(Pashtriku.org, 25. 09. 2012) – Agim Hamiti ka shkruar dy vëllime me titull: “Odiseja e një dedektivi (ngjarje të jetuara)”. Autori pjesën e parë të librit “Odiseja e një dedektivi (ngjarje të jetuara)” e nis me përshkrimin e ambientit ku shtrihet Kampi famëkeq i Spaçit (në rrethin e Mirditës), i cili ishte i njohur si një nga kampet më të rënda, ku kanë humbur jetën qindra të burgosur politik shqiptar, gjatë regjimit komunist të Enver Hoxhës. Nga viti 1984 edhe Agim Hamiti ishte pjesë e kalvarit të të burgosurve politik në Shqipëri.
* * *
SPAÇI
“Burgu, kjo greminë e përuljes njerëzore…” – (Xh. London)
Çdo kalimtar që shkel për herë të parë në Spaç pushtohet vetvetiu prej një apatie të përgjithshme, të ngjashme me atë që provon njeriu kur padashje bëhet dëshmitar i një jete në agoni. Edhe sikur udhëtari në fjalë të mos jetë i vetëm, duke hyrë në pusin e madh natyror që përbën ky vend, ai do të ndiej nevojën e një heshtjeje soditëse, për tu thelluar në botën e ndjenjave të tij të befasuara.
Vendi është i rrethuar nga të gjitha anët prej një vargu kodrash të larta. Po t‘i shikosh prej gropës së Spaçit, ato të krijojnë përshtypjen e dy vargmaleve në formë gjysmërrethi vendosur përballë njëri-tjetrit, ngaqë relievi është tepër i thyer. Në dy pikat simetrike të takimit të tyre, në juglindje e në veriperëndim, shtrati i ngushtë e i thellë i një përroi hap dy dritare natyrore të këtij hauzi të madh.
Shkurret që mbulojnë pjesërisht shpatet e kodrave rrethuese i nënshtrohen një lufte të rreptë me natyrën, për të mbijetuar egërsinë e asaj toke shterpë në procesin e shpërbërjes. Rrënjët e tyre gjysmë të dala mbërthehen fort, duke depërtuar anash gurëve të djegur bojëkafe, ose nëpër të çarat e pllakave të shtresëzuara. Gjethet e tyre mund të shikohen të shpalosura në diell vetëm për pak orë, mbasi, sapo fillon të nxehtit, ato tkurren për të ngadalësuar avullimin e ujit të siguruar me shumë vështirësi.
Në përgjithësi sipërfaqja e tokës është ngjyrë kafe në të murrme dhe del shtresa-shtresa në formë pllakash të thyeshme. Acidi sulfurik, mjaft i pranishëm në ujërat rrjedhëse të kësaj zone, është faktori kryesor i procesit të shpërbërjes së sipërfaqes normale të tokës. Syri mund të të zërë bar shumë rrallë, vetëm në ndonjë vend të rrafshët që rastësia e ka favorizuar për t’i shpëtuar pushtetit shkatërrimtar të acidit. Edhe shtrati i thellë me anë të thepisura i përroit, i cili gjatë verës mbetet pothuajse i thatë, mban ngjyrën e kriprave acide. Këto dukuri të strukturës së paqëndrueshme të sipërfaqes së tokës bien edhe më shumë në sy, për shkak të pjerrësisë së theksuar të shpateve rrethuese.
(…)
LEXONI DY VËLLIMET E LIBRIT:
……………………
KLIKONI PJESËN E PARË KËTU:
https://pashtriku.org/ngarkimet/dokumentet/Odiseja-E-Nje-Detektivi-1.pdf
…………………..
KLIKONI PJESËN E DYTË KËTU
https://pashtriku.org/ngarkimet/dokumentet/Odiseja-E-Nje-Detektivi-2.pdf
===================================