Prishtinë, 19. 11. 2016: Dalja e Britanisë nga BE-ja apo mbase edhe ndonjë dalje tjetër nga ky Union në të ardhmen, do të çonte projektin e BE-së drejt shpërbërjes. Prishja e BE-së, do të ishte një humbje e madhe, po jo edhe aq për shqiptarët në Ballkan, për vete faktin se nuk mund të kemi pasoja të mëdha pasi nuk jemi pjesë e saj. Por, çfarë do të ndodhte dhe si do mbroheshin Shqipëria e Kosova nëse një gjë e tillë ndodh me NATO-n, siç dha disa sinjale vetë presidenti i sapozgjedhur amerikan Trump?
Duket se deklaratat e presidentit të SHBA-ve të sapozgjedhur Trump për rreth të ardhmes së Aleancës Veriatlantike, mund të jetë mbështetur në heshtje nga BE-ja për vetë faktin se Bashkimi Evropian mund të ketë gjetur tek ai një aleat tepër të fuqishëm e strategjik. Duhet theksuar se Trump vjen nga fusha e biznesit, dhe si i tillë nuk duhet të befasojë askënd, që ai mund të ketë nuhatur se SHBA-ja, nuk është më e gatshme të bëjë shpenzime enorme në fuqizimin e mëtutjeshëm të Aleancës Veriatlanitke (NATO), e si rrjedhojë, as për sigurinë e BE-së.
Se deklaratat e Presidentit Trump janë tepër serioze për Aleancën Veriatlantike e forcon edhe më shumë deklarata kryeministri danez Lars Loke Rasmusen, që pas bisedës telefonike me Presidentin e zgjedhur Trump deklaroi: “Qeveria po përgatit masat për të rritur përfitimet për ushtrinë dhe sigurinë kombëtare”.
Deklaratat e Presidentit Trump, mund të kuptohen edhe si sinjale për BE-në, se Gjermania mund të jetë jo vetëm lokomotivë e zhvillimit ekonomik, por edhe bartëse e zhvillimit dhe fuqizimit të mbrojtjes së BE-së, duke nxitur kështu krijimin e ushtrisë së fuqishme evropiane, e cila do të përbënte edhe një aleat tejet të sigurtë për SHBA-të.
Shqipëria dhe Kosova ç’kanë qenë, ç’janë dhe ku duhet të shkojnë?
Shqipëria në periudhën 1945-1990 kishte një ushtri të mirë-organizuar dhe me një potencial të mjaftueshëm ushtarak për mbrojtjen e saj në tokë, det dhe ajër. Fuqizimi i shtetit shqiptar, sidomos pas Luftës së Dytë Botërore, bëri që edhe mbrojtja e saj ushtarake të kishte një dimension shumë më të fuqishëm për mbrojtjen e hapësirës së vet shtetërore.
Shkëputja e jashtëzakonshme dhe shumë-dimensionale nga Bashkimi Sovjetik, bëri që Shqipëria të ishte krejtësisht e pavarur nga Bashkimi Sovjetik, dhe si pasojë edhe nga çdo lloj ndikimi sllav që mund të kishte deri në atë periudhë dramatike që po kalonte shteti shqiptar. Ngritja dhe fuqizimi i nacionalizmit shqiptar i fshehur pas teorisë së Marksizëm-Leninizmit, bëri që Shqipëria të gjente një aleat të fuqishëm Republiken Popullore të Kinës e që nuk kishte asnjë pretendim territorial apo të kishte pretendime për të krijuar baza ushtarake në Shqipëri, për të kërcënuar shtetet fqinje të Aleancës Veri-Atlantike.
Asokohe, ushtria shqiptare përbëhej nga tetë korpuse. Përveç atij të Tiranës dy ndodheshin në kufi me shtetin grek, tre me atë jugosllav dhe dy me atë Italian. Për më shumë, shteti shqiptar kishte ndërtuar një ushtri më se të avancuar për kohën, duke përfshirë: Mbrojtjen Kundër-Ajrore, Flotën Luftarako-Detare, Aviacionin Efektiv, Forcat Vullnetare, etj.
Ndërkaq, pas vitit 1990, Shqipëria e tranzicionit, në lëmin e strukturave të sigurisë, për dhjetëvjeçarin e parë të saj, ndoqi politika krejtësisht pa koncept, e me shumë pasoja negative për sigurinë kombëtare. Kulminacioni i këtij degradimi ishte në vitin 1997, kur çdo gjë kolapsoi dhe për herë të parë në historinë e Shqipërisë së pasluftës së dytë botërore, ajo u shpartallua pa asnjë agresion nga jashtë!
Sot kur jemi në vitin 2016 ushtria shqiptare ka në dispozicion rreth 3000 ushtarë dhe i gjithë aktiviteti i ushtrisë shqiptare është reduktuar në misione ushtarake humanitare jashtë Shqipërisë. Mbrojtja e Shqipërisë sot, është lenë krejtësisht në duart e NATO-s. Është e vërtetë që nëse sulmohet Shqipëria, NATO është e obliguar nga artikulli katër i Marrëveshjes së Traktatit Veriatlantik, të mbrojë Shqipërinë, por kjo nuk do të thotë që Shqipëria të mos organizojë mbrojtjen e vendit dhe qytetarët e saj në rast lufte.
E mos të flasim për gjendjen e FSK-së në Kosovë, e cila është ende larg të qenurit ushtri, kryesisht për shkak të kundërshtimit të Listës Serbe, pa votën e së cilës nuk mund të bëhen ndryhimet e nevojshme kushtetuese, ku kërkohen 2/3 e deputetëve dhe në këtë gjendje që janë Forcat e Kosovës, as që nuk bëhet fjalë për të përballuar të vetëm çfarëdo agresioni serb, apo për t’i mbrojtur shqiptarët e pambrojtur në Maqedoni nga një skenar provokues maqedonas, ku mundet të provokojë me mbështetjen e vëllazërisë sllave në çdo kohë një luftë ndëretnike atje!
Prandaj, në një situatë të tillë që po kalojmë, çdonjëri prej nesh, me shumë të drejtë, do pyeste veten se çfarë do mund të ndodhte me Shqipërinë, Kosovën, si dhe me shqiptarët në tërësinë e tyre gjeografike, nëse NATO do të ndryshojë strategjinë e deritashme ose edhe për më keq të shpërbëhej? A do ishte në gjendje Shqipëria të përballonte një agresion grek, që edhe pse është anëtare e NATO-s, Athina shpesh ia kujton Tiranës se sa e dobët është ajo përballë saj! Sa dhe si do e përballonte së bashku me Kosovën, Serbinë e cila ka tendenca tepër të dukshme për një vazhdimësi të hegjemonisë serbe në Ballkan e si pasojë e një politike të tillë, shteti serb po merr nga Rusia jo vetëm mbështetje dhe garanci politike, por po merr edhe më shumë se 2.5 miliardë euro armatime dhe teknologji të lartë ushtarake.
Kjo situatë ku bota po shkon drejt një përshkallëzimi të përplasjeve në mes të fuqive të mëdha, Tirana dhe Prishtina zyrtare nuk do të duhej të mbeten me një forcë ushtarake të limituar, dhe të sillen sikur nuk po ndodh asgjë për rreth nesh dhe shqiptarët të mbesin të zbuluar para një agresioni të mundshëm nga vëllazëria sllavo-ortodokse!