjysmën e dytë të shek. XIX, na jep një qëndrim interesant që ka të bëj me emrin ‘’Kosovë’’. Ky ishte Emil Viet, i cili ishte për një kohë Konsull i shtetit të Francës në Shkodër, ku gjatë asaj kohe mësoi shumë për shqiptarët dhe vendet e tyre. Kur flet për territorin tonë, vendin e quan me emrin ‘’Kosova ose Gistivari’’ i cili nga emri i rrafshinës quhet gjithashtu ‘’Fushë Kosovë’. Ky është ‘’Kasobusi i vjetër’’, që shquhet prej dy betejave të mëdha ku ngadhënjyen Bajaziti I dhe Murati i II, më 1389 dhe 1448 […]. Gjendet në rrugën që shpie për Nissa (Nish) […]. Lidhur me paraqitjen e emrit “Kasobusi”, mendoj që autori ka parasysh fjalën “Kasaba”, e cila në gjuhën shqipe dmth. “qytet”. Po ashtu, ‘’Kasaba’’ ka kuptimin e “qytetit të vogël” (qytezë) edhe në gjuhën serbe. Fjala “Kasabali” në gjuhën tonë, ka kuptimin e “banorit të vjetër të qytetit” , apo në kuptimin e plotë të fjalës dmth. “qytetar”.
(VIJON…)