Kumanovë, 15 mars 2017: Selver Jashari se ishte atdhetar i vërtetë e morëm vesh plotësisht pasi ai e mori detyrën e drejtorit të spitalit në Kumanovë. Ishim lodhur me portretin e atyre të cilët përgjatë luftës ishin në gjendje ta jepnin jetën për të mirën e atdheut, mirëpo në kohë paqeje nuk ishin në gjendje të paktën të mos vidhnin, po ashtu për të mirën e atdheut. Selveri me gjithë zemër e kishte kapur pushkën kundër armikut pushtues. Kështu nuk do të shkruanim sikur ta keqpërdorte detyrën si drejtor i spitalit në Kumanovë, ngaqë nuk mund t’i arsyetojmë marrëzitë e tanishme në emër të një të kaluare të lavdishme. Përballja me të keqen është luftë më vete, mbase shumë më e rrezikshme dhe më e vështirë se vetë lufta e armatosur.
Gjithsesi, Selveri për një kohë të shkurtër ia kishte kthyer shëndetin spitalit të Kumanovës. Kanceri i quajtur korrupsion kishte filluar të zbehet dhe të degdiset. Spitali kishte filluar të bëhej shtëpia e dytë e Selverit. Diku 15 orë në ditë i kalonte në spital, jo vetëm duke qëndruar në karrige, por duke i shkelur vetë repartet dhe duke mos pranuar asnjë lloj kompromisi për sa i përket ardhjes me kohë në punë dhe luftimit të ryshfetit. Disa mantelbardhë zemërzinj dridheshin dhe nuk mund ta honepsnin dot Selverin, ngaqë ishin mësuar t’i shkelnin parimet morale, profesionale dhe ligjore përgjatë ushtrimit të detyrës. Disa mantelbardhë zemërzinj kishin filluar të shqetësoheshin shumë, mirëpo qytetarët të cilët përskaj varfërisë duhej të gjenin para për ta korruptuar ndonjë mjek fillimisht për ta zënë rendin, kishin filluar dukshëm të liroheshin dhe të gëzoheshin. Rendi për mjekim vështirë kapej për arsye të anarkisë që mbretëronte në vendin më të ndjeshëm të një shoqërie. Përpos se rendi kishte filluar të futej në binarë të së duhurës, gjuha shqipe dhe përfaqësimi profesional dhe etnik kishte filluar të merrte jetë.
– Selver Jashari –
Megjithatë, kjo nuk zgjati shumë. As një vit. Kriminelëve ekonomik dhe atyre që i frikësoheshin konkurrencës kjo gjendje nuk u pëlqente. Ata dëshironin mjegull në mënyrë që të pasuroheshin shpejt dhe ta lartësonin ndikimin te pacientët e gjorë. Për rrjedhojë, Selver Jashari u detyrua të jep dorëheqje për ta marrë pastaj goditjen tjetër tejet të rëndë në zgjedhjet parlamentare ku edhe pse ishte bartës liste nuk arriti të bëhet deputet. Shtoja kësaj edhe disa procese gjyqësore kundër tij, kuptohet të motivuar politikisht. Dështoi shoqëria e lidhur ngushtë me biznespolitikën, ngaqë të dëshmuarit nuk i përkrahu dhe në vend të tyre, kameleonëve ia hapi rrugën.
Ngjashëm, ende pa u bërë një vit qeverisjeje në Komunën e Preshevës, matufët pleq në politikë, të cilët kishin frikë prej frymës së re përparimtare, Shqipërim Arifin e shkarkuan prej detyrës së kryetarit të Komunës së Preshevës. Një njeri që kishte braktisur të gjitha të mirat në Gjermani për t’u kthyer në vendlindje dhe për t’u përballur me malin e problemeve që mbizotëronin në Luginë të Preshevës. Ai kishte braktisur një vend të cilin e synojnë shumica e shoqërisë sonë. Përnjëmend iu fut politikës duke pas për qëllim ndryshimin e gjendjes së përgjithshme në Luginë të Preshevës përmes politikës. Ishte njeri i dëshmuar si në aspektin moral ashtu edhe në atë profesional. Gjeti përkrahje të madhe sidomos te rinia, moshë kjo që e mbushi Shqipërimin përplot shpresë. Numrat pas zgjedhjeve lokale ashtu ishin, saqë u detyrua të bashkëpunojë me një parti me fytyrë të rinuar, por me një trup të urinuar prej pleqve matufë, të cilët nuk mund ta mbanin më urinën. Fjalën jo se jo! Pikërisht në kohën kur Komuna e Preshevës me gjithë ndodhitë dhe rrjedhat e saja filloi të hapej për qytetarët, pikërisht kur nepotizmit dhe korrupsionit kishin filluar t’i ngushtoheshin rrugët dhe pikërisht në kohën kur po krijohej një klimë shumë e përshtatshme për investues vendorë dhe të huaj, mugulloi tradhtia e atyre të cilët ishin mësuar të mbijetojnë në politikë përmes mashtrimeve, tradhtive dhe krimit ekonomik. Ende pa i mbushur një vit qeverisjeje, Shqipërimi u detyrua të përshëndetet me Komunën e Preshevës.
Kësodore, më rëndë se për vetë këta viktima të politikanëve matufëve apo kufomave politike, është për ëndrrën rinore dhe ata të cilët duan të udhëheqin ndryshe krahas matufëve të cilët kurrë nuk dëshmuan sukses, por e trajtësuan veten në fabrika në të cilat prodhohej vetëm tmerr dhe terr. Sidoqoftë, fryma rinore e gërshetuar me përvojën dhe këshillat e të moshuarve të ndershëm nuk duhet të ndalet asnjëherë, as të bie në pellgun e pikëllimit, por me mençuri, dituri, vullnet dhe guxim duhet përballur me të dështuarit në jetë dhe në politikë, përndryshe siç thotë edhe Ajnshtajni: “Çmenduri është të bësh gjithmonë të njëjtën gjë dhe të presësh rezultate të ndryshme”.