KADRUSH RADOGOSHI: BENJAMIN FRANKLIN DHE POLITIKANËT E AKADEMIKËT E KOSOVËS

Edmonton – Kanada, 25. 01. 2017: Njerëzit me kulturën elementare të shkrimit e dinë se titulli i cilitdo teksti të shkruar duhet të jetë sintetizim i tërësishëm dhe ekstremisht i shkurtë i tij. Titulli i këtij shkrimi përbëhet nga dy kategori: e para Benjamin Franklin e dyta politikanët dhe shkenctarët shqiptarë të Kosovës. Benjamin Franklin, njëri prej etërve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës nuk do të jetë krahu i parë i krahasimit në këtë shkrim sepse nuk ka asgjë të ngjashme me kategorinë e dytë, por do të jetë drita apo pikëvështrimi, i cili na mundëson ta shohim fytyrën e vërtetë të politikanëve tanë në tërësi dhe të pushtetarëve në veçanti dhe pse jo edhe të hulumtuesve dhe “zbuluesve” shkencorë të Akademisë së Shkencave të Kosovës.
Benjamin Franklin, (lindur më 17 Janar 1706 në Boston, Massachusets,SHBA dhe vdekur më 17 Prill 1790 në Philadelphia, Pensylvania, SHBA) është i vetmi nga etërit themelues të SHBA, i cili është nënshkrues i të katër dokumentave madhor të themelimit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të cilët janë:
– Deklarata e Pavarësisë,
– Marrëveshja për Aleancë me Francën,
– Marrëveshja e Parisit dhe
– Kushtetuta e Shteteve të Bashkuara.
Në hierarkinë e etërve amerikan Benjamin Franklin renditet në vendin e dytë pas George Washington apo kampionit të Pavarësisë amerikane.

Për mendjet e hapura të shoqërisë shqiptare në Kosovë ballafaqimi njohës me përmasat madhështore të figurës poliedrike të Benjamin Franklin, qoftë si shkenctar e zbulues, qoftë si burrë shteti e diplomat, është fascinues dhe me lehtësi pranohet si model i synuar dhe tërësisht antinomik me modelin e politikanit kosovar të krijuar në bazë të parimit se politikani nuk është e thënë të jetë ekspert në fusha të ndryshme të dijes. Atij i mjafton të ketë shumë militantë partiakë dhe votues, të cilët e kanë kaluar procesin e trushpërlarjes nëpër lavatriçen e miteve të vjetra e të reja. Në këtë kontekst politikanëve shqiptarë jo vetëm, që u mungon përgatitja intelektuale dhe vlerat morale, por u mungojnë edhe këshilltarët kompetentë në aspektin e ekspertizës dhe ata as nuk janë e as nuk duan të jenë të vetdijshëm për këtë mungesë. Të rrethuar me këshilltarë e bashkëpunëtorë, niveli i të cilëve fillon nga gjysëmanalfabetët dhe mbaron te mediokritetet, ata e konsiderojnë vetveten më të mençurin, më të fortin dhe më të pakontestueshmin në raport me popullin, me inteligjencinë dhe me mendimin opozitar edhe kur është i artikuluar qartë.
Benjamin Franklin si shkenctar ishte figurë madhore e Iluminizmit Amerikan. Ai u bë i njohur në historinë e fizikës me hulumtimet, zbulimet dhe teoritë e tij në fushën e elektricitetit (Teoria e valëve të dritës; Efekti i temperaturës në konduktivitetin elektrik). Ai gjithashtu u shqua në fushën e matematikës. Kontributi i Benjamin Franklin është evident edhe në studimin e rrymave të Oqeanit Antlantik dhe në zbulimet oqeanografike.
Në vitin 1741 Benjamin Franklin e themeloi “Shoqërinë Filozofike Amerikane” për t’i ndihmuar shkenctarët amerikanë t’i diskutonin teoritë dhe zbulimet e tyre shkencore. Kontributi e tij teorik dhe praktik në heqjen e skllavërisë dhe integrimin shoqëror të popullsisë zezake është i padiskutueshëm. Nuk janë të shpeshta rastet në historinë e qytetërimit Evro-Atlantik, kur një hulumtues dhe zbulues i dëshmuar në shkencat natyrore, të jetë shquar edhe në shkencat shoqërore me traktatet politike, etike, shtetndërtuese dhe në praktikën politike emancipuese e shtetndërtuese si dhe diplomatike si Benjamin Franklin.
E shikuar në dritën e fortë të rezultateve në shkencat natyrore dhe shoqërore të Benjamin Franklin, turma e anëtarëve të Akademisë së Shkencave të Kosovës (pa të keqen edhe të asaj të Shqipërisë) na dalin dordolecë të krijuar nga bora e ideologjisë dhe inercioni i saj në partitë pasuese të saj. Rezultatet shkencore të tërë kësaj akademie, që nga themelimi i saj e deri sot, në asnjë mënyrë, nuk mund të krahasohen me rezultatet shkencore të një individi siç është modeli ynë. Një aspekt tjetër i pakrahasueshëm dhe antinomik, në këtë kontekst, është se Benjamin Franklin, jo vetëm që nuk ia mori asnjë cent atdheut të tij për hulumtimet dhe zbulimet e tij shkencore, por me paratë e tij e financoi veprimtarinë shkencore të të tjerëve dhe themelimin e institucioneve të studimit universitar.
Në pozicion tërësisht antinomik qëndron Akademia e Shkencave e Kosovës, e cila shpenzon shuma të mëdha parash nga buxheti i varfër i Kosovës për rrogat e majme të anëtarëve të zgjedhur në bazë të kriterit të përshtatshmërisë politiko-partiake, klanoro-nepotike dhe gardhoro-primitive-lokaliste. Akademia shpenzon mjete edhe për projektet e saj, në hartimin e të cilave nuk respektohet asnjë kriter shkencor.
Ky baba themelues i shtetit më të madh, më të zhvilluar, më të fortë dhe model demokracie ka bërë çmos, që themelet e tij t’i vendos mbi parime dhe vlera të qëndrueshme morale. Gjatë tërë jetës së tij Benjamin Franklin ka hulumtuar rolin e rëndësishëm të virtytit të individit dhe të shoqërisë. Mbijetesën e Shtetit, themelimit të të cilit ia kushtoi të gjitha energjitë dhe dijen e tij të gjithanëshme, e shihte të garantuar vetëm nëse njerëzit e tij do të ishin të virtytshëm. Në një takim me bashkëpjesëtarin dhe prijësin e Iluminizmit Volterin (Voltaire), heroi i këtij shkrimi e pyeti atë se si ta bekonte nipin e tij, Volteri iu përgjegj në anglishte, duke i thënë se i vetmi bekim për nipin e Zotëri Benjamin Franklin është: “Zoti dhe Liria”.
Nëse aktualizojmë çështjen e virtytit në shoqërinë shqiptare të Kosovës nga pikëvështrimi i Benjamin Franklinit, do të arrijmë te një e vërtetë e hidhur. Virtytshmëria te politikanët shqiptarë në pushtet dhe te një pjesë e madhe e politikanëve në opozitë, pa frikën se mund të gabojmë, është kategori inekzistente dhe mund të haset vetëm si objekt i humorit të tyre të zi. Ky fenomen është edhe më cinik te akademikët tanë dhe te një pjesë e kudrove udhëheqëse nëpër universitetet publike dhe private, të cilat kanë mbirë si këpurdhat pas shiut. Mungesën e virtyshmërisë qeveritarët tanë e zëvendësojnë me gënjeshtra dhe intriga ndër më të pa imagjinueshmet, ndërsa akademikët ia shtojnë edhe të drejtën e plagjiaturës si një nga të drejtat elementare qytetetare të tyre.
Po të ishte gjallë Benjamin Franklin dhe po ta vizitonte Kosovën (jo si një ndër burrështetasit më të mëdhenj amerikanë, por si qytetar i thjeshtë) dhe kur do ta dëgjonte këngën epiko-heroike kushtuar ndaluesit individual të trenit vetëm dy apo tri ditë pas ndaljes së tij me siguri do t’i fshinte sytë dhe do t’i dukej vetja në ndonjë ëndërr të sikletshme dhe do të mundohej ta bindte veten se vërtetë është në ëndërr. Mirëpo dëshirën e tij për të emigruar në ëndrrën e shkaktuar nga epiko-heroika hashimiane do t’ia shuante përgjithmonë kënga kreshnike kushtuar Pal Lekajt, të krijuar, kur po konkuronte për mandatin e tretë për kryetar të Gjakovës thuase Gjakovën ia kishte bërë i ati. Në atë rast, me siguri Benjamin Franklin do të fillonte t’i binte violinës siç i ka rënë, pastaj do t’i binte harfës siç i ka rënë për të kaluar pastaj te kitara dhe për të përfunduar te versioni më i pësosur i harmonikës, të cilin e kishte krijuar (zbuluar) vet. Duke pasur parasysh gjenialitetin e tij, mendojmë se krejt në fund ai do të deklaronte se është e pamundur të përcillen këto këngë me instrumentat e tij.
Këtë shkrim, do ta përfundojmë me një detaj nga biografia e Benjamin Franklinit, i cili tregon se sa i madh është heroi-model i këtij shkrimi, i cili nuk e ka lejuar as veten e as të tjerët t’ia heqin rrobat e modestisë nga qenia e tij gjeniale dhe sa të mjerë janë “heronjtë” e jetës sonë politike dhe akademike, të cilët i paguajnë autorët e himneve të tyre donkishoteske me paratë e buxhetit të varfër të Kosovës: Katër vjet para se të vdiste Benjamin Franklin njoftohet nga kryetari i një qyteze të Massachusets se Këshilli i qytezës ka vendosur, që në nderim të bashkëvendasit të tyre, të njohur në tërë botën, do ta ndërtonin një këmbanare të lartë (bell tower). Benjamin Franklin ia kthen letrën kryetarit dhe i thotë se ndihet i nderuar nga vendimi i tyre për ta emëruar edhe qytetin me emrin e tij. Por, ai i thotë atij se dëshira e tij është, që me paratë e parapara për ndërtimin e kullës dhe të këmbanës ta themelojnë një bibliotekë. Në fund Franklin shkroi një postskript, i cili u bë një nga aforizmat më të famshëm dhe më të cituar nga oratorët anglo-amerikan: “UNË PREFEROJ QË LIBRAT TË KUMBOJNË DHE KUPTIMI TË JEHOJË” – “I PREFER BOOKS TO BELL AND SENS TO SOUND”.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura