Tetovë, 28. 01. 2017 > Qendra turistike Kodra e Diellit në larësi mbidetare 1.700 m, larg qytetit të Tetovës vijë të drejtë 8 km, ku arrihet nga Tetova për 20 minuta dhe është e lidhur me rrugë, kurse prej kryeqytetit Shkup-Tetovë-Kodra e Diellit udhëtimi zgjatë përafërsisht një orë. Ndodhet në Malin Sharr dhe është një ndër masivet më të rëndësishme për nga burimet dhe potenciali i shtigjeve për skijim. Pozita e këtillë, është padyshim e volitshme nga se vizitat nuk do të kufizohen, por është një mundësi që kjo qendër të ketë një numër të madh turistësh jo vetëm nga Maqedonia por edhe nga rajoni dhe vende të tjera. Qendra ekzistuese ka kapacitete të kufizuara hoteliere dhe infrastrukturore.
Ekonomizimi i hapësirës imponohet si domosdoshmëri, sepse me rastin e ndërtimit të objekteve turistike, nuk duhet shkatërruar bukuria natyrore, duhet ruajtur karakteristikat natyrore dhe përshtatshmëria e tyre. Domosdoshmëri e Kodrës së Diellit është që zhvillimi i saj të përfshihet gjatë dimrit por dhe gjatë verës. Zhvillimi i një qendre varet edhe nga hapësira e saj për skijim, me këtë problem Kodra e Diellit nuk ballafaqohet. Drejtimi i terreneve për skijim, periudha e gjatë me borë, lejojnë të vërtetohet se kushtet për zhvillimin e kësaj pjese janë të dukshme. Sipas të dhënave nga Enti hidero-meteorologjik i Maqedonisë, numri mesatar i ditëve me borë në Kodrën e Diellit është rreth 135 ditë, derisa trashësia e borës në muajt janar, shkurt dhe mars është mesatarisht 100 centimetra. Edhe në muajin dhjetor ka mbulesë bore ndërkaq mund të vlerësohet se qëndrueshmëria e borës është minimum katër muaj edhe atë në lartësi mbidetare prej mbi 1.300 m. Kodra e Diellit posedon terrene skijimi të kthyera kah lindja dhe thuaj plotësisht të zhveshura. Këto terrene janë mjaft të llojllojshëm: të valëzuar, në drejtim paralel, rrafshnalta e kodrina, me dimensione të shumta, ku jetësohen terrenet e bukura për skijim. Shtigjet e këtij rajoni kanë një funksion të shumëfishtë dhe mund t’i pranojnë skiatorët e të gjitha kategorive. Për tu përgatitur një program qeveritar për këtë qendër turistike duhet patur kujdes për shumë specifika. Qendra turistike Kodra e Diellit, duhet të jetë qendër e vërtetë turistike, e cila do t’u ofrojë një mundësi të mirë qytetarëve dhe turistëve për aktivitete të ndryshme sportive, si skijim, rrëshqitje, notim, patinazh, shëtitje, lojëra të ndryshme, disko-klube, shitore rekuizitash sportive, shitore të ndryshme tregtare dhe të tjera.
Të gjitha këto duhet të jenë të lidhur në atë mënyrë që do të krijojnë një qendër të shfrytëzuar e të gjallë. Proporcioni i ndërtesave dhe trojet e përcaktuara duhet patur kujdes për karakterin e ndërtimit, shpërndarjen e tyre e kështu me radhë. Këto duhet studiuar mirë. Gjithmonë me qëllimin që turistëve t’u ofrohen shërbime të përshtatshme. Rregullimi i tërësishëm i Kodrës së Diellit paraqitet si domosdoshmëri, nga se jeta turistike nuk qëndron vetëm në ndërtimin e vetqëndrimit, por shfrytëzimi maksimal i kohës së rezervuar për pushim, e cila është një mënyrë në vete. Kjo e aktualizon nevojën e kompletimit dhe rregullimit të Kodrës së Diellit në mënyrë që t’i kënaqin nevojat e turistëve. Parashikimet afatgjata të kompetentëve në këtë rast të qeverisë për kërkesat turistike në këtë qendër, kërkojnë verifikimin e elementeve kryesore të zhvillimit të mundshëm turistik të trevës tetovare, për të cilat niset nga: rritja e prodhimit dhe produktivitetit të punës që mundëson rritjen e shkallës së standardit jetësor dhe atij personal. Kuptohet në këtë mënyrë shtohet edhe kërkesa turistike. Kodra e Diellit me lartësi të mjaftueshme mbidetare, me të reshura të bollshme, me ekspozicionin e vërtetë të terreneve për skijim, denivelizim i përshtatshëm, kushtet e mira klimatike: mjaft ditë me diell dhe pak me mjegull pastaj trualli i rrafshët në të cilin përzgjaten terenet e skijimit, qëndrueshmëria e borës, afërsia me qytetin e Tetovës e kështu me radhë janë faktorë bindës për qeverinë e Maqedonisë që këtë qendër turistike me investime reale ta bëjë qendër të njohur evropiane. Nëse në masivin malor të Republikës së Maqedonisë zhvillohen edhe qendra të tjera, Kodra e Diellit do t’i takojë kompleksit më të rëndësishëm për turizmin dimëror dhe jo vetëm. > SHOQATA PËR KULTURË “TRADITA” – TETOVË