Tiranë, 13. 02. 2017: 1. Në librin tim “Për ju, krijuese…”(Tiranë,2015), ndërmjet 90 shkrimeve kushtuar poeteve e shkrimtareve, artisteve e veprimtare tona, nga Shqipëria e trojet tjera amtare, por dhe nga ngulimet e shqiptarëve, në Evropë, Amerikë e Kanada, është dhe ai kushtuar librit të arsimtares poete, Merita Gjoni-Gjoka. Titulli i tij është, “Si na rrethon ajo, me “duar dashurie”, në poezitë e saj”, duke përsëritur atë, që ka tërë ai libër
Por, një tjetër shkrim i është kushtuar atij libri poetik, tashmë nga publicisti e studiuesi Sejdo Harka dhe që ka qenë i ftuar në librin tim të ri, “Kur flasin zemrat…”(Tiranë, 2016), bashkë me atë kushtuar poetes korçare dhe me banim në Kaliforni, Reshida Çoba. Në shkrimin për librin e Meritës, ai ka edhe këto radhë vlerësuese, me titullin “Shpirti poetik i një mësueseje”:
“Pas librit të parë, ”Abazhur zemre”(2011), kohët e fundit ajo rishfaqet përsëri para lexuesëve, me vëllimin e ri poetik, ”Me duar dashurie”. Vjershat e këtij vëllimi, kryesisht, janë lirika të mendimit dhe të ndjenjës, që shpesh ndërthurën me elementet e fotografimit të ngjarjeve të kohës dhe narracionin për to. Problematika e poezive të Merita Gjonit është, sa e gjerë aq dhe e larmishme. Shpirti poetik i kësaj mësueseje, lundron përmes dallgëve të vështira të jetës së përditëshme. Ai përpalset me rrymat dhe kundërrrymat antinomike të ndjesive shpirtërore të njeriut të ditëve tona…”.
M.Gjoni e M.Gecaj (Tiranë, prill 2016)…
Nërsa në mbyllje studiuesi S.Harka shkruan: “Së fundi, mund të themi se krijimtaria poetike e mëseses Merita Gjoni-Gjoka i ngjan një fëmije të shëndetëshëm, që rritet dhe zhvillohet vrullshëm. Ajo ka impuls dhe çiltërsi, ndjenjë dhe përjetim, vendosmëri dhe guxim për të sjellë para lexuesve vlera, mesazhe dhe ndjesi të bukura dhe emocionuese”.
2.
Por në librin “Kur flasin zemrat…”është dhe një skicë, shoqëruar me disa fotografi, në të clën kam shkruar për “Festën e Abetares”, të cilën e kishte organizuar aq bukur, mësuesja Merta Gjoni, në mjediset e shkolls “Azem Hajdari” të Kamzës. Në radhët vazhduese të atij shkrimi, lexojmë: “Plot emocione, mësuese Merita i falënderoi të gjithë pjesëmarrësit në “Festën e Shkronjave”. Por as përshëndetja ime, ajo e drejtorshës dhe as fjalët falënderuese të dy-tre prindërve, nuk ishin “fjalime”, që t’i bezdisnin vogëlushët ose të ftuarit e tjerë. Ndërkaq, shoqëruar me muzikë të këndshme, sytë e të gjithëve u drejtuan në një ekran, ku u projektuan pamje nga jeta mësimore dhe veprimatritë e kësaj klase të parë.
Por, siç është e kuptueshme, të gjithë prisnin që vetë fëmijët ta nisnin festën e tyre, sipas programit të hartuar nga mësuesja e pasionuar, Merita Gjoni-Gjoka. Secili prej tyre, kishte në kokë kapelën, me një shkronjë të Alfabetit të gjuhës sonë amtare. Pastaj, njëri pas tjetrit, ata nisën të recitonin, të sigurtë e me zërin si cicërima zogjësh. Tematika e tyre ishte e larmishme, si: për Atdheun, Nënën, Pranverën dhe për shkrimtarët tanë kombëtarë: Naimi, Mjeda, Fishta etj…”.
…Nuk do të zgjatemi më tej, në dy shkrimet, që përmenda më lart, për mësuesen e pasionuar dhe poeten e talentuar Merita Gjoni-Gjoka. Por vetëm dëshiroj të them se, me siguri, ajo ka thurur poezi të reja dhe, ndoshta, së shpejti do të dalë përpara lexuesve me një libër të radhës. Prandaj, e urojmë atë përzemërisht, si në detyrën e përditëshme dhe në krijimtarinë letrare të saj!
Prof.Murat Gecaj – publicist e studiues. Tiranë, 13 shkurt 2017
Ballinat e librit, “Kur flasin zemrat…”(Tiranë, dhjetor 2016), me autor M.Gecaj, pjesë e të cilit është edhe mësuesja poete, Merita Gjoni-Gjoka…