Vlorë, 08. 02. 2017: (Mozaiku pellazgjik në botën romanore “Kodi i baltës së pjekur” të Çlirim Hoxhës) – Romancieri Çlirim Hoxha, autor i shtatë librave të botuar në gjininë e prozës së gjatë, pasi u la kohë të mjaftueshme lexuesve, dashamirësve të librit dhe studiuesve të letërsisë e historisë, na mblodhi së bashku të diskutojmë për pjellën e shpirtit të tij krijues.
Se përse e ka shkruar Çlirim Hoxha këtë vepër, kam dëshirë të bëj një paraqitje të shkurtër për njerëzit që e duan librin: Lexuesi ka në dorë veprën e një autori, i cili është i njohur në gazetari e publicistikë, por që spikat edhe në dy fusha të tjera të diturisë: si krijues letrar i prozës së gjatë, që ka krijuar përvojë në linjën e romanit, dhe si studiues i pasionuar për gjurmime e kërkime në mënyrë të pavarur, si individ apo edhe si pjesë organike e grupimit të studiuesve të tjerë të përkushtuar në fushën e Studimeve të Pavarura Pellazgjike, organizuar dhe integruar në Shoqatën e Qendrës së Studimeve Pellazgjike. Kjo shoqatë, më 21-22 tetor 2011, organizoi në Tiranë Konferencën e Parë mbi Qytetërimin Pellazg (e para në botë e këtij lloji), ndërsa më 18 dhjetor 2016 u organizua Simpoziumi i Katërt i Shoqatën së Qendrës së Studimeve Pellazgjike, e cila ka dhe revistën e saj me emrin e duhur e kuptimplotë “Dodona”. Çimi është anëtar i kryesisë, që nga fillimi, konsekuent e konstant, me kontribute të dukshme për “zanafillën 10 mijë vjeçare të shqiptarëve”, siç ka dhe logon Shoqata e Qendrës së Studimeve Pellazgjike.
Me librin “Kodi i baltës së pjekur”, autori vjen me një gjetje artistike në gjininë e prozës së gjatë, me llojin e romanit, duke na sjellë një material të ngjeshur me kohë, që lëviz aty te 4717 – 5000 vjet nga sotshmëria në retrospektivë; me mozaik hapësinor nga Shqipëria, Greqia, Franca, a më ngushtë nga Athina, Tirana, Vlora, ishulli i Lemnit, Parisi; ku veprojnë një galeri e tërë personazhesh të klasifikuar sipas hierarikisë së vlerave në shoqëri, që nga qytetarët e thjeshtë, specialistët, studiuesit, profesorët, shkencëtarët, apo zyrtarët, drejtorët, (theksueshëm në dy vende ballkaniko-mesdhetare, fqinjët e vjetër Shqipëri – Greqi), burokratët e institucioneve, të muzeve, të ministrive, deri në kupolë, në zyrën me shkëlqim të rëndë verbues të kryeministrit të shtetit kufitar nga Jugu (gjithmonë brenda linjave që hap letërsia). Planet strukturore të romanit kanë hapësirë, subjekti zhvillohet, siç po e ndjekim në tekst, deri sipër në zyrat ministrore, biles në majë të piramidës kryeministrore të shtetit grek. Personazhet e Çlirim Hoxhës realizojnë ngjarje nga më të papriturat, që, sipas skanerit autorial, të mbajnë në tension, me nerva të tendosura apo të krijojnë situata të këndshme, të bukura, tërheqëse, deri në tronditje. Ata janë dinamikë, kanë densitet dhe intensitet veprimi. Ka dramë, ka dashuri, ka seks, ka Synim. Shkalla e lartë e forcës, energjia, vrulli vërehen sidomos në dy personazhet kryesorë të veprës: Erand Muja dhe Elisavet Holebas. Në kërkim të së vërtetës, heronjtë pozitivë të romanit bëhen një skuadër serioze në funksion të Synimit të madh. Për hir të së vërtetës së madhe, heronjtë e romanit të Çlirim Hoxhës e marrin rrezikun në sy, krijojnë një solidaritet shembullor, se në rremba u qarkullon gjaku i të parëve, që i thërret për misionin e bekuar nga hyjnitë e të parëve të të parëve tanë. Ata nuk tuten as nga sakrifica sublime, në gjurmë të kulturës materiale, asaj pllake varri, aq të çmuar, gjetur në ishullin e Lemnit, që në kërkim të origjinës së tejlashtë të banorëve të trojeve tona, ishte i vetmi objekt i gjuhës së shkruar shqipe, për të bërë lidhjen midis pellazgo-ilirëve dhe shqiptarëve të sotëm, që duhej paraqitur patjetër në Kongresin Botëror të Gjuhëve të Vjetra të Parisit. Nëse mund ta kërkojnë rrethanat, vetëm e vetëm për arritjen e Synimit, për etnogjenezën e shqiptarëve, Erandi me Elisavetën, me vullnet, dije, vëmendje e guxim, e bëjnë të mundur të pamundurën. Personazhet në vepër ndahen në dy palë, që me gjuhën antropologjike klasifikohen: tanët dhe të tjerët, ne dhe ata, shqiptarët dhe grekët.
Autori Hoxha, me letërsinë që bën, shfaqet i qartë letrarisht, duke nuhatur intuitivisht bashkëveprimin ndërdisiplinor të shkencave sociale me letërsinë, gjuhësinë dhe prehistorinë, mbetjet kulturore të periudhave parake historike, duke kërkuar të shkruajë qartë, sipas mundësisë për shikimin tejet të largët ndaj qytetërimit pellazgjik, që, ndër ne, endet si një re mitologjike aq dhe reale, veçse ende e pa njohur dhe e klasifikuar nga opinionet shkencore bashkëkohore. Jo nga leximi, por nga studimi i romanit, kuptojmë, që autori ka kërkuar të njihet me gjuhët e vjetra, që quhen gjuhë të vdekura. Ai është marrë me historinë e antikitetit pellazgo – ilir, si një pellazgolog idealist, i pakthyeshëm, i përkushtuar e i vendosur. Ka shumë personazhe, toponime, objekte, fakte, detaje, raporte, debate, diskutime, teza të rëndësishme që të ngelen në kujtesë ndryshe nga sa na bezdisin ca media të shkruara e vizive, (sipër dhe këtu) … Mbi të gjitha, ravijëzohet lidhja e qartë logjike e kuartetit: Pellazgji, Stela, Ishulli i Lemnos, Shqipëri, (të paktën 2700 vjet para erës sonë gjurmëlënëse, që ne shohim në tekst).
“Kodi i baltës së pjekur” është roman historik, apo më ngushtë, roman prehistorik. Në letrat shqipe, temën historike e kanë trajtuar letrarisht Sabri Godo, Ismail Kadare, Skënder Drini, Sulejman Krasniqi, Petro Marko, Shevqet Musaraj, etj. Por, për rastin që diskutojmë, kemi të bëjmë me një “specialitet” të veçantë, me romanin historik të një lloji të ri në trajtim (veçse tejet të lashtë në ekzistencë jetësore). Qytetërimi pellazgjik në letërsi, si temë, ndoshta është gati e parrahur; për të mos thënë, është i pari Çimi që rrok hapësira dhe kohë të tej lashtë, prurë letrarisht në një trajtë studimore në sotshmëri, me personazhet që ka ndërtuar, me idetë që hedhin dhe mendimet që mbartin, në funksion të tezës shumë të diskutueshme që mbron, që ha debat shkencor në qarqet akademike shqiptare dhe ato të huaja, sepse, për një arsye a një tjetër, “gjumi i ariut” ndër ne është i ëmbël sot, por nesër shkakton pagjumësi apo del i hidhur… Kështu mos qoftë…
Ndjej kënaqësi që marr pjesë në këtë ngjarje letraro-kulturore-albanologjike të qytetit, kësaj radhe projektuar e realizuar nga familja Hoxha, at e bir me banim në Vlorë: babai shkrimtari i librit, djali piktori i librit. Redaktori dihet, është i mbarënjohuri ynë, “Mjeshtri i Madh”, se një ka Vlora për Letrat – prof. Bardhosh Gaçe, të cilit, i mbetet qejfi po s’i përmende vlerën e merituar të grafistit Kosta Raka, se mërzitet romani pa ilustrimet… Ndihem mirë me pjesëmarrjen time, edhe për faktin se Çimi me Klevisin plotësojnë në imazhin tim një bulëz të Pemës së shëndetshme Letraro-Artistike, me rrënjë të thella, me trung të fuqishëm, me degë të freskëta e gjethe të gjelbëra të Krijimit.
Formalisht janë shumë faqe, rreth 400, që plotësojnë lëndën e ngjeshur romanore, por autori, duke perfeksionuar mjeshtërinë e shkrimit, me këtë roman ndryshe, ka përdorur (edhe pse fasada na shfaq një sipërfaqe të lodhshme fletësh) një gjuhë lakonike të dobishme për të ç’kodifikuar pllakat, si mbijetoja të antikitetit të artë të të parëve tanë, të cilat mbetën 4 -5 mijë vjet, tulatur e tutur nga një trekëndësh ardhur ndryshkur deri më sot: 1. mbuluar nga pluhuri i harresës, 2. nga qulli i mosdijes dhe 3. nga llumi i ligësisë. Ju, miq të librit, jeni letrarë, njohës dhe mësues veteranë dhe të sotëm të letërsisë, gjuhëtarë e profesorë të fushës dhe mund ta nuhasni bukur e hollë që autori subjektin e shtjellon në 8-9 rreshta, cituar nga filologu italiano – arbëresh Xhuzepe Krispi [Giuseppe Crispi (Arbërisht: Zef Krispi, 1781-1859)], që, si pararendës i studiuesve romantikë të shekullit të XIX, mëshonte mbi tezën se shqipja qe nëna e gjuhëve, tezë që u përkrah edhe nga shkrimtarë të tjerë arbëreshë të Italisë si Jeronim De Rada (1814-1903) e Dhimitër Kamarda (1821-1882), apo nga rilindasit tanë si Pashko Vasa (1825-1892), Abdyl Frashëri (1839-1892) e Sami Frashëri (1850-1904), por që, sipas albanologëve tanë, i përkasin “fazës parashkencore”. Autori i romanit “Kodi i baltës së pjekur”, në paradigmën e albanologut romantik arbëresh Zef Krispi; “Duke gjurmuar origjinën e gjuhës greke, është një gjë e bukur të njohësh se si ajo të kthen, në pjesën e saj më të madhe, te shqipja. Si nuk u dashka pra të ngjallë një interes të madh kjo gjuhë, mbase më e lashtë se greqishtja dhe në thelb, gjuha me të cilën flitej në shekujt para Homerit… Dardanët, frigët, maqedonët dhe pellazgët, pa dyshim më të lashtë se helenët, kishin të njëjtën gjuhë, gjurmët e së cilës vërehen sot te gjuha shqipe” gjeti “Thembrën e Akilit” dhe goditi bukur.
Teksti është i mbushur bukur me fjali të thjeshta në ndërtim, të pasura në përmbajtje, që nuk të lodhin, se mbartin ngarkesë emocionale të ndezur dhe të dekoruar me të gjitha ngjyrat e jetës së përditshmërisë njerëzore, me diskutime e kërkime, me dashuri e dhimbje, me përplasje e nerva, me ulje e ngritje. Shpesh herë reminishenca pellazgjike na vjen si retrospektivë romantike e pashlyeshme, në strukturën e tekstit, ku feksin fjali në trajtën e fjalëve të urta. Autori shfaqet edhe si një mjeshtër i përshkrimit fizik të personazheve, deri në imtësitë e mundshme të përshkrimit letrar. Nuk do të ndaloj në sherbetin figurativ, me të cilin autorin ka spërkatur lëndën, për ta mbajtur të ëmbël veprën, sepse do të kërkonte kumtesë më vete, por thjeshtë po përmend similitudën e Çimit “kostelacion nishanesh të vegjël, si yjet e largët të Arushës së Vogël që shfaqeshin në kupën e qiellit” [një krahasim i zgjatur ky, i cili e bën akoma më të plotë përfytyrimin për djalin e hijshëm vlonjatë, me shtat të drejtë sportiv, 1.77 m i gjatë, me nishan mbi faqen e djathtë, me kaçurrela skrop të zeza e sy blu të shkruar, të qeshur e me bisht të Erandit simpatik, diplomuar për histori antike dhe arkeologji, që tërboi bjonden e fuqishme greke Marinela Kostandinos në Muzeun më të madh arkeologjik të Ballkanit, (edhe kjo figurë është përshkruar bukur shumë, natyrshëm, pa artificializma)]. Autori i bën një përshkrim romantik Erandit, me atë portret djaloshar, të bukur e dinjitoz përballë një sirene deti, siç qe bjondinka faqemollë, Marinela e Athinës. Gjykoj se edhe shtatlartësinë e Erand Mujës e lidh antropologjikisht me etnogjenezën. Duket si një detaj formal, por ka rolin e duhur në ansamblin veprimtar, në funksion të Synimit. Me dashuri e ka përshkruar ai dhe restauratoren Elisavet Holebas, “të freskëtën me reflekse ylli”
Edhe pse tema është shumë delikate, kam vënë re pozitivisht, që autori nuk ka rrëshqitje në studimizëm pa krye, është treguar i vëmendshëm dhe i ka ruajtur me kujdes raportet studimtari historike – krijimtari letrare. Si studiues i përkushtuar, ai përdor dhe shpullën e guximshme të fjalës për vertikalët e fushës. Ai ndjek me koherencë linjën pellazgo – iliro – shqipe dhe nuk gabon në kronologjinë relative të zhvillimit të etnosit iliro – arbëror. Që ta qartësojmë sadopak situatën e librit, e shohim të udhës të bëjmë një paraqitje për katër etapat e ndërmjetme historike (paleoilirë, ilirë, arbër – kohë historike mbi 3000 vjeçare), të cilën autori e ka respektuar. Sipas albanologëve të prehistorisë, që merren me studime ndërdisiplinore për historinë parake, gjuhën shqipe, letërsinë dhe kulturën e shqiptarëve, shoqëria njerëzore ka si hallka lidhëse e ura kalimi midis prehistorisë dhe gjendjes së sotme këto katër periudha të zhvillimit historik:
1. Paleoilirët (ilirët e hershëm) koha e Bronxit – mijëvjeçari i tretë p.e. r. deri në shek. XI p.e.r., fillimi i epokës së Hekurit;
2. Ilirët, epoka e Hekurit, shek. XI p.e. r. deri në shek. IV – VI të e.r.;
3. Arbërit, koha e Mesjetës së hershme, shek. VII – XIII, XIV të e.r.;
4. Shqiptarët, koha e mesjetës së mesme e vijim .
Dhe më tej, kujtojnë studiuesit e fushës: “Gjatë epokës së Paleolitit të Lartë (30.000 – 12.000 vjet më parë) vazhdon procesi i antropogjenezës, d.m. th. i formimit të njeriut si i tillë, rrjedhimisht nuk mund të flitet as për gjuhë pellazge dhe as për popuj të cilësuar etnikisht.
I përmenda këto etapa, se shkrimtari e studiuesi Hoxha, si të kishte sy shqiponje për mendimin, shikon edhe nëpër mjegull. Këtu qëndron merita e autorit, lexues të nderuar; ai nuk tjerr histori, por bën letërsi, ku spikat trajtesa fine e lëndës historike, të besueshme me trillin e shkrimtarit. Autori nuk i nënvleftëson periudhat kronologjike relative të zhvillimit përderisa sa merr penën e guxon të shkruajë për një temë të madhe, kushtuar një populli të lashtë me histori e gjuhë, se nuk kanë qenë memecë të parët e të parëve tanë, protoilirët pellazgjikë. I vëmendshëm e i kujdesshëm tregohet autori për të mos lënë vakume, boshllëqe, ku të shpojnë skeptikët me dyshime për tekstin që ai ka shkruar e botuar. Në bojën e penës së autorit ka lëndë gjuhësie, historie, arkeologjie, etnografie, etnologjie, antropologjie, religjonale për tekstin letrar në funksion të Synimit. Ai edhe fenë e ka studiuar po në funksion të tematikës që trajton dhe kjo është e dukshme kur, në tekst i duhet kultura fetare (aq sa i nevojitet). Çlirim Hoxha është romancieri i parë shqiptar, që rrok temën e madhe pellazgjike.
Fola më parë për ç’kodifikimin që realizon autori me planet vepruese hap pas hapi e të shkallëzuar në vepër. Çimi, të 2700 vjetët para erës sonë, me gjithë botën tonë paraardhëse, nëpërmjet Stelës së Lemnos, deshifrimit të asaj pllake varri qeramike, të sallës së famshme nr. 53, me baltën e pjekur të qytetërimit pellazgjik dhe paraqitjen e asaj dëshmie të pakontestueshme atje ku duhet e ku mblidhet elita e mendimit botëror, na i pruri këtu bindshëm me romanin e tij. Ky libër është roman, nuk është histori. Ka pra trill, por ndërtuar mbi realitetin jetësor e historik, sado të largët, të brishtë, deri të pakapshëm, autori di e na i sjell. Shkrimtari, në funksion të idesë që rrok, përmend edhe emra të përveçëm si Zef Krispi, Xhuzepe Katapano, Shote Galica, Ismail Qemali etj.; por unë tek personazhe si zonja fisnike Emine Valona gjej kulturologen humaniste Nermin Vlora Falaschin me tezat e saj dritërore për Pellazgët yjnor; tek kryetari i Qendrës së Studimeve Pellazge, profesor Luan Pazaj dhe profesoreshë Lindita Pazaj, gjej prof. Luftulla Peza me bashkëshorten e tij, studiuesen e pasionuar Liljana Peza; tek arvanitasi Aristotelis Kolikas, gjej të pavdekshmin e Çështjes së Madhe Aristidh Kola. Të mos flasim pastaj për Erand Mujën, që edhe pse autori i vënë ca kaçurela skrop të zeza e i ka bërë ca patinime të tjera, nuk e maskon dot me tjetër kënd, se ato karakteristika fizike, shpirtërore dhe intelektuale, deri me shkrimet e linjës te gazeta “Telegraf”, i përmbush vetëm një pellazgolog i ndjeshëm e i zjarrtë, 1.77 m i lartë me emrin zyrtar Çlirim Hoxha, (megjithëse letërsi kemi, jo monografi dhe trillet e zbukurojnë lëndën letrare). Duke u ndjerë këndshëm në lexim, me përfundimin pozitiv të kryengjarjes dhe bashkimin e lumtur në Vlorë të dy personazheve kryesorë (Erandit dhe Elisavetës), po i mbyll shënimet e mia të përgjithshme për romanin “Kodi i baltës së pjekur” të shkrimtarit të njohur Çlirim Hoxha, me respekt për kontributin special që autori jep ndaj kësaj teme madhore, e rrallë në letërsinë bashkëkohore shqipe.
Vlorë, e premte, 03. 02. 2017
MSc. Albert HABAZAJ / poet, studiues.