GJOKË DABAJ: PROTESTË KUNDËR DËNIMIT TË SHTATË USHTARËVET SHQIPTARË NË USHTRINË GREKE

Durrës, 01. 02. 2017: Arsyetimi: Pushtetarët, politikanët dhe ushtarakët grekë, shovinistë dhe anakronikë, i dënuan këto ditë me nga dy muaj arrest dhe me qëllimin për t’i nxjerrë në ndërkohë para gjyqit ushtarak, të shtatë ushtarët shqiptarë, efektivë të ushtrisë greke, të cilët, para disa ditësh, e manifestuan publikisht përkatësinë e vet kombëtare, duke improvizuar me gishtërinjtë e duarvet shqiponjën dykrerëshe.
Duke qenë se një veprim i tillë i shovinistëvet anakronkë gekë, paraqet rrëzik të madh për marrëdhëniet fqinjësore e miqësore midis shqiptarëvet dhe grekëvet, po edhe në shkallë më të gjërë, në marrëdhëniet midis kombevet dhe shtetevet, Kombit Shqiptar i takon të reagojë sa nuk është tepër vonë.
Mënyra e veprimit: Të gjithë shqiptarët kudo që jetojnë, brenda Shqipërisë apo në mërgim, mbi baza krejt vullnetare, duhet t’u dërgojnë nga një tekst proteste (peticion) personalitetevet të mëposhtëm: Kryeministrit të Republikës së Greqisë (për dijeni), Kryekomisionerit të Bashkimit Evropian dhe Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-paktit.
Protestuesit nuk ka nevojë të mblidhen nëpër sheshe e mitingje, por mjafton ta nënshkruajnë një tekst proteste, duke vënë aty edhe numrin e dokumentit të identifikimit. Veprimtarë prej tre vetësh, të angazhuar nga shoqatat tona patriotike, të shkojnë kryqëzim më kryqëzim, rrugë më rrugë dhe shtëpi më shtëpi dhe t’u kërkojnë të gjithë shqiptarëvet të moshës mbi 18 vjeç që ta nënshkruajnë, e themi edhe njëherë, krejt vullnetarisht, tekstin e kësaj proteste. Mbasi të jenë bërë njëqind nënshkrime, secila treshe aktivistësh ta dërgojë protestën, me faks ose në ndonjë mënyrë tjetër, në tri adresat që i përmenda: Kryeministrit të Republikës së Greqisë (me shënimin për dijeni), Kryekomisionerit të BE-së dhe Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s. Njëkohësisht, nga një kopje të firmosur prej njëqind pjesëmarrësvet në protestë, t’ua adresojë televizionevet, gazetavet, si dhe rrjetevet të ndyshëm socialë elektronikë.
Këtë detyrë atdhetare, por edhe me rëndësi të madhe ndërkombëtare, me qëllim që vendi ynë dhe krejt gadishulli të mos zhyten edhe njëherë në zjarr e në gjak, duhet ta kryejnë, brenda Shqipërisë, të paktën këta vendbanime, bashki e komuna:
Artë, Bajram-Curr, Ballsh, Berat, Bilisht, Bujanovc, Bulqizë, Burrel, Cërrik, Çorovodë, Deçan, Delvinë, Dibër e Madhe, Dibër e Vogël (Peshkopi), Divjakë, Drenas, Drisht, Durrës, Elbasan, Ersekë, Ferizaj, Fier, Filat, Follorinë, Fusharrëz, Fushë-Kosovë, Fushë-Krujë, Golem, Gostivar, Gramsh, Gusi, Gjakovë, Gjilan, Gjirokastër, Himarë, Istog, Janinë, Kaçanik, Kamenicë, Kavajë, Kërçovë, Klos (i Matit), Konicë, Koplik, Konispol, Kostur, Krastë (Martanesh), Krujë, Krumë, Kuçovë, Kukës, Kumanovë, Kurshumli (Atje ku s’ka banorë shqiptarë, ka pasardhës të muhaxhirëvet me prejardhje prej andej), Laç, Leskovc, Leskovik, Lezhë, Libohovë, Librazhd, Lushnjë, Maliq, Malishevë, Manastir, Margëlliç, Mecovë, Medvegjë, Milot, Mitrovicë (e pandarë), Ndroq, Ohër, Orikum, Paramithi, Pargë, Patos, Pazar i Ri, Pejë, Peqin, Plavë, Podgoricë, Podujevë, Pogradec, Poliçan, Preshevë, Prevezë, Prilep, Prishtinë, Prizren, Prrenjas, Pukë, Rahovec, Resnjë, Rozhajë, Rubik, Runik, Rrëshen, Rrogozhinë, Sarandë, Skënderaj, Shëngjin, Shijak, Shkodër, Shkup, Shtime, Shupenzë, Tetovë, Tiranë, Tivar, Tuz, Therandë (Suharekë), Ulëz, Ulpianë, Ulqin, Urë Vajgurore, Va-Dejë, Veles, Velipojë, Viti, Vlorë, Voskopojë, Vranjë, Vushtrri, Zveçan.
Në të gjithë këta vendbanime a qytete, që ndodhen brenda Shqipërisë, duhet të organizohet nënshkrimi i protestës për mosdënimin, gjegjësisht për mosmbajtjen në burg, të shtatë djemvet shqiptarë, efektivë të ushtrisë greke.
Dikush, i painformuar sa duhet, mund të çuditet që unë, të gjithë këta vendbanime e qytete i kam përfshirë në emërtimin gjeografik Shqipëri. Por koha është që e gjithë bota progresive, përparimtare, joanakronike, por edhe ajo regresive, luftërashkaktuese, ta korrigjojë vetëveten edhe në të shprehur. Kjo është Shqipëria! Nuk është Shqipëria që ajo që „na e ka lënë“ Konferenca e Londrës. Konferenca e Londrës i njohu shtetësinë vetëm një të tretës së Shqipërisë. Dhe këtë të vëtetë të hidhur duhet në radhë të parë ne shqiptarët ta hedhim poshtë në të folurit tone. Vetëm paskësaj do të mund të vijnë duke e kuptuar gradualisht këtë realitet, edhe grekët, edhe sërbët, dhe të gjithë të tjerët, që i kanë shtrirë kufijtë në territorin e Shqipërisë, ose që jetojnë si imigrantë brenda Shqipërisë.
Por tash le të kthehemi te nënshkrimi i protestës. Protesta duhet të nënshkruhet edhe në vendet ku banojnë shqiptarë, jashtë Shqipërisë, pra, në mërgim, në atë që quhet diasporë.
Në Turqi, në të gjithë vendet ku banojnë shqiptarë: në Stamboll, në Ankara, në Izmir dhe gjithandej anembanë Republikës së Turqisë. Në Greqi: në Athinë, në Selanik, në Peloponez, në ishuj. Këtu të pëfshihen jo vetëm emigrantët që kanë shkuar atje në kohët e vona, por edhe arvanitët, që të gjithë, kudo që janë. Edhe në ushtri, edhe në parlamentin grek. Në Itali: Romë, Milano, Gjenova, Venecia, Napoli, Bari, Kozencë, Palermo. Edhe këtu duhet të përfshihen në nënshkrimin e protestës (peticionit), përveç emigrantëvet të kohëvet të vona, edhe arbëreshët, që të gjithë. Në Zvicër, në të tre kantonet, në të gjithë qytetet ku ka shqiptarë. Në Gjermani, në Francë, në Belgjikë, në Holandë, në Spanjë, në Angli, në Danimarkë, në Luksemburg, në Poloni, në Suedi, në Norvegji, në Austri, në Slloveni, në Kroaci, në Bosnjë-Hercegovinë, në Hungari, në Rumani, në Ukrainë, në Bullgari, në Rusi, por edhe në Sërbi, Beograd, Novi Sad… Kudo ku ka shqiptarë nëpër Evropë, duhet të sensibilizohet Kombi ynë, sepse, siç do të shojim më poshtë, nuk është problem i vogël. Nuk është qëllimi për të shpëtuar vetëm ata shtatë djelmosha. Prandaj këtë punë duhet ta kryejnë sa më shpejt të jetë e mundur shoqatat tona atdhetare, që gjenden gjithandej. Nëse nuk do t’ia kuptojnë rëndësinë kësaj pune dhe nëse nuk do ta kryejnë këtë punë shoqatat, atëherë ato më mirë të mos ekzistojnë.
Në SHBA, në Kanada, në Argjentinë, në Australi, në Zelandë të Re, në Japoni, në Kinë, në Egjipt, në Izrael, në Liban, në Siri, në Irak, në Iran, në Afganistan (midis ushtarëvet tanë atje), në Arabinë Saudite dhe në vende të tjerë arabë. Kudo ku jetojnë e punojnë qoftë edhe dy familje shqiptare. Shqiptarët duhet njëherë e mirë ta kuptojnë: Kjo është betejë që mund të fitohet!
Sa mirë e sensibilizojmë opinionin kur kërkohet t’i bëhet një operacion i vështirë një vajze apo një djali dhe i mbledhim brenda javës dhjetëra mijë euro e dollarë?! Sa mirë, kur shohim një familje të pastrehë dhe të varfër, i mbledhim ndihmat dhe ia çojmë asaj familjeje me pako, deri edhe lodra për fëmijët?! Ata shtatë djem gjenden sot në burg dhe kushedi çfarë torturash fizike dhe psikologjike janë duke përjetuar! Kombi Shqiptar duhet të reagojë!
Teksti i protestës: I nderuar Zotëri! Po i drejtohemi Shkëlqesisë Suaj duke shpresuar që problemin ta trajtoni në mënyrën e duhur, me thellësinë e nevojshme dhe me largpamësinë për t’i parandauar tragjeditë.
Para disa ditësh Ministria e Mbrojtjes në Republikën e Greqisë dhe një komandë ushtarake e atij shteti, kanë dënuar padrejtësisht një grup ushtarësh shqiptarë, aktualisht efektivë të ushtrisë greke.
Ne do të mundohemi ta sqarojmë këtu pozicionin tonë ndaj këtij problem, i cili, nëse nuk vihet në rrugën e zgjidhjes në mënyrën dhe në kohën e duhur, ka rrëzik të shkaktojë perturbacione katastrofalë në marrëdhëniet midis dy kombevet dhe, në formën e reaksionit zinxhir, në krejt gadishullin dhe më gjërë, në krejt kontinentin dhe në krejt botën. E themi këtë duke u nisur nga pyetja: Pse e kanë kryer këtë veprim autoritetet grekë? Cilët kanë qenë motivet e tyre?
Me kaq sa thamë, besojmë se është e qartë që këtu nuk bëhet fjalë thjeshtë për shtatë rekrutë të dënuar padrejtësisht, por për pozicione krejt të papranueshëm të pushtetarëvet grekë, shovinistë dhe, në mënyrën më flagrante, anakronikë, krejt jashtë kohës në të cilën jetojmë.
Shtatë rekrutët, pjesëtarë të ushtrisë greke, kishin dalë në fotografi duke imituar me gishtërinjtë e duarvet shqiponjën dykrerëshe të flamurit shqiptar. E kanë bërë atë fotografi në mënyrë fare të çiltër, të veshur me uniformën e ushtrisë greke dhe pa e fyer me asnjë lloj veprimi atë uniformë. E kanë nxjerrë edhe në fejzbuk dhe as që u ka shkuar ndër mend që i imitimi i shqiponjës dykrerëshe, simbol i kombit të cilit ata i përkasin, mund të prekte dikënd në sedër, aq më tepër organet ushtarakë e shtetërorë të shtetit, të cilit ata i shërbejnë.
Shqiponja dykrerëshe është simbol i shqiptarëvet, por, po kjo shqiponjë dykrerëshe është përdorur, në shekullin IV, edhe nga Konstantini i Madh, perandor i Perandorisë Romake dhe themelues i Konstantinopolit. Po kjo shqiponjë dykrerëshe është përdorur rregullisht prej Kishës Ortodokse, pjesë e së cilës është edhe Kisha Ortodokse Greke. A do të shkojnë tani pushtetarët anakronikë grekë t’i heqin shqiponjat dykrerëshe që gjenden gjithandej nëpër kishat e Greqisë? Po kjo shqiponjë dykrerëshe gjendet sot, përveç flamurit shqiptar, i cili është më i vjetri nga të gjithë, edhe në flamurin e Rusisë, në flamurin e Sërbisë, në flamurin e Malit të Zi dhe të ndonjë shteti tjetër. Nëse këta shtatë ushtarë do të ishin me kombësi ruse dhe të kishin imituar me gishtërinjtë e duarvet flamurin e vet, pra flamurin e Rusisë, a do t’i kish dënuar ata djem administrata greke?!
Ata djem vërtet mund të kenë shprehur në atë mënyrë përkatësinë kombëtare shqiptare, por pohimi i çfarëdolloj përkatësie kombëtare, në asnjë vend demokratik dhe në asnjë ushtri, mbrojtëse të rendit demokratik, nuk përbën shkelje as të normavet të ushtrisë e as të parimevet të një shteti mirëfilli demokratik. E ndalon pohimin e përkatësisë kombëtare të shtetasvet të vet vetëm ai shtet që nuk ka demokraci.
Le të marrim edhe spektin fetar. Edhe kryqi është simbol i një religjioni të caktuar. Në qoftë se ata djem do të kishin varur nga një kyq në qafë, nxjerrë sipër uniformës, a do t’i dënonte ushtria greke ata djem?! Në një shtet demokratik asnjë religjion nuk është i ndaluar. Në qoftë se ata ushtarë do të filmoheshin apo vetëfilmoheshin duke u falur si myslimanë, a do t’i dënonte gjykata ushtarake ata djem, si shkelës të rregullores në ushtri? Nëse do t’i dënonte për faljen, por jo për kryqin, atëherë ai shtet mund të jetë çdo gjë, por shtet demokratik nuk mund të quhet.
Të shtatë ushtarët shqiptarë, në fotografinë e tyre, janë të veshur me uniformën ushtarake të ushtrisë greke. Kjo do të thotë që ata ushtarë e mbrojnë shtetin grek deri edhe me jetën e tyre, sipas betimit që kanë bërë. Natyrisht, jo kundër Republikës së Shqipërisë as kundër Republikës së Kosovës, sepse atëherë do të quheshin tradhtarë të kombit të vet. Por, a ka ndërmend ushtria greke të luftojë ndonjëherë kundër fqinjëvet të vet shqiptarë? Nëse e ka ndërmend një gjë të tillë, e ka shumë gabim!
Greqia është anërare e NATO-s, me gjithë shiptarët që i ka brenda dhe me gjithë arvanitët. Anëtare e NATO-s është edhe Republika e Shqipërisë dhe kjo nënkupton që Greqia, sa kohë që është anëtare e këtij pakti, nuk mund të bëjë luftë as kundër shtetevet shqiptarë dhe as kundër shqiptarëvet. Ushtria greke dhe ushtria shqiptare në çdo kohë mund të ndodhen kah për krah, në një luftë kundër një armiku të NATO-s. A do të vriten njëra me tjetrën keto dy ushtri, kur të valëviten dy flamujt e dy kombevet në krah të njëri-tjetrit? Më shumë se gjysma e ushtrisë greke, me kombësi shqiptare e arvanite, do të jetë krenare që e ka, jo kundër vetes, por në anën e vet flamurin shqiptar.
Prandaj komanda e ushtrisë greke duhet menjëherë ta tërheqë vendimin e dënimit për ushtarët me kombësi shqiptare, të cilët, jo vetëm nuk janë pozicionuar kundër shtetit grek, por, me gjestin e tyre, kanë dashur të tregojnë që edhe shqiptarët e mbrojnë Greqinë nëse do të rrëzikohej liria e saj.
Gjatë historisë ka pasur shumë shqiptarë dhe arvanitë që, pa e mohuar kombin e vet, kanë luftuar për lirinë e Greqisë. Janë me mijëra, aq sa Greqia duhet ta thotë, me zemërgjërësi dhe me mirënjohje, që, pa kontributin e shqiptarëvet dhe të arvanitëvet, ajo nuk do të mund të çlirohej prej Perandorisë Osmane. Është e vërtetë që ka pasur shqiptarë edhe në krahun e kundërt, por ne po flasim për ata që kanë kontribuar për lirinë e Greqisë. Po përmendim këtu disa prej tyre. Teodor Kollokotroni, Laskarinë Bubulina, Marko Boçari… A mos do t’i dënojë kjo komandë e sotme e ushtrisë greke, anakonike dhe e kurdisur krejt së prapthi, edhe Kollokotronin, Bubulinën e Boçarin, sepse as ata nuk e kanë fshehur përkatësinë kombëtare?!
Dënojini Kunduriotët, se nuk ishin grekë e luftuan për Greqinë! Dënojini Tombazët! Dënojini Kamadoit! Dënojini Miaulët! Dënojini Kanarët! Dënojini Gurasit, Botasit, Kryezinjtë dhe Karaiskait! Kështu po u themi ne pushtetarëvet të sotëm grekë, anakronikë, të edukuar së prapthi dhe të kurdisur së prapthi, në radhë të parë në dëm të vetë kombit të tyre.
Nëse këta luftëtarë që i përmendëm, i ka njohur Greqia si heronj, si dëshmorë dhe si themelues të shtetit grek në shekullin XIX, atëherë pse u dashka që të shtatë ushtarët shqiptarë t’i dënojë shteti grek i shekullit XX?! Përgjigjja është tepër e hidhur: Sepse, këta pushtetarë të sotëm të Greqisë, janë shumë të prapambetur, në krahasim me çliruesit e Greqisë. Janë anakronikë, janë shovinistë, janë edhe shkurtpamës. Ndoshta edhe injorantë, sepse nuk e njohin historinë ose e njohin të falsifikuar.
Pushtetarët anakronikë dhe shovinistë të Greqisë, e dinë që në ushtrinë e tyre ka shumë shqiptarë imigrantë, shumë arvanitas dhe shumë shqiptarë ortodoksë të Çamërisë. Ata e dinë që fryma kombëtare ndër këta ushtarë, jo vetëm nuk mund të shuhet, por sa vjen e po rritet, prandaj edhe mendojnë ta përdorin këtë rast për të bërë presion ndaj asaj mase ushtarësh jogrekë, të cilët t’i frikësojnë dhe t’i detyrojnë për të mohuar identitetin e vet. Por shovinistët anakronikë grekë duhet ta dinë që këtë herë nuk do të mund t’i hedhin në luftë shqiptarët kundër shqiptarëvet. Nëse një ditë do t’i shkrepë mendja kupolës shoviniste greke të bëjë ndonjë aventurë kundër Shqipërisë, ajo duhet të llogaritë që, më shumë se gjysmën e ushtarëvet të ushtrisë greke do t’i ketë kundër vetes.
Përfundimisht, i nderuar Zotëri, ne Ju vumë në dijeni, me argumente të mjaftueshëm, që dënimi i atyre shtatë djemve shqiptarë, efektivë të ushtrisë greke, është krejt i padrejtë dhe ky fakt duhet t’u tërheqë vëmendjen të gjithë organizmavet përgjegjës të Bashkimit Evropian dhe të NATO-paktit, se qëndrimi i pushtetarëvet grekë ndaj fqinjëvet shqiptarë është në kundërshtim me interesat edhe të vetë kombit grek. Prandaj dhe po shpresojmë që ndërhyrja Juaj pranë organevet të shtetit dhe të ushtrisë greke do të rezultojë me lirimin sa më parë të atyre ushtarëve.
Gjokë Dabaj, Durrës Janar-shkurt 2017

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura