ISMET HAJRULLAHU: REFORMAT NË ARSIM – DOMOSDOSHMËRI E KOHËS

Prishtinë, 16. 12. 2016: Rezultatet e testit ndërkombëtar PISA në fushën e arsimit, treguan mangësitë dhe dobësitë e shumta të sistemit tonë arsimor, dhe në të njëjtën kohë treguan qartë, se sa urgjente është bërja e reformave të thella në arsim.
Duke e parë në këndvështrimin e një intelektuali, qytetari, e prindi, vërtet ndihesh i pashpresë për një shkollim cilësor të fëmijëve në institucionet tona shkollore, pothuajse në të gjitha nivelet.
Kosova, me një moshë mesatare tepër të re të popullsisë , krahasuar me vendet e tjera të Evropës, duke parë nevojën dhe kërkesat e larta të të rinjve për t’u arsimuar, politikëbërësit është dashur të kenë nje qasje prioritare në këtë drejtim dhe duke e parë arsimin seriozisht si një nga prioritet kryesore të zhvillimit të vendtit.
Mobilizimi ‘i drejtorëve‘ të politizuar’ të drejtorive komunale të arsimit në Kosovë, realisht nuk do të ketë ndonjë impakt në ngritjen e cilësisë apo mbarëvajtjes së arsimit, pasi në shumicën e komunave tona, drejtorët që menaxhojnë me arsimin, në shumicën e rasteve, janë thjesht të besuarit e kryetarëve të komunave, ose për më tepër kuadro që nuk kanë lidhje me arsimin.
Dhe pikërisht këtu fillon kalvari i dobësive dhe mangësive në menaxhimin e procesit edukativ, si në nivel lokal, ashtu edhe atë kombëtar. Përzgjedhja e kuadrove nga politka, duke mos pasur lidhje me dijen dhe fushën e arsimit ka sjellë këto rezultate, të cilat për mua përsonalisht, kanë qenë mëse të pritshme, sepse jo rallë kur shkruaja për këtë çështje, jo pak zyrtarë të arsimit me kritikonin se e kisha lëshuar “pllugun thellë”!
Menaxhimi i sistemit arsimor në aspektin kombëtar është një çështje shumë komplekse, por edhe shumë e vështirë për vetë specifikat që kemi kaluar ne si shoqëri dhe në të njëjtën kohë për qasjen që politikëbërësit kanë karshi kësaj çështjeje tepër të rëndësishme për shoqërinë.

Zhvillimi i arsimit përbën një proces zinxhiror që ndërlidhet me hallka të ndryshme dhe që nuk mund të funksionojnë pa njëri tjetrin.
Nga ky këndvështrim, përgjegjsia më e madhe bie mbi politikëbërësit, të cilët janë përgjegjësit kryesorë për hartimin e politikave të duhura, të krijimit të një infrastrukture të duhur ligjore për një sistem arsimor koherent për gjeneratat e reja.
Sa më i zhvilluar ekonomikisht të jetë një vend, aq më shumë i jep prioritet sistemit edukativo-arsimor në përgjithësi. Kjo u pa qartë edhe në ranglistën e fundit të testimit PISA, ku vende me ekonomi shumë të zhvilluar, prinin edhe në sistemin e arsimit.
Trendet e ndryshimeve gjeografike botërore të vendeve që kryesonin listën e testimit PISA, ishte një surprizë e madhe edhe për vetë vendet e zhvilluara të Evropës, ku arsimit në përgjithësi i është dhënë një prioritet veçantë.
– Cfarë është bërë konkretisht për ngritjen e cilësisë në arsim?
– Cilat kanë qenë ato politika shtetërore të cilat kanë dhën suksese në këtë drejtim?
– Edhe sa duhet të presin nxënësit dhe studentët e këtij vendi për të marrë një arsim cilësor në shkollat publike, dhe jo vetem në to?
Shumë e shumë pyetje ngrihen rreth kësaj çështje shumë sensitive, ku paradokset janë të shumta. Ku ‘ekonomisti’ i diplomuar, nuk di tabelëën e shumëzimit, apo ‘juristi’ nuk di të formulojë apo interpretojë një ligj të caktuar, e shumë e shumë raste të tjera.
Kjo formë dhe mënyrë e menaxhimit të sistemit arsimor në përgjithësi, i lë hapësirë ‘lulëzimit’ të një arsimimi dhe krijimit të një ushtrie të ‘diplomuarve’ të padijshëm që do jetë një bomerang për shoqërinë tonë në dekadën e ardhshme.
Duke pasur parasysh faktin, se ne si vend kemi përqindje të lartë të gjenratës së re, krijuesit apo hartuesit e këtyre politikave në fushën e edukimit duhet të njohin mirë rrethanat dhe kushtet që është zhvilluar arsimi në përgjithësi, para dhe gjatë luftës. Nuk mund të ndërtojmë dhe investojmë shkolla dhe kabinete supermoderne pa krijuar kuadrot e duhura që do të jenë të aftë të përdorin aparaturat, apo të kenë dijen e duhur në fushat përkatëse. Ngritja dhe investimi paralel, si në aspektin fizik të objekteve shkollore dhe në ngritjen e kapaciteteve të krijimit të kuadrove në pergjithësi, në këtë drejtim është mënyra e duhur dhe çelesi për një arsim të sukseshëm.
Nuk mund të marrim apo ‘kopjojmë‘ planprograme në mënyrë shabllone nga vende shumë të zhvilluara për t’i aplikuar në vend, pasi kushtet, infrastrukrura fizike, dhe ajo kadrovike janë në disnivel të madh. Nuk do bënim kurrfarë herezie nëse do të merrnim për bazë, reformën që ndoqi Shqipëria, e cila tregoi se ishte tepër e sukseshme, gjë që treguan edhe Rezultatet e testit ndërkombëtar PISA. Në këtë këndvështrim, specialistët e fushës së arsimit do të duhet të bënin një studim apo evaluim të saktë të gjendjes aktuale të arsimit në përgjithësi në të gjitha nivelet. Bazuar në statistikat e dala, mund të krijohen planprograme, të cilat do ti përshtateshin vetë shoqërisë në përgjithësi. Rritja e këtij bashkëpunimi serioz në fushen e arsimit me Shqipërin, mendoj se do ishte hapi i duhur dhe thelbësor për të ardhmen e arsimit koherent në Kosovë.
Dobësitë apo mungesa e platformave të qarta, se si dhe ku duhet te eci arsimi në pergjithësi, si ai public apo privat, rezulton në këtë gjendje alarmante në përgjithësi. Prandaj,nësse deri më sot arsimi nuk ishte prioritet, që nesër, duhet të vehet mbi gjithçka duke u ndërgjegjësuar se arsimimi i gjeneratave të reja është dhe duhet të jetë prioritet mbi prioritetet.
Mbushja apo stërmbushja e drejtorive apo shkollave me militantë partiakë, vazhdimësia e po këtij trendi, do ta çojë në vijueshmëri kalbsimin e sistemit tonë arsimor në përgjithësi.
Vetë akademia e shkencave tona, e stërmbushushur me ‘shkencëtarë shterpë’, që nuk kanë dhënë asnjë kontribut për shkencën, vetëm se iksi apo ypsiloni është antarë i një partie politike, do ketë impakt shumë të madh në shkatërimin gradual të sistemit arsimor në përgjithësi.
Nuk e di se cilat janë politikat që po ndiqen, për ti rikthyer në vend ata që kanë studiuar jashtë, çfarë hapësire ju është dhënë dhe sa inkurajohen për të qenë pjesë e politikave menaxhuese jo vetëm në sistemin e edukimit, por në të gjithë sistemin tonë shoqëror në përgjithësi.
Vërtet nëse e duam këtë vend, duhet të kthjellemi dhe t’i kushtojmë një rëndësi shumë më të madhe fushës së edukimit të gjeneratave të reja, pasi vetëm në këtë menyrë mund të jemi pjesë e zhvillimeve dhe trendeve botërore.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura